Sejfulla Malëshova kalorës i historisë, kolos i kulturës kombëtare

Agim Dade

- Vijon nga numri i kaluar -

“Që në fillim nuk ka qenë pro shtetëzimeve duke dashur një ekonomi që tenton më shumë nga tregu i lirë”. Fjalimi i tij në themelimin e Bankës së Shqipërisë në 1946 e tregon këtë. Ai u drejtohej industrialistëve: “Industrialistë, kjo është Banka juaj, që do t’ju pasurojë ju dhe shoqërinë”, një gjë e rrallë kjo për një komunist. Prandaj ai kishte qenë i pari që donte që politika e re shqiptare të udhëtonte midis dy sistemeve, por ishte e pamundur. Z. Ngjela vazhdon: “Na thoshte Kiço, se të gjithë e prisnim Sejfullanë si shpëtimtar, por veçanërisht Ymer Dishnica (kishin qenë shokë në emigrim në Francë) dhe dy rastet e mundshëm të drejtimit të partisë nga intelektualë të niveleve të larta na u shuan, edhe Qemal Stafa edhe Sejfulla Malëshova. Ka të dhëna që Enver Hoxha është autori kryesor i eliminimit të Sejfulla Malëshovës. Eliminimi i tij la pa lider të gjithë intelektualët e lartë. Enver Hoxha nuk lejonte karrierën intelektuale të mirëfilltë. Ai u thurte intriga, i largonte dhe i eliminonte. Ishte kthyer në një urrejtje dhe hakmarrje të përbindëshme kundër intelektualizmit”. Z. Ngjela së bashku me të atin e tij i provoi mbi kurriz çekanet e diktatorit, por e vërteta është se intelektualët shqiptarë të kohës e, sidomos, ata që kishin luftuar bashkë me Sejfullanë për liri dhe demokraci nuk u ngritën ta mbronin atë nga goditjet e diktatorit, u treguan të paaftë dhe shumë të frikësuar. Pas Sejfullait, ishin të shumtë ata intelektualë që e pësuan, u persekutuan dhe u dënuan. Edhe Bedri Spahiu guxoi ta kritikojë Enver Hoxhën, por e pësoi me disa vite burg, ndërsa familja me internim. Pas viteve ’90 intelektualët filluan të vlerësojnë figurën e Sejfulla Malëshovës. Me rastin e 110 vjetorit të Lindjes të Sejfulla Malëshovës, bashkia e Fierit i ngriti një bust në shenjë nderimi dhe përkujtimi për këtë patriot të madh. U mbajtën fjalime nga personalitete të kulturës dhe të qeverisë. Ndër ta, z. Margelaj tha: “Jemi mbledhur këtu sot për të kujtuar Sejfulla Malëshovën, një nga luftëtarët dhe poetët më të shquar të periudhës të Pavarësisë dhe Luftës Nacional Çlirimtare. Jemi mbledhur për të larë një borxh. Atë që nuk mundëm ta bënim më 11 qershor 1971 kur mbylli sytë në varfëri dhe vetmi. Të gjithë ndjejmë një lloj fajësie dhe keqardhjeje që nuk patëm guximin dhe trimërinë e Sejfulla Malëshovës për t’iu kundërvënë asaj të keqe satanike siç iu kundërvu ai. Na vjen keq që nuk mundëm ta mbrojmë këtë njeri e poet të nderuar me të cilin u soll aq keq e egër makina e pamëshirëshme e dhunës shtetërore”. Meritojnë nderim të gjithë ata miq e shokë që bëjnë vlerësime të tilla, qoftë edhe pas kaq kohe. Në kujtimet e tij, z. Nexhmi Ballka që kishte miqësi që në emigracion me Sejfulla Malëshovën shkruan: “Ishte e dhimbëshme të mendoje që Sejfulla Malëshova të shiste në një dyqan të Fierit samarë kafshësh, litarë, patkonj etj dhe merrte një rrogë 350 lëkë në muaj. Ishte e dhimbshme të mendoje se miku i Nolit dhe të Konicës, njeriu i tri diplomave dhe i shumë gjuhëve të huaja, pedagogu dhe dekani i Fakultetit të Filozofisë në Moskë, ish ministri i Kulturës dhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të artistëve të trajtohej kaq keq. Sikur të mos mjaftonin vetëm këto ai ishte edhe njeriu i vënë në shënjestër si njeri “heretik”. Ky epitet i padrejtë bënte që njerëzit të trembeshin dhe mos ta takonin, t’i largoheshin nga frika se mos i shikonte njeriu i sigurimit. Po kishte edhe ndonjë intelektual që e merte guximin ta takonte Sejfullanë e pafat. Siç kam lexuar dhe krijova një respekt të madh për prof Skënder Luarasin që e takonte atë në Fier, edhe pase e dinte që Sejfulla Malëshova survejohej në çdo çast. Ky gjest njerëzor e fisnik ia lehtësonte sadopak brengën Sejfullait të madh. Ishte koha kur Mehmet Shehu kryeministër i vendit shkoi në mbledhjen e OKB në New York të SHBA dhe me porosi të Enver Hoxhës takoi Fan Nolin dhe e ftoi të vinte në Shqipëri për vizitë. Noli iu përgjigj: “Mua më keni atje në fushat e Myzeqesë ku është Lame Kodra. Lironi Lamen dhe tek ai jam unë”. Dhe në fakt Noli nuk erdhi. Ai ishte i indinjuar dhe shumë i brengosur për gjendjen e Sejfullait dhe demokracisë në Shqipëri, por nuk kishte mundësi të ndihmonte. Shqipëria ishte e izoluar. Sejfulla Malëshova bënte kujdes dhe nuk u fliste të njohurve që të mos iu sillte telashe me njerëzit e sigurimit, e tillë gjendje ishte krijuar. Sejfullai ishte shumë i veçantë. Ai i parashikonte gjërat dhe fatin e tij. Ai e parashikoi se çfarë do t’i ndodhte dhe nuk krijoi familje, pavarësisht propozimeve për t’u martuar me motrën e Enverit (për të zbutur mërëdhëniet me të). Ai thoshte që nuk donte ta bënte fatkeqe familjen e tij, se e dinte që do t’i persekutonte diktatura. Ai nuk mund të rrinte i qetë dhe të bëhej konformist me të keqen. Ai nuk i duronte dogmatikët dhe padrejtësitë, ai luftoi tërë jetën e tij për lirinë, drejtësinë, mendimin dhe fjalën e lirë, që njerëzit të punonin dhe të gëzonin e jetonin të lirë në demokracinë e vërtetë të ndërtonte një Shqipëri të begatë që njerëzit të jetonin të lumtur. Ai dashurinë për atdheun dhe popullin e tij e ka shprehur në vjershat e tij të pakrahasuara kushtrimi për atdheun, për popullin për t’i dalë zot fateve të veta. Ai, la Moskën, Parisin dhe Romën ku mund të jetonte në luks, në vila dhe pallate dhe u kthye si atdhetar, se e donte Shqipërinë të barabartë pa çifligje dhe pallate (e shprehur te vjersha: “Si e dua Shqipërinë”). Vjershat e tij ngritën peshë zemrat e rinisë shqiptare, sepse ato ishin të zjarrta dhe me zemër poeti revolucionar. Prandaj edhe populli i këndoi dhe i këndon me dashuri. Kontributi i tij ishte i madh, i çmuar dhe populli e deshi atë, Sejfullanë si udhëheqës politik dhe Lame Kodrën, si poetin rebel me zë bilbili, me pushkë e flamur në dorë. Ky atdhetar i madh, ky kalorës i historisë dhe demokracisë, ky kolos i kulturës kombëtare provoi një hakmarrje çnjerëzore e të përbindshme. Ai u la të vdiste si të ishte një kriminel. Pa i dhënë ndihmë njeri, edhe pse ai bërtiste nga dhimbjet shumë të forta dhe kërkonte ndihmë njerëzore. Më pas komshinjtë kërkuan ta ndihmonin, por polici kishte marrë urdhër të mos lejonte njeri t’i vinte pranë e t’i jepte ndihmë njerëzore. Po kush e dha atë urdhër kriminal e çnjerëzor? Polici e shefi i tij jo, por më të mëdhenjtë në pushtet, po. Dhe më pas hipokrizia e tyre për ta çuar në spital në momentet e fundit të jetës! Kur e panë në atë gjendje të rëndë mjekët e futën në sallën e operacionit për t’i dhënë ndihmën e hipokratit, i vunë maskën e narkozës dhe oksigjen. Ai zgjati dorën dhe e hoqëi maskën duke thënë se është tepër vonë. Nuk kaluan shumë çaste kur ai dha frymën e fundit pa patur të afërmit pranë. Më 11 Qershor 1971 në Fier u përcoll në varreza nga motra e sëmurë Zenepja, dy punëtorët e komunales me karrocën dhe tre hijet e sigurimit që nuk iu ndanë për 24 vite me radhë. Sejfulla Malëshova mbetet i gjallë në kujtesën e popullit shqiptar për punë vetëmohuese që Shqipëria e shqiptarët të gëzojnë pavarësinë, demokracinë dhe përparimin shoqëror. Ai ishte dhe mbeti kalorësi i madh i lirisë dhe historisë së popullit shqiptar. Ishte një kolos i kulturës kombëtare, ishte dhe mbeti një patriot i madh i kombit shqiptar. Ai mbetet i pavdekshëm në ndërgjegjjen e kombit shqiptar. Ne, të afërmit e Sejfulla Malëshovës ndihemi edhe më krenarë për këtë figurë të madhërishme të popullit tonë. Kemi besim se Komisioni Shtetëror për festimin e105 vjetorit të Pavarësisë dhe ai i vlerësimit të figurave madhore të patriotëve të kombit, do t’i japë vendin e nderit patriotit të madh të kombit shqiptar Sejfulla Malëshovës.