Sami Meçollari, i pari shef shtabi i ushtrisë popullore që nuk vinte nga radhët e LANÇ-it, por nga jetimorja

1710
Agron MEMA 

Flet ish truproja e tij, Fredi Memushi 
Në faqet e gazetës”Telegraf” vjen një rrëfim i veçantë i ish-truprojës së ish-shefit të shtabit të ushtrisë popullore shqiptare, Sami Meçollari. Po kaq të veçanta janë edhe disa detaje nga jeta dhe personaliteti i tij , krahasimisht me paraardhësit dhe pasardhësit e tij. Truproja që rrëfen për gazetën”Telegraf” është Fredi Memushi nga Salaria e Tepelenës. Fredi, me një buzëqeshje të natyrshme e mirëdashëse, me një qetësi e siguri, si vet malet e Labërisë nga vjen, nis rrëfimin e tij mes pëshpërimës së zhaurimës së valëve të qeta të detit pranverorë të Sarandës. Po pse ka të veçantën Sami Meçollari? Përtej formimit arsimor ushtarak e civil, është i pari shef shtabi I UP që nuk vinte nga radhët e luftës partizane të LANÇ-it, ishte rritur në shtëpinë e fëmijës, nuk mori dot shtëpi në Tiranë gjatë kohës së shkurtër që qëndroi në detyrën e shefit të shtatmadhorisë shqiptare. Sami Meçollari qëndroi për një periudhë të shkurtër në këtë detyrë të lartë ushtarake, as një vit. Ka lindur në Marjan të Oparit-Korçë. Ka kryer shkollën ushtarake “Skënderbej” dhe atë të bashkuar të oficerëve në Tiranë. U titullua oficer me gradën toger në repartet e armës së kimisë. Në vitin 1961-1965 kryen Akademinë Ushtarake dhe pas kësaj Kursin e lartë të Oficerëve po në këtë Akademi në vitet 1967-1968. Po nuk ju nda rrugëtimit të arsimimit. Pas atij ushtarak në rangjet më të larta, i futet arsimimit civil ku mbaron shkollën pedagogjike, përfundon edhe Fakultetin e Inxhinierisë në UT, përfundon shkollën e lartë të filozofisë etj. Në të gjitha shkollat e përfunduara është vlerësuar “Shkëlqyeshëm”. Nisi punë si shef i shërbimit kimik në batalionin e Beratit, i brigadës së Peshkopisë në vitet 1960-1963, i korpusit të Shkodrës më 1965-1967, shef operativ i Korpusit Shkodër 1968-1970, shef I korpusit të Gjirokastrës në vitet 1970-1972 dhe në vitet 1973-1974 komandant i këtij korpusi deri sa u emërua shef I shtabit të përgjithshëm për t’u liruar po këtë vit, në muajin dhjetor 1974 dhe merr detyra më të ulëta si komandant brigade e komandant i shkollës së oficerëve rezervistë në Zall-Herr , për ta mbyllur karrierën si komandant i Sh. L. U –së në rrëshen deri në pension më 1986. Në vitin 1991 krijon “Organizatën e Ushtarakëve Pensionistë e të Liruar” (SHLU) duke u zgjedhur edhe kryetar i sajë. Le të ndjekim rrëfimin interesant të ish truprojës së tij: 

Mund ta njohim lexuesin se si jeni njohur ju me ish shefin e shtabit të përgjithshëm të UP-së, pasi nga sa dimë, ky ka një të veçantë nga paraardhësit dhe pasardhësit e tij. Si jeni njohur? 
Përshëndetje dhe falënderime! E ndjek gazetën “Telegraf” dhe ju falënderoj në radhë të parë për vërtetësinë dhe paanësinë që përcillni, por në mënyrë të veçantë për problematikën e ish-ushtarakëve, për punën dhe sakrificat e tyre në sistemin e kaluar nëpër faqet tuaja të “Dossier”-ve. Duhen, se njerëzit kanë punuar me sakrifica, madje të mëdha. Tani të vijmë tek pyetja juaj. Me ish shefin e shtabit të përgjithshëm të UP-së, Sami Meçollari, jam njohur në moshën 19 vjeç, kohë kur isha në shërbimin ushtarak të detyrueshëm në Rep 6802, ose batalioni I shtabit të përgjithshëm në Tiranë, diku afër Kinostudios. Them se ka një pasaktësi kur thonë se në këtë detyrë Sami Meçollari është emëruar në janar 1974, jo, aty nga pranvera e vitit 1974. Atë ditë e mbaj mend mirë. Më thirri në komandë komandanti i batalionit, Diko Zeqo. Isha ushtar i kompanisë së parë dhe më thirri gjatë stërvitjes, të cilën në ato çaste e zhvillonim me komandant Zaho Muço. U paraqita sipas rregullores. Komandanti i batalionit, Diko Zeqo, më komunikoi detyrën e re: Më tha se isha caktuar me një detyrë të re, por shumë të rëndësishme. Që tani ndërprit stërvitjen dhe bëhu gati. Komanda ka besim , ndaj të ka caktuar në këtë detyrë shumë të rëndësishme. Je caktuar si shoqërues i shefit të shtabit të përgjithshëm të UP, shokut Sami Meçollari. Tha këto fjalë dhe mori qëndrim gatitu duke nderuar dhe me grusht. Nuk dija asgjë rreth tij. Dija vetëm që qe emëruar në atë detyrë pas Petrit Dumes. Mbas rreth një ore, pasi isha përgatitur dhe veshur teshat e reja që mi dhanë enkas për këtë detyrë të re, u nisa për në detyrën e re të sapongarkuar, por i ngarkuar edhe me emocione. Më shoqëroi shefi i shtabit të batalionit të asaj kohe në repartin ku kisha zhvilluar stërvitjen, Hysni Meko, për në zyrën e shefit të shtabit të përgjithshëm, Sami Meçollari. U paraqita ushtarakisht. Pas kësaj, vet shefi i shtabit të përgjithshëm, më dha komandën “Qetësohu!” dhe më uli në krahun e djathtë të tij , në tryezën ku kish zënë vend dhe vet. Më pyeti nga isha dhe ç’farë arsimi kisha dhe përmendi si me aprovim se mua më kishin ngarkuar nga komanda me detyrën e sapomarrë dhe ai , si shef i shtabit të përgjithshëm, nuk kërkonte asgjë nga unë, veç zbatimit të rregulloreve ushtarake me rigorozitet për mbrojtjen e një personaliteti të lartë shtetëror. I thashë se isha i gatshëm ta kryeja detyrën me përpikëri , deri edhe në dhënien e jetës, do isha korrekt në zbatimin e rregulloreve ushtarake dhe se ishte nder i madh për mua që mu dha rasti të shoqëroja shefin e shtabit të përgjithshëm. Ky ishte kontakti i parë me të. 

Si vijuan ditët më pas? Çfarë vërejte tek personaliteti i tij? 
Konstatova se qe shumë i përkushtuar në punë, po të kihet parasysh edhe situatat që kalonte ushtria shqiptare asokohe. Unë e shoqëroja në punë dhe vinte në zyrë një orë para të gjithëve, ikte I fundit dhe nganjëherë edhe e gdhinte në zyrë. Më ka bërë përshtypje kur shkonte në bazë, sidomos në korpuset ku kish punuar, Gjirokastër, Korçë e Shkodër. Si stërvitej bashkë me kuadrot dhe si I dëgjonte ata me vëmendje dhe shumë qetësi. Vet fliste shumë pak dhe po vet kryente edhe ushtrime, me shembullin personal kudo qe. Por qe një kërkues i rreptë, sidomos në drejtim të disiplinës dhe zbatueshmërisë së rregulloreve ushtarake, atë që ma tha dhe ma kërkoi edhe mua qysh ditën e parë, atë vura re edhe tek vartësit dhe vetja e tij. Në këtë pikë nuk toleronte. Qe ushtarak i lindur. Mund të them faktin që qe i pari shef shtatmadhorie që nuk vinte nga radhët e LANÇ-it dhe i pari që qe rritur në shtëpinë e fëmijës. Qe rritur jetim. 

Gjatë kësaj kohe që qëndruat në detyrë, je takuar me personalitete të larta të kohës? 
Po! Jam takuar me Mehmet Shehun në stërvitjen e Fierit. Më përshëndeti dhe më preku me gishtat diku në faqe. Qe ushtarak i përsosur. Samiu qe shumë i ndikuar nga vlerat ushtarake të Mehmet Shehut. E dëgjonte dhe respektonte shumë, e çmonte jashtëzakonisht për vlerat që kishte. Thoshte gjithmonë se Mehmet Shehu është një strateg. Kishte konsiderata të jashtëzakonshme për të. Kam pasur një rast, kur Mehmet Shehu është shtrirë barkas për të parë më mirë objektin. Unë u shtriva përkrah tij, për të parë se mos streha e kapelës krijonte hije mbi armën. Njëherë kemi qenë në një stërvitje të Shtabit të Përgjithshëm dhe Samiu nuk pranoi të hipte në kalë, por me këmbë edhe vet, maleve të Tiranës, marshime të lodhshme e me sakrifica. Nuk kam pasur rast të takoj Enver Hoxhën nga afër… 

Sa ndenje si truproje e shefit të shtabit të përgjithshëm? 
Ndenja deri në fund të dhjetorit 1974, kohë kur Samiu u lirua nga detyra dhe nuk u morr vesh kurrë arsyeja e shkarkimit, shkarkim i menjëhershëm dhe i papritur. As atëherë dhe as sot, nuk e di arsyen e largimit të tij nga detyra. U çudita dhe u çuditëm. Këtu dua të shtoj diçka që më ka bërë përshtypje: qe koha e përgatitjes së parakalimit të paradës së 30 vjetorit të çlirimit të atdheut më 1974, ku drejtues i punës stërvitore dhe përgatitore qe Bejdo Isufi, në atë kohë komandant I grupit të Tiranës. Samiu interesohej përditë për mbarëvajtjen e detyrave dhe realizimin me sukses të Paradës.. Mund të them se në këtë kohë , nuk bënte as 2-3 orë gjumë në natë. Po në lidhje me përshtypjen që përmenda më lart, në këtë kur përgatitej parada, ne ishim me shërbim në Korçë. Sa kisha rënë për gjumë dhe qe orë e pasmesnatës më zgjojnë dhe më thonë se duhej njoftuar shefi se në ora 08 të mëngjesit të asaj dite duhej të paraqitej tek komandanti i përgjithshëm , shoku Enver Hoxha në KQPPSH-së. E zgjova, i komunikova urdhrin dhe u nisëm menjëherë. Udhëtuam gjithë natën. Shkoi në shtëpinë e motrës , se nuk kish shtëpi të tijën në Tiranë, ndaj dhe pjesën më të madhe të kohës, si me punë e si atë të lirë, i kalonte në zyrë. Gruaja dhe dy fëmijët rrinin së bashku me motrën e tij në një banesë. Nuk arriti dot të merrte shtëpi dhe pse ndenji gati një vit shef shtabi I UP-së dhe kish dhe status jetimi se vinte nga jetimorja. U bë gati dhe doli. Shkoi në KQ PPSH-së dhe hyri brenda ku sipas njoftimit, e priste Komandanti I Përgjithshëm Enver Hoxha. Unë prita jashtë. Po prej asaj godine doli shumë shpejt. U larguam për në zyrë. Mbaj mend që gjatë rrugës për në zyrë, tha:-Epo të udhëtosh gjithë natën me njoftim se të pret Komandanti I Përgjithshëm dhe në mëngjes të të pres një grua…?! Nuk ja morëm vesh retorikën as atëherë e as sot. Po kuptova se nuk qe takuar me Enver Hoxhën. Po ashtu si nuk mësova dot kurrë se kush qe ajo grua që priti në takim shefin e shtatmadhorisë në emër të Komandantit të përgjithshëm, Enver Hoxhës? As sot nuk I jap dot përgjigje dhe e kam enigmë. Ky takim qe para manifestimit të paradës së 30 vjetorit, në muajin tetor, në fund të nëntorit u bë parada dhe në fund të dhjetorit u shkarkua shefi…?! Qenë tri muajt e fundit të vitit 1974 dhe 30 vjetori i çlirimit të atdheut…Samiu u lirua nga detyra pa ia bërë të qarta arsyet, në fund të dhjetorit 1974, pikërisht data 28. Shkarkimin ja komunikoi vet Mehmet Shehu, pa asnjë motivim. Shef Samiun e zëvendësoi Veli Llaka, që do të kish një fund edhe më të keq se paraardhësi i tij.

Po ju ku shkuat më pas apo qëndruat në detyrë?
Pas shkarkimit të Samiut , mua më larguan menjëherë dhe u riktheva në batalion. Po shumë çudi ishte ajo që më ndodhi njëherë më pas. Një ditë, vajta ta takoja tek shtëpia e motrës së tij, pak ditë pas shkarkimit. Por u çudita kur pashë dy civilë të cilët më pyetën se ku shkoja. U thashë se doja të takoja shef Samiun. Nuk më penguan, por më bëri përshtypje të madhe. E takova shefin tim I cili më pyeti se pse kisha shkuar aty dhe a kisha leje. Mbas disa ditëve ai u caktua komandant brigade në Kavajë. Shkova dhe e takova dhe aty. Më pas mori shumë detyra ushtarake….por emigrimi na preu rrugët e kontaktit me të…Dhe prape do përsëris se Samiu e vlerësonte Mehmet Shehun dhe gjeneralët e ushtrisë dhe shprehej se ata asnjëherë nuk kanë qenë armiq dhe tradhëtarë të atdheut, megjithëse disa herë kish pasur kundërshtime të ashpra me Petrit Dumen… 
Sigal