Sekretari i Partisë, denoncimi për t’ia “futur” drejtorit pas shpine

1222
Sigal

Albert Kotini

Leonard Veizi

DOSSIER II/ Pas letrës që Sekretari i Komitetit të Partisë të Uzinës së Poliçanit i shkruan Enver Hoxhës

(Vijon nga numri i kaluar)

Deri para pak kohësh kanë qenë të kontrolluara nën siglën “Sekret” dhe “Tepër Sekret”, por tanimë nuk janë të tilla. Dokumentet e mëposhtëm që bëhen publike nëpërmjet gazetës “Telegraf”, tregojnë për problemet që kishte një nga uzinat “Top Sekret” të prodhimit të armëve dhe municioneve, ajo e Poliçanit. Uzina është cilësuar si objekt i një rëndësie të veçantë dhe të gjitha shkresat që dilnin apo futeshin në të, klasifikoheshin në dosjet sekrete të arkivës.

Letra që publikohet sot nga Gazeta “Telegraf” i drejtohet Prokop Murrës dhe është një sqarim përmbledhës i denoncimeve të bëra nga Sekretari i Komitetit të Partisë të Uzinës së Poliçanit, Zenel Hysa ndaj drejtorit të saj Shuaip Braho, si dhe të një grupi punonjësish anonim. Gjithçka që vijon më poshtë është nënshkruar nën siglën “Sekret” dhe mban datën 30-11-1982

 

Shoku Prokop

Letrën e Zenel Hysës, sekretar i Komitetit të Partisë të uzinës së Poliçanit e analizuam për çdo problem që ngre në prezencë të sekretarit të parë të rrethit të Skraparit, Myzafer Sulejmani dhe vetë Zenelit. Problemet qëndrojnë si më poshtë:

1 – Është e vërtetë se 200-300 punëtorë disa herë kanë mbetur pa punë dhe janë kaluar në bujqësi për mungesë lënde të parë. Për zhvendosjet nga lokalet në sistem tunel, ky fenomen do të jetë deri në fund të vitit 1983. pastaj do të stabilizohet.

2 – Përse nuk është përdorur mbimetali, por llamarina? Llamarina ka çmim më të ulët se sa mbimetali. Ata qëndrojnë në raportin 5 me 7.2. Zeneli nuk e kishte të qartë këtë raport.

3 – Problemet biografike për dajën e drejtorit Shuaip Braho qëndronin dhe ai (drejtori) i kishte të shtruara në dokumentet e Partisë.

4 – Drejtori ka ngrënë darkë me armiken Fiqrete Shehun e cila i ka dhënë pako për armikun Mehmet Shehu. Kjo e dhënë nuk vërtetohet nga shoku Zenel Hysa, sepse e ka të dëgjuar.

5 – “Ka sjellë orë dhe i ka shitur”. Ka shitur dy orë dhe është marrë në analizë në organizatën bazë të Partisë.

6 – “Nuk ka dorëzuar teserën e Partisë kur ka dalë jashtë shtetit”. Për këtë është shtruar në organizatën bazë të Partisë.

7 – Ka pasur lidhje me Nazar Berberin, Mendu Backën e Jetnor Ramën. Ky (drejtori) i ka marrë një herë për darkë ku ka qenë dhe shoku Myzafer (sekretar i Parë).

8 – “Në uzinë janë groposur disa materiale me vlerë 2 milionë dhe është dënuar 3 vjet vetëm brigadieri”. Ky problem është mbrojtur edhe nga shokët e Partisë së rrethit që nuk i është vajtur problemit deri në fund.

9 – Në uzinë mbahet në detyrën e kontrollorit një komunist (Lirim Borshi) që e ka dajën të arratisur. Ky komunist me këto të dhëna është sekretar i organizatës bazë të Partisë të administratës së uzinës ku militon edhe shoku Zenel Hysa.

10 – “Uzina ka prodhuar predha pa djegore e fishekun bazë”. Kjo kështu qëndron.

11 – “Në Berat është ndërtuar linjë për rigjenerimin e gomave por është anti ekonomike”. Këtë detyrë për ta studiuar e ka marrë uzina deri në fund të dhjetorit.

Shoku Zenel ka ngritur edhe probleme të punës, organizimit e drejtimit. Disa mendime:

1 – Drejtori i uzinës ka mbi 12 vjet si drejtues. Duke pasur edhe këto të meta ka humbur autoritetin, prandaj duhet ta heqim nga uzina.

2 – Krye kontrollori Lirim Borshi, me të meta biografike dhe të paqartë për shkallën e aktivitetit të të afërmve të tij, jashtë shtetit të arratisur, të transferohet nga uzina e të kalojë në ndërmarrjet e ekonomisë popullore.

3 – Për rastet e groposjes së materialeve, jam i mendimit që hetuesia duhet ta shikojë edhe njëherë këtë problem, si i ka porositur Komiteti i Partisë së Skraparit.

4 – Për kriteret e punës në uzinë është një rregullore e brendshme. Deri në fund të vitit po e ripunojnë shokët e uzinës. Pastaj ta shikojmë neve si ministri.

 Me respekt, Jaçe Lula

 Tiranë më 30.11.1982

ARKIVA/ Letra që i drejton një punëtor i bazës detare të Pashalimanit, ish-ministrit të mbrojtjes

“Njerëzit e partisë mbrojnë të degjeneruarit”

Nuk ishte rasti i parë që punët shkonin në këtë mënyrë, por letra denoncuese që mban emrin e një punëtori të thjeshtë, si Ramazan Shehu, tregon për problemet që haseshin në nivelet e dyta dhe të treta, të njerëzve që spiunonin nën kupolën e “ndërtimit socialist të vendit”. Letra në fjalë është shkruar nga një punëtor i bazës detare të Pashalimanit, për ish-ministrit të mbrojtjes, Kadri Hazbiu. Më poshtë vijon:

Ministrit të Mbrojtjes Popullore Shokut Kadri Hazbiu

Tiranë

Të më falni që po ju shqetësoj por halli në të cilin ndodhem dhe pamundësia për të çarë përpara për të fituar të drejtën më detyroi që t’ju shkruaj juve. Për padrejtësitë e njëpasnjëshme që më janë bërë u kam bërë edhe dy letra të tjera, por juve nuk ua kanë dhënë, pasi siç ka thënë Zija Zeqiri që më ka pritur, letrat e mia nuk paskan ardhur fare në Ministri, megjithëse unë i kam postuar ne kartelë. Arsyeja që letrat e mia nuk vijnë tek ju, shpjegohet me atë, se personi për të cilin unë ankohem ka rreth miqësor dhe shoqëror në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore që ndërhyjnë për mbrojtjen e tij. Unë po bëj mbi dhjetë ditë që kam ardhur në Tiranë dhe pres të takohem me ju. U kam bërë edhe telegram, por deri më sot më sjellin pengesa dhe nuk po më krijojnë mundësinë për t’ju takuar.

 

Më quajnë Ramazan Remzi Shehu dhe jam nga fshati Kaninë. Kam 12 vjet që punoj si shofer nafte pranë uzinës së remontit të anijeve në Pashaliman. Që nga ajo kohë e deri më sot banoj vetë i katërt në një dhomë të një hyrjeje me dy dhoma e një kuzhinë, ku gjitoni është vetë i shtatë. Gruaja më punon me turne në uzinë dhe në këtë dhomë i duhet të lajë, të gatuajë, të çlodhet, të mësojë fëmijët, të presim mikun dhe shokun. Dhoma është pa zjarr e për rrjedhim djalin e kam me poliartrit, ndërsa vajza ka kaluar një ftohmë.

Jam nga pionierët e uzinës dhe kam punuar pa u lodhur e për punë të mirë jam falënderuar dhe shpërblyer. Deri në muajin dhjetor 1979 nuk kam pasur asnjë vërejtje.

Më 28.11.1979 arrestohet dhe dënohet për veprimtari armiqësore punëtori i kësaj uzine Ali Nihat Hoxha, i cili është kunati (vëllai i gruas) i drejtorit të kësaj uzine, shokut Shefqet Lame. Në atë kohë oficer sigurimi për uzinën ishte baxhanaku im. Katër ditë pas arrestimit të Aliut më thërret në zyrë drejtori Shefqet Lame, i cili më thotë: “Unë jam përpjekur të të ndihmoj por ti Ramazan ma paske pasur me hile. Ti me Agronin je baxhanak dhe si nuk më the mua një fjalë për Aliun që të mos kishte arritur puna deri aty. Mirë ma shpërbleve pas krahëve”. Unë e kundërshtova duke i thënë, që për këtë punë nuk kam fare dijeni, pasi baxhanaku nuk bisedon me mua për problemet e punës, por Shefqeti duke këmbëngulur në të tijën u shpreh: “Mos fol më! Të njoha se kush je por tani do të më njohësh edhe mua ti!”. Unë i mora për momente gjaknxehtësie fjalët e drejtorit si komunist që është. Nuk më shkonte ndërmend se ai do të më kundërvihej në çdo hap, megjithatë i vura vetes për detyrë që të isha edhe më korrekt në punë. Nuk kaloi pak kohë dhe drejtori m’u kundërvu hapur në ndarjen e shtëpive në prill 1980 dhe bëri çmos që unë të mos merrja shtëpi, dhe ia arriti qëllimit. Asnjë nga ata që u strehuan nuk ishte në kushtet e mia.

Për probleme pune dhe, pikërisht pse drejtori merrte në mbrojtje brigadierin e transportit Filiat Gjimarën që ishte dënuar për vjedhje, kritikova në sy, në mbledhjen e kolektivit të transportit shokun Shefqet Lame. Pak kohë pas mbledhjes me anën e shkresës Nr. 111 dt. 15. 9. 1980, drejtori më njoftonte: “Me vendim të organizatës bazë të Partisë për arsye se thyeni disiplinën në punë dhe prishni unitetin në brigadë, kjo drejtori ju heq nga shofer i “Tatrës” dhe ju cakton punëtor në kanal”. Pra drejtori kërkonte që me brigadierin Filat që vidhte, unë të isha në unitet, por meqenëse unë e denoncova para kolektivit veprimin e tij, ai më hoqi mua nga brigada me vendim të organizatës bazë të Partisë.

Më vonë, në kohën që vuaja dënimin prej 6 muajsh në kanal, nga spitali i Vlorës njoftojnë në uzinë në adresën time që të shkoja në spital, pasi kishte ardhur në gjendje shumë të rëndë babai im, i cili ishte paralizuar. Marr leje nga brigadieri dhe shkoj në spital për të parë babanë. Të nesërmen kur vij në punë, drejtori më pushon nga puna për thyerje të rëndë të disiplinës. U ankova në Parti dhe në organizatën profesionale, dhe drejtori u detyrua të anulonte pushimin nga puna, duke më dhënë vërejtje të rëndë me paralajmërim për pushim nga puna. Kështu për një periudhë për rreth një vit unë që nuk kisha asnjë vërejtje, nga ana e drejtorit m’u dhanë me shkrim 7 vendime me masa të rënda disiplinore nga të cilat tri janë për pushim nga puna. Të kishit mundësi shoku Ministër të lexonit vetëm 7 vendimet me shkrim të dhëna nga ana e drejtorit dhe unë të mos u thosha asnjë fjalë, do të shikonit se sa hakmarrës është drejtori karshi meje.

Kështu në vazhdim të rrugës së tij, duke vepruar me qëllime të caktuara për të injoruar plotësisht mua, më datën 8.6.1981, shoku Shefqet Lame më pushoi përfundimisht nga puna duke më cilësuar si njeri të rrezikshëm. Pas 20 vjet pune marrëdhëniesh me shtetin, dhe sot që jam në moshë serioze dhe baba i dy fëmijëve, pushohem nga puna si njeri i keq. Ky veprim i marrë nga ana e tij bëhet pak kohë para se të ndahet kontingjenti tjetër i shtëpive për të cilat për mua ka porosi nga lart që të më zgjidhet kërkesa. Po të më jepej mundësia që të takohesha me ju dhe t’u paraqisja dokumentet që kam unë, që m’i ka dhënë po ajo drejtori për rastin e fundit që drejtori më pushoi përfundimisht nga puna, unë e them me përgjegjësi, se drejtori është për t’iu dhënë para gjyqit, pasi për të më futur mua në kurth ka bërë shkelje të rëndë të ruajtjes së sekretit. Unë shoku Kadri jam punëtor dhe njeri i vuajtur. Kam tre muaj që po rroj me lekë të marra hua. Edhe pa bukë do të rri, por të drejtën time nuk e lë pa e kërkuar, pavarësisht se dëgjoj shumë njerëz që thonë se nuk ke ç’i bën dot Shefqetit, pasi ka shumë miq, se i ka shpatullat e ngrohta, se e mbron shoku Skënder Doçi etj. Pavarësisht nga këto, unë ankohem tek ju që të më jepet e drejta dhe nderi e dinjiteti im dhe i familjes time që është marrë nëpër këmbë nga ana e Shefqet Lames të më vihet në vend. Dua të di çfarë krimi i kam bërë unë Partisë që Shefqet Lamja të më trajtojë kështu? Kam besim se ju do të ma plotësoni kërkesën për t’u takuar me ju e për të më dëgjuar se kam edhe probleme të tjera.

Letra t’ju gjejë shëndoshë e mirë

Ramazan Remzi Shehu

Tiranë më 2.9.1981