Sejfulla Malëshova kalorës i historisë, kolos i kulturës kombëtare

1681
Agim Dade

Dr. Ymer Dishnica thoshte: “Lame Kodra qan e qesh me popullin, këndon e lufton për popullin” Jemi në vitin e madh jubilar, në festimin e ngritjes së flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912, nga patrioti i madh Ismail Qemali së bashku me shumë patriotë të tjerë. Në këtë ditë 105 vjet më parë u shpall pavarësia e Shqipërisë nga pushtimi shekullor i Perandorisë Osmane. U realizua përpjekja, lufta dhe puna e qindra patriotëve që u vunë në krye dhe udhëhoqën popullin shqiptar për të arritur në këtë ditë të shënuar. Ne brezi ynë përulemi dhe nderojmë veprën e tyre nga më të mëdhatë në historinë e kombit shqiptar. Populli ynë i vogël por që ka nxjerrë nga gjiri i vet burra të mëdhenj, të mençur, trima dhe patriotë në të gjitha kohërat. Ata me guxim e me mençuri kanë kërkuar mbrojtjen e tërësisë tokësore të Atdheut në forumet e diplomacisë evropiane e kudo, edhe kur e lypte nevoja e kanë udhëhequr popullin edhe në luftë me armë në dorë për të siguruar lirinë e pavarësinë kombëtare. Dashuria e pakufishme për popullin dhe për Shqipërinë, patriotizmi i tyre ka bërë që këta kolosë të vinë pranë popullit dhe të vihen në shërbim të tij. Populli shqiptar e ka dashur lirinë e atdheut të vet, pa të huaj, pa shkelës dhe pa pushtues, pa shfrytëzues të pasurive, pa kapitalistë të huaj dhe pa imperialistë. Kushdo qofshin ata, populli ka dashur të jetë zot në trojet e tij, zot i fatit të tij në të gjitha kohërat. Shqiptarit nuk i ka munguar dhe nuk do ti mungojë ndjenja dhe dashuria për atdheun kudo që ka qenë, në çdo vend të botës sado larg të jetë, emigrant ekonomik ose politik. Populli shqiptar në çdo kohë ka nxjerrë nga gjiri i vet burra të zotë, të cilët e kanë ngritur zërin në çdo kohë në çdo forum të botës për të mbrojtur identitetin kombëtar, kulturën dhe traditat e tij. Pikërisht për këtë arsye ne sot në prag të 105 vjetorit përulemi me respekt dhe krenohemi me ta. Shqipëria do t’u jetë përjetë mirënjohëse dhe shqiptari brez pas brezi do të eci në gjurmët e këtyre patriotëve. Një patriot, atdhetar, një kalorës i luftës për liri, pavarësi dhe demokraci është pa dyshim biri i popullit shqiptar profesor Sejfulla Malëshova që tërë jetën e tij ia kushtoi luftës për çlirimin e popullit shqiptar dhe të Shqipërisë nga çdo pushtues i huaj. 

Sejfulla Malëshova e filloi veprimtarinë e tij politike, patriotike që kur ishte në bankat e kolegjit në Romë në radhët e studentëve shqiptarë në Itali. Si djalë populli që ishte, i hodhi të gjitha energjitë e tij për të çliruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Në radhët e studentëve shqiptarë në Itali, fjala dhe pena e Sejfulla Malëshovës dallohej aq shumë sa dhe dy figura më të mëdha politike të rilindjes sonë –Fan Noli dhe Konica, të cilët konsiderohen si dishepull e tyre dhe si bashkëpunëtor të radhës së parë. Botimet e Sejfulla Malëshovës me emrin letrar “Lame Kodra” si në Itali apo te “Federata Vatra” në Amerikë dëshmojnë për inteligjencën e mprehtë dhe për ndjenjat patriotike të Sejfulla Malëshovës. Që prej fundit të Luftës së Parë Botërore deri më 1924 Sejfulla Malëshova duke punuar e duke luftuar për Shqipërinë zgjedh rrugën e tij, formon bindjen dhe besimin e tij se vetëm populli me forcat e tij duke mobilizuar dhe duke organizuar të gjitha energjitë e tij materiale dhe morale do të sigurojë një Shqipëri plotësisht të pavarur dhe demokratike. Së bashku me Avni Rustemin dhe me të rinjtë përparimtarë të asaj kohe në Itali, Sejfulla Malëshova luftoi me “Bashkimxhinjtë” për një Shqipëri demokratike të popullit të vegjëlisë Dr. Ymer Dishinica shkruante: “Daljen e popullit e do dhe e çmon demokrati i madh, Imzot Fan Noli dhe e merr pranë tij si Kryesekretar të Kryeministrisë”. Atëherë Sejfullai ishte vetëm 23 vjeç. Revolucioni i Qershorit, përpjekja dhe lufta për të përmbysur regjimin e bejlerëve e të feudalëve e kishin nxjerrë Sejfulla Malëshovën në paraskenën e politikës shqiptare. Fjala dhe pena e tij qe trumbetë lufte për të gjithë demokratët e asaj kohe, koalicioni i bejlerëve dhe intrigat e komplotit e reaksionit të jashtëm serb dhe rus, dobësitë e demokratëve shqiptarë nga ana tjetër solli në fuqi “Mbretin e Bejlerëve”. Në dhjetor 1924, me qindra demokratë shqiptarë morën rrugën e arratisë e të mërgimit. Në mes tyre ishte edhe Sejfulla Malëshova. Në emigracion në komunitetin e Çlirimit Nacional, Sejfulla Malëshova luan një rol me shumë rëndësi me fjalën e tij, me shkrimet e tij dhe me punën e tij. Me rekomandimin e Fan Nolit, Sejfullai shkon në Moskë në vitin 1926 ku studion për filozofi në Universitetin “Lomonosov”. Me mbarimin e Fakultetit shkëlqyeshëm emërohet pedagog po në atë fakultet. Pas pak kohësh u shpall konkursi për vendin e dekanit. Në konkurs morën pjesë studentët e shkëlqyer të pesë viteve të fundit, mbi 100 vetë nga shumë vende të botës. Edhe Sejfullai ftohet të marrë pjesë dhe në përfundim të konkursit shpallet fitues djaloshi nga Shqipëria Sejfulla Malëshova. Natyrisht kjo fitore ishte një gëzim i madh për Sejfullanë, por edhe një nder për atdheun e tij Shqipërinë. Në Moskë studion “Materializmin historik” dhe mëson si duhet luftuar mirë për liri për demokraci e për atdhe. Filozofia i bëhet një armë lufte që e lidh për vdekje me të ardhmen dhe me përpjekjet e popullit shqiptar për liri e pavarësi. Që nga Moska Sejfulla Malëshova mendon, shkruan, mediton dhe punon për Shqipërinë e Re dhe për popullin shqiptar. Më 1938 që nga tribuna e shqiptarëve të Francës, që nga “Sazani”, Sejfulla Malëshova hedh parullën e bashkimit të popullit shqiptar në luftë kundër rrezikut të një okupacioni ushtarak nga ana e Italisë fashiste. Këtë zë kushtrimi, Sejfullai e hedh veçanërisht me vjershën “Vlora”. Shqiptarët e mërgimit sidomos ata të Federatës së Shqiptarëve të Francës që vlerësuan rëndësinë e fjalës dhe shkrimeve të Sejfulla Malëshovës që sipas dr. Ymer Dishnicës në atë kohë “Ishin një busull lufte për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë.” Dhe ai vazhdon më tej: “Në qoftë se “Sazani” dhe Federata e Shqiptarëve të Francës kanë hedhur të parët parullën e luftës sonë Antifashiste Nacional Çlirimtare, kjo i dedikohet në plan të parë Sejfulla Malëshovës, zotësisë dhe inteligjencës së tij politike. Që nga viti 1938 deri në vitin 1943, Sejfulla Malëshova mund të quhet pa frikë “Lider” i pa kontestuar i përpjekjes sonë në emigracion dhe inspiratori direkt i Luftës sonë Nacionalçlirimtare”. Përpjekja në emigracion, puna dhe studimet e tij në Moskë e bënë këtë djalë të popullit një udhëheqës të shquar. Në kulmin e moshës së tij kthehet në Shqipëri ku “Kishte plasur si kushtrim” gjaku i Avniut, i Asimit, i Aliut, i Qemalit dhe i Vojos me shokë. Kthimi i Sejfulla Malëshovës në Shqipëri pas 20 vjet mërgimi i larguar si demokrat dhe përkrahja e hapur për për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare ishte një hap cilësor për vetë nivelin e përfaqësimit të kësaj Lufte. Kemi parasysh se Malëshova në atë kohë ishte një emër i madh, për intelektualët shqiptarë pasi ishte pedagogu dhe dekani i universitetit të Moskës dhe ish kuadrit i lartë në qeverinë e Nolit. Por ai ishte dhe anëtar i KOMINTERNI-t. Nga ana tjetër aktiviteti i tij letrar e kishte bërë të famshëm, ashtu siç e bënte të famshëm fakti që ai njihte 14 gjuhë të huaja, nga të cilat në tetë përkthente shkëlqyeshëm. Sujfellai u bë menjëherë kuadër i lartë i Luftës, madje në vitin 1943 u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar dhe anëtar i Shtabit të përgjithshëm. Ai është një nga liderët kryesore të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Njëherësh edhe poet, filozof, përkthyes i shkëlqyer në shumë gjuhë të huaja, dhe që shokët e Luftës dhe të udhëheqjes e thërrisnin me të drejtë profesor. Puna, fjala, shkrimet, vjershat dhe lufta e Sejfulla Malëshovës dallohen nga shokët e shoqet e Luftës. Sa vuri këmbë në Shqipëri u duk puna, pena dhe perspektiva e luftëtarit mendjemprehtë. Në vendimet e këshillit të Përgjithshëm, në rezolutat dhe deklaratat e korrikut 1943 duket puna e Sejfulla Malëshovës. Për të parën herë Lëvizja Nacional Çlirimtare demaskon manovrat e Ballit Kombëtar. Në konferencën e Labinotit ai goditi politikën e tradhtisë. Shkrimet dhe artikujt e tij janë armë lufte për të gjithë popullin shqiptar që lufton për liri e pavarësi. Këto ndjenja i shpreh në vjershat e tij me emrin Lame Kodra, të cilat i këndon gjithë Shqipëria. Kudo gjenden poezitë dhe këngët e poetit rebel. Sejfulla Malëshova kërkoi që ndaj Ballit të mos bëhej luftë me armë, por të demaskohet për bashkëpunimin me pushtuesit. Në kongresin historik të Përmetit, në mbledhjen e këshillit të Përgjithshëm Antifashist në Berat, Sejfulla Malëshova zë një vend të shquar në vendimet që caktojnë udhën e sigurt të çlirimit kombëtar. “Në ka vjersha që ia vlejnë pushkës për të luftuar armikun ato janë sigurisht vjershat e Lame Kodrës” shkruan një poet anonim. Kudo e ka thirrur detyra në Kongresin e Përmetit, në mbledhjen e këshillit Antifashist në Berat, Sejfulla Malëshova zë një vend të shquar në punën dhe vendimet që caktuan udhën e sigurt të çlirimit kombëtar. Të paktën janë ata bij të këtij populli që kanë dhënë një kontribut aq të çmuar, për ndriçimin, për ndërtimin, për kulturën, për konsolidimin e Shqipërisë së Re. Shkrimet dhe këndvështrimet e Sejfulla Malëshovës për demokracinë shqiptare kanë qenë me shumë vlerë për pushtetin demokratik. Puna e tij në Ministrinë e Kulturës Popullore, fjalimet e tij i çmon shumë populli shqiptar, dhe ai zuri një vend të rëndësishëm në qeverinë demokratike. Shkrimtari, poeti, përkthyesi është një dhe i pandarë me personalitetin politik. Ai ishte anëtar me rëndësi në qeverinë demokratike. Sejfulla Malëshova ishte mishërim i Luftës dhe i përpjekjes për liri e demokraci, përpjekjet që vazhdojnë edhe sot. Dr. Ymer Dishnica thoshte: “Lame Kodra qan e qesh me popullin, këndon e lufton për popullin, shpreson e fiton me popullin, del në dritë me popullin”. Duke qenë në udhëheqje Sejfullai kërkonte që partia Komuniste të ishte një parti moderne, pjesë e së majtës së moderuar evropiane. Në qëndrimin e partisë ndaj forcave të tjera antifashiste Sejfullai kërkoi një luftë të vendosur kundër sektarizmit dhe shfaqjeve terroriste, urdhrave të veçanta për dënime me vdekje pa gjyq etj. “Por këto kritika bien në vesh të shurdhër”- shkruan Dr. Kleanthi Zoto. Ai vazhdon më tej: “Shfaqjet sektare u vunë re ndaj Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe aleatëve. Sejfullai kritikoi partinë dhe Enverin në Berat. Ai thoshte që Balli duhet vetëm demaskuar dhe jo luftuar me armë. Sejfullai ishte një model për zhvillimin e ngjarjeve dhe personaliteteve kur ekstremizmi enverian hidhte baltë mbi Konicën, Fishtën etj. Ai e vlerësonte dhe ngrinte lart personalitetin e tyre dhe ky vlerësim bëhej nga një personalitet me kulturë të gjerë, njohës i 14 gjuhëve të huaja, profesorit që u bë dekan në Shën Petersburg mes 150 konkurrentëve dhe mbi të gjitha njeriu me dimensione shkencore dhe humane”- shprehet dr. Kleanthi Zoto. “Sejfullai ishte rreptësisht kundra vrasjeve pa gjyq dhe prapa shpine, në atentate, në emër të popullit. Ai e vuri përpara përgjegjësisë Enver Hoxhën, i cili pranoi këto gabime, si komisar i Shtabit të Përgjithshëm. Ai kërkoi dhe një herë ndihmë nga shokët, pasi gjithçka ka ardhur si rezultat i pa dijes së tij. Vetë Sejfullai që zotëronte gjithë mbledhjen vendosi që ajo të vazhdonte pas çlirimit në Kongresin e Parë të Partisë. Që këtu filloi përplasja me Enver Hoxhën. Sejfulla Malëshova ishte i pari që kërkonte të kishim një parlament pluralist. Ai mendonte që Luftën e bëmë për të vendosur demokracinë, prandaj duhet të kemi deputetë nga të gjitha shtresat e popullsisë dhe sa më shumë intelektualë nacionalistë. Për qarkun e Shkodrës ai kërkoi të vinin më shumë deputetë katolikë dhe në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, Sejfulla Malëshova e realizoi këtë qëllim imediat për Shqipërinë. Ai thoshte që ne nuk mund të ndalojmë ose kundërshtojmë daljen e ndonjë partie të re, qoftë brenda ose jashtë Frontit. Ky ishte thelbi i filozofisë politike të Sejfulla Malëshovës. Si anëtar i udhëheqjes ai kërkoi një punë dhe fushatë të ndershme elektorale. Ai kërkonte që në asamblenë kushtetuese të vinte mendimi intelektual dhe demokratik. Sejfullai i respektonte dhe çmonte intelektualët”, shprehet Dr. Kleanthi Zoto. Sejfulla Malëshova u shpreh hapur pro pluralizmit. Ai u nda prerazi nga udhëheqja e Partisë komuniste dhe Enveri edhe në qëndrimin ndaj forcave të tjera politike. “Ne nuk jemi në kundërshtim për daljen e ndonjë partie brenda ose jashtë frontit.” Ky është thelbi i filozofisë politike të tij e shprehur që në 1945. Si anëtar i udhëheqjes ai kërkonte të bëhej një fushatë e ndershme elektorale të mundohemi të fitojmë besimin e popullit, të interesohemi për punët dhe problemet e tij dhe pastaj të flasim për zgjedhjet. Ai luftoi që në asamblenë Kushtetuese të shkonin edhe nacionalistë. Ai porositi që në qarkun e Shkodrës të viheshin më tepër intelektualë dhe sidomos katolikë. Kjo gjë nuk i pëlqeu Enver Hoxhës dhe menjëherë mbas zgjedhjeve të 2 Dhjetorit 1945, në datë 6 dhjetor bëri mbledhje e Byrosë dhe e kritikoi Sejfullain për liberalizimin dhe oportunizëm. Për këtë veprim ja si shkruan Enver Hoxha: “Sejfulla Malëshova ishte mbrojtës i pikëpamjes që në Asamblenë Kushtetuese të vinin një numër i konsiderueshëm “nacionalistësh” që jo vetëm nuk kishin dhënë prova të mjaftueshme për besnikërinë ndaj popullit, por kishin filluar që në atë kohë të kritikonin gjoja si pjesëtare të frontit. Një pjesë e këtyre deputetëve “nacionalistë” sot ndodhen në burg për veprimtari kundër pushtetit. Vetë Sejfullai si demokrat nuk mund të pajtohej me këtë ekstremizëm, me violencën dhe egërsinë ndaj demokratëve të vërtetë që u burgosën u internuan dhe asgjësuan fizikisht nga gjyqet enveriane. Po kështu u mbajt qëndrim ndaj Sejfullait për problemet ekonomike duke mbrojtur pikëpamjen që ekonomia të ecë në dy forma: pronës private dhe pronës shtetërore. “Ne nuk duhet të trembemi nga prona dhe iniciativa private, madje dhe banka duhet të ndihmojë të ngjallet iniciativa private në tregti dhe industri. Sejfullai ishte kundër shtetëzimeve të kapitalit privat vendas por të shtetëzimit të pronave të kapitalistëve të huaj, që e kishin vënë kapitalin me koncesione të dhëna nga Zogu duke tradhtuar interesat e atdheut. “Në politikën e jashtme Sejfulla Malëshova e shihte të domosdoshme bashkimin e Luftës së popullit tonë me atë të popujve të tjerë antifashistë nën udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik, Amerikës dhe Britanisë së Madhe për të mposhtur fashizmin dhe për të çliruar popujt. Ai nuk mbivlerësonte rolin e Rusisë në këtë luftë dhe nuk zvogëlonte rolin e SHBA dhe Britanisë së Madhe siç bënin politikanë të tjerë mediokër, por ai mendonte që shqiptarët për të mbrojtur pavarësinë ndërkombëtare duhet të lidhemi ngushtë me të gjitha forcat demokratike të botës. Shtete perëndimore nuk u shkatërruan ekonomikisht si vendet e lindjes ndaj dhe ndihma e tyre për ekonominë tonë do të ishte më e madhe, por Enveri nuk i njihte parimet e zhvillimit ekonomik dhe nuk vinte në plan të parë ekonominë por të kundërtën, politikën, Enveri ia hodhi poshtë platformën ekonomike Sejfulla Malëshovës. Enveri e dënoi dhe persekutoi Sejfulla Malëshovën në mënyrë më çnjerëzore staliniste” shprehet me indinjatë profesori i nderuar Kristo Frashëri. 

Sejfulla Malëshova si demokrat i madh kërkonte një trajtim të barabartë midis intelektualëve si të atyre që kishin studiuar në universitetet e perëndimit dhe të atyre që kishin marrë pjesë në Luftë. Ai kërkonte që ata të integroheshin në administratën e re të pushtetit demokratik, të vinin bashkërisht dijet në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm të Shqipërisë me qëllim që ajo të dilte nga prapambetja dhe të bëhej e barabartë me vendet evropiane që në atë kohë, e jo të lutemi sot të hymë atje duke ulur krenarinë kombëtare. I nderuar lexues më lejoni që t’ju citoj çfarë shkruan z. Spartak Ngjela shkruan: “ Sejfulla Malëshova pa dyshim ka qenë njeriu më i ditur në lëvizjen komuniste shqiptare.” 

-Vijon-
Sigal