Rustem Peçi: “Kujdesi…” i qeverisë për Enver Hoxhën, fyen dëshmorët dhe Luftën Nacionalçlirimtare

1036
Sigal

Ekskluzive/Intervistë me Kryetarin e Veteranëve të Luftës, Rustem Peçi. Porosia absurde e Ramës, tallja me simbolet e luftës dhe balta që hedhin kolaboracionistët

Një deklaratë-porosi e kohëve të fundit për strukturat në bazë nga Selia e Partisë Socialiste e shpërndarë gojarisht (e kreut të PS-së Edi Rama,-siç na thonë bashkëbiseduesit), ka krijuar një situatë pakënaqësie në mjediset e godinës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Në disa nga drejtuesit e veteranëve e simpatizantë të shumtë që popullojnë çdo ditë këto mjedise, një deklaratë e tillë është pritur me indinjatë e deri në mllef. Për më tepër, këto ditë, kur veteranët, ashtu si pjesa dërmuese e popullsisë e faktorëve të tjerë në vend, vazhdojnë përkujtimet e datave të çlirimit të qyteteve, zonave, ngjarjeve të luftës e vazhdojnë përgatitjet për ditën e jubileut të madh, 29 Nëntorin, ditën e  70-vjetorit të çlirimit të vendit nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. Na thonë se porosia e dhënë nga qendra e PS-së është: “Organizoni aktivitete në kuadër 70-vjetorit të çlirimit të vendit, mbështesni këto aktivitete, të flitet për ngjarjet, heronjtë, dëshmorët, por mundësisht të evitohet apo të flitet sadopak për Enver Hoxhën!”.

Pikërisht për këtë pikë, krerët e organizatës së veteranëve janë të indinjuar. Për ‘ta, Enver Hoxha ishte dhe mbetet Komandanti i Luftës, ai që priu repartet dhe njësitë partizane në përpjekje me fashistët, nazistët dhe kolaboracionistët, duke sjellë çlirimin e vendit e renditjen e Shqipërisë në kampin e fitimtarëve në këtë luftë të përgjakur. Këtë e pohon për “Telegraf”, jo pa revoltë dhe Rustem Peçi, kreu i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës së Shqipërisë. “Porosia për të mos folur për Enverin, pra pak apo mos pak, e dhënë nga Edi Rama, ne e kemi lexuar në një të përditshme. Di që nuk ka pasur dhe përgënjeshtrim për këtë… Kjo është revoltuese, e padrejtë dhe gjunjëzuese për pinjollët kolaboracionistë që nuk po lënë gur pa lëvizur këta 24 vite për të hedhur baltë mbi Luftën Nacional-Çlirimtare e Komandantin e Përgjithshëm të kësaj lufte, Enver Hoxhën. Enver Hoxha ishte udhëheqësi e strategu i luftës dhe askush nuk mund ta mbulojë këtë fakt, kushdo qoftë ky, i majtë apo i djathtë, drejtues partie apo qeverie…”,- shton Peçi nëpërmjet një revolte të brendshme që nuk përpiqet dhe ta frenoj… Ja intervista e dhënë për “Telegraf” nga Kreu i Veteranëve të Luftës, zoti Rustem Peçi…

Zoti kryetar! Jeni në pikun e aktiviteteve dhe angazhimeve dhe punës për përkujtimin e përvjetorëve të ngjarjeve të rëndësishme të luftës dhe 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit të vendit…?

-Po. Është jubile i lavdishëm, njëkohësisht një obligim për heronjtë, dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi, për partizanët e thjeshtë dhe komandantët që drejtuan çeta, toga, kompani, batalione, brigade, divizione, deri Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, në epopenë legjendare e të përgjakshme të lirisë… Këto përkujtojmë me krenari, nder e dinjitet…

Pra dhe për Enver Hoxhën?

-Pse dhe ju jeni nga ata që e keni merakun tek Enver Hoxha… Po mo po, dhe për Enver Hoxhën, se ai ishte Komandanti i Ushtrisë, ai drejtoi operacionet e përgjakshme, deri në çlirimin e vendit… Ai ishte dhe mbetet komandanti legjendar dhe ka gjurmë të padiskutueshme e rol parësor në luftë e fitoren e madhe… Historia ka folur e do flasë më shumë për këtë strateg të luftës e të lirisë… Askush nuk mund të nxij luftën dhe komandantin e saj…

Të futemi drejt e në temë… Në media dhe jo vetëm, këto ditë është pohuar se nga Partia Socialiste, përkatësisht nga kreu i saj Edi Rama, apo më saktë, është dhënë një porosi për drejtuesit në bazë që të mbështeten të gjitha aktivitetet në kuadër të festimit të 70-vjetorit, por të shmanget apo të përmendet sa më pak emri i Enver Hoxhës… Mos është vallë ky fakt shkak i këtij tensioni që shikohet dhe këtu në mjediset tuaja?

-Kush tha! Kush është ai që na urdhëron ne, urdhëron veteranët, ish-partizanët e familjet e tyre të mos përmendin komandantin e Luftës , Enverin!? Askush nuk e ka këtë të drejtë të na mësojë së pari, por mbi të gjitha, të mos vlerësojmë realitetin, do apo nuk do dikush apo disa, qoftë i djathtë apo qoftë i majtë… Pra faktin se: Enver Hoxha ka qenë komandanti i luftës, bashkëluftëtari i partizanëve, drejtuesi i operacioneve, ai që me Partinë Komuniste e shokët, partizanë e nacionalistë të ndershëm, mobilizuan popullin, shtuan radhët e formacioneve, e nëpërmjet betejave të përgjakura, bashkë me aleatët e të njëjtit front, çliruan vendin…

Më konkretisht, a është dhënë një porosi e tillë nga selia e së majtës këtu pranë?

-Mua më pyesni ju!?. Po ju duhet ta dini mirë ashtu si dhe unë. Është botuar në një gazetë të përditshme ajo që thoni ju, e kanë lexuar të gjithë. Ua thashë më lart, po e theksoj dhe një herë. Porosia për të mos folur për Enverin, pra pak apo mos pak, e dhënë nga Edi Rama, ne e kemi lexuar në një të përditshme. Di që nuk ka pasur dhe përgënjeshtrim për këtë… Kjo është revoltuese, e pa drejtë dhe gjunjëzuese për pinjollët kolaboracionistë që nuk po lënë gur pa lëvizur këta 24 vite për të hedhur baltë mbi luftën Nacional-Çlirimtare e Komandantin e Përgjithshëm të kësaj lufte, Enver Hoxhën. Enver Hoxha ishte udhëheqësi e strategu i luftës dhe askush nuk mund ta mbulojë këtë fakt, kushdo qoftë ky, i majtë apo i djathtë, drejtues partie apo qeverie…. Për të mos thënë më tepër…

Çfarë mund të thuhet më tepër në këtë rast?

-Që është e padrejtë, është turp, është fyerje për ata 28 mijë dëshmorë që dhanë jetën për lirinë e vendit, për ata që janë gjallë, për familjet e tyre, për veteranët, pasardhësit… Është një shërbim, në mos direkt, indirekt, për pinjollët e fashizmit, vazhduesit e atyre që bashkëpunuan me pushtuesin dhe i lyen duart me gjak, gjë për të cilën i dënoi historia, i ka dënuar dhe i dënon Europa, ku ne duam të shkojmë, por po zvarritemi…

Të qëndrojmë pak këtu… Pas vendimeve të qeverisë për fondet lidhur me festimin e 70 -vjetorit të çlirimit, përfaqësues të së djathtës u shprehën mes të tjerave se “29 Nëntori nuk është ditë feste, por ditë turpi….”… Ç’mendim keni?!

-Për kë!?! Pinjollët e kolaboracionistëve! Po si do thonë ata!? Ata ishin bashkëpunëtorë me pushtuesin në luftë. I damkosi historia. Kolaboracionistët, pas luftës i ka dënuar gjithë bota. Këta pinjollët e tyre sot, gjejnë ‘shesh e bëjnë përshesh’. Po nuk është faji i tyre, po i politikës 24- vjeçare, këtu në Shqipëri, krerët e së cilës për interesa apo nga frika, ngurrojnë të flasin për luftën, për heronjtë, për dëshmorët, për ata që sollën lirinë… Kjo është e pafalshme… Po kush i dëgjon !? Populli e di kush ishin çlirimtarët dhe kolaboracionistët, kush janë atdhetarët e tradhtarët.. Nuk mund tua diktoj kush. Këtë e ka vendosur historia, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë vendet e Europës, pjesëmarrëse në kampin e fituesve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Për ‘shmangien’ e Enver Hoxhës në kremtimet e 70- vjetorit të çlirimit, thuhet që ju keni pasur sinjale nga rrethet deri debate këtu në qendër?

-Ne kemi një organizim të përsosur, kemi informacionet tona. Por meqë këmbëngulni, u them se nuk na shqetësojnë porosi apo dhe qëndrime të tilla. Nuk mund të fshihet e vërteta, historia… Ushtria Nacional-Çlirimtare ishte një ushtri e organizuar, kishte komisarë e komandantë, po kishte dhe Shtabin e Përgjithshëm, Komandant i të cilit qe Enver Hoxha… Më thoni, cili nga vendet aleate të Luftës së Dytë Botërore vlerëson luftën por harron drejtuesin e saj si këtu në Shqipërinë e sotme!? Askund! Po këta politikanët e këtij tranzicioni të gjatë shqiptar,  janë të vegjël për të vlerësuar Enver Hoxhën e bashkëluftëtarët e tij! Atë e kanë vlerësuar personalitete të kohës dhe më vonë, duke filluar nga De Goli. Ndërsa për të injoruar luftën, çfarëdo që të bëjnë, vetëm i rrisin asaj vlerat.

Po gabime nuk ka pasur Enver Hoxha?

-Këtu po flasim për luftën. Enveri e shokët e tij u bënë thirrje të rrëmbenin armët gjithë shqiptarëve, komunistëve, idealistëve, nacionalistëve… Pati nacionalistë të ndershëm e që nuk qenë pak, që luftuan me heroizëm, drejtuan luftën e pushtetin pas saj me e në krah të Enverit… Po nuk është faji i Enverit për ata që bashkëpunuan me pushtuesit në dëm të lëvizjes Nacional-Çlirimtare e vendit. Po Enveri ka merita të padiskutueshme dhe për ndërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta, për arsimimin, shëndetësinë, e shumë gjera të tjera…

Pohuat se jeni në kulmin e ngarkesës për festimet e 29 Nëntorit… Keni përkrahje financiare nga qeveria, keni bisedime apo kontakte?

-Për çfarë folëm deri tani… Me sa duket jemi larg, e nuk kanë kohë të merren me ne… Ah, po, kanë dhënë ca fonde… Ja për varrezat e Tiranës nga 940 milionë, kanë dhënë vetëm 10 milionë…. Të tjerat për festë e pritje-përcjellje. Çfarë mund të bësh me kaq para. Varrezat e dëshmorëve janë të shkatërruara, simbolet e luftës të dëmtuara… Por mbi të gjitha, ne na shqetëson qëndrimi nda vetë Luftës Nacional-Çlirimtare nga disa qeverisës së majtë… Se nga ata që ishin para këtyre në pushtet, ne nuk prisnim vlerësim, pasi ata nuk e vlerësojnë luftën, kanë hedhur e hedhin baltë mbi ‘të… Po dhe ca nga këta të majtët, janë ‘vëllezërit’ e tyre në këtë drejtim… Imagjino… Për sjelljen e eshtrave të një ish-ministri fashist e varrosjen në Kaninë të Vlorës, qeveria dha në mos gaboj, 50 milionë lekë…

Të kthehemi tek aktivitetet në kuadër të 70-vjetorit të çlirimit?

-Po. Ne kemi plane konkrete, e bëjmë maksimumin për realizimin cilësor të tyre. Nderojmë e vlerësojmë të rënët, kontributin e djemve e vajzave që u gjymtuan apo dhanë gjithçka gjatë luftës për liri, duke mbajtur lart e duke vlerësuar drejt rolin historik të Luftës Nacional-Çlirimtare, partizanëve të thjeshtë e drejtuesve të saj. Kemi mbështetjen masive në popull dhe politikanë. Por këta të fundit, është mirë që veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, të mos i shikojnë apo vlerësojnë vetëm në raste fushatash, por vazhdimisht…

Cili është aktiviteti i radhës?

-Nesër (sot), është 16 shtatori, Dita e Konferencës Historike të Pezës, e Pezës së trimit, Babë Myslymit, bashkëpunëtorit të ngushtë në luftë e liri i Enver Hoxhës. Atje janë veteranët, atje është populli… Ngjarje të rëndësishme, janë pjesë e historisë së kombit shqiptar…

NDËR TË TJERA:

-Porosia ‘mbështesni aktivitetet, të flitet për ngjarjet, heronjtë, dëshmorët, por mundësisht të evitohet apo të flitet sadopak për Enver Hoxhën!’ është fyerje

-Enver Hoxha ishte udhëheqësi e strategu i luftës dhe askush nuk mund ta mbulojë këtë fakt, kushdo qoftë ky, i majtë apo i djathtë, drejtues partie apo qeverie.

-Qeveritarët gjunjëzohen para pinjollëve kolaboracionistë që nuk po lanë gur pa lëvizur këta 24 vite për të hedhur baltë mbi luftën Nacional-Çlirimtare e Komandantin e Përgjithshëm

-Politikanët e këtij tranzicioni të gjatë shqiptar, janë të vegjël për të vlerësuar Enver Hoxhën e bashkëluftëtarët e tij! Atë e kanë vlerësuar personalitete të kohës dhe më vonë, duke filluar nga De Goli.

-Ah, po, qeveria dha ca fonde… Ja për varrezat e Tiranës nga 940 milionë, kanë dhënë vetëm 10 milionë…. Të tjerat për festë e pritje-përcjellje. Tallje.

Nga vendimi i qeverisë për “29 Nëntorin”

-Në buxhetin e miratuar për vitin 2014, në kuadër të festimeve të 70-vjetorit të Çlirimit të Vendit, të shtohet fondi prej 94 000 000 (nëntëdhjetë e katër milionë) lekësh.

-Ministrisë së Mbrojtjes, i jepet 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për kryerjen e punimeve restauruese në objektin 0774, vendkomanda taktike e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

-Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, i jepen 23 000 000 milionë lekë, për organizimin e koncertit të madh me rastin e 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit.

-Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, i jepen 5 000 000 milionë lekë, për: organizimin e kampionatit sportiv mes shkollave, organizimin e ekspozitës kombëtare mes shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, konferencën shkencore për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

-Ministrisë së Kulturës, i jepen 47 000 000 milionë lekësh, për: organizimin e ekspozitës “Albanian artists after the fall”, në hollin e Kryeministrisë; Festivalin e Dritave;…

-Prefekturës Tiranë, në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”, zëri “Shpenzime korrente”, fondi prej 1 000 000 (një milion) lekësh, për kryerjen e punimeve restauruese në Varrezat e Dëshmorëve, Tiranë.

 Kujtim BORIÇI