Saga tronditëse e Vili Minarollit lë gjurmë në gurë mbi dhimbjen e Shqipërisë bashkëkohore

780
Nga Vasil TABAKU
Po, është vërtetë një sagë tepër e veçantë, me mjaft interes, tronditëse, dhe mbi të gjitha shpërthyese, unike dhe e guximshme, plot befasi dhe të reja në rrafshin e politikës, jetës sociale dhe asaj diplomatike, që të lënë pafjalë, ky rrëfim i mrekullueshëm i shkrimtarit të mrekullueshëm Vili Minarollit, një njeri i mirë, një politikan mjaft cilësor me përvojë dhe ekzigjent, një intelektual mjaft i përgatitur e patjetër një figurë diplomatike e lartë. Minarolli, ky shkrimtar cilësor, i thellë dhe profesional, mjaft i lexueshëm dhe, pse jo, i spikatur në rrafshin krijues shqiptar. Libri i konceptuar si një “Bisedë me vetveten” me dedikimin e veçantë “Prindërve të mi që vuajtën fizikisht dhe shpirtërisht gjatë regjimit të egër dhe antinjerëzor komunist në Shqipëri.“ Të befason në gjithë shtrirjen e tij rrëfimtare. Krijimi i fundit i Vili Minarollit, mendoj se është, sa historik aq dhe letrar, sa njerëzor aq dhe realist, por mbi të gjitha një shpërthim i çiltërsisë që e ka brenda vetëm të vërteta si një bërthamë e universit krijues të këtij autori mjaft dinjitoz. Mënyra se si e thotë këtë të vërtetë të madhe autori është mjaft domethënëse pse jo dhe tronditëse. Ajo rrjedh së brendshmi nga kraharori i shkrimtarit, pra nga aty ku lindin gjithë mrekullitë krijuese, të cilat më pas shndërrohen në një kauzë të krijuesit por edhe të vet kohës. Ky libër i ri i Minarollit mendoj se sjell edhe një kontribut të ri në opusin e gjerë krijues të letrave shqipe me një formë vërtetë intriguese, interesante dhe mjaft tërheqëse për lexuesin. Një punë mjaft serioze, tepër voluminoze, me një përgjegjësi krijuese mjaft të lartë dhe profesionale.

Realiteti brenda analizës së thellë të Minarollit dhe ca të vërteta tronditëse
Saga e Minarollit ka shumë “personazhe” emra të njohur të politikës dhe botës akademike, asaj diplomatike dhe shoqërore, por protagonist në këtë sagë është vetë autori, të cilin nuk do ta konsideroja thjesht një personazh. Janë ca të vërteta që në fakt krijojnë mjaft diskutime, pse jo dhe tronditje me faktet mjaft domethënëse që autori sjell me mjaft kujdes në libër. Ndryshe ishim mësuar t’i konceptonim disa “nyje” të historisë moderne të Shqipërisë pas viteve ’90 me ardhjen e pluralizmit politik dhe luftës për demokraci. Por Minarolli, duke qenë vetë brenda kësaj nebuloze ku ngjizej “demokracia” si një protagonist social, historik dhe politik, na befason vërtet, duke sjellë fakte dhe argumente mjaft tronditëse. Them tronditëse, sepse Minarolli ka hyre në brendësi të nebulozës së ngjizjes së demokracisë dhe nga aty na jep mesazhe të reja të padeklaruara më parë ose të deformuara nga propaganda e politikës shqiptare. I gjithë libri është një material mjaft voluminoz dhe padyshim me një shtrirje kohore mjaft të gjerë. Në të shpërfaqet me mjaft mjeshtëri dhe përgjegjësi gjithçka ka ndodhur. Minarolli shpërndan mjegullën dhe zbulon fytyrën e vërtetë të këtij tranzicioni dhe demokracisë së ëndërruar. Korrekt në rrëfimin e tij, elokuent, fisnik dhe mjaft të përmbajtur, Minarolli sjell para nesh gjithë galerinë e personazheve të njohur të shoqërisë, politikës dhe diplomacisë. Ai nuk fyen, nuk anatemon dhe nuk dënon askënd, edhe pse vet ka pasur një jetë plot vuajtje dhe privacione të rënda si djali i një prindi të dënuar me burg politik nga diktatura komuniste. Minarolli është i ftohtë, cerebral dhe i vërtetë, bindës dhe mjaft i sinqertë, veti kjo e njerëzve me integritet, dinjitoz dhe me mjaft vlera njerëzore. Minarolli bën një vështrim mjaft të detajuar mbi periudhën e diktaturës komuniste, ku fatet njerëzore ishin të nëpërkëmbura dhe liria e shprehjes dhe mendimit ishin të anatemuara. Ai jep presionin e jashtëzakonshëm të diktaturës mbi inteligjencien njerëzore dhe vrasjen makabre të lirisë. Zbulon faktet dhe të vërtetën e dështimit të filozofisë komuniste, si një sistem antinjerëzor dhe mjaft obskurantist. Gjithçka vjen si rezultat i përvojës së tij dhe familjes e njerëzve që e rrethonin. Minarolli përmes një forme mjaft komunikuese dhe shprehëse ndërton kronologjinë e viteve nëpër të cilët kaloi Shqipëria drejt tranzicionit të vështirë. Këndi i vështrimit të Minarollit është mjaft i gjerë dhe gjithëpërfshirës, duke na dhënë një atmosferë mjaft të gjallë dhe domethënëse, aq sa shpesh të duket, se ti si lexues je vetë protagonist. Natyrisht, kjo është vlerë e shtuar jo vetëm e inteligjencies së Minarollit, nivelit të tij të lartë të formimit kulturor e social, por edhe e një shpirti të madh e të bukur prej krijuesi.

Distancimi në kohë i ngjarjeve është një vështrim i qartë nga lart
Tashmë gjithë lënda e librit të Minarollit është “një e kaluar” edhe pse ajo padyshim është një e tashme e plotë dhe mjaft aktuale, duke qenë e “kaluar” të krijohet përshtypja e një vështrimi mjaft të kthjellët nga lart të gjërave. Kjo e bënë librin tepër interesant dhe të kuptueshëm, me kumte mjaft të plota për realitetin. Kështu mund të vështrojmë periudhën e vrullshme të viteve 90, kohën kur Shqipëria po hynte në epokën e re të demokracisë dhe rrëzimit të diktaturës më të egër komuniste në Evropë. Vijnë ngjarjet e Lëvizjes së madhe studentore të dhjetorit ‘90, formimi i PD dhe problemet Brenda kësaj partie, liderët e saj dhe Tribuni i Demokracisë Azem Hajdari. Minarolli po me këtë fokus “nga lart” vështron triumfin e demokracisë, ardhjen e PD në pushtet, transformimet e fuqishme sociale dhe politike në vend dhe probleme të tjera shoqërore e sociale. Minarolli piketon edhe paradokset e të ashtuquajturave “firma piramidale” dhe ngjarjet tronditëse të vitit të zi 1997. Më duhet të theksoj këtu një fakt mjaft shprehës, Minarolli nuk merr përsipër të bëj rolin e historianit, ai nuk është këtu një kronikan, Minarolli gjithçka e vështron nga “lart” si një krijues, një shkrimtar me mjaftë përvojë dhe art shkrimor, me një pasion vërtet mjaft të lart prej artisti të fjalës. Këtu fjala është e gjetur, e thjeshtë në të kuptuar, e bukur në të shqiptuar dhe artistike në të shkruar. Katërçipërisht në këtë libër mjaft të gjerë dhe të ngarkuar me ngjarje, Minarolli është thjesht shkrimtari cilësor, produktiv dhe padyshim i suksesshëm. Për hir të së vërtetës duhet të theksoj patjetër faktin mjaft domethënës, sepse Minarolli në këtë vepër është dhe mjaft konkludues. Pas çdo pasazhi kohe dhe veprimesh ai nënvizon me mjaft finesë dhe mjeshtëri krijuese, deduksionin e fakteve dhe shpjegon pasojat. “Përpara kalimit në zgjedhje të parakohshme dhe këtë herë të humbjes të sigurt, PD e ndau pushtetin me një parti të majtë, ku bashkëpunimi kryesor do të ishte në fushën e integrimit të vendit në BE. Braktisja e elektoratit tradicional dhe të qëndrueshëm të PD, për hir edhe të marrëveshjes për ndarjen e pushtetit me këtë parti të majtë dhe arroganca në qeverisje solli si pasojë largimin e elektoratit të PD, duke sjellë si përfundim dënimin e PD në zgjedhjet e 2013 me një rezultat që shprehte zhgënjimin, pakënaqësinë dhe revoltën e zgjedhësve ndaj PD, për politikat e saj jo të qarta apo të shtrembëruara. “. Dhe natyrisht këtu nuk ka asgjë për të diskutuar, ky konkluzion i dhënë nga Minarolli, një politikan mjaft cilësor me përvojë dhe ekzigjent, një intelektual mjaft i përgatitur e patjetër një figurë diplomatike e lartë. Saga e Minarollit është tepër e skalitur pse jo dhe e realizuar me nivel të lart. Po ky këndvështrim është edhe për Kosovën, periudha kur Minarolli ishte diplomati shqiptar në Beograd. Shkrimtari na sjell qasje dhe të vërteta mjaft tronditëse për Kosovën politikanët e saj të asaj kohe dhe liderin kosovar Ibrahim Rugova. Minarolli zhbiron me mjaft kujdes skenat dhe prapaskenat në Kosovë e Serbi, interesat dhe manipulimet, të cilat luanin rol determinant në fatet e Kosovës martire që aspironte për liri dhe pavarësi.

Saga Minarolli përmes një prizmi mjeshtëror
E gjithë lënda e shkruar në këtë sagë të Minarollit, herë pas here kalon përmes një vështrimi të një prizmi të veçantë, ku shkrimtari i kthehet dhe i rikthehet ngjarjes duke e vështruar në logjikë dhe forma të ndryshme. Këtë e përforcon më së miri e gjithë lënda e shkruar, por më tepër është e theksuar në ngjarjet tronditëse të vitit 1997. Në këtë periudhe kohe Minarolli është një nga liderët kryesor të PD dhe protagonist i shumë ngjarjeve tronditëse, pse jo dhe rrëqethëse. Kujtojmë këtu vajtjen në Tropojë së bashku me Azem Hajdarin për të inkurajuar popullin e Tropojës në pritjen e luftëtarëve të Kosovës me ndihma ushqimore, veshmbathje etj, ku pas një sulmi të pabesë të falangave të krimit komunist, mbeti i plagosur një nga pjesëtarët e ekipit të PD apo vrasjen e pabesë të Azem Hajdarit para selisë së PD. Minarolli pasi shpërfaq ngjarjen i rikthehet me detaje mjaft të imta ngjarjes, edhe pse është në një realitet tjetër historik, në materialin që paraqet. Kjo formë prizmi e parë nga këndvështrime të ndryshme, krijon një shumësi realitetesh brenda një ngjarjeje, gjë e cila e ridimensionon ngjarjen dhe i jep vlerat që meriton. Kjo formë artistike e të shkruarit, veçanërisht në këtë libër të Minarollit, është një risi, një veçori dalluese, e cila i jep autorit mundësi të shumta për të ridimensionuar të vërtetat tronditëse. Shpesh Minarolli bën përshkrime mjaft racionale, por në shumë raste kemi edhe një dramaticitet të tillë që unë do ta quaja; shekspirian, tronditës dhe të realizuar mjaft mirë dhe mjeshtërisht. Minarolli na shfaqet kështu si një shkrimtar me përmasa vërtetë të mëdha dhe shumëdimensionale. Ai është mjaft cilësor por njëherësh dhe mjaft korrekt me ngjarjet, përqasjet dhe realitetin, duke përforcuar idenë e një krijuesi virtuoz dhe me integritet të lartë. Kthimi dhe rikthimi prizmatik i Minarollit në ngjarjet tronditëse, është edhe një metaforë e vërtetë, sepse ai kërkon të theksojë kështu, atë ç’ka ka dashur të thotë dhe të risjell në vëmendjen e shqiptarëve. Kjo zbulon skenat dhe prapaskenat e politikës shqiptare, si asaj të majtë ashtu edhe politikës së djathtë. Minarolli merr kështu përsipër një përgjegjësi të lartë morale, por edhe historike. Ai heq kështu misterin e shumë gjërave që ne shpesh i kemi kaluar me një shprehje proverbiale, “Epo kështu e ka politika” dhe nuk kemi këmbëngulur tek e vërteta që zbulon Minarolli në sagën e vet dhe përbën një hap mjaft emancipues të këtij krijuesi me shume integritet, kulturë dhe përgjegjësi si njeri mjaft fisnik dhe inteligjent.

Diplomacia si një mision dhe vlerë e veçantë e Minarollit
Diplomacia si një mision dhe vlerë e veçantë krijoj tek Minarolli një vizion të ri mjaft domethënës dhe njëherësh zbulon tek ky personalitet një vlerë të rrallë prej intelektuali, politikani dhe njeriu të mrekullueshëm. Diplomacia si mision filloi tek Minarolli që në vitet ’90 kur Minarolli caktohet diplomat në Beograd, më vonë në vitin 2006 vijon me detyrën e Ambasadorit shqiptar në Athinë e pastaj Ambasadori shqiptar në Vjenë. Në sagën e shkruar të Minarollit e gjithë kjo anë e jetës dhe veprimtarisë së tij si diplomat shfaqet mjaft e pasur, me shumë interes dhe, mbi të gjitha, me vlera të veçanta diplomatike, politike dhe njerëzore. E gjithë kjo periudhë për Minarollin do të jetë një periudhë mjaft intensive, e ngarkuar, tepër delikate, plot të papritura por edhe mjaft dinjitoze, ku shpaloset hapur një anë tjetër mjaft e ndritur e personalitetit të Minarollit si përfaqësues dinjitoz dhe me mjaft integritet i Shqipërisë. Rruga që përshkon Minarolli diplomat është një rrugë intensive, plot mund, punë dhe sakrifica me një kontribut të çmuar politik, social dhe diplomatik. Në gjithë veprimtarinë e tij diplomatike, Minarolli shquhet për vlerat e tij njerëzore, për ndihmën e veçantë dhënë qindra shqiptarëve në Greqi si për probleme administrative po ashtu dhe për probleme shëndetësore, mjekime të specializuara, operacione kirurgjikale të vështira si dhe ndihmesa të ndryshme për organizata dhe forume shoqërore dhe kulturore në Athinë dhe gjithë qytetet greke ku banonin e punonin shqiptarë. Në këtë rrafsh Minarolli mund të konsiderohet si një njeri mjaft fisnik, i përgjegjshëm dhe njerëzor me një kontribut të çmuar. Këtë e dëshmon më së miri vet libri i Minarollit por edhe mjaft shqiptarë që tashmë e falënderojnë dhe e urojnë nga zemra për ndihmën që u ka dhënë dhe kontributin e tij si diplomat serioz dhe mjaft i përgjegjshëm. Minarolli bën edhe një analizë të hollësishme dhe mjaft të detajuar të politikave ballkanike, evropiane dhe të shteteve fqinjë me Shqipërinë dhe veçanërisht me Greqinë. Në këto analiza, bie në sy informacioni mjaft i saktë por edhe niveli tepër i lart diplomatik i Minarollit. Një element mjaft domethënës është edhe vendi dhe rëndësia që Minarolli i jep rolit dhe ndikimit mjaft pozitiv të bashkëshortes së tij të mrekullueshme, dinjitoze dhe fisnike, Lelës. Po ashtu me mjaft interes janë fjalët e mbajtura në evente të rëndësishme, në Greqi, Austri e gjetkë ku padyshim del në pah puna, vlera dhe pesha e Minarollit si diplomat dhe njeri i pajisur me një kulturë të gjerë dhe mjaft i përgatitur në fushën e politikës dhe anës sociale. Saga e Minarollit padyshim është një uverturë madhështore e jetës dhe veprimtarisë së një njeriu mjaft të lartë, i përgatitur, dhe me vlera të jashtëzakonshme profesionale, politike dhe diplomatike, ku padyshim është një rast mjaft unikal dhe i destinuar për të mbetur mjaft i vlerë dhe i çmuar në planin kombëtar dhe ndërkombëtar, një aset i jashtëzakonshëm i Shqipërisë në panteonin e njerëzve të saj të mëdhenj e me vlera unikale sikundër është dhe mbetet Vili Minarolli. Me këta sagë, Minarolli sjell kështu edhe një kontribut vlerash për brezat e Shqipërisë, por edhe një vlerë e madhe dokumentare dhe historike, një sukses i vërtetë dhe i çmuar kombëtar.
Sigal