Sefedin MET’HOXHA/ Kur lindi dielli i lirisë në Çorovodë

979
Sigal

Skrapari gjatë LANÇ-it, armatosi 2768 veta, prej tyre 1110 partizanë efektive në 16 brigada

Skrapari është çliruar më 5 shtator1942. Është rrethi i parë i çliruar në Shqipëri. Ndodhet në lartësinë 270 metra mbi nivelin e detit në sheshin e pazarit, deri në 1880 metra, që e arrin me malin e Tomorrit dhe ka klimë malore. Në fillim të vitit 1942 vendin e kanoste rreziku i urisë. Zia e bukës ishte pasojë e dëmeve që pësoi bujqësia gjatë Luftës Italo – Greke. “Nga 22 në fshatin Starovë vetëm 9 shtrojnë sofër dhe hanë bukë…”, shkruhej asokohe në një dokument që pasqyronte gjendjen e rëndë ekonomike të popullit.

Më 14 mars 1942 formohet çeta e parë partizane e krahinës së Skraparit që ishte përgjegjëse edhe për gjithë Qarkun e Beratit. Krijimi i kësaj çete përbën edhe kalimin nga faza e parë në fazën e dytë si një kalim gradual drejt kryengritjes së armatosur të popullsisë së zonës që tashmë donte çlirim. Shpeshtësia e reagimit të popullit filloi të rritej, kështu më 28 maj 1942 organizohet Greva e Bukës, ku banorë të zonës mblidhen përpara prefekturës së Beratit për të kërkuar bukë. Pas këtij tubimi pati shumë arrestime. Ndërkohë, çeta e parë partizane që nga data e krijimit e deri më gusht 1942 do të kalonte në çdo fshat duke nxitur forcën reaguese të popullit.

Në një dokument të datës 08.06.1942 drejtuar prefekturës së Beratit nga nënprefekti i Çorovodës ndër të tjera thuhet: “…rekrutat e thirrur për armë, nuk paraqiten dhe marrin arratinë”.

Në mars të 1942, iu bë pritë komandantit të karabinierisë së Çorovodës, ku pas këtij akti Zyra e Rekrutimit të Çorovodës hoqi dorë nga mobilizimi ushtarak në Skrapar. Më prill 1942 u organizua prita kundër postës ushtarake Berat-Përmet ndërsa më 19 maj 1942 në fushën e Tomoricës u vra sekretari politik i fashizmit. Më korrik 1942 çeta partizane luftoi me armë kundër grupit të xhandarëve në malin e Marjanit duke dhënë forcë dhe kurajo për aktivitetet luftarake të skraparllinjve më tej.

Çeta e Skrapari së bashku me vullnetarë fshatarë zhvilluan beteja të ashpra në Dëvri, Gradec, Koritë, Radësh etj., për të kulmuar më çlirimin e Çorovodës më 5 shtator 1942.

***

Dielli nuk lind kurrkund më bukur se në Çorovodë. Çorovoda është një qytet i ndërtuar mes dy lumenjve, malet i rrinë si një kurorë e bukur përsipër. Prej aty nisin vargun kanionet e bukur që dhe turistin më të shëtitur e lë të habitur. Dhe këtu lindja e diellit më shumë se të lajmëron fillimin e një dite të mrekullueshme me vezullimin e tij,  tregon se titulli sipër shkrimit nuk  ka të bëjë aspak me këtë .Lindja e diellit në Çorovodë koiçidon me një fakt historik. Atë mëngjes të 5-shtatorit 1942 dielli sapo kishte lëshuar rrezet e tij, kur mbi Çorovodë u dëgjuan krisma armësh. Ato ishin krismat e lirisë. Dhe çeta heroike e Mestan Ujanikut dhe e Gjin Markut, me flamurin e kuq me shkabë dy krenare hyn me triumf në Çorovodë . U çlirua Çorovoda e krejt Skrapari nga kapedanët e maleve.

A nuk e quajtën skraparllinjtë lindjen e diellit atë ditë, diellin e lirisë?

A nuk thanë ata se kur fryu era e demokracisë qenka e ngrohtë si dielli?

Ikën 72 vite nga ajo ditë, por ata që kanë bërë gjithçka për atdheun e popullin e vet, që i dolën zot vatanit kur u nxi nga këmishëzinjtë e lakejtë e tyre, që rrëmbyen pushkët e dolën në mal, që u mbeti syri në shënjestër dhe gishti në këmbëzën e pushkës nuk duhet të harrohen. Në rininë e tyre të bukur, që u shndriti ylli në ball historia të mbushin me emocione.  Këto emocione të ngjethin shpirtin por edhe të frymëzojnë të shkruash për ta, të shkruash për Skraparin, për betejat e lavdishme të saj në luftë kundër  pushtuesve, të udhëhequr nga trimat e shquar të Skraparit si : Riza Cerova, Zylyftar Veleshnja, KahremanYlli. Muço Kapinova, Neshat Hysi, Mestan Ujaniku  e shumë të tjerë. Në pragun e çlirimit të Çorovodë  kam dëshirë që të bisedoj me ndonjë partizan të çetës së Kulmakut, po ku t’i gjej?  Ata e kryen detyrën e tyre dhe ikën. Ata ikën bashkë me ëndrrat e realizuara. Tani ata pushojnë në atë kodër  vezake të rreshtuar në një rresht si dje në luftë. Dhe t’i afrohesh ndal hapin, vendos një kurorë apo një tufe lule në nderim të përjetësisë së 400 e ca bijë nënash të rënë për liri! Eh, sa frymëzim të jep kjo krahinë. Kur kujton këto male kreshnike të Skraparit që në çdo qafë e kodër të sheh syri një monument, një lapidar, befasohesh. Belbëzon pastaj me vete: Kanë patur e kanë burra kjo krahinë, burra e gra që nuk iu nënshtruan asnjë te huaji. Njerëz që u janë përgjigjur me armë të gjitha dyndjeve pushtuese. Tomorri duket si një diell që ndriçon jo vetëm vakëfet, por edhe Skraparin me të cilin është lidhur ngushtë me të. Kryemali epik Tomorri “Froni i perëndive! Ja dhe Çuka e Abaz Aliut, ndërsa dallgët e Osumit thurin këngën “ Tomorr o mal i lartë dëshmitar i historisë”. Dhe ky mal dëshmitar i përhershëm i ngjarjeve historike ka shumë për të thënë. Ai e bekoi çetën plakë që u krijua pranë tij atje në Qafën e Kulmakut dhe u bë promotor i shumë betejave. Por më i rëndësishmi qe rrethimi dhe çarmatimi i milicisë fashiste dhe komandantin e tyre Xhaf  Balin, të cilët kishin bërë batërdi në zonën e Tomorricës. Ata dogjën shtëpinë e Mestan Ujanikut dhe të Muharrem Trebles. Shikon rrezet e diellit që kanë pushtuar jo vetëm Tomorrin, por tërë Skraparin. Skraparin e adhurojnë të gjithë.

Në këtë vit jubilar Skrapari është kthyer në një sofër bujarie, ku bisedohet e skalitet kulturë e histori. E tillë ishte një bisedë që bëra disa ditë më parë me Orhan Frashërin në Çorovodë kur erdhi për promovimin e librit të tij “Udhëtim përmes plumbave“ ku një kapitull të veçantë ia kishte kushtuar Skraparit. Ai është dëshmitar okular i të gjitha betejave luftarake që janë zhvilluar në Skrapar, por edhe të gjitha ngjarjeve të tjera që janë zhvilluar në Shqipëri . Biseda rrjedhë e qetë dhe Orhani ka një kthjelltësi të habitshme në gjykim. Flet për luftën, për sakrificat e panumërta që bënë partizanët. Gjymtyrët e tyre mbështeteshin në pozicione, si betonim i qëndresës dhe heroizmit. Luftuan ata për Shqipërinë e të gjithëve e për flamur. Edhe  zëri i tingëllon ndryshe, edhe fjalët kanë më shumë dritë, kur janë të vërteta, të sinqerta, dashamirëse. E vështroj portretin e Orhanit Frashërit dhe nëpërmjet tij më duket sikur shfletoj ditarin e të gjitha betejave legjendare që janë zhvilluar në zonën e Skraparit dhe më gjerë. Ai mban në xhep një ditar të vogël, i mbajtur në kohë të vështira, në betejat e përgjakshme, i shkruar qafë më qafë e breg më breg. Në ditarin e tij gjendet edhe ajo ditë e 5-shtatorit 1942, e cila solli çlirimin e Çorovodës dhe krejt Skraparit ku për herë të parë dokumentet zyrtare në Skrapar bëheshin me siglën “Zonë e lirë”. Ka një korrespodencë të veçantë të administratës së atëhershme nga qendra në bazë që tregojnë bëmat e Mestan Ujanikut dhe çetës së tij, por edhe tmerri që i kishte kallur ai armikut. Për këtë shkroi shtypi i kohës, radio BBC, gazeta “Zëri i popullit”, që përshkruajnë detaje të përpjekjeve që bënte çeta e Skraparit e mbështetur fuqimisht nga populli i këtij rrethi. Janë shumë e shumë dokumente muzeale që flasin për çetën e Skraparit. Isa Toska i dërgon marshall Martinit “ I ashtuquajturi komandant Mestan Ujaniku dashka të na bëjë një republikë në Skrapar me disa hajdutë e grabitës. Mos u mërzit marshall për këtë. Unë sapo të organizoj mirë fuqinë e më andej ke për ta parë Republikën e Skraparit me gjithë presidentin e saj që ka me pësu fatin e…………dhe të Negusit”. Në kujtimet e tij Sulo Gradeci një nga themeluesit e çetës plakë shkruan “Skrapari gjatë LANÇ-it, armatosi 2768 veta , prej tyre 1110 partizanë efektive në 16 brigada partizane, të cilat u cilësuan baza të rëndësishme të LANÇ-it. Çorovoda vjen në festën e saj të çlirimit mbasi ka lënë pas një varg përvjetorësh që kane patur 70-vjetorin , të cilat janë përkujtuar e festuar me madhështi. Çorovoda ka mbi 2 vjet që ka marrë pamjen e një qyteti feste. Një qytet i pastër, i qetë, i bukur, i fisshëm, që në prezantimin e parë të bie në sy pastërtia, shenjë e  një shpirti të pastër të Kryetarit të Bashkisë së Çorovodës Z. Nesim Spahiu dhe stafit të tij. Skraparllinjtë janë me të vërtetë civilë dhe të kulturuar. Ata përfaqësohen me ajkën e kulturës shqiptare. Hedh sytë nga lulishtja e rregulluar dhe zbukuruar në qendër të saj. Busti i Heroit të Popullit Riza Cerova  të mrekullon. Kushdo që shkon pranë tij heq duart nga xhepat dhe e nderon atë. Njeriu që skaliti udhën për liri e pavarësi. Ata i mbledh mirënjohja që kanë për luftën, për historinë. Ata kanë një shpirt të pastër dhe ju ndrin zemra ashtu si ndriti dielli i lirisë .