Sami Repishti – Gjyqi i krimeve të komunizmit po vonohet, por do të kryhet

326

Ballafaqimi i shoqërisë shqiptare me të kaluarën komuniste. Letra drejtuar ceremonisë “Ditët e Kujtesës” për kriminelët e diktaturës. Vlerësimet për figurën e shquar të profesor Repishtit

(Portret-biografi kushtuar veprimtarit të shquar Profesor Sami Repishtit)

Thanas L. Gjika

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Sami Repishti dhe shumë analistë të shquar të shoqërisë së sotme shqiptare kanë shprehur bindjen se gjyqi ndaj krimeve të komunizmit shqiptar, sado të vonohet, ai do të kryhet patjetër. Edhe sot pas mbi 25 vjet nga kapitullimi i diktaturës komuniste, nuk po kërkojnë të falur për bëmat e tyre shumica e ish-zyrtarëve (të komiteteve të partisë, të komiteteve ekzekutive, të hetuesive, të burgjeve, kampeve të internimit etj), si dhe shumica e artistëve dhe shkrimtarëve që krijuan vepra të realizmit socialist, bashkë me shumicën e ish-studiuesve të shkencave shoqërore. Gjithë ky tabor, bashkë me fëmijët e tyre, vijojnë të justifikohen me shprehjet “ashtu ishte koha, ashtu ishin ligjet”, edhe pse tashmë janë bërë të qartë dëmet që i shkaktoi popullit tonë sundimi komunist përmes; luftës së klasave, izolimit, varfërimit etj., në shumë fusha; si morali, trashëgimia letrare-kulturore, ekonomia, politika ndërkombëtare etj. Të mos pranosh faktin se ke ecur në rrugë të gabuar, se i ke bërë dëm popullit tënd duke i shërbyer sistemit diktatorial komunist, do të thotë se je duke mbrojtur krimet e vjetër dhe po bën krime të rinj. Mirëpo, si ka vënë në dukje analisti Astrit Lulushi: Një ditë sado e largët, me kthimin [e shoqërisë sonë] në realitet, do të kërkohet edhe gjykimi i së kaluarës. (Zhgënjime sporadike, TIRANA TIMES 2012, f. 480).

Profesor Repishti është i bindur se koha e gjyqit për dënimin e krimeve të komunizmit do të vijë, sado që ta vonojnë qeveritarët e Shqipërisë. Pikërisht për këtë ai ka shkruar disa artikuj në gazeta të ndryshme. Artikullin “Nga Gjermania – Nji qytetnim që nderon!” Ai e botoi në disa gazeta, kurse Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit e ribotoi bashkë me artikuj të tjerë të këtij autori në librin “Nga andrrat rinore në botën e mashtrimit”, Tiranë 2016, f. 193 – 198). Autori e mori shkasin nga vajtja e qytetarit gjerman Marcus Burger, biri i një nazisti, në Borovë të Kolonjës për të marrë pjesë në ceremoninë e 70-vjetorit të përkujtimit të masakrës që kishte bërë ushtria gjermane, më 6 korrik 1943 kur dogji shtëpitë dhe vrau banorët e fshatit, meqenëse forcat partizane kishin sulmuar autokolonën gjermane që kalonte nga Korça në Përmet. Zoti Burger u kërkoi të falur pjesëtarëve të ceremonisë, për pjesëmarrjen e babait të tij në atë masakër. Më tej pasi theksoi se nuk duhet ta harrojmë të kaluarën, kërkoi: “Sot së bashku, si qytetarë evropianë, të ndërtojmë urat e miqësisë që janë të domosdoshme për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve.” Nisur nga kjo deklaratë, artikullshkruesi Repishti e përshëndeti aktin e këtij qytetari gjerman dhe theksoi se ai e gjeti dhe e dënoi përgjegjësinë e babait, dhe shkoi në Shqipëri për të kërkuar falje. Për t’u zgjuar në ndërgjegje sesa larg janë shqiptarët ish-pjesëtarë të krimeve të diktaturës komuniste, që nuk u kërkojnë dot të falur viktimave të tyre, ai konkludon: “Na mungon civilizimi në këto toka!” (f. 194) Për ta shpënë më tej kritikën ndaj ish-persekutorëve komunistë, autori vijon me një kujtim nga jeta e tij në Universitetin e Sorbonës në vitet 1970 – 1971. Shoqja e tij, një bashkëstudente gjermane i tregoi se ajo e kishte braktisur babain e saj, ish-nëpunës i lartë civil gjatë regjimit nazist. Ajo e kishte sqaruar se babai i saj nuk kishte qenë anëtar i Partisë Nacional – Socialiste, dhe as në shërbim të Policisë së Fshehtë Naziste, por ai shfajësohej për ato që kishin ndodhur para syve të tij. E pikërisht ky shfajësim i tij e kishte revoltuar vajzën dhe e kishte shtyrë të merrte valixhen dhe të largohej nga shtëpia, sepse nuk mund të jetonte nën një çati me një person që nuk i dënonte krimet e nazizmit, edhe pse ky ishte babai i saj.” Atë ditë, përfundon autori, kuptova si duhet shkallën e naltë të de-nazifikimit në Gjermani… Në Shqipëri… as krimi, as krimineli nuk janë vue përballë ligjit. Asnji masë edukative nuk ashtë ndërmarrë me nxjerrë në dritë të vërtetën tronditëse, dhe me ri-edukue rininë shqiptare me frymën e përgjegjësisë ndaj shoqënisë dhe domosdoshmëninë e shtetit ligjor.” (f. 196) Shoqëria dhe shteti shqiptar, vijon autori, duhet të marrë shembull nga procesi i de-nazifikimit në Gjermani dhe t’i vlerësojnë viktimat e diktaturës komuniste njësoj si dëshmorët që ranë në luftë kundër fashizmit e nazizmit, t’i shikojë e vlerësojë si kapitali moral i shoqërisë demokratike shqiptare (f. 197).

Në një artikull tjetër ai shkroi për gjyqin që iu bë nazistit 93-vjeçar Oskar Gruening, i cili kishte punuar si llogaritar në kampin e Aushvicit (Auschwitz) më 1944. Ky nazist plak u dënua si pjesëmarrës në vrasje, sepse gjatë jetës së tij nga viti 1944 deri në ditën e gjyqit, kur e tregoi faktin e shfarosjes së 300.000 hebrenjve në kampin ku punonte si llogaritar, nuk shprehu pendesë dhe dënim të krimit, por e justifikoi me fjalët ashtu ishte jeta në kampet e Nazizmit. Pra u dënua për mos dëshmimin e terrorit që pa me sytë e tij, edhe pse nuk kishte marrë pjesë vetë në shfarosjen e viktimave. Këtë ai e bëri nga turpi, nga pesha e fajit, nga frika e dënimit, sqaron Repishti, duke nënkuptuar pjesëmarrësit shqiptarë në krimet e komunizmit, të cilët vijojnë të justifikohen dhe nuk mbajnë qëndrim kritik ndaj bëmave të tyre të asaj kohe. (Illyria, NY, 10 prill 2015). Dhe ne marrim me mend se si do të gjykohen prej gjykatësve dhe prej vetë nipërve të tyre të ndërgjegjësuar, të gjithë ata që shkaktuan masakrimin e popullit tonë nën diktaturën komuniste, jo vetëm nëpër hetuesi, gjyqe, burgje e kampe internimi, por dhe në veprat letrare, artistike e shkencore ku shtrembëruan realitetin dhe moralin tradicional.

Jeta komode në Amerikë, nuk ia ka topitur Repishtit pasionin për të marrë pjesë aktive në proceset e ballafaqimit të shoqërisë shqiptare me të kaluarën komuniste. Kështu, më 17 nëntor 2017, kur në Tiranë u organizua edicioni i dytë Ditët e Kujtesës prej Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer”, Profesor Repishti mori pjesë duke dërguar letrën e tij, të cilën e lexoi në ceremoni mbesa e tij Ardita Repishti – Shehu.

Aty u theksua nga ekspertja gjermane Hildigund Neubert, ish-komisionere e hapjes së dosjeve të STAS-it në Gjermaninë Lindore, një ndër të këqijat e sistemit komunist ka qenë dhe vijon të jetë falsifikimi i historisë, prandaj kujtesa është i ashtuquajturi antihelmi për shërimin e traumës që shërbimet sekrete diktatoriale i kishin shkaktuar ndërgjegjes shoqërore.

Profesor Repishti në letrën e tij theksoi se problemi që e ka lënë popullin tonë akoma të plagosur rëndë nga vuajtje të papërshkrueshme të pësuara gjatë viteve të terrorit komunist është mospërfillja. Më tej ai solli mesazhin e të ndjerit Arkipeshkv Imzot Rrok Mirdita: “…edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk do të ketë një themel të shëndosh përparimi kombëtar për sa kohë që nuk do të ketë nji proces purifikimi të guximshëm të vetëdijes historike; një ndërgjegjsim individual e kolektiv i shqiptarëve, i identitetit të tyre si popull dhe si njësi e organizuar në shtet të pavarur…”Më tej në letrën e tij ai theksonte: Si mund të pranojmë që akoma sot kriminelët rikujtojnë me nostalgji rregjimin e krimit, dhe vijojnë dënimin e atyne që i vetëshpallën viktima, mbrojnë aktin kriminal të tyne ose të prindëve të tyne, e që sot përkrahin lëvizje politike që duen kthimin e rregjimit të “hurit e të litarit” dhe e justifikojnë me shprehje se “koha”… shlyen kujtesën tonë sot pjesërisht, dhe për breznitë e ardhme, totalisht?…Megjithatë, nji gja ashtë e sigurtë: asnjeni prej “atyne” që ndihmuen vullnetarisht – ose u detyruen me u bindë – nuk do të jetë në gjendje me “shkundë” përgjegjsinë për qëndrimin e tyne gjatë periudhës 45 vjeçare të terrorit të organizuem me mjete shkencore. Edhe në qoftë se nuk ashtë “fajtor”, ai / ajo duhet të ndiej veten të turpnuem…Viktimat e persekutimeve komuniste duhet të qëndrojnë larg nga këto elementë mjeranë që kanë humbë humanitetin e tyne, solidaritetin natyral me qeniet njerëzore në ditët e vështira. Kështu ka qenë me fashistët, me nazistët dhe kështu ashtë edhe për komunistët. Nuk duhet të harrojmë!…

Asnji nuk ka të drejtë me falë në emën të viktimës, kur ai/ajo nuk ka pësue mbi kurriz tmerret e torturës që nuk durohen e që nuk mund të “harrohen”…

Sot, na duhet të luftojmë “harresën” sepse jemi të bindun se heshtja përfaqëson rrezikun ma të madh të përsëritjes së tmerrit të kaluem…Viktimat e terrorit të kuq gjetën guxim të mjaftueshëm me përbuzë urrejtjen dhe pjellën e saj, hakmarrjen. Me këte qëndrim, ata kanë fisnikërue qeniet e tyne dhe kanë dhanë nji shembull të shkëlqyeshëm për historinë e popullit tonë. Ky gjest sublim mbeti pa përgjigje! Fatkeqsi!…Randësia e gjykimit dhe dënimit të fajeve të këtilla ashtë e padiskutueshme. Këte nuk duhet ta harrojmë, sepse “harresa” ban të mundun përsëritjen e së kaluemes nga mendje të deformueme e kundërshtarë të demokracisë në vendin tonë. Duhet folë, duhet tregue e përshkrue ferri komunist me të gjitha mjetet, por pa dhunë. Dhuna nuk ashtë arma e jonë; drejtësia, po! Sot, ballafaqohemi me fazën e dytë të rindërtimit moral të jetës sonë në Shqipëri. Në fazën e parë kemi përbuzë urrejtjen e hakmarrjen. Sot, kemi shpresë se do të jetë e mundun me ba hapin e dytë: pajtimin në mes nesh. Sepse edhe na, viktimat, kemi nevojë për paqen tonë të humbun. Si mund të arrijmë këtë pikë kaq të vështirë? Ndoshta… nëse jemi të bindun që “pajtimi” do ta kthejë elementin (thelbin) njerëzor tek ne, tek të gjithë ne, si dhe vlerat tona etike. Unë … jetoj i shqetësuem, nuk harroj, dhe do të vazhdoj “me kujtue” deri në fund krimin komunist.

Në vitin 2014 ish-torturuesi në hetuesi i Atë Zef Pëllumbit dhe i Sami Repishtit, Shyqyri Çoku, u vlerësua me Medaljen Veteran i Luftës NÇ. Shumë të përndjekur u ankuan dhe Kryeministri Edi Rama mbas një viti kërkoi falje duke thënë se Ministria e Mbrojtjes kishte bërë thjesht një veprim mekanik. Atëherë Profesor Repishti ndërhyri: Nëse krimi nuk denoncohet, ndjesa nuk është e sinqertë. Mos kërkimi i të falurit dhe mungesa e denoncimit të krimit nga fajtorët, ashtë një tragjedi e dytë shqiptare.- theksoi Profesori i nderuar nga Amerika, shkroi gazeta “Panorama”, shkrim që e riprodhoi dhe “Illyria NY.”, 12. 16. 2015. Jo thjesht për të mos e mbyllur këtë portret pa ndonjë vërejtje, por mendoj se realisht kam të drejtë, të vë në dukje faktin se Institucioni Repishti ka shkëlqyer dhe shkëlqen në luftën për të drejtat e njeriut, në luftën për lirinë e Kosovës dhe në luftën kundër krimeve të komunizmit, por e ka lënë mënjanë luftën kundër synimeve otomaniste të Erdoganit dhe përpjekjet shoviniste të disa qarqeve dhe qeveritarëve grekë ndaj popullit shqiptar e Shqipërisë, aspekte jo pak të dëmshme për ne.

Gjatë korrespondencës së këtyre ditëve kur po shkruaj këtë portret biografi i shkrova profesorit: I dashur Profesor Repishti, në intervistën që i dhatë z. Dalip Greca te “Dielli” vitin e kaluar, keni thënë se jeta juaj plot vuajtje ju shtyu t’i kushtoheni luftës për të drejtat e njeriut dhe se kjo luftë ju ka ndihmuar të arrini ‘në përfundimin se me prue buzëqeshjen në fytyrën e nji njeriu që vuen ashtë suksesi i madh në jetë; dhe, me thye zemrën e nji qenie të pafajshme ashtë dështimi i plotë në jetë!’ Një konkluzion i tillë ju afron me njerëzit e shenjtë si Nënë Tereza. A mund t’ju pyes nëse ju gjatë jetës suaj keni gabuar apo jo si gabojmë ne njerëzit e zakonshëm?

Profesor Repishti m’u përgjigj: Edhe unë si gjithë njerëzit nuk jam i pagabueshëm, por lidhur me parimet politike e ato morale, mendoj se nuk kam gabuar. Nëse dikush mendon ndryshe le të ma verë në dukje, e mirëpres.

Disa konkluzione

Profesor Sami Repishti është personalitet i kompletuar i pedagogut, studiuesit, shkrimtarit dhe politikanit shqiptaro-amerikan. Ai është një figurë shumëdimensionale e kulturës, letërsisë, shkencës dhe veprimtarisë atdhetare politike shqiptare dhe asaj amerikane. Kur të studiohet jeta dhe vepra e plotë e tij do të shihet se shkrimet dhe veprimet e tij shquhen për përmbajtjen kundërkomuniste të shprehur me urtësi, për qëndrimin kritik ndaj shkeljeve të ligjeve dhe rregullave të aprovuara nga instancat qeveritare, ose ato organizative. Po ashtu do të shihet se pjekuria dhe humanizmi i tij janë të një niveli të rrallë, që përbëjnë një pasuri të madhe në disa fusha të trashëgimisë sonë politike, kulturore, letrare, sociologjike, etj. Shkrimet e tij për dënimin e krimeve të komunizmit na mësojnë se kujtesa dhe dënimi i këtyre krimeve nuk duhet të kryhet rrallë e për mall, por sa më shpesh derisa ndërgjegjja e popullit shqiptar të bëhet e ndjeshme ndaj kësaj plage dhe ta vlerësojë e dënojë si duhet, ashtu si populli gjerman e ka dënuar dhe e dënon krimin nazist. Dënimi i krimeve të komunizmit, në një farë mënyre duhet kuptuar si një talon matës për të kuptuar a jemi gati të hyjmë në bashkësinë e popujve evropianë. Me të drejtë gazetari i mprehtë, Ruben Avxhiu, duke vlerësuar Profesor Repishtin ka theksuar: Shqiptarët duhet të mësojnë të mbështesin një politikan pa e adhuruar dhe të kundërshtojnë e rrëzojnë një politikan tjetër pa e urryer dhe dehumanizuar. Merita më e madhe e Profesor Sami Repishtit në kontributet e tij në jetën publike shqiptare në këto vite ka qenë pikërisht toni i tij esëll në lidhje me udhëheqësit politikë shqiptarë. Për këtë ai ka paguar jo rrallë çmimin që vjen me përpjekjen për të qetësuar militantin entuziast që refuzon të shohë ngjyrë tjetër veç asaj të partisë së tij.
Në kaq pak vite demokraci, profesori i nderuar ka parë edhe vetë se sa lehtë bien maskat e mirësjelljes kur preket tabuja e politikës. Ai ka kaluar nga akuzat për shërbëtor të armiqve të regjimit komunist, në akuzat për shërbëtor të regjimit që e persekutoi. Ish-komunistët që akuzojnë ish-të përndjekurit si “komunistë” është në fakt simptoma më interesante e skizofrenisë politike e historike shqiptare. Profesor Sami Repishti ka bërë çmos që të lërë mendimet dhe gjykimet e tij të shkruara për lexuesin e djeshëm, të sotëm e të nesërm. Por, njerëzit si ai gëzojnë me meritë respektin e brezave, pikërisht për qetësinë, maturinë dhe moderimin që karakterizojnë kontributin e tyre në shoqëri. Dija dhe kapaciteti nuk sjellin domosdoshmërish urtësinë. Shumë militantë ekstremë janë, në fund të fundit, shumë të shkolluar apo inteligjentë. Urtësia dhe mençuria nuk mësohen në libra, ato edukohen nga fjalët dhe qëndrimet e njerëzve si Sami Repishti. Përjetimi i tij në mënyrë të përmbajtur i ndryshimeve të mëdha, zgjedhja e tij për t’u përqendruar te mësimet e historisë dhe jo te triumfi personal, kujdesi i tij që e keqja të mos përsëritet, kritika e tij esëll për heronjtë e kohës së re, janë dhurata të rëndësishme për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Në ciklet e ardhshme të historisë, këto këndvështrime do të na duhen shumë e për ato e falënderojmë sot veçanërisht, këtë dëshmitar të madh të kohëve që ndryshojnë
. (Ruben Avxhiu, “Sami Repishti për të gjitha kohët”, Illyria, NY, 7. 20. 2015)

Vlerësimet e derisotme për këtë personalitet të botës sonë prej qeverive demokratike shqiptare me disa dekorata dhe vlerësimi prej Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, mendoj se janë të pamjaftueshme. Janë të pamjaftueshme, sepse për këtë mendje brilante duhet të përgatitet prej specialistësh me nxitjen e Ministrive të Kulturës dhe të Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, botimi i veprës së zgjedhur të tij. Dhe së fundi sugjeroj, ashtu si sugjeroi poeti dhe studiuesi Anton Çefa katër vjet më parë, Profesor Sami Repishtit i duhet dhënë Urdhri NDER I KOMBIT, sepse ky gjest nuk nderon thjesht këtë veprimtar të shquar, por mbarë shoqërinë shqiptare…