Sevo Tarifa/ ‘Më të bukur se atdheu s’paska, kështu shprehej Kozma Naska!

1184
Sigal

*Shkrimtar

 Dhe shembullin e dha vetë. Për Atdheun dha jetën në lulen e rinisë. Në vitet më të bukura të jetës. Vite që njeriu i gëzon vetëm një herë. Sa bukur! Të japësh jetën në pranverën e bukur të saj, në vitet e rinisë, për lirinë e Shqipërisë, s’ka nder më të madh, je atdhetar i vërtetë, bën sakrificën më e lartë, je dëshmor, ndriçon në tokë si yjet në qiell, je yll i pashuar, yll gjaku! Kështu mendonte dhe vepronte Kozma Naska dhe meritoi titullin Hero i Popullit!

Trimat nuk qahen…

Emrin “Kozma Naska” nuk e kisha dëgjuar. E dëgjova për herë të parë të nesërmen e asaj dite, që ai ra në fushën e nderit. Do zhvillonim mbledhjen e radhës të grupit të simpatizantëve të Partisë. Hymë një nga një, jo në të njëjtën kohë, në atë shtëpi të thjeshtë, bazë e luftës,  në rrugën e Dibrës. Para se të fillonim nga rendi i ditës, një lajm të hidhur na dha përgjegjësi i grupit, Koço Titka: U vra duke luftuar heroikisht komisar Kozma Naska! Dhe në çast nuk mundi të vazhdonte më tej. Iu zu gryka. I ndryshoi fytyra kuqërreme. Të gjithë u  befasuam. Shtangëm. Po shikonin njëri-tjetrin.  U ngritëm në këmbë dhe nderuam me grusht! Shenjë dashurie e nderimi për heroin. Në sytë tanë, lot! Përgjegjësi e mori veten e me zë të dredhur na tha dy fjalë: “Shokë, trimat nuk qahen”! Dhe nisi të tregonte për dëshmorin, që ra si lis në tokën mëmë. Dhe mbeti në këngë: “Trim i ri, zemër luani/ rritur mbi kala/ rende ti, kur fryu tufani/ nëna yll të tha/ Fluturon si shqiponjat/ sy patrembur, biri i nënës/  hodhe valle mes plumbave/ drejt lirisë, o hero/…Lule gjaku kuqëlon/ këndo me ne në dasmën tonë/ o zambaku mbi kala/ djali ynë Kozma” (Ilia Petriti) Dhe këngë të tjera. Poezi të zjarrta. Fjalë zemre. Lavdi dëshmorit, që u bë Hero ende pa u shpallur zyrtarisht! E bëri populli atdhetar. E bëri gjaku i kuq që derdhi për lirinë e mëmëdheut. Ç’ ti jepte më Shqipërisë, “Manushaqes” së Naimit? S’ka më të shtrenjtë se jeta! S’ka më të çmuar se gjaku. Betimi i mëmëdhetarit është: “Ja vdekje, ja liri!” Emblema e tij është: “Atdheu mbi të gjitha!

Dy beteja të përgjakshme…

Po formohej Brigada e II Sulmuese. Kozma Naska vepronte sypatrembur në ilegalitet, në qytet të Elbasanit. Ishte në rreth të kuq. Gjurmohej, survejohej, rrezikohej. Spiunët e kishin në shenjë. Por “për të çmendur, ka të mençur”. Partia Komuniste i tha Kozmait: “ngjitu malit, te partizanët!” Dhe ai, gati si kurdoherë: në brez nagantin, në sup automatikun. E la qytetin dhe shkoi në Çermenikën e zezë, që po bëhej e kuqe, me yje gjaku. Komanda e Brigadës e pa se ç’ djalë ishte: ecte atyre shkëmbinjve të malit si sorkadh, me sy që i lëshojnë xixa, me zemër që s’i dridhet, me duar që s’i mpihen, me fjalën e zjarrtë, gojëmbël. Dhe Kozmai u caktua  komisar i batalionit të parë. Detyrë politike, patriotike, fisnike, të cilën ai do ta kryente me nder. Terrori nazist dhe tradhtar i vendit kishte shpërthyer me forcë. Tirana u vu në gjendje të plotë shtetrrethimi. Dhjetë operacione zhvilluan nazistët e ballistët gjatë Operacionit të Dimrit 1943-44 duke bërë shumë  bastisje e masakra, burgosje e grabitje, presione, kërcënime e mashtrime. Xhandarë e ballistë hiqeshin sikur ishin të dërguar nga nacionalçlirimtarja dhe kërkonin ndihmë, para!  Partia dhe populli ishin në këmbë. Reprezaljeve të armiqve iu përgjigjën me aksione luftarake. Batalioni i parë me komisar Kozmanë, më 12 dhjetor luftuan në Çermenikë, ku çarmatosën shumë ballistë, u kapën 22 robër dhe gjyqi partizan pushkatoi tre prej tyre. Por armiku shtoi forcat. Vetëm në Çermenikë u hodhën 5000 gjermanë e mijëra ballistë e zogistë, me qëllim asgjësimin e Brigadës II. Situata u rëndua. Kozmai luftonte me mitraloz. Në këto luftime u pa qartësia politike e Kozmait, shkathtësia dhe trimëria e tij, dinamizmi dhe cilësitë organizative të komisarit, por aksioni më i madh, me në krye Kozmanë ishte ai i Shkollës së Kuqe, që nisi në mbrëmjen e 17 janarit 1944. Një grup partizanësh të Brigadës II Sulmuese prej 14 luftëtarësh me automatikë e granata, kapërcyen lumin e Tiranës dhe depërtuan në thellësi të kryeqytetit. Aty i prisnin anëtarë të njësiteve guerile, që do t’i udhëhiqnin drejt objektit të goditjes, në ndërtesën ku qëndronte një repart xhandarmërie, në rrugën që sot mban emrin “Qemal Stafa”. U futën në një shtëpi tiranase. Rreth  orës 21:00 grupi sulmues partizan me komisarin në krye, hynë në oborrin e Shkollës së Kuqe. Në fillim u  asgjësua roja, në çast u hap zjarr dhe u kalua në sulm të rrufeshëm. Armiqtë u befasuan, u çoroditën. Mbetën të vrarë tre xhandarët e parë. Të tjerët u bllokuan në ndërtesë. Sulmi partizan i shpartalloi, i asgjësoi. U vranë 25 xhandarë dhe mbetën dhjetëra të plagosur. Ky aksion bëri jehonë në Tiranë e në gjithë vendin. Armiqtë u alarmuan dhe u drodhën si purteka.

Kulm heroizmi

Armiku u tërbua. Donte hakmarrje. Përballë tij, forca të Brigadës II, të batalionit “Krujë-Ishëm” dhe të batalionit “Dajti”. Prova trimërore Kozmai kishte dhënë në qytet të Elbasanit, atentator ndaj spiunëve; e mori “provimin” shkëlqyeshëm edhe në Shkollën e Kuqe, tani automatiku i tij do të gjëmonte në Brar, në betejën e 22-23 janarit 1944. Ishte e shtunë duke u gdhirë e diel. Forca të shumta gjermane, balliste, zogiste dhe xhandarmërie kishin për qëllim të rrethonin e të asgjësonin  partizanët. Ishte operacion armik i kombinuar. Armiku, duke  përfituar nga errësira natës, mundi që me një pjesë të forcave të depërtojë në Tujan, ku ndodhej batalioni “Dajti”. Po bëhej kërcënues për forcat e Brigadës II që ndodheshin në Brar. Ndërkaq, në drejtim Ferraj-Brar po afroheshin forca të tjera armike, sidomos ato të regjimentit të xhandarmërisë, kurse zogistët lëviznin në drejtim Priskë e Vogël-Zallherr e Qafë-Brar, të mbështetura në anën tjetër nga gjermanë e ballistë. Megjithëse forcat armike lëviznin në errësirën e natës dhe ishin të shumta, nuk arritën dot të kapnin në befasi forcat partizane, që ishin vendosur në kodrat e Brarit, pranë fshatit Ferraj. Qëndresa heroike dhe e vendosur e komisar Kozmait dhe shembulli personal i tij, bënë që partizanët të thyenin shumë herë sulmet e përsëritura të armiqve, të cilët rrethimin e luftëtarëve nuk e realizuan dot, e këtë luftim ishte për t’u admiruar qëndresa e skuadrës prej dhjetë vetash, që drejtohej nga komisari Kozma Naska, bashkëluftëtarë vëllai i tij i vogël, Simoni, Alqi Kondi etj. Ky grup i vogël ndaloi për dhjetë orë rresht sulmet e armiqve, të cilët ishin mbi njëqind. Luftohej një me dhjetë! Kjo qëndresë u bë shpëtimtare për forcat kryesore të Brigadës II, që tani, atë mëngjes, u gjendën të rrethuara. Në këtë luftim mungonte ndërlidhja e bashkëveprimi me komandën e Brigadës. Përpara kësaj situate komisari dërgoi dy herë partizanë për sigurimin e kësaj ndërlidhjeje, por kjo nuk u arrit. Atëherë, pasi i dha udhëzime grupit që të luftojë deri në fund, për të shpëtuar shokët që luftonin me heroizëm, u nis vetë në Brar, me qëllim që të lidhej me shtabin e brigadës. Por në këtë fshat ishin futur forcat tradhtare. Komisari u gjend para armiqve të shumtë, që kishin zënë pozicione qysh më parë. Armiqtë u orvatën ta mashtrojnë komisarin, duke i bërë thirrje të shkonte tek ata se gjoja ishin partizanë! Por komisari e kuptoi se kush ishin dhe luftoi për orë të tëra. Dëgjohej dhe njihej automatiku i tij dhe kur pushoi kjo armë, komisari puthi tokën. Ra komisari i batalionit,  Kozma Naska, vëllai i të gjithë partizanëve; ra dhe komisari kompanisë, Besim Imami. U vranë 40 armiq. Lufta e Brarit ishte një nga betejat e rëndësishme të Brigadës II Sulmuese.

Shqiponjë në fluturim…

Në kopshtin “Naska” me lule, ka një Kryelule, një Hero, një shqiponjë, nderi dhe krenaria e familjes, i vetmi Hero i Popullit që ka Prefektura e Elbasanit dhe Brigada e II Sulmuese. Në heroizmin e këtij Heroi është edhe merita e prindërve të tij, që e kanë brumosur djalin e tyre me virtyte të larta njerëzore. Djalë mali, i fortë si stralli. I kalitur në jetën e thjeshtë e gjithë sakrifica të familjes, të Normales që nuk e mbaroi dot se fluturoi malit, në “folenë” e partizanëve, në rrethe shoqërore atdhetare. Patriot si i ati. Punëtor si i ati. I urtë. I pashëm. Me flokë të dendur e të dredhur, që i ngriheshin përpjetë, me ata sy të ndritur, me qepalla pak të fryrë, ndoshta nga pagjumësia që mendonte për lirinë e atdheut, me atë qafë të gjatë e të shkathët, dinamik, por mbi të gjitha atdhetar i vendosur, i ndershëm, i sinqertë, i dashur, i drejtë, me zemër mirësie, i papajtueshëm me armiq e tradhtarë. Ishte si një shqiponjë në fluturim. Ku nuk shkonte, në takime me vegjëlinë, me rininë. Veprimtarinë atdhetare e filloi që në vitin 1936, në demonstratën kundër transferimit të Normales së Elbasanit në Shkodër. Qysh në vitin 1941 pjesëmarrës në njësitet guerile, i guximshëm në aksione luftarake. U zgjodh komisar i tyre. Kalonte nga aksioni në aksion. Sot në djegien e Kuesturës e marrjen e armëve, nesër në rrëmbimin e shaptilolgrafit në zyrën e fashos. Në marrjen e shtypshkronjës së Ahmet Hoxhollit. Në rrëmbimin e armëve, të ushqimeve e veshmbathjes të Kuesturës. Pjesëtar i njësitit të posaçëm për lirimin nga burgu të sekretarit politik të Qarkorit të Partisë, Tomor Sinani. Aktiv e organizator në të gjitha demonstratat antifashiste dhe në shpërndarjen e  trakteve e komunikatave të partisë. Në djegien e barit të ushtrisë italiane, ne prerjen e linjave telefonike. Ishte mjeshtër për fshehjen dhe maskimin e vendstrehimeve sekrete me amë e materiale luftarake. U ngarkua me rininë punëtore dhe e lidhi atë në bashkëpunim përmes aksioneve me rininë shkollore. U bë udhëheqës i rinisë së Elbasanit dhe bashkëpunonte me Tomor Sinanin.  Armiqtë ranë në gjurmë të tij. Kur fashizmi organizoi shtetrrethimin, Kozmai ishte në shtëpi. E pa rrezikun që i kanosej, se e ndiqnin dhe u hodh nga dritarja e banjës në oborrin e fqinjit, i cili edhe pse nuk ishte me luftën, nga frika nuk e kallëzoi veprimin e Kozmait, i cili kaloi mur më mur e gur më gur dhe u strehua në një shtëpi bazë të luftës….Armiku përgjonte të gjitha lëvizjet dhe veprimet e familjes Naska. Në rrethana të rrezikshme ajo kaloi në ilegalitet. Kuestura e kishte në listën e të përndjekurve politik. E largoi nga qyteti i Elbasanit dhe e dërgoi në fshatin  Shenavlash. Familja ku u strehua ishte e mirë dhe në mbrojtje të familjes që u strehua. Ballistët e kishin nën kontroll si familje “Komuniste”. Kozmai në Labinotin Mal bashkë me shokë u takua me Enver Hoxhën. Partia e caktoi komisar të batalionit të parë të Brigadës II Sulmuese…