Sali ONUZI/ Shqipëria kishte një lëvizje antifashiste të fuqishme

780
Sigal

Në kuadër të 70- vjetorit të çlirimit, del dhe një herë në pah evidentimi i Lëvizjes Antifashiste, si faktor që solli luftën me armë në dorë deri në çlirim

Ky vit është viti i 70-vjetorit të fitores së  Luftës Antifashiste të Popullit shqiptar, pra edhe i fitores së  Lëvizjes Antifashiste të tij. Lufta dhe Lëvizja kanë qenë të lidhura ngushtë mes tyre. Populli shqiptar ia doli që përballë pushtimit fashist të krijonte  gradualisht një Lëvizje të fuqishme antifashiste që u bë më e organizuar dhe drejtuar  pas  krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare (8.11.1941) dhe u institucionalizua me krijimin e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar (16.09.1942), të organizatave e shoqatave antifashiste. Lëvizja kishte si qëllim vetëdijesimin e popullit shqiptar për gjendjen e pushtimit, frymëzimin e besimin e tij në fitore. Kishte përballë një ushtri të madhe armike që kishte vënë në qarkullim një  propagandë mashtruese  “për çlirimin e Shqipërisë”, “për krijimin e Shqipërisë së madhe”, por edhe  veprimtarinë e  reaksionit vendas që i shkonte pas  me “nuk i delet Italisë, është fuqi e madhe, gjermani po ashtu”, madje, ky nuk kishte ardhur si pushtues, ishte gjoja “në kalim”, “na njeh si shtet të pavarur” etj., etj.. Kësaj propagande çmobilizuese e  çkombëtarizuese iu kundërvu Lëvizja Nacionalçlirimtare me forma të tilla si organizime të fshehta, takime e biseda, protesta, demonstrata, me  shtypin e saj  ilegal etj.. Ilegalët  u bënë shpirti i Lëvizjes. Në veçanti rinia, sidomos ajo e shkollave të mesme dhe punëtorët. Mu te dera e Ministrisë së sotme  të Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë është pllaka që përkujton Strehën Vorfnore të Tiranës, nxënësit e të cilës, (thotë pllaka) morën pjesë aktive në luftë kundër pushtuesve dhe tradhtarëve të vendit. Lexuesi mund të kujtojë me këtë rast  filmin  e bukur artistik të Kinostudios sonë, aq  mirë të realizuar, “Lulëkuqet mbi mure”. Historia flet për rininë  e gjimnazit të Tiranës, të Shkodrës, të Liceut të Korçës, të Institutit pedagogjik të vajzave  në Tiranë, të shkollës Tregtare në Vlorë, e sa e sa të tjerë  që u shquan në këtë lëvizje të fuqishme, ashtu si punëtorët e Kuçovës, ato të ndërtimit  etj.. Mund të kujtojmë edhe “Debatikun”, Organizatën Antifashiste të Fëmijëve të kryeqytetit Sado të rinj, ata kryen aksione të suksesshme (punë që mund t’i bënin vetëm të vegjlit pa rënë në sy të milicisë fashiste  dhe të xhandarëve të qeverisë kuislinge), si shpërndarje traktesh, djegie makinash të armikut, shërbime informative , korrierë etj.. Shumë anëtarë të Debatikut  u burgosën dhe u torturuan nga fashistët. Më vonë disa prej tyre dhanë jetën për liri në radhët partizane. Kinematografia shqiptare e ka skalitur me filmin e famshëm “Debatik” të  regjisorit Hysen Hakani, ish-debatikas.

Lufta në qytete, jeta e ilegalit kanë qenë  sa të rëndësishme aq edhe të vështira. Komandantë të shquar në drejtimin e batalioneve dhe brigadave të UNC e kanë vlerësuar shkallën e  rrezikut nga armiqtë për  lëvizjen antifashiste në qytete, ku  largimin prej andej e kalimin në mal partizan, ilegalët e  prisnin me kënaqësi.

Lëvizjes Antifashiste  Shqiptare pushtuesit italianë dhe gjermanë i vunë kundër masa të rënda e të ashpra, terrorin, burgimet, internimet në kampe përqendrimi   e pushkatimet. Pushtuesit  burgosën dhe dërguan në kampe internimi dhe përqendrimi mijëra  të rinj dhe të reja shqiptare, në Mat’hauzen, Aushvic, Dakao, Ravensbruk, Bukenvald, Ventotene, Selanik, Porto- Romano, Prishtinë etj.. Edhe atje shqiptarët u shquan për pjesëmarrje në lëvizjen antifashiste. Mjafton të kujtojmë këtu Ali Kuçin, nga Vlora, që u bë i njohur në shkallë botërore për udhëheqjen e tij në kampin e tmerrshëm të Dakaut, Gjermani, duke u shpëtuar jetën mijëra të burgosurve në kamp. Shumë shqiptarë  të dërguar  në këto kampe të vdekjes u vranë, e disa  prej tyre shpëtuan rastësisht nga vdekja e sigurt. Bezat Imaj, nga Gjirokastra, i radhitur me shokët për t’u pushkatuar, shpëtoi rastësisht  nga që  nuk e kapën plumbat. Pati ardhur në Shqipëri pas viteve nëntëdhjetë një grup i  televizionit  gjerman dhe e pati  intervistuar për të dëshmuar si vuajtjet në kamp edhe sjelljen humane pas lufte të qytetarëve të zakonshëm gjermanë që i strehuan dhe ushqyen në shtëpitë e tyre  të internuarit  që kishin dalë gjallë nga kampet si: Bezati,  Beqir Xhepa nga Tirana, e shumë të tjerë.

Në fakt historiografia shqiptare është ende  deficitare në paraqitjen e lëvizjes antifashiste në burgje (siç e bën p.sh artistikisht kënga e famshme e Mine Pezës “ku kam djalin ku kam vajzën, m’i kanë mbylle në burg të zi, farefisin ma kanë tretur, larg në ishuj në Itali.) dhe sidomos në kampet e internimit dhe në kampet e përqendrimit. Padyshim edhe letërsia artistike, e cila megjithatë ka sjellë  si dëshmi  romanin e shkëlqyer të  Petro Markos “Nata e Ustikës” .

Më 22 qershor 1942, në Fushë-Firej në qytetin e Shkodrës ranë heroikisht kundër qindra italianëve Branko Kadia, Jordan Misja dhe Perlat Rexhepi.  Të nesërmen i gjithë burgu i Shkodrës  këndonte këngën e Tre heronjve “Ç’ka po thotë Kadia flakë le të kallet shpia, ta marrë vesh Shqipnia se na i dalim zot/, të cilën e kish kompozuar me një mandolinë  i burgosuri Kol Jakova.  U çmendën milicët, duke u përpjekur ta shuanin, por me kot, kënga fluturoi ne gjithë Shqipërinë. Jakova tregonte se kur doli nga burgu e kish dëgjuar të këndohej   në Jug të Shqipërisë, paçka se nuk ia njihnin autorin. Antifashizmin e përhapnin shpirtrat e njerëzve, zemrat e tyre.

Lëvizja dhe Lufta zhvilloheshin  të lidhura ngushtë si mishi me kockën. Ka një rast interesant. Në Durrës më 1944-n, meqë pushtuesit  gjermanë se ndalonin as luftën e as lëvizjen brenda në qytet arritën deri aty sa evakuuan gjithë popullsinë e qytetit, e nxorën jashtë Durrësit. Një rast pa precedent në Luftën e Dytë Botërore. E megjithatë, nuk ia dolën dot ta ndalonin lëvizjen antifashiste NÇl si në Durrës e në gjithë Shqipërinë.

Bazat e Lëvizjes ishin shtëpitë e ilegaleve nëpër qytete, apo kasollet e thjeshta të fshatarëve dhe të malësoreve. Kjo Lëvizje antifashiste shqiptare, në të cilën u përfshinë gjithë shtresat e popullsisë së Shqipërisë, “pa dallim feje, krahine dhe ideje” çoi natyrshëm drejt organizimit të formacioneve ushtarake antifashiste partizane, të  njësiteve  guerile,  të çetave,  të batalioneve, të  brigadave (24 të tilla)  etj.. Lëvizja antifashiste është dëshmi e shpirtit të paepur e të pamposhtur të popullit shqiptar, e patriotizmit, e mençurisë dhe e guximit të tij. Ajo gjithnjë është vlerësuar lart si fenomen historik i shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Prandaj  ka zënë një vend të merituar në kujtesën e popullit tonë, në Historinë e Shqipërisë dhe në studimet që janë bërë  e bëhen për të.

Pikërisht se Lëvizja antifashiste ka një vlerë të tillë historike armiqtë e Shqipërisë  janë përpjekur ta mohojnë atë. Madje, mu në Konferencën e Paqes në Paris, më 1946, ish- Kryeministri grek Caldaris  në vijim të akuzave të tij për gjoja  agresionin ushtarak  të Shqipërisë (në fakt të Italisë fashiste) ndaj Greqisë, pati thënë se lëvizja partizane, lëvizja popullore antifashiste në Shqipëri  nuk kishte ekzistuar, se gjoja për mungesë të kësaj lëvizjeje edhe ushtrinë e rregullt në Shqipëri në Luftën e Dytë Botërore e paskëshin pas krijuar aleatët!

Po Lëvizja antifashiste shqiptare ka bërë emër në botë, ndërsa emrin e Caldarisit, bota e ka harruar. Aleatët e mëdhenjtë antifashistë, SHBA, Britania e Madhe dhe B. Sovjetik  e çmuan lart luftën e popullit shqiptar  kundër pushtuesve fashistë që në fund të vitit 1942. Bota njeh dhe çmon me respekt popullin shqiptar për kontributin që ka dhënë me Luftën e tij Nacionalçlirimtare, me Ushtrinë e tij NÇl, me heronjtë dhe dëshmorët e tij. Është kjo Lëvizje Antifashiste humane dhe shumë e organizuar që  pas kapitullimit të Italisë strehoi dhe shpëtoi  15 mijë ish-ushtarë italianë; që shpëtoi qindra hebrenj nga gjermanët, sa asnjë prej tyre  nuk e futen në dorë. Një rast që vlerësohet sot anekënd botës. Tridhjetë infermiere dhe sanitarë  amerikanë, avioni i të cilëve ra në Shqipëri, të kërkuar gjurmë pas gjurmë nga gjermanët, për 62 ditë dhe net u strehuan nëpër shtëpitë e fshatarëve dhe qytetarëve shqiptarë dhe kaluan nga Elbasani në Bregdet e prej aty në pjesën e çliruar të  Italisë, janë gjithashtu, një rast për të treguar se  çfarë mund të bënte Lëvizja antifashiste në Shqipëri. Madje, ky rast u soll edhe si shembull në Konferencën e Paqes të Parisit.

Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare është një monument i madh i historisë sonë në Luftën e Dytë Botërore.