Sabotimi në uzinë e Poliçanit, pse akuzohej Mehmet Shehu

1582
Sigal

Albert Kotini

Leonard Veizi

DOSSIER/ Sekretari të Komitetit të Partisë të Uzinës së armëve i shkruan Enver Hoxhës

Deri para pak kohësh kanë qenë të kontrolluara nën siglën “Sekret dhe “Tepër Seret”, por tanimë nuk janë të tilla. Dokumentet e mëposhtëm që bëhen publike nëpërmjet gazetës “Telegraf”, tregojnë për problemet që kishte një nga uzinat “Top Sekret” të prodhimit të armëve dhe municioneve, ajo e Poliçanit. Uzina është cilësuar si objekt i një rëndësie të veçantë dhe të gjitha shkresat që dilnin apo futeshin në të, klasifikoheshin në dosjet sekrete të arkivës. Në rastin konkret, kemi të bëjmë me një denoncim të Sekretarit të Komitetit të Partisë të Uzinës së Poliçanit, Zenel Hysi ndaj drejtorit të saj Shuaip Braho.

Brenda gjashtë muajve të parë, pas shpalljes së ish-kryeministrit Mehmet Shehu si “armik i partisë dhe i popullit”, në Komitetin Qëndror vërshuan letrat denoncuese kundër punës së tij. Letra në fjalë i drejtohet personalisht Enver Hoxhës, dhe në të flitet për “punën armiqësore” si të Mehmet Shehut ashtu dhe të njeriut të tij të vendosur në krye të uzinës, Shuaip Braho. Gjithçka që vijon më poshtë është nënshkruar nën siglën “Sekret” me numër protokolli: “ Z-160/1 Prot.”

Partia e Punës së Shqipërisë                         Tiranë Më 27-10-1982

Komiteti Qendror                                                      SEKRET      

Nr. Z-160/1 Prot.

Shoku Prokop

Sekretari i Komitetit të Partisë të Uzinës së Poliçanit Zenel Hysa, në letrën që i drejton shokut Enver, e informon për disa probleme shqetësuese të kësaj ndërmarrjeje, për të cilat si juve edhe shoku Hekuran ju porosit që të kontrollohet gjendja, të vendosen rregulla të forta dhe afate për shumë çështje që ngrihen në këtë letër me interes për të dy dikasteret.

Bashkangjitur po ju dërgoj fotokopjen e letrës së Zenel Hysit.

            Përmbledhje

Zenel Hysi, sekretar i Komitetit të Partisë së Uzinës së Poliçanit në dhjetë faqe letër dorëshkrim që i drejton shokut Enver, ngre këto çështje:

-Uzina si objekt i një rëndësie të veçantë as një vit nuk ka realizuar planin e prodhimit. Pas prerjes së marrëdhënieve me kinezët, 400 punëtorë të uzinës u dërguan në bujqësi, dhe u rikthyen në uzinë se do të sillej lëndë e parë nga Gjermania. Në fakt erdhi aq lëndë e parë sa u plotësua plani si 9-të mujor dhe tani, përsëri, punëtorët duhet të venë në bujqësi.

-Armiku Mehmet Shehu ka sabotuar. Ai nuk lejoi të prodhohej fisheku në tunxh të Rubikut, se gjoja del me kosto të lartë. Në fakt, thotë letërshkruesi, më shtrenjtë blihet llamarina në Gjermani dhe se, sipas specialistëve, prodhimi me tunxh nga i Rubikut garanton ruajtjen e fishekut për kohë të gjatë.

-Drejtori i uzinës, që është anëtar partie, të cilin e ka veshur oficer armiku Mehmet Shehu, që ka dajën kulak, disa herë ka vajtur në Gjermani për të kontraktuar blerjen e linjës së llakërimit, por nuk ka firmosur, se firma qenka private, se ajo paska falimentuar dhe se duhet të shkohet përsëri për të gjetur një firmë tjetër. Thotë se ky drejtor ka qenë në Stroflurg, në Francë dhe ka ngrënë drekë në Paris me armiken Fiqrete Shehu e cila i ka dhënë dhe pako për armikun Mehmet Shehu. Ai (drejtori), ka sjellë nga jashtë disa sahatë dhe i ka shitur te punëtorët. Edhe teserën e Partisë, kur shkonte jashtë, nuk e ka dorëzuar në kartotekën e Partisë. Ky ka pasur lidhje edhe me Nazar Berberin, me Mendu Backën dhe me Jetnor Ramën. Tani ka 6 muaj i sëmurë, qëkur vrau veten armiku Mehmet Shehu.

-Disa vite më parë, para vitit 1979, në uzinë janë groposur disa materiale me vlerë që zinin 2 milionë lekë. Hetuesia u mjaftua duke dënuar me tre vjet heqje lirie, brigadierin që kreu groposjen, ndërsa përfaqësuesi i ministrisë Abdulla Dauti, kryeinxhinieri Turabi Bebeci që ishin pranë ministrisë si dhe drejtori u mbrojtën nga armiku Kadri Hazbiu. Thotë se materialet ishin të mira, gjë që e vërtetoi ekspertiza dhe se një pjesë e tyre u hodh në prodhim.

-Në uzinë mbahet në detyrën e kontrollorit të cilësisë një komunist që e ka dajën të arratisur dhe që ka dëgjuar se daja i tij, është në shërbim të CIA-s. Ai ka edhe një kushëri në Bashkimin Sovjetik. Nuk i duket e drejtë lënia e tij në uzinë.

-Nga Italia është sjellë një fabrikë për të prodhuar mbimetalin me hekurin e Rubikut, por linja nuk është vënë në funksionim.

-Uzina ka prodhuar disa nga predhat e armëve të rënda si trupa me të cilat janë mbushur depot plot, por ato janë të papërdorshme se mungon djegorja e fishekut bazë. Mos ngritjen e një linje të tillë, thotë letërshkruesi, e ka sabotuar armiku Mehmet Shehu dhe drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Thotë se u ndërtuan vendet e punës, ku u investuan miliona lekë, por kanë mbetur si gërmadhë. Kur thotë ai, fare mirë mund të ndërtohen linjat por është dalë me variantin se duhet të ndërtohen tunele që kanë nisur që në vitin 1972 dhe që akoma nuk kanë mbaruar as tre gryka tuneli.

-Në Berat është ndërtuar një linjë gome për rigjenerimin e gomës, gjë që nuk është ekonomike. Sugjeron që ajo t’i kalojë Durrësit, ku të bëhet përqendrim prodhimi.

-Ka mendimin se duhet t’u pritet rruga e dërgimit jashtë shtetit drejtuesve të ndërmarrjeve se, sipas tij, lypet të dërgohen inxhinierë dhe punëtorë që do të merren me vënien në punë të linjave dhe makinerive.

25.10.1982

Përmbledhje

Në letrën që drejton organizata e bashkimeve profesionale e Repartit Ushtarak Nr. 5100, theksohet se, janë 45 punëtorë që punojnë në objekte fortifikuese në Poliçan. Por familjet i kanë në qytetin Stalin, Urën Vajgurore e në Berat.

-Në fillim iu thanë se do të punonin disa muaj në këto objekte, ndërsa po mbushen dy vjet. Për këtë ata nuk kanë ndonjë pretendim dhe kanë punuar me ndërgjegje e me orar të zgjatur, por nuk mund të shkojnë pranë familjeve më shpesh se një herë në javë. Gratë i kanë pothuaj të gjithë në punë me turne në sektorin e naftës e në kombinatin e tekstileve. Fëmijët në çerdhe, kopshte e shkolla dhe u janë krijuar vështirësi e shqetësime familjare. Për të ardhur më shpesh pranë familjeve, vitin e kaluar iu vu në dispozicion një autobus, por u hoq me urdhër të ish zëvendësministrit Alfred Moisiu, thonë ata. -Kërkojnë:

  1. a) T’u sigurohet automjet për të ardhur përditë pranë familjeve;
  2. b) Të shqyrtohet mundësia që të largohen nga Poliçani gradualisht duke u sistemuar me punë nga Komiteti Ekzekutiv i rrethit të Beratit dhe nga rajoni i qytetit Stalin në qendra pune e prodhimi sa më afër familjeve;
  3. c) Zëvendësimi i tyre të bëhet me punëtorë nga rajoni i Poliçanit.

            Dega e Kërkesave dhe e Ankesave

                                                                                                25-11-1982

 

ARKIVA/ Sinjalizim për Prokop Murrën në Komitetin Qëndror të Partisë

Kadri Hazbiu, mbulon gabimet dhe feston ditëlindjen e armikut

Jo vetëm Mehmet Shehu në radhën e të akuzuarve, por edhe Kadri Hazbiu. Nën frymën e zbulimit të armiqve, një grup punonjësish të uzinës së Poliçanit, të cilët nuk kanë dashur të identifikohen, dërgojnë në emër të ministrit të Mbrojtjes Prokop Murra, një letër anonime, ku sulmohet drejtori i kësaj uzine Shuaip Braho, i cili sipas tyre ka pasur jo vetëm përkrahjen e “poliagjentit” Mehmet Shehu, por dhe të Kadri Hazbiut. Më poshtë vijon letra e punonjësve të uzinës së Poliçani

 

Komitetit Qendror të Partisë

Tiranë

Shokut Prokop Murra

Tiranë

Po sinjalizojmë Partinë për një problem, i cili është mbuluar me dashjen e atyre që kanë dashur të keqen e popullit e Partisë. Është vërtetuar plotësisht se Shuaip Brahua, drejtori i uzinës së Poliçanit, ka abuzuar rëndë duke shfrytëzuar postin dhe daljen e tij jashtë shtetit për të bërë tregti me shitjen e disa orëve. Për këto probleme, për të mbuluar gjurmët ka 3-4 muaj që nuk punon dhe sillet si i “sëmurë” nëpër spitale. Ky problem u mbulua nga Kadri Hazbiu, i cili në muajin gusht kur pa se ky po shkonte drejt katastrofës, e uroi për ditëlindjen dhe i dërgoi një zëvendësministër për ta festuar ditëlindjen. Kjo ditëlindje u festua mbasi ai ishte përjashtuar për këto veprime të poshtra dhe nga byroja e Partisë së Uzinës. Nuk e kuptojmë se si mbahet ky njeri i degjeneruar matrapaz dhe i veshur oficer me një urdhër të Mehmet Shehut me të cilin kishte shumë muhabet.

Njerëz si ky që merren me matrapazllëqe në një kohë që Partia i çon për punë jashtë shtetit e kanë vendin atje ku duhet të japin llogari. Ky njeri ka përkrahur dhe elementët me përbërje të keqe politike sa dhe vetë ishte i molepsur nga kjo anë. Ky njeri nuk mund të na drejtojë dhe të na edukojë neve, por duhet ët japë llogari para Partisë deri në fund dhe të çohet për edukim për t’ia larë fajin Partisë dhe shtetit. Këtu deri tani atë e kanë mbrojtur. Nuk e dimë pse edhe Komiteti i Partisë hesht. Përsa shkruajmë janë plotësisht të vërteta edhe hakmerren ndaj nesh, prandaj nuk vumë emrat.

Punonjës në Poliçan

                                                                                                            Skrapar

Vijon në numrin e ardhshëm