Sakip Cami: Nderim për 12 dëshmorët e Trebishtit në Dibër

352

U dogjën 425 shtëpi në Trebisht të Dibrës, burra, djem, pleq, dhe plaka ishin në plan për tu ekzekutuar nga fashizmi, por falë oficerit Qazim Kaza që ndaloj operacionin shfarosës

Trebishti i Dibrës, fshati që u dogj tërësisht nga fashistët italianë, më 3 shtator 1943

12 dëshmorët e Trebishtit

Roli i kapitenit Qazim Kasa, bir i këtij fshati, për shmangien e gjenocidit shfarosës

Nga Sakip Cami & Agim Bekteshi

U dogjën 425 shtëpi të fshatrave lagje të Trebishtit (Bala, Çelebi e Muçinë). Popullsinë, burra, gra, djem, pleq dhe plaka, fëmijë i grumbulluan dhe i dërguan tek Ura e Spilesë, ku ishin në plan për tu ekzekutuar. Por atë ditë popullin dhe fshatin e Trebishtit e shpëtoi biri i këtij fshati, oficeri Qazim Kasa, i cili kishte studiuar për ushtarak në Itali dhe ishte me punë në Komandën e Vendit në Dibër të Madhe. Ai u mor vesh me një gjeneral italian në Tiranë nëpërmjet telegrafit . Fatmirësisht Qazimi e njihte personalisht gjeneralin italian. Kjo që po ndodh në Trebisht, i tha ai, është gjenocid. Gjenerali u bind nga shpjegimet e Qazimit dhe dha urdhër që të ndërpritej operacioni shfarosës.

Aksioni i Manastirecit, 25 maj 1943

Sipas dokumentit të AQSH, në vendin e quajtur Manastir, 10 km larg Dibrës, në orën 09.30 nga një çetë, (çeta e Gollobordës), u sulmua posta ushtarake që shkonte për Strugë. Pas sulmit çeta u largua për në Drenok. Gjatë luftimit mbetën të vrarë tetari Orsim Olimpo i autorepartit 78 dhe u plagos n/togeri Fereto Alberto dhe ushtari italian Mariano Rosso të Rep. 226, Divizioni Arezzo.

22 Qershor 1943, goditja e autokolonës italiane te Hani i Trebishtit

Në rrugën automobilistike Dibër – Strugë, pasi u bë vrojtimi i kujdesshëm i vendit, u përcaktuan pikat se ku do të zihej prita në një përrua, ku ishte një kthesë e fortë, që e gjithë zona të futej brenda zonës së zjarrit të armëve të forcave partizane. Para ardhjes së autokolonës nga Struga, u asgjësua një patrullë me 3 karabinierë. Kur autokolona arriti në kthesën e pritës u hap zjarr për 30 – 40 minuta dhe u vranë 2 italianë dhe mbetën të plagosur shumë të tjerë. U kapën rob 5 ushtarë italianë, të cilët u lanë të lirë të shkonin në Dibër të Madhe, pa uniforma ushtarake, por civile dhe pa armë. U zunë edhe shumë armatim e municione. (Ushtima e Maleve, datë 22 qershor 1974)

 Çlirimi i Trebishtit, 10 korrik 1943

Më datë 10 korrik 1943 Çeta e Gollobordës me një pjesë të Batalionit të Martaneshit çliruan Trebishtin, duke përzënë administratën profashiste dhe u ngrit flamuri shqiptar kuq e zi. Në mitingun e çlirimit foli komandanti i çetës Ahmet Cami Për kundërpërgjigje italianët dogjën Trebishtin, rreth 400 shtëpi të tij dhe arrestuan 40 banorë të këtij fshati të madh.

Aksioni i dytë i Drenokut (Manastirecit), 13 korrik 1943 Sipas dokumentit të AQSH, raportit të Drejtorit të Policisë Gjon Deda, në orën 12.00 të datës 13 korrik 1943 në vendin e quajtur Drenok (Manastir) 10 km larg Dibrës, mbasi u këput komunikacioni telefonik të armatosurit (çeta e Gollobordës) mësyn autokolonën ushtarake të Dibrës drejtuar për në strugë. Në këtë sulm mbetën të vrarë 2 oficerë dhe u plagosën 12 ushtarë italianë, ndërsa 20 ushtarë të tjerë zihen rob. Robërit u sollën në Trebisht, ku iu bë thirrje për t’u bashkuar me forcat partizane. Pranoi vetëm Salvatore, partizani italian që u vra në luftën e Peshkopisë, më 18 tetor 1943. Robërit e tjerë u çarmatosën dhe u përcollën për në Dibër.

Djegia e Trebishtit, më 3 shtator 1943, roli i kapitenit Qazim Kasa, bir i këtij fshati, për shmangien e gjenocidit shfarosës

Me 2 shtator 1943 përfundoi çlirimi i krejt Gollobordës. Po atë ditë armiku pësoi goditje të rënda në Modriç.  Në historinë e LANÇ të popullit shqiptar (1939 – 1944) Vol. I Tiranë, 1975, faqe 462 shkruhet:“ Me 2 shtator 1943 forcat e Ushtrisë Nacional- çlirimtare sulmuan afër Dibrës në rrugën që shkon në Strugë, një autokolonë të Divizionit fashist italian “Firence“ , autokolonë të cilën thuajse e shkatërruan plotësisht. Për tu hakmarrë italianët dogjën pothuajse krejtësisht fshatin Trebisht, pasi kishin djegur disa ditë më parë Zerqanin, Sofraçanin , Sopotin etj., dhe kishin bombarduar e mitraluar me aeroplanë shumë fshatra të tjerë , që s’mund t’i arrinin dot me ushtritë e tyre. Por gjendjen në Dibër nuk e kishin qetësuar dot.” Për Trebishtin , në shenjë hakmarrjeje ndëshkuese fashistët italianë organizuan një ekspeditë shfarosëse në pasuri dhe jetë njerëzore, të cilën e kryenin me 3 shtator 1943. Për pasojë u dogjën 425 shtëpi të fshatrave lagje të Trebishtit (Bala, Çelebi e Muçinë ). I gjithë Trebishti u mbulua nga tymi dhe flakët. Popullsinë, burra, gra, djem, pleq dhe plaka, fëmijë i grumbulluan dhe i dërguan tek Ura e Spiles, ku ishin në plan për tu ekzekutuar. Por atë ditë popullin dhe fshatin e Trebishtit e shpëtoi biri i këtij fshati, oficeri Qazim Kasa, i cili kishte studiuar për ushtarak në Itali dhe ishte me punë në Komandën e Vendit në Dibër të Madhe. Ai u mor vesh me një gjeneral italian në Tiranë nëpërmjet telegrafit. Fatmirësisht Qazimi e njihte personalisht gjeneralin italian. Kjo që po ndodh në Trebisht, i tha ai, është gjenocid. Gjenerali u bind nga shpjegimet e Qazimit dhe dha urdhër që të ndërpritej operacioni shfarosës.  Më 20 tetor 1943 në Dibër të Madhe për djegien e Trebishtit u dënua Shyqyri Prapaniku.

Çeta e Vetëmbrojtjes së Trebishtit të Gollobordës, gjatë Luftës së Dytë Botërore

Xhevahir Dalip Kurti (Emini); Komandant i çetës. Ejup Rahman Ramku; Komisar i çetës. Nexhip Mustafa Maçka; zëvendës Komandant. Sulejman Ferhat Muçina; Kapiten.

Anëtarë të çetës:Arif Mustafa Haxhija, Mehmet Nebi Sadiku, Murat Ali Veizi, Idriz Ali Kadriu, Idriz Hasan Abdiaj, Islam Maliq Maçka, Rizman Rahman Haxhia, Shefki Dehar Emini, Qazim Zenel Dauti, Esat Osman Osmani, Rustem Nuredin Maçoku.

Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional – Çlirimtar të krahinës së Gollobordës, gjatë Luftës Antifashiste Nacional – Çlirimtare: Arif Halili; Kryetar, Xheladin Shahini; Nënkryetar, Mehmet Çereni; Sekretar.

12 dëshmorët e Trebishtit

  • Mehmet Nuredin Ajazi (1921 – 1944), partizan i Brigadës I Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 1 nëntor 1944.
  • Rrahman Rizman Haxhijahja (1929 – 1944), partizan i Brigadës së 4-të. Sulmuese, ishte vetëm 15 vjeç me pushkë në krahë kur ra dëshmor për çlirimin e Tiranës, më 10 nëntor 1944.
  • Nuredin Osman Sinani nga fshati Trebisht-Bala, i cili u arrestua nga forcat gjermane në Vlorë në vjeshtë të vitit 1943, u internua në kampin e përqendrimit në Zemun-Semplin, Gjermani dhe u pushkatua më 15 dhjetor të atij viti.
  • Arif Mustafa Haxhijahja (1920 – 1944), partizan i Brigadës IV Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 30 tetor 1944 së bashku me bashkëfshatarin e tij, Njazi Seferi.
  • Hasan Demir Koçi (1926 – 1944), partizan i Brigadës IV Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 13 nëntor 1944.
  • Zenun Hysen Abdija (1930 – 1944) nga fshati Trebisht, partizan i Brigadës së 4-të Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 13 nëntor 1944.
  • Memish Hysen Shevroja (1922 – 1944) nga fshati Trebisht, partizan i Brigadës IV Sulmuese, u vra më 13 nëntor 1944 në Tiranë.
  • Muharrem Sabri Sinani, partizan i kompanisë II, Batalionit I të Brigadës së IV Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, tek Kisha e Shën Prokopit më 31 tetor 1944.
  • Njazi Zenun Seferi partizan i Brigadës IV Sulmuese, u vra në Kashar të Tiranës, më 30 tetor nëntor 1944.
  • Shaqir Mimidin Pupuleku (1925 – 1944), ra dëshmor në luftë kundër forcave ushtarake gjermane për çlirimin e Shkodrës në ditën e çlirimit të vendit më 29.11.1944, në moshë të re, vetëm 19 vjeç.
  • Bajram Arif Kasa (1922 – 1945), partizan i Brigadës I Sulmuese, vdiq në spitalin e Prizrenit, më 5 prill 1945.
  • Guzman Velo Stojku (1901 – 1944) nga fshati Trebisht Çelebi, rënë në Dibër më 1944.