Sali ONUZI/ Qazim Mat Onuzi, luftëtari i parë antifashist i Lumës

827
Sigal

Megjithëse i plagosur, Qazimi luftoi heroikisht në krah të Mujo Ulqinakut e shokëve të tjerë

*Kolonel (R)

 Qazim Onuzi postkomandant, efektiv i skuadrës së dytë, të togës së tretë të kompanisë së tretë të xhandarmërisë, bashkë me efektivin që komandonte kishte zënë pozicion te Ura e Dajlanit në Durrës, tek “ depo e benzinës”. Ka 200 fishekë, hap zjarr me pushkën e tij dhe merr pjesë aktive në qëndresën kundër pushtuesve fashistë italianë, që sulmuan Durrësin atë ditë të zezë të 7 prillit 1939. Nga gjylet e artilerisë së anijeve luftarake, që binin si breshër, plagoset në të dy këmbët dhe në dorën e djathte. Katër plumba i kanë shpuar kapotën dhe një tjetër i ka dëmtuar kasën e pushkës. Dielli ishte mbuluar nga tymi i gjyleve. Tërhiqet i fundit dhe zënë pozicion te Posta e Dajlanit. As aty nuk qëndrojnë dot, pse posta shkatërrohet nga gjuajtjet e artilerisë italiane. Atëherë zënë ballin e Urës së Dajlanit. Gjashtë predha godasin Urën dhe i shkëpusin asaj një këmbë. Tërhiqen përsëri të ndjekur nga bombardimet e aviacionit dhe plumbat që i ndjekin ngado. Vetëm, nën tmerrin e bombardimeve, tërhiqet ngadalë dhe te Posta e Rrashbullit takon efektivin. Një makinë i transporton në Shijak, ku furnizohet me bukë dhe municion.

(i kishin mbetur edhe 36 fishekë). Nga plagosja vijon të humbasë gjak dhe fillon e ligështohet fizikisht. Në breg të rrugës e gjen të shtrirë një autoambulancë ushtarake shqiptare dhe në ora 15.00 arrin në spital, ku qëndron dy javë. Këto janë disa fakte të nxjerra nga ditari i tij, të botuar nga publicisti Petrit Palushi vitet e fundit. E ç’mund të bënte më shumë një xhandar me skuadrën e tij, armatosur me nga një pushkë, kundër bombardimit intensiv të artilerisë së flotës luftarake italiane dhe të aviacionit?! Të mos harrojmë se këta ishin efektiv xhandarmërie, ruajtës rendi dhe jo forca të ushtrisë, të cilat as u dukën në Durrës. Lumjanët ditën e 7 prillit zbritën grupe- grupe në qytetin e Kukësit, me shpresë të armatoseshin e niseshin në frontin e luftës, për të bërë siç kishin bërë gjithnjë, brez pas brezi. Por nuk qe e mundur. Gjithçka ishte sabotuar. Pas disa ditësh edhe Kukësi do të pushtohej nga ushtria italiane dhe Lëvizja e më pas Lufta Nacionalçlirimtare do të niste të zhvillohej edhe këtu. Por me 7 prill 1939, lumjani i parë që hapi zjarr kundër pushtuesve italiane ishte Qazim Mata (Onuzi). Ai është edhe i pari që u plagos. Është me meritë luftëtari i parë antifashist i Lumës. Nuk mund ta gjesh emrin e tij në asnjë listë të formacioneve luftarake që morën pjesë në Luftën Nacional Çlirimtare. Ai nuk ishte partizan, siç u quajtën më vonë, pjesëmarrësit e çetave, batalioneve dhe brigadave, në të cilët nga fshati Nangë u inkuadruan 28 veta dhe nga Kukësi mbi 1200, që morën pjesë dhe luftuan trimërisht për të çliruar Tiranën dhe Shkodrën nga nazifashistët… Po Ai, Qazim Mata kishte dhe ka diçka krejt të veçantë. Ai kishte qenë në fillim fare, aty në Durrës, përkrah Mujo Ulqinakut dhe të tjerëve që luftuan e ranë si burrat atë ditë të fillimit të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit tonë.  Po kush ishte Qazim Mata. I lindur më 1907 në Nangë të Lumës, në një familjeve me tradita atdhetare të spikatura, ai kish hyre që më 1925 në Xhandarmërinë shqiptare dhe për 14 vjet kishte shërbyer aty me korrektësinë e ruajtësit të rendit. Kishte shërbyer gati në gjithë Shqipërinë: në Tropojë, Shkodër, Koplik, Kukës, Dibër, Durrës, Berat, Skrapar, Tepelenë, Korçë, Pogradec dhe Bilisht, prej ku niset për Durrës pas 2 prillit 1939. Ahmet Onuzi, (nipi i tij) në kujtimet e tij të Luftës, shkruan se pas Çlirimit i kish rënë rasti të takohej me banorë të zonave ku kishte shërbyer si xhandar Qazimi dhe i bëhej qejfi kur dëgjonte vetëm fjalë të mira. “Atdhetari flaktë, rreshteri Qazim Mat Onuzi”, shkruan në kujtimet e tij Harun Lushaj, nga Lapanji i Skraparit, gjatë kohës së shërbimit katër vjeçar (1932-36) ne Cepan të Skraparit la gjurmë e kujtime nga më të mirat në banorët e krahinës”. E karakterizonte ndershmëria, burrëria e krenaria e malësorit… ai i respektonte e i donte njerëzit. Kësisoj ai u miqësua shumë me banorët fitoi respekt e simpati në krahinë… krijoi miqësi me shumë njerëz patriot. Gjithandej flisnin mirë për post komandantin gazmor, të shkathtë e energjik, pa fodullëk e gojë ëmbël, që nuk lejonte të privohej e drejta e askujt..” I mbetur invalid, periudhën e Luftës e të pas Luftës e kaloi sa në shtëpi e sa në spitale për tu kuruar. Po gjithnjë antifashist i vendosur. Ai është përkrah Luftës ANÇl, si i vëllai, Jemini dhe të bijtë e tyre. Nipi i tij, ishte një nga komunistët dhe partizanët e parë e të njohur të Lumës. Edhe i biri i Qazimit, Abdyli do të bëhej aktivist i Lëvizjes NÇl në komandën e vendit. Shtëpia e tyre në fshatin Nangë kishte qenë dhe ishte një shtëpi lufte që ndihmoi me gjithë mundësitë që pati. Njeri i kulturuar i kohës së vet, Qazim Mata kishte sjellë në shtëpi gramafon,(i vetmi në fshat në vitet 1950) me muzikën e pllakave të të cilit, herë pas here, argëtonte miqtë e bashkëfshatarët e vet. Po ajo që çmohej shumë edhe atëherë, ishte ditari që ai mbante me korrektësi për kronikën e Fshatit. Që fëmije i vogël unë e mbaj në kujtesën time figurën e tij, sjelljen e tij të kujdesshme e buzë gaz. Ja,me pak fjalë Qazim Mata,ky ushtarak elegant,ky xhandar shembullor, ky luftëtar trim antifashist, që luftoi e derdhi gjak për Shqipërinë. Fshati Nangë, po edhe Luma mbarë, me të drejtë krenohen me ‘të.

75 vjet më parë, pushtimi fashist i Shqipërisë

 

Sot, më 7 prill 2014 mbushen plot 75 vjet, kur forcat ushtarake të Italisë zbarkuan në tokën shqiptare, duke shënuar kështu pushtimin fashist të vendit. Ndërkohë, Mbreti Zog, braktisi shqiptarët duke u arratisur jashtë vendit me familjen e njerëzit e besuar, duke rrëmbyer dhe arin nga banka. Sipas historianëve, 7 prilli 1939 ishte një fushatë e shpejtë ushtarake e Mbretërisë së Italisë kundër Mbretërisë së Shqipërisë. Konflikti erdhi si rezultat i politikës imperialiste te diktatorit italian Benito Musolini. Shqipëria u pushtua në mënyrë të shpejtë. Sundimtari i saj, mbreti Zog, u largua në emigrim dhe vendi u bë pjesë e Perandoria Italiane si një mbretëri e veçantë në bashkimin personal me Kurorën italiane. Por ushtarakët shqiptarë në Durrës e pika të tjera zbarkimi, ndonëse u gjetën të tradhtuar, i pritën pushtuesit me armë. Ndër ata që dhanë jetën në këtë luftë, është dhe Heroi i Popullit, Mujo Ulqinaku. Pra, një ndër luftëtarët e parë më të shquar dhe organizues i qëndresës së armatosur kundër pushtimit fashist italian në prill 1939, Hero i Popullit. U lind në Ulqin në familjen e një detari të varfër. Që në moshë të vogël hyri muço (ndihmës detar) dhe më vonë punoi si detar në Shkodër e në Durrës. Ditën e agresionit fashist italian kundër Shqipërisë u vu menjëherë në krye të detarëve të braktisur nga oficerët tradhtarë dhe organizoi me ta e me vullnetarë të tjerë qëndresën e armatosur në portin e Durrësit. Mujo Ulqinaku luftoi me trimëri e guxim të rrallë, duke vrarë e plagosur dhjetëra fashistë. Ra në luftim të pabarabartë në mbrojtje të atdheut më 7 prill 1939 duke u bërë shembull i lartë patriotizmi e atdhedashurie.