Sefedin METHOXHA/ Kur ulërinte Qafa e Shkozës

937
Sigal

Partizanët e Batalionit të 3-të e të Brigadës së 7 Sulmuese, të pamposhtur drejt çlirimit të vendit

Djepi shekullor i Qafës së Shkozës është me histori të madhe, përkundet atje mbi fshatin Therepel të rrethit të Skraparit. Një Qafë e bukur, e urtë, fisnike por edhe e sertë. Kjo Qafë dhe Qafat e tjera në Skrapar na nisën udhën e jetës. 70 vite më parë, në datën 4 Qershor 1944, Qafa e Shkozës ulërinte nga krismat e armëve. Një përleshje e përgjakshme midis forcave partizane që ishin vendosur në mbrojtje të Kongresit të Përmetit dhe forcave të shumta të nazizmit gjerman, që kishin për qëllim shpartallimin e forcave partizane dhe të digjnin e shkatërronin gjithçka që të gjenin përpara. Sa më thellë hymë në vite aq më të vlefshme e të domosdoshme bëhen përkujtimet e këtyre ngjarjeve. Takohem e çmallem me shokët e luftës. Atje “takojmë” dhe ata që kanë hyrë në rrugën e përjetësisë. Gani Nivica, “Heroi i Popullit”, Komandant i Batalionit të 3-të të Brigadës së 7 sulmuese, ylli i brigadës. Sa thesare dhe energji ishin grumbulluar në atë shpirt fisnik, zemërmirë, të thjeshtë e trimëror, të fortë e të pamposhtur, për t’u përballur ulërimave të armëve që këmbeheshin. Por, edhe shtrëngatat e ndeshjeve me tërë armët, ku plumbat dhe predhat e artilerisë binin si breshër, sa në atë qafë që ngrihet si gjoksore aq në degët e lisave e të shkozave, sa u ndezën flakë gurët e drurët. Partizanët e Batalionit të 3-të e të Brigadës së 7 Sulmuese, i përballuan ato trimërisht e sy patrembur. Kujtojmë me dhimbje Gani Nivicen, që se lëshoi e se lëshoi pozicionin e tij derisa dha jetën. Pjesëmarrja atë ditë pranë lapidarit ishte mbresëlënëse. Nderonin plot dashuri dhe dinjitet këtë ngjarje të madhe historike. Së pari, vajzat dhe djemtë e nënave që prehen si yje në Varrezat e Dëshmorëve. Banorët e komunës së Vendreshës, –thotë Kryetari i kësaj komune Sulejman Dervishi, në raste të tilla ngrysen e gdhihen me këngë partizane. Kësaj komune lavdi mbuluar, nuk i munguan kurrë brezat fisnikë. Fisnikërinë prush ndezur të Sali Hysit, Bashkim Yzeiri, Bari Alia, Novruz Alia e shumë të tjerë. U ndoq me shumë interes fjala që mbajti me këtë rast Kryetari i Komitetit të Veteranëve të Rrethit, shoku Enver Naska, që shënoi një domethënie, e cila do të mbetet një mesazh për brezat e ardhshëm. Ajo që i përloti pjesëmarrësit, ishte fjala përkujtimore e ish -partizanit të batalionit të tretë, Mehmet Braçja. Jeta e tij partizane ka shumë episode. Ishte më i vogli në Brigadën e 7-të. Ai na ftoi të bënim homazhet tek pozicioni që u vra Gani Nivica, nuk e përballoi dot vdekjen që të mbetej gjallë në altar të lirisë. Homazhet e luftës – thotë ai, -nuk kishin zyrtarizëm, por kishin madhështi. U betuam me grushtin lart aty mbi trupin e tij, se do ta marrim hakun dhe do ta çlirojmë Shqipërinë. E çliruam dhe gjermanit ia morëm hakun, për 1 u vranë 30, ja këtu në këtë betejë. Këtu na u plagos dhe Kajmak Kaloçi. Qëndroi i plagosur në shtëpinë e Gani Dervishit mbi 12 ditë. Kur erdhi në batalion, ne i thamë “të shkuara Kajmak”, e ai nuk na  i vuri veshin. Kishte halle të tjera, sa herë fliste i pikonte gjak plaga, por nuk heshte, gjithnjë me armë në dorë qëndronte në pozicione, plaga i dhembte, por do t’ i dhembte më tepër ndarja nga batalioni dhe shokët në një çast kaq kritik. Dikush nga shokët e pyet Kajmakun, “kush të plagosi?”  Një predhë murtaje ishte, më erdhi nga një ushtar gjerman. -Jo more! Po a e vrave? -Edhe pyet? – Ia ke bërë mirë paq, qeni i biri i qenit. Kajmaku qeshi pastaj rrodhi vetullat. Si duket nga dhimbja. Me thënë të vërtetën, mua zemra më lotonte si dega e hardhisë në mars, kur e krasitin, për shokët që na u vranë dhe na u plagosën, prandaj erdha për t’i parë njëherë këto pozicione, ku kemi luftuar, sa nuk më kishin lënë këmbët. T’ i kujtoja dhe njëherë shokët e të njëjtës llogore. Të kujtoj ata trima, që digjeshin dhe përvëloheshin nga flakët e armëve dhe thërrisnin “Para partizanë” si Neshat Hysi me shokë, i cili ishte Zv/ komandanti Brigadës së 7-të  Sulmuese. Prej asaj dite deri më sot, që u zbardh si një dele dhe ka filluar të më dalë kurrizi, nuk më hiqen nga zemra ata djem zemërluanë,- përfundon kujtimet e tij nga kjo betejë xha Metja, ky 95-vjeçar që ngriti peshë zemrat e 40 të rinjve që ishin të pranishëm me lule e kurora në duar, të cilët e pritën me brohoritje edhe duartrokitje. Përballë këtij veterani si dëshmitar okular i kësaj beteje, u ndjemë të qetë kur e pamë që të flasë me pasion për shokët e tij në atë betejë, për batalionin e 3-të, ku bënte pjesë ai dhe për Brigadën  e 7 –të që luftoi trimërisht, brenda dhe jashtë kufijve të atdheut, por edhe për burrat e Skraparit të ditur e luftëtar, që mbushën radhët e brigadave partizane. Edhe pse 95 vjeç, në fytyrën e rrudhosur nga vitet nuk munguan buzëqeshja e ëmbël, dashuria për shokët që ranë në fushën e betejës. Ky veteran energjik, që dallohet sot si Këshilltar i Komitetit të Veteranëve të Rrethit të Skraparit, vazhdon të jetë një mbrojtës besnik i idealeve të LANÇ-it. Më pas shkolla e fshatit Therepel, dha për të pranishmit një koncert artistik me këngë atdhetare, partizane me recitime për dëshmorët. Gjithë ceremonia festive përkujtimore kaloi me një atmosferë tepër emocionuese, e cila u mirëprit dhe u duartrokit nga të pranishmit dhe e gjithë kjo për meritë të drejtorit të shkollës, Euglen Gjoni dhe të mësuesit Astrit Dosti.