Rustem Peçi & Ziqiri Merjo/Hysni KAPO një nga udhëheqësit më të shquar të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare

387

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes

Biri i lavdishëm i Labërisë dhe i tërë Shqipërisë, Heroi i Popullit Hysni Kapo, është padyshim një nga personalitetet më të shquara të popullit tonë që kanë dhënë kontribut të veçantë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. U lind me 4 mars vitit 1915 në fshatin Tërbaç të rrethit të Vlorës, në një familje të njohur për ndjenjat e saja te hershme patriotike, luftëtar i vendosur antifashist, trim dhe patriot i flaktë. Shpirti i tij i zjarrtë, por edhe aftësitë e prej organizatori të talentuar u shpalosën fuqishëm sidomos në çastet e provës së madhe, kur popullit te tradhtuar nga i vetëquajturi mbret i shqiptarëve, Zogu, iu desh te dalë masivisht e për t’i bere balle agresionit fashist të 7 Prillit te vitit 1939. Atyre viteve të rezistencës se fuqishme të popullit shqiptar kundër pushtimit fashist, Hysni Kapo, sikundër edhe militantë të tjerë, do të ishte në ballë të veprimtarisë antifashiste, duke u bërë jo vetëm shprehës i drejtpërdrejtë i aspiratave të zjarrta atdhetare të popullit, por edhe frymëzues e organizator i revoltave, i protestave dhe i demonstratave masive të popullit në krahinën e Vlorës.

Si militant i PKSH, të asaj force politike që do të merrte përsipër jo vetëm bashkimin e popullit në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar, por edhe organizimin e Kryengritjes se Përgjithshme të Armatosur, Hysni Kapo shumë shpejt u shqua si udhëheqës politik e ushtarak i talentuar dhe do të vihej në balle te luftës së organizuar kundër pushtuesve të huaj. Cilësitë e larta morale dhe aftësitë e spikatura si kuadër do ta bënin atë që të zgjidhej sekretar Politik i Komitetit Qarkor për Vlorën, gjatë viteve 1941 – 1943. Tanimë birin e Tërbaçit do ta shikoje jo vetëm në qytetin e Vlorës, por kudo duke punuar me vendosmëri, trimëri e pjekuri për bashkimin e popullit rreth idealeve të shenjta të lirisë, për krijimin e këshillave nacionalçlirimtareneper fshatrat e rrethit të Vlorës e në krejt krahinat jugore të Atdheut, për krijimin e gjallërimin e organizatave të Rinisë e të Gruas Antifashiste, për krijimin, zgjerimin e forcimin e formacioneve të ndryshme partizane, për organizimin e luftës së armatosur kundër pushtuesve fashistë dhe tradhtarëve të vendit. Emri i Hysni Kapos (Besnikut), tashmë do të bëhej i njohur e i dashur për popullin, sikundër do të bëhej i rrezikshëm dhei urryer për fashistët. Javët e muajt do të kalonin dhe Hysni Kapo do të ishte frymëzues i mbarë një populli në tërë krahinën e Labërisë, duke i kontribuar qartësimit përherë e më mirë të vijës që duhej ndjekur nga populli për çlirimin e Atdheut,duke demaskuar hapur rrugën tradhtare të krerëve ballistë. Ndërkohë, ai do të ishte gjithashtu edhe në balle të përpjekjeve për të demaskuar taktikat e disa krerëve deviatorë nga lëvizja çlirimtare, që ishin bërë pengesë në rrugën për bashkimin e popullit në një front të vetëm për çlirimin e Atdheut. Në Konferencën II Nacionalçlirimtare, mbajtur ne Labinot të rrethit të Elbasanit në vitin 1943, do të zgjidhej anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtare. Mbështetur në kontributin konkret që kishte dhënë deri në atë kohë si kuadër i mirënjohur i LANÇ. Në Kongresin e Përmetit, do te zgjidhej anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe i Kryesisë së tij.

Bazuar në aftësitë e tij të spikatura si punonjës politik dhe si kuadër ushtarak, Hysni Kapo qe zgjedhur zëvendës komisar politik i Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë – Gjirokastër. Edhe këtu ai manifestoi cilësitë e larta të koordinatorit të shkëlqyer të veprimeve luftarake të formacioneve të ndryshme partizane. Të tilla cilësi, virtyte e aftësi ai i manifestoi edhe gjatë kohës që ka qenë komisar politik i Brigadës V Sulmuese Heroinë e Popullit. I lidhur ngushtë me njerëzit e thjeshtë, i komunikueshëm me vartësit dhe i rregullt me eprorët, ai ishte model i kuadrit që njihte e zbatonte me vetëdije të lartë disiplinën partizane. Kudo që ai do të ndodhej në krye të formacioneve të mëdha partizane, kontributi dhe roli i tij për mbushjen e radhëve partizane me bijë dhe me bija të devotshme dhe për mobilizimin e popullit në lufte do të ishte i ndjeshëm. Ja, për të gjitha këto e të tjera kontribute ai do të bëhej anëtar aktiv i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Një kontribut të çmuar,në dobi te luftës për çlirim, ka dhënë Hysni Kapo edhe si komisar i Korparmatës së Pare të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit të Atdheut Hysni Kapos iu ngarkuan detyra të rëndësishme dhe iu besuan funksione të larta: zëvendësministër i Punëve të Jashtme, Drejtor Politik i Ushtrisë Popullore, ministër i Bujqësisë dhe zëvendëskryetar i Këshillit te Ministrave, sekretar i Komitetit Qëndror të Partisë dhe anwtar i Byrosë Politike dhe deputet i Kuvendit Popullor. Edhe ne këto funksione të larta ai tregoì jo vetëm përkushtim të plote atdhetar, por edhe shpirt të lartë praktik prej profesionisti. Ai luftoi e punoi gjithë jetën që të realizoheshin aspiratat më të larta të popullit përmes një pune plot devocion. Si bir i vërtetë i popullit shqiptar Hysni Kapo ishte mishërimi i virtyteve më të pastra të luftëtarit dhe udhëheqësit revolucionar. Atë e karakterizonin në shkallën më të lartë atdhedashuria e zjarrtë, trimëria, vetëmohimi, optimizmi dhe shpirti i paepur revolucionar, besnikëria. Hysni Kapo ishte modeli i thjeshtësisë e i çiltërsisë. Ai ishte shok e mik i njerëzve të thjeshtë, që i dëgjonte me vëmendje e u fitonte zemrat. Hysni Kapo u nda nga jeta në moshën gjashtëdhjetë e katër vjeçare, duke lëne mbas një emër të lavdishëm, me kontribut shumë te shquar gjatë LANÇ-it. Pikërisht ky kontribut i dha atij titullin e lartë: Hero i Popullit. Kanë kaluar dekada, do të kalojnë edhe shumë të tjera, por Hysni Kapo do të kujtohet e do të nderohet nga të gjithë ata që i kanë të shtrenjta idealet e shenjta të Luftës për liri e pavarësi kombëtare.