Sami Guzina*/ Të jesh pilot…

1041
Sot, Aviacioni i Shqipërisë mbush 64 vite nga krijimi. Historinë e Aviacionit Shqiptar e kanë shkruar breza të tërë kuadrosh, pilotë, teknikë, specialistë, shturmanë. Një pjesë nuk janë midis nesh. Ne të tjerët jemi organizuar në Shoqatën e Aviatorëve, e cila prej disa muajsh ka organet e reja drejtuese dhe Kryetarin e ri, zotin Astrit Jaupi,(ish komandant i Forcave Ajrore), të zgjedhur unanimisht nga Asamblea e Shoqatës. Detyrë parësore e Kryesisë mbetet plotësimi i dokumentacionit ligjor dhe vënia në shina e punës sipas Programit dhe Statutit tonë. Promovimi i vlerave më të mira të Aviatorëve në vite, vlerësimi i disa prej figurave më të spikatura në bashkpunim më pushtetin vendor, paisja e tërë anëtarëve me karta antarësimi etj, mbeten detyrat e kryesisë në përditshmërinë e saj. Pilotët kanë qenë më tepër se kolegë e shokë më njëri tjetrin. Kanë qenë si vëllezër. Shoqëria e Aviatorëve ka qenë e njohur prej të gjithëve. Po tani që jemi në pension, ne jemi përsëri bashkë, jo vetëm në festa e gëzime, por dhe në hallet tona të përditshme. Dhe do të jemi ! Sepse historinë e shkruam të gjithë së bashku, jo vetëm me sakrificat tona, djersën tonë, pagjumësinë e vijës së parë të gadishmërisë, por dhe me gjakun e shokëve tanë më të mirë. 
PAK NGA HISTORIA
Historia e Aviacionit tonë është voluminoze dhe e shndritshme. Janë akoma gjallë disa nga figurat madhore që e themeluan para 64 vjetësh, me 24 Prill 1951. Apo ata që hodhën themelet e Rregjimentit të helikopterëve, i cili sot mban mbi shpatulla mijëra misione luftarake dhe humanitare. Historia e Aviacionit shqiptar është histori gjaku, histori sakrificash, histori trimash. Një histori që i ka rrënjët shumë më thellë se 24 Prilli i 1951-it. Tashmë njihet ( të paktën deri tani ) se shqiptari i parë që ngrihet në ajër është i madhi aktor i skenave botërore, Aleksandër Moisiu. Si pilot i mobilizuar në flotën ajrore gjermane që në fillimet e luftës së parë botërore, ai merr pjesë në frontin anti francez, madje kapet rob prej tyre. Është interesant fakti që për lirimin e tij nga burgu lobojnë mjaft personalitete në Europë, midis të cilëve dhe Viktor Eftimiu. Francezët e lënë të lirë “pilotin Moisiu” duke e ndruar me tre a katër gjeneralë francezë të kapur rob nga gjermanët. I i vlen të zgjatesh disa rreshta për shqiptarin e parë fluturues, aq më tepër kur ky është vetë Aleksandër Moisiu. Tjetër fakt domethënës për dashurinë e shqiptarëve për ajrin është dhe tentativa e qarqeve demokratike në vitet ’20, të cilët mundësuan përgatitjen e 5-6 djemve për pilotë e teknikë në Francë. U blenë dhe dy avionë transporti dhe u sollën në Shqipëri me anije. U montuan në fushën e Laprakës, por në tentativën e parë për tu ngritur, në fundin e pistës, njëri nga avionët shkatërohet. Shtypi i kohës i bën jehonë të madhe duke e shoqëruar dhe me fotot e ekipazheve para ngritjes si dhe avionin e shkatërruar. Edhe ngritja e një rrjeti të gjërë aerodromesh në vitet 30 – 40 i shërbeu si bazë e shëndoshë për 24 Prillin e vitit 1951. Siç i shërbeu dhe përgatitja e kuadrove të parë, pilotë e specialistë, menjëherë pas luftës, madje një pjesë e tyre vinin nga rradhët e partizanëve.
FLUTURIMI I PARË
Kështu erdhi fluturimi i parë zyrtar me 24 Prill 1951, me pilotin Peço Polena. Nuk ishte i vetmi pionier. Kjo “dallandyshe” që solli pranverën në qiellin shqiptar, ishte me “zogj” të tjerë si; – Edip Ohri, Babaçe Faiku, Fahri Bubësi, Niko Hoxha, Hamid Ulqinaku, Lulo Musai, Sejdo Kamberi, Selman Meçe etj, apo teknikët e specialistët; – Jorgji Bitri, Andon Koroveshi, Daut Gurabardhi, Koli Çoba, shturmani – Masar Aga e parashutisti – Shaban Danaj. Aviacioni ynë u forcua dhe me vështirësitë e rritjes, dhe me gabimet e mangësitë, dhe me darën e bllokadave të njëpasnjëshme politike por që detyrimisht e vuajtën dhe aviatorët e specialistët. Kështu u rrit Aviacioni. U ngritën rregjimentet luftarake njëri pas tjetrit, u paisën me teknikën luftarake më moderne të kohës. U ngrit shkolla shqiptare e Aviacionit e cila përgatiti qindra e qindra kuadro, pilotë e specialistë, të cilët ngritën jo vetëm nivelin, por dhe lavdinë e Aviacionit. Historinë e Aviacionit e kanë shkruar aviatorë trima si; Bilal Sina, Fahri Bubësi, Nestor Dhaskali,Roland Sofroni, Hasip Budo, Ismail Togu, Bilal Josa, Vangjel Nasto e Reshat Mullaj, Vangjel Postoli e Gëzim Xhafa , të cilët duke sfiduar kapriçiot e teknikës, realizuan fluturime në kufijtë e të pamundurës, vepruan me guxim e si heronj u futën në librin e historisë. Lavdia e Aviacionit lartësohet nga aktet e guximshme e heroike të Dhimitër Robos, Azbi Seranit, Luto Sadikut, Ndue Logut, të gjashtë heronjve të Llogarasë, apo të 28 Dëshmorëve të tjerë të Kombit.
Dhe s’ka si të mos ketë vend në faqet e kësaj historie për emra të tillë si; V. Andoni, M. Hysa, Ll.Çuçi, S.Çela ( të ndarë nga jeta), apo B. Taçi, K. Aliko, A. Jaupi, R. Qarri, G. Veipi, P. Bebeçi, M. Kame, H. Mehmeti, O.Kushta,A. Koli,Sh.Baxhaj….e lista është e pafund.
PËRBALLË REALITETIT
E pra, këta janë pilotët. Pa makina të blinduara, pa badigardë, pa vila e restorante. Disa nuk kanë as biçikletë. Por kanë qenë dhe mbeten njerëz të respektuar në popull. Djem e burra të pafjalë, tepër seriozë në detyrë e gazmorë në jetë e shoqëri.
Pilotët nuk kërkojnë privilegje, por profesioni i tyre kërkon detyrimisht vlerësim maksimal nga instancat drejtuese e përgjegjëse; nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm,
Komisioni Parlamentar i Sigurisë etj…. Ushtarakëve nuk u lejohet të protestojnë, të bëjnë peticione, qoftë dhe kërkesa. Ndryshe u tregohet dera e repartit. Pas viteve ’90 çdo e drejtë e pilotit erdhi duke u sfumuar, përgjysmuar apo hequr si një privilegj i tepërt. S’ka karburant për makina, s’ka menca për ushqim të diferencuar, s’ka dieta për shërbime e fluturime, s’ka pushime në shtëpinë e ushtarakëve etj, etj. Këto nuk janë privilegje, janë të detyrueshme për këtë profesion. Siç janë të detyrueshme që pilotëve tu sigurohet një banesë dhe një rrogë normale për një jetesë normale. Piloti kur ngrihet në ajër duhet të jetë i qetë, i pastresuar e të mos mendojë për hallet që lë në tokë. Krahas fizikut të fortë e të kontrolluar para çdo fluturimi nga mjekët përkatës, ushqimit të kontrolluar po nga mjeku, krahas përgatitjes së lartë teorike e profesionale, edhe kjo e kontrolluar para çdo fluturimi, duhet të jetë i aftë dhe nga ana psiko – fiziologjike. Djemtë e rinj që “popullojnë” sot të vetmin rregjiment aviacioni( atë të helikopterëve) janë çdo ditë në kontakt me homologët e tyre të NATO-s, kryejnë brifingje, stërvitje apo aktivitete të përbashkëta. U kërkohen rezultete e fluturime me nivel të lartë. Dhe këtë, “heronjtë” tanë e realizojnë pa i u dridhur qerpiku. Për këtë ju siguroj, sepse kam marrë pjesë dhe vetë në dhjetra stërvitje bashkvepruese, madje dhe me teknikë më të kufizuar në parametra, e jemi ndjerë të barabartë në artin e të fluturuarit….Për të tjerat… jemi munduar t’i fshehim me kujdes për të mos turpëruar “Shqipërinë tonë të dashur”. Por ama pilotët tanë e shohin trajtimin e homologëve. Janë dhjetë fish inferiorë. Në çdo gjë. Dikur …kur inspironim për në NATO na thonin se do hanim me lugë floriri. Po tani? 
E pra, dikastereve tona nuk u mungon asgjë në raport me ato të NATO-s. Po pilotëve të Farkës?. Por…pranimin në strukturat e NATO-s, POLITIKA e ka përdorur dhe e përdor çdo ditë vetëm për kredo politike, se kush e ka firmosur i pari atë copë letër, e jo për të realizuar detyrimet minimale për ushtarakët, të cilët përballen çdo ditë me privacionet në realizimin e detyrave të tyre. Këto që sapo ngrita më sipër për detyrimet ndaj pilotëve nuk është se e justifikojnë shkarjen jashtë binarëve të një piloti. Jo! Të jesh pilot është diçka midis detyrës dhe ndjenjës, mes sportit e artit, që nis nga më e thjeshta e deri tek më sublimja, që endet shpesh midis meritës dhe fatit… Një profesion i pakrahasueshëm me një të dytë. Ai përmbledh në vetvete veçse përgjegjësira ndaj vetes, ndaj aparatit fluturues, ndaj armës e mbi të gjitha ndaj Atdheut… Kam thënë pak… Ky është profesioni i ajrit e këta janë pilotët. Ngaherë në gatishmëri, në repart e jashtë tij, ditën e natën. E vështirë..!? T’i lësh fëmijët në gjumë e t’i gjesh sërish në gjumë! Të të mbetet bileta e teatrit apo stadiumit në xhep, të lësh bukën apo kafenë përgjysëm…e përsëri në ajër, ditën e natën, mes ciklonit apo drejt zonave të përmbytura. E gjithë jeta në start, me kufje në dorë. Sakrifica? Kush tha? Kjo është zgjedhja! Ky profesion dashurohet. Siç bën një muzikant virtuoz. Pakti me këtë profesion është sublim. Është një pakt me ATDHEUN.
*Ish pilot 
‘Janë akoma gjallë disa nga figurat madhore që e themeluan para 64 vjetësh, me 24 Prill 1951. Apo ata që hodhën themelet e Rregjimentit të helikopterëve, i cili sot mban mbi shpatulla mijëra misione luftarake dhe humanitare. Historia e Aviacionit shqiptar është histori gjaku, histori sakrificash, histori trimash. Një histori që i ka rrënjët shumë më thellë se 24 Prilli i 1951-it. Tashmë njihet ( të paktën deri tani ) se shqiptari i parë që ngrihet në ajër është i madhi aktor i skenave botërore, Aleksandër Moisiu’
Dwshmorët e aviacionit
Nr Emri Mbiemri
1 Vasil Trasha
2 Hektor Lako
3 Sokrat Basha
4 Niko Hoxha
5 Stilian Tanku
6 Jovan Kaccorri
7 Muharrem Hida
8 Refit Jazo
9 Kaso Petoshati
10 Shyqyri Balla
11 Hazbi Serani
12 Islam Mani
13 Bego Hoxha
14 Dhimitër Robo
15 Veiz Kovacci
16 Sefedin Tomccini
17 Vasil Noni
18 Shpëtim Sula
19 Armando Gjoka
20 Sabri Tocci
21 Luto Sadikaj
22 Ndue Logu
23 Haki Skuqi
24 Jorgji Fane
25 Agron Galanxhi
26 Enver Haka
27 Pandeli Zhupa
28 Tafil Agai
29 Vangjel Postoli
30 Veledin Resuli
31 Eduard Kostwdhima
32 Fluturim Molla
33 Idriz Hoxha
34 Jani Tarifa
35 Ibush Vokshi
36 Qemal Mwrtiri
37 Vangjel Ccondi
38 Demush Heba
39 Qemal Koni
Sigal