Safet N. Ramolli: Fitorja fatlume mbi fashistët dhe gjermano-ballistët

901
Periudha nga 1 shtatori 1939, deri më 9 maj 1945 ka hyrë në historinë e njerëzimit me emrin rrëqethës: Lufta e II Botërore. 2077 ditët në të cilat ajo u zhvillua, pa bërë fjalë për ditët e prologut të saj me pushtimin e Mançurisë më 1931, me sulmin kundër Abisinisë më 1935; mandej kundër Spanjës, Kinës, Austrisë, Çekosllovakisë dhe Shqipërisë në harkun kohor 1935-1939, do të mjaftonin për të kryer ato masakra të pashembullta, të cilat njerëzimi në Europë, Azi dhe Afrikë i përjetoi me dhembje të thellë. Në emër të racizmit dhe “të së drejtës së pakufizuar të racave të zgjedhura”, të cilën e predikonte Hitleri, u kryen masakra mbi njerëzit dhe të mirat materiale… Nga njëra palë bëhej thirrje që të shkatërrohej gjithçka, të masakrohej gjithkush, ndërsa nga pala tjetër bëhej apel për paqe e prosperitet, për respektim të të drejtave të njeriut, duke bërë kështu gjithçka për t’i ndalur hovin shkatërrimtar murtajës nazifashiste. Ballafaqimi midis këtyre dy grupimeve hodhi në teatrin e luftimeve më se 110 milionë njerëz, të cilët u përleshën në territoret e 40 vendeve të rruzullit tokësor, ashtu sikurse moralisht dhe materialisht në këtë përleshje morën pjesë 61 shtete, të cilat përfaqësonin 80% të popullsisë së globit… As më shumë e as më pak, por për të vrarë sa më shumë njerëz, pra për të nënshtruar me mjete dhune njërën palë kundrejt vullnetit të palës tjetër, u ideuan, u projektuan si dhe u prodhuan armë dhe mjete të ndryshme shfarosëse. Më se 1,5 milionë gryka zjarri artilerie hodhën bomba në trashe dhe në qendrat e banuara. 120 mijë avionë lëshuan miliona bomba mbi njerëzit e pambrojtur. Dhe le të sjellim në vëmendjen e lexuesit se një bombë eksploziv-thërrmuese kishte peshë 4 ton, ndërsa një bombë djegëse peshonte 400 kg. Përveç fuqisë eksplozive dhe shkatërrimit që ato shkaktonin, krijonin natyrshëm edhe një stres psikologjik të rëndë. Çdo lexues mund të përfytyrojë një re bombash, të cilat mbillnin pa mëshirë shkatërrim dhe vdekje; fishkëllima të thata therëse vdekjeprurëse; gërmadha dhe plagë që dhembnin… Njëherësh, 280 mijë tanke dhe artileri tjetër vetëlëvizëse “popullonin” sipërfaqe të tëra me hekur duke vjellë zjarr të pamëshirshëm dhe duke mbjellë vdekje masive drithëronjëse. Dhjetëra-mijë mjete detare luftarake uzurponin hapësira të tëra ujore dhe rrihnin me hekur shkatërrues brigjet e vendeve të ndryshme… Miliona armë këmbësorie të kalibrave të ndryshëm, vinin në vijën e shënjimit jetë njerëzish… Po, po, t’i mbanin në shënjestër… 
Barbarizmi dhe shpikja e pajisjeve për asgjësimin masiv të popullsisë!
Sa pa vlerë jeta e njeriut në këto kohë, tek disa mendje çmendurore, të cilat i polli për fatin e keq po vetë populli!!! Sa absurd dhe barbar veprimi edhe i disa mendjeve të veçanta intelektuale, të cilët shpikën mjete dhe pajisje c U shpikën makinat më antinjerëzore, “dhomat me gaz” dhe krematoriumet, në të cilat eliminoheshin njëherazi dhjetëra-qindra jetë njerëzish, kockat e të cilëve u përdorën për të prodhuar 1.126 milion ton pleh, për të shtuar kështu prodhimin bujqësor për njerëzimin, tashmë “të rralluar” me 50 milion vetë të humbur në fushëbeteja apo edhe në qendrat e banimit. Kampeve të përqendrimit ekzistues aq të kobshëm, iu shtuan edhe të tjerë, të cilët do të merrnin për emër atë të vendit ku do të ngriheshin p.sh. Çelino, Solibar, Aushvic, Mojdanek, etj. etj., vende në të cilat njerëzit fillimisht veçoheshin në grupe, mandej ndaheshin nga jeta krejt përçudnisht! Vetëm në Aushvic në dhomat me gaz u eliminuan 2 milion hebrenj, ashtu sikurse u zhdukën edhe një milion të tjerë nga kombe të tjerë. Masakrat e egra në këto kampe, edhe pas disa dekadash, në mesazh të të humburve kanë apeluar dhe apelojnë: “Jo më barbarizma! Jo më gjakderdhje! Jo më Aushvic!” dhe qindra pasthirrma të tjera në favor të jetës e prosperitetit. Fantazma çmendurore dhe histerizmi pakufi i Hitlerit, Geringut, Himlerit, Gebelsit dhe qindra eksponentëve të tjerë të nazizmit, por edhe i Musolinit dhe i dhjetëra fashistëve të tjerë pasues të tij, nuk njeh kufij të arsyes e të logjikës. Pjellë e këtij histerizmi të pashembullt janë edhe deklarimet e Hitlerit të tipit: “Kur dërgoj lulen e gjermanëve në fushën e çeliktë të luftës, përse nuk paskam të drejtë të shfaros me miliona njerëz, që i përkasin një race inferiore dhe që riprodhohen si minjtë?!”. Me përligjjen e kësaj mendësie u kryen krime monstruoze, për të cilat kombet që u ngarkuan me përgjegjësinë e saj dhe personaliteteve të larta të tyre shtetërore, në ditët tona u skuqet faqja. Ata, jo vetëm që ndiejnë përgjegjësi morale për cinizmin e paraardhësve të tyre, por edhe me përgjegjësi si Burra Shteti, premtojnë që të mos ketë më gjakderdhje. Gjithsesi krimet dhe masakrat e Luftës së II Botërore janë të tilla, për të cilat njerëzimi edhe tani ndjen dhembje, ashtu sikurse gjykon absurditetin e atyre që i nxitën, por edhe të atyre që vepruan. Në vitin 1931, brenda një jave, japonezët ekzekutuan 50 mijë qytetarë kinezë në Mançuri. Në këtë masakër motivoheshin nga absurditeti për të djegur gjithçka, për të masakruar gjithçka dhe, për të plaçkitur gjithçka. Por edhe nën tingujt e hakmarrjes për këshilltarin gjerman në Paris, Von Hast, i cili u vra prej një tetëmbëdhjetëvjeçari hebre. Do të ekzekutoheshin gjatë masakrës së koduar “Nata e Kristaltë” 93 hebrenj krejtësisht të pafajshëm; u internuan 36 mijë burra, gra e fëmijë, si dhe u shkatërruan 7500 dyqane dhe 101 objekte kulti të tyre. Në qëndrimin ndaj hebrenjve do të udhëhiqte alogjika makabre e Hitlerit, sipas së cilës: “Të gjithë çifutët e Europës duhet të internohen. Ata që janë të vlefshëm do të kthehen në skllevër, kurse të tjerët do të zhduken…”. Pra thirrje për eliminim jetë njerëzore, sikur ata të mos ishin asgjë, sikur ata të mos kishin ekzistuar kurrë!!! Prandaj edhe 450 mijë hebrenj do të zhdukeshin në kampe përqendrimi duke krijuar “… një varrezë të vërtetë të gjallësh…”, sikurse shprehet një studiues i ngjarjeve të Luftës së II Botërore. Në vitin 1942 do të asgjësohen 300 mijë hebrenj, prej të cilëve 150 mijë ishin fëmijë. Izraeli mbetet kombi që vuajti më shumë pasojat e racizmit në këtë përleshje botërore. Shifrat flasin për 6-6,5 milion çifutë të asgjësuar. Një masakër kjo e pakrahasueshme as me vetveten! Më 1 shtator 1939, pesëdhjetë divizione gjermane u vërsulën mbi territoret e Polonisë, për të vijuar më vonë sulmin drejtim lindjes. Le të sjellim në vëmendjen e lexuesit se më 12 janar 1945, kur filloi ofensiva ruse në Varshavë kishin mbijetuar vetëm 162 mijë njerëz nga 1 310 000 që ishin para fillimit të luftës. Hitlerizmi nuk kurseu asgjë nga ato që gjeti përpara. Edhe në vitin 1944, një tjetër skenë rrëqethëse e denjë vetëm për çmendurinë naziste: në harkun e vetëm tre ditëve u ekzekutuan më dhomat me gaz 4 mijë burra, gra dhe fëmijë hebrenj. Skena rrëqethëse ndoshta të papara më parë: fëmijë që hidheshin në zjarr; të tjerë të porsalindur të cilëve u këputej koka; gra që digjeshin për të shuar burimin e jetës… Pra, antihumanizmi nazist kërkonte vetëm gjak. Ai nuk ngopej me gjak, nuk thyhej përpara asnjë skene makabre…Por nazizmit do t’i bëhej “gjyqi”, gati në të njëjtën mënyrë. Në vitin 1945, ashpërsia në terror nuk zbutet. Por tashmë ka ndryshuar raporti i forcave. Lidhja ushtarake “Berlin-Romë-Tokio” ndodhet në grahmat e fundit, prandaj edhe populli gjerman duhet të paguajë “haraçin” e çmendurisë naziste. Më 13 shkurt më shumë se 1 000 avionë fillimisht bombardojnë qendrën e Drezdenit, pastaj edhe disa objekte civile. Të nesërmen i gjithë qyteti i nënshtrohet një bombardimi të rreptë. Nën tmerrin e predhave eksplozive dhe të atyre djegëse, peshat e të cilave i kemi cituar më sipër, nga gati 1 milion banorë të Drezdenit, të paktën një në çdo katër vetë humbiste jetën në rrjedhën fatale të luftës. Në përfundim të Luftës së II Botërore, Gjermania do të kishte 3,4 milion të vdekur, më se 1,5 milion të tjerë të zhdukur. Pra në çdo dhjetë veta, njëri destinohej të eliminohej. U shkatërruan 5 milionë banesa, duke krijuar një gërmadhë shkatërrimtare prej 400 milion m3 mbeturina. E kështu njihet llahtaria e luftës, një tmerr i vërtetë i paimagjinueshëm! Këtë fat të keq do ta pësonte edhe aleati tjetër, Japonia, e cila vetëm në sajë të dy goditjeve atomike, fillimisht më 6 gusht në Hiroshima dhe më pas më 9 gusht në Nagasaki, në gati pesë muaj, do të përcillte me dhembje 215 mijë qytetarë sikur ata të mos kishin ekzistuar kurrë, ashtu si 200 mijë të tjerë do të lëngonin nën efektin e plagëve të pashërueshme në të pastajmen. Në tetor 1945, në Nuremberg, vendlindja e Hitlerit dhe ku kishte ushtruar veprimtari, Partia Naziste tetëmilionëshe, do të bëhej gjyqi i kësaj masakre të pashembullt në historinë e njerëzimit. Kuptohet, ishte një gjyq me përmasa ndërkombëtare, ku pala fituese ekspozoi dëmet e shkaktuara nga nazizmi si dhe detyrimet ekonomike e morale që kishte pala e mposhtur. Bilanci i Luftës së II Botërore është marramendës dhe rrëqethës. Vetëm nga luftimet në Stalingrad humbën jetën 700 mijë njerëz, 500 mijë prej të cilëve ishin vetëm rusë, ashtu sikurse nga qyteti nuk mbeti gjë tjetër përveç pirgjeve të rrënojave. Kur mbaroi kjo katrahurë botërore e pakrahasueshme as me veten, më se 50 milion njerëz humbën jetën; numri i amerikanëve që u sakrifikuan në fushëbetejë arrin në 405 000, ndërsa Bashkimi Sovjetik pati dëme shumë më të mëdha: humbën jetën rreth 27 milion ushtarë dhe civilë, ndërkohë 26 milion të tjerë mbetën pa strehë. Për herë të parë në historinë e tyre të gjatë e të mbuluar me lavdi, sovjetikët (rusët më mirë të thuhet S.R) panë vendin e tyre të shndërruar në një gërmadhë gjigande, pa anë e fund. Në këtë bilanc çështja shqiptare u kualifikua si vijon: pati 12 mijë viktima njerëz; 20 mijë shtëpi u shkatërruan; 90 mijë kafshë të trasha dhe 150 mijë bagëti të imta u asgjësuan; 25 mijë kv. drithëra u dëmtuan, si dhe shumë të holla të vjedhura në bankat dhe nga plaçkitjet. Gjithsesi kemi të bëjmë me një vlerësim mjaft pozitiv po të mbajmë parasysh numrin e kufizuar të popullsisë shqiptare si dhe gjendjen ekonomike dhe organizative mjaft të dobët të vendit tonë, si një ndër viktimat e para të kasaphanës së përbotshme.
Ndarja e rruzullit tokësor në dy pjesë
Në analizë të kësaj masakre duhet të nënvizojmë domosdoshmërisht faktin që, rruzulli tokësor u nda në dy pjesë. Në njërën anë ishin pozicionuar shtetet luftënxitëse: Gjermania, Italia e Japonia, por më vonë u bashkëngjitën edhe disa të tjera, duke krijuar kështu një lidhje ushtarake mynxyrë ndjellëse, e cila në histori njihet me togfjalëshin “Boshti Berlin-Romë-Tokio”. Në anën tjetër u grupuan shtete, popuj dhe forca përparimtare, duke krijuar Koalicionin Antifashist Botëror, të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish-Bashkimi Sovjetik dhe Anglia, i cili udhëhiqej nga “Treshja e Madhe” Ruzvelt, Stalin Çërçill. Në teatrin e stërmadh botëror, në të cilin u luajt drama më tragjike e popujve deri në këtë kohë, këta tre ‘Burra Shteti’, menaxhuan me mençuri dhe ndjeshmëri të thellë gjithë zhvillimet, të cilat si në çdo luftë ishin sa të ashpra aq edhe gjakderdhëse. Ky koalicion, në të cilin për fat të mirë u rreshtua edhe vendi ynë, në sajë të vullnetit dhe vendosmërisë së duhur të këtyre Burrave të Mëdhenj, ka funksionuar në mënyrë permanente dhe efektive sidomos në vitet 1941-1943, për t’u krijuar disa të çara më vonë, të cilat do të nxirrnin krye më qartë në vitin 1944 dhe deri në përfundim të Luftës së II Botërore, për të degjeneruar më vonë në një ndarje makabre të globit midis dy blloqeve apo kampeve me prirje ideologjike dhe vullnet diametralisht të kundërt. Dy ditë pas sulmit nazist mbi Bashkimin Sovjetik presidenti amerikan i kohës Ruzvelt zhbllokoi disa pasuri ruse me një vlerë totale prej 39 milion dollarë. Tre muaj më pas Shtetet e Bashkuara angazhoheshin të dërgonin në ndihmë të Bashkimit Sovjetik 1 miliard dollarë gjatë 12 muajve në vazhdim. Dërgimi i ngarkesave dhe furnizimeve të para filloi në tetor 1941. Uzinat e paralizuara ruse u pajisën me makineri dhe lëndë të parë, përfshi edhe pajisje të blinduara për tanket. Ushtria ruse do të merrte furnizim së paku në 4 000 aeroplanë dhe 500 tanke në muaj; 5 000 makina të tjera në muajt pasardhës, sasi të mëdha armatimi kundërtank, pushkë kundërajrore të kalibrave të ndryshëm, ushqime, veshmbathje etj,. etj. Në verën e vitit 1942, përveç pajisjeve të tjera të miratuara, Bashkimi Sovjetik do të furnizohej çdo muaj me 500 xhipe, 10 000 kamionë, 200 000 mitraloza etj. Më shumë se 200 000 kamionë janë dërguar në frontin rus. Sipas një protokolli të dytë çdo muaj do të dërgoheshin 100 aeroplanë gjuajtës, 100 aeroplanë bombardues të lehtë, 12 aeroplanë bombardues mesatarë. Gjatë vitit 1943 u transportuan 360 000 tonë ngarkesa të ndryshme. U porosit dhe u realizua prodhimi i 1900 lokomotivave me avull, 66 të tjera me naftë, 9 920 vagonë hekurudhorë, 120 vagonë-cisternë etj. Pra mund të gjykohet lehtësisht se në këtë koalicion kanë dhënë kontribut me vlerë të pa llogaritur Bashkimi Sovjetik me resurse njerëzore, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglia me armatim, municion dhe pajisje luftarake, por edhe me ushqime e veshmbathje, aq të domosdoshme për veprime luftarake të suksesshme. Krejt natyrshëm nuk duhet mohuar edhe kontributi i shteteve më të vogla e më pak të fuqishme, por gjithsesi shërbenin edhe si një prapavijë e besueshme e Koalicionit Antifashist Botëror. Ndër këto shtete është vlerësuar edhe ndihmesa e popullit shqiptar, i cili, ndër të parët në Ballkan dhe Europë, organizoi qëndresën e armatosur kundër pushtuesit të huaj, duke krijuar Çetën e Parë Partizane në fshatin Pezë, në rrethinat e Tiranës, për të vijuar veprimet e armatosura me vendosmëri dhe sakrifica të konsiderueshme deri në mbylljen e siparit të kësaj kasaphane të përbotshme. Me përfundimin e veprimeve të armatosura në favor të forcave progresive dhe popujve liridashës, pra me dhënien fund të kësaj lufte me përmasa botërore, popujt arritën një fitore fatlume, një fitore që do t’i hapte rrugë ecjes së tyre në progresivitet, në paqe dhe harmoni aq të dëshiruar dhe aspiruar.
Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf datë 28.11.2015
Sigal