Sefedin Methoxha: Dëshmorët e Skraparit, lule Sokolat e malit!

1550
Sigal

Skrapari është një trevë qëndrestare që ka bërë luftra që në kohën e ilirjanëve, e deri në epokën e  luftës së dytë botërore që numëron 404 dëshmorë.

Dëshmorët e Skraparit, lule Sokolat e malit…

 Nga Sefedin Methoxha

5 Maj 2019! Dita e dëshmorëve, qyteti i Çorovodës ka veshur petkun e bukur festiv. Gjithandej valviten flamujt kombëtarë e banderola që ngrejnë peshë zemrat e qytetarëve skraparas. 5 Maj për 75-vjet me rradhë në Skrapar ashtu si në tërë Shqipërinë është kthyer në një frymë të shenjtë. Në 5 Maj është ndezur flaka e fitores nga ata që qëndrojnë sot në atë kodër të bukur vezake që ndodhet në qëndër të qytetit, ku prehen dëshmorët, atje ku gjen qetësi shpirti dhe trupi i tyre.  Ata ndriçojnë Skraparin dhe gjithë Shqipërinë. Në 5 Maj, veteranët,pasardhësit e familjeve të dëshmorëve, punonjësit e institucioneve të administratës, mësues e nxënës shkollash me kurora e tufa lulesh në dorë ngjitën shkallët e ngurta për në varrezat e dëshmorëve. Aty u bënë homazhe dhe u vunë kurora në emër të Bashkisë, në emër të Komitetit të Veteranëve dhe të Organizatës së familjeve të dëshmorëve. Në gjoksin e lapidarit të lartë me shqiponjën dykrenare janë shkruar me gërma të mëdha: “Lavdi Dëshmorëve!”.  Veteranët e Luftës mbledhin dorën grusht, sikur marrin forca për të mos lejuar askënd që të lëndojë amanetin e tyre.  Ata i shëtisin të gjithë varret e dëshmorëve dhe iu fërkojnë pllakën e mermerit me dorë dhe lotojnë.  Kur shikojmë lot në sytë e tyre prekemi nga ajo botë që nuk u lodh kurrë së prodhuari humanizëm.  Aty duke ledhatuar pllakat e mermerta shohim edhe veteranët, Nebi Hysi, Veli Bekteshi, Faik Biraku, Rystem Dashi e Asllan Refati. Kur hymë në bisedë me ta të thonë: “Nuk kemi frikë nga vdekja, por na vjen keq që nuk bëmë sa deshëm për këtë vend e këta njerëz!  E shpresat tona edhe u nëpërkëmbën nga disa pushtetarë pa sedër, pa gjak e pa vizion për të ardhmen. Ne luftuam, por jo për këtë lloj demokracie, e për këtë lloj shteti.” Derdhin dy pika lot, vendosin dorën mbi zemër e vendosin tufa me lule mbi mermer të varrezave të dëshmorëve, të shokëve të tyre e të njëjtës llogore dhe dhimbjen e kyçin ndër zemra.

Dëshmorët ranë për një rini të lumtur!

Kemi 75 vjet thotë veterani i luftë, Asllan Refati që kemi vrapuar përmes luftrave dhe betejave, përmes tokës arbërore të kthyera në gërmadha e më vonë të qëndisur në brezare, me oxhaqe të larta kombinatesh e uzinash, ndezëm dritën elektrike e bëmë universitete.  Të bëhet zemra mal kur kalonim përmes rinis aksioniste që punonte me gëzim, argëtonte dhe dashurohej.  Duke punuar në këtë tokë, dëshmorët derdhën gjakun e u bënë fli që ti rini të jesh krenare për vendin tënd, për historinë e lavdishme të vendit tënd.  Skrapari nuk është vetëm një trevë pasurish  natyrore, një hijeshi e turizmit alpin, por edhe një trevë qëndrestare që ka bërë luftra që në kohën e ilirianëve e deri në epokën e luftës së dytë botërore dhe ka sot 404 dëshmorë.  Lexon emrat e tyre dhe një dëshirë e brendshme të shtynë të ndalesh gjatë tek secili dhe të përulesh me mirënjohje. Zemra ta kërkon të bisedosh me ta për të kujtuar e rikujtuar çaste madhore të jetës dhe të veprës për të cilat merituan pavdeksinë.  Njëherazi të përshkon dhe një ndjenjë e fuqishme për të ngritur zërin kundër prirjes së grupimeve të caktuara, për të paraqitur vlerat si antivlera, ndërsa këto të fundit t‘i shesim si zgjidhjet më të mira të kohës. Qëndrimi ndaj veprës së luftëtarëve për liri, aq më tepër të dëshmorëve, përbën një vijë ndarëse midis atyre që pritën armikun  me “flamur të bardhë” apo u strukën në “ombrellat e madhështisë” së tij dhe popullit liridashës që asnjëherë se pranoi robërinë. Skrapari, si pjesë e këtij grupimi të madh popullor, është krenar për bijtë e tij se ndonëse u vranë, u dogjën, u masakruan, u burgosën e u internuan, nuk u mashtruan, por me dinjitet qëndruan në këmbë, si malet ku u lindën e u rritën. Por të ardhmen e pas çlirimit nuk mundën ta shijojnë të gjithë. Dëshmorët që u bënë homazhe ranë trimërisht, heroikisht në betejat e ashpra me armikun duke shëndërruar në model të atdhetarizmit, në frymëzim, kurajo, forcë dhe betim, shpresë e mirënjohje për brezat pasardhës. Po e mbyll këtë shkrim me fjalët e një të moshuare që sapo hyri në varreza tha këto fjalë në melodin e një kënge “Dëshmorët e Skraparit, lule sokolat e malit”.