Sefedin Methoxha: Bijtë e LANÇ-it që veshën “kostumin e lirisë’

371

Lufta Nacionalçlirimtare do të mbetet gur themeli për të ardhmen e fëmijëve tanë.

 Bijtë që veshën “kostumin e lirisë”

Sefedin Methoxha

Gjithkush sot nuk e ka të vështirë të konstatojë se pas betejës së Tendës së Qypit në Skrapar janë arkivuar prej vitesh edhe betejat e lavdishme të Qafës së Gjarprit dhe Qafës së Shkozës. Dy përvjetor, një ideal, një qëllim, i njëjti heroizëm si ai i 75 viteve më parë. Dhe ziejnë tregimet dhe episodet ndaj atyre legjendave nga përfaqësues të veteranëve dhe bashkëluftëtarëve. Kemi pasur privilegjin të lexojmë kujtimet e Orhan Frashërit, të Mehmet Braçes, Demir Nuellarit, kur thonë se magjia e kohës së luftës, shkathtësia e partizanëve të Brigadës I dhe V në përballje me gjermanin në Qafën e Gjarprit, si dhe e Brigadës së VII Sulmuese në Betejën e Qafës së Shkozës, ishin si lava e vullkanit në përballje kundër gjermanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.  Ato të rrëmbenin, të mbushnin kraharorin, të bënin për vete. Ka ditë që skraparasit i kanë hedhur sytë nga Qafa e Gjarpërit dhe Qafa e Shkozës. Partizanët që luftuan, lanë gjakun nëpër këto beteja, shikojnë dhe përloten, janë të rrallë, po mendja u rri atje. Dy data historike do të mbeten gjatë në mendjen e njerëzve. Ishte pranvera e vitit 1944 kur u bë ajo përleshje e tmerrshme. 75 vite më parë në këtë qafë u bë përleshje e madhe ku të dy brigadat, e parë dhe e pestë u ndeshën me gjermanët dhe ballistët dhe lanë në atë Qafë 32 djem nënash.  U bë ajo përleshje e tmerrshme. Tym e flakë u ndez dheu, drurët e gurët. Lulet s’kishin aromën e tyre, por të barutit, edhe bari e ndërroi ngjyrën atë ditë qershori që mban datën 6 qershor 1944. Përsëri kujtojmë me lot dhe dhimbje e krenari si 75 vite më parë në këtë betejë të përgjakshme. Në gjoksin e lapidarit që është ngritur në atë shesh të bukur janë skalitur emrat e 32 dëshmorëve. Ata janë yje që ndriçojnë në oborrin e lirisë. Ata lanë një pjesë të gjakut edhe disa partizanë që u plagosën. Ata ishin nga Skrapari, Gramshi, Gorë, Opar dhe Korçë. Kanë kaluar 75 vite që atëherë, por ato beteja nuk do të harrohen sepse bijtë e nënave që thuajse të gjithë ishin në moshë të re që në vend të kostumit të dhëndrit, ata veshën kostumin e lirisë. Në këtë betejë të përgjakshme dha jetën dhe ai djalë 15 vjeçar me emrin Mujo që për moshën e tij i kishin vënë mbiemrin çilimiu. E shohim atë listë si në rresht që përbën një togë ushtarake dhe diçka lëviz në shpirt. Të gjithë djem të rinj. Në krye kanë komandantin e batalionit Xheladin Beqiri. S’mund t’i linte vetëm ata djemtë e rinj. Ai djalë kosovar 75 vite më parë luftoi për Shqipërinë. Më pas Shqipëria luftoi për Kosovën Republikë. Komandanti vazhdoi të komandojë batalionin e heshtur. Të paktën kështu duken në atë pllakë të lapidarit që ishte rivëne disa herë nga ajo që i kanë thyer atentatorët politikë që nuk e duan atë periudhë të lavdishme. Nga lartësia e këtij 75 vjetori vjen një mesazh: Mos na i ndyni historinë. Kush e çon këtë mesazh? Janë 32 dëshmorë të Qafës së Gjarprit që e lëshojnë këtë mesazh. Ata edhe pse janë nën mermer flasin: mirë në luftë që u patëm kundra nesh e luftuat kundra vendit tuaj, por mos na i rëndoni eshtrat. Këto beteja të lavdishme vijnë te ne si jehonë e 75 viteve më parë dhe sa më tepër i afrohemi asaj jehone, hyjmë në vallen e plumbave bëhemi gjëmim. Idealet e tyre në atë kohë ishin shumë të larta dhe fisnike, siç ishte çlirimi i atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Trimat që ranë në Qafën e Gjarprit dhe në Qafën e Shkozës, iu ka vdekur trupi por jo ideali dhe ndjenja e detyrës. Ata ishin dhe mbetën idealistë të kulluar, një kurorë lavdie dhe krenarie shekullore. Në tregun e lirë të demokracisë nuk kanë munguar e nuk do të mungojnë batakçinjtë politik dhe mediatik, por gjaku i dëshmorëve as nuk shitet as nuk blihet dot. Ai është në themelet e Shqipërisë sonë. Ndodhem këto ditë midis veteranëve Qazim Laze, Zylyftar Myftari, Nebi Hysi, Faik Biraku, Asllan Refati dhe Veli Bekteshi. Të thinjur, të rrudhosur tashmë por krenarë dhe plot entuziazëm për sakrificat që bën. Midis tyre ishte dhe Mete Braçja. Ai herë herë i hidhte sytë nga dritarja dhe vështrimi i tij tretet tek Qafa e Shkozës, diçka belbëzon me vete pastaj e ngre zërin: “Eh moj Qafa e Shkozës moj Qafë!” Dhe përsëri bie në mendime. Çfarë përjeton ish-pjesëmarrësi në atë betejë të përgjakshme në Qafën e Shkozës? Mendon shokët që ranë për liri. Ja atje kemi kaluar-thotë ai. “Hajde luftë hajde, na u vranë disa shokë, të tjerë u plagosën dhe plagët e Luftës do flasin për tërë jetën si plagë që nuk shërohen.” Në të dy Qafat bëhet luftë dhe projektohet liria. Trimëria e burrave të mëdhenj si Gjin Marku, Neshat Hysi, Adil Çarçani e Kahreman Ylli, Ramiz Alia, Fatos Cami, Gani Nivica, tronditën qarqet më të larta të nazizmit gjerman. Homazhe zemre, nder e lavdi për ata që dhanë jetën në lulen e rinisë, që në vend të vishnin kostumin e dhëndërisë zgjodhën të veshin kostumin e lirisë!