Rustem Peçi*/ Askush nuk mund të luaj me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, heronjtë e dëshmorët e sajë

1020
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është pa dyshim epopeja më e lavdishme kundër dy ushtrive pushtuese, më të egra e më barbare që ka njohur njerëzimi, ajo fashiste e Musolinit dhe ajo naziste e Hitlerit, që me revanshin e tyre pushtuan një pjesë të madhe të globit. Ato pushtuan edhe Shqipërinë në çdo cep të saj. LANÇ kundër pushtuesve ishte një luftë mbarë popullore, një kryengritje e përgjithshme e armatosur për liri e pavarësi e udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇSH dhe komandanti i saj Enver Hoxha. Parimi bazë i kësaj lufte ishte: Të gjithë në luftë kundër pushtuesve pa dallim feje, krahine dhe ideje. Gjatë kësaj lufte 5 vjeçare u bënë sakrifica sublime. Qëndrimi dhe heroizmi i popullit ishte masiv, u radhit i tëri si një bllok në Frontin NÇ. Ranë për të mos vdekur kurrë 28.110 dëshmorë. Në themel të çdo shteti qëndron gjaku i dëshmorëve të rënë për liri. U burgosën dhe u internuan në kampet e përqendrimit 12.204 bij e bija të popullit shumica e të cilëve nuk u kthyen më. U rrafshuan krahina, qytete e fshatra të tëra si Borova, Peza, Vithkuqi, Vranishti etj. U dogjën mbi 64.000 shtëpi, u asgjësuan mijëra kokë bagëti, u grabitën pasuritë kombëtare, përfshi edhe floririn në thesarin e shtetit. Ushtria vullnetare NÇ me rreth 70.000 partizanë të inkuadruar në 24 brigada, 8 divizione dhe 2 korparmata, me luftën e saj heroike çliroi gjithë territorin e Shqipërisë më 29 Nëntor 1944 dhe vazhdoi rrugën e saj luftarake kundër pushtuesit edhe jashtë kufijve shtetërorë, në tokat e ish Jugosllavisë, deri në Vishegrad, duke çliruar edhe Kosovën, Malin e Zi dhe një pjesë të Bosnjë-Hercegovinës dhe të Maqedonisë. Ne e konsiderojmë 29 Nëntorin si ditën e shenjtë dhe të shtrenjtë të çlirimit. 
Kjo luftë e këto fitore të UNÇ ishin në kuadrin e Aleancës Anglo-Sovjeto- Amerikane. Më 9 Maj 1945, kapitulloi pa kushte Gjermania naziste dhe mbaroi kështu Lufta e Dytë Botërore që u shkaktoi popujve, ndër ta edhe popullit tonë, humbje të mëdha në njerëz e pasuri. Populli ynë, që i dha kësaj lufte, mbi 28 mijë dëshmorë, ishte ndër të parët që i priti pushtuesit fashiste italianë me pushkë. Po me pushkë i priti edhe nazistët gjermanë në verën e vitit 1943. Ushtria Nacionalçlirimtare e popullit tonë dha kontributin e saj të konsiderueshëm në kapitullimin e Italisë fashiste, në një luftë të ashpër, nga prilli 1939- ës e deri më shtator 1943-shit. Lufta e Koalicionit Antifashist Botëror: Anglo- Sovjeto- Amerikan dhe gjithë popujve që u ngritën kundër fashizmit italian, nazizmit gjerman dhe militaristëve japonezë ishte luftë e drejtë, çlirimtare. Kurse lufta e nazifashistëve dhe militaristëve ishte luftë pushtuese, pra, e padrejtë. Në Luftën e Dytë Botërore kanë hyrë në histori betejat e mëdha fitimtare të Koalicionit Antifashist, si ajo e Moskës, Leningradit, Stalingradit, Ikurskut, Kievit, Berlinit, ato të frontit të dytë në Normadi dhe në Itali e Afrikë, në Oqeanin Paqësor, Japoni, Birmani etj. Ishte meritë e madhe e anglo-sovjeto- amerikanëve që ndonëse me sisteme të ndryshme, por para rrezikut që i kërcënohej botës nga nazifashizmi dhe militarizimi, udhëheqësit e mëdhenjtë të tyre: Çurçilli, Stalini dhe Ruzveldi, gjetën gjuhën e përbashkët dhe krijuan Koalicionin e madh Antifashist që bashkoi shumë popuj të botës, midis tyre edhe popullin tonë. 29 Nëntori shënon fundin e një epoke të përgjakur por edhe të shndritshme të memories kombëtare, një nga ngjarjet më të mëdha , më monumentale të historisë sonë shumëshekullore, ku autor dhe aktor është populli dhe bijtë e tij partizanë. Mjaft pjesmarrës së betejave për pavarësi ,do të radhiteshin me djemtë e tyre në LANÇ, mjaft nga luftëtarët e Vlores së 1920, që hodhën në det pushtuesit italianë , u rrjeshtuan në luftën për çlirim . Shume të tjerë që ishin luftëtarë të Revolucionit Demokratik të Qershorit të vitit 1924 e të ngjarjeve të tjera të mëpastajme të historisë, luftuan krah për krah me djemtë e vëllezërit e tyre më të vegjël. Në këtë kuptim LANÇ, kishte në themel traditat e shkëlqyera patriotike e luftarake për liri e pavarësi, që vinin nga periudhat më të ndritura. Në themel të idealeve tona partizane ishin idealet e rilindasve, ishte historia jonë. Prandaj nga lartësia e mbi 7 dekada nga çlirimi, pohojmë se, dhamë provën më të madhe të emancipimit . të kombit që është të kuptuarit drejt të historisë të së kaluarës dhe pamë me besim e optimizëm drejt ardhmërisë. Ne, brezi antifashist i luftëtarëve të lirisë, përulemi me neveracion përpara atyre burrave shteti, rilindasve tanë të mënçur e të mëdhenj, atij brezi që bënë Shqipërinë, përulemi para plakut të urtë, shqiptarit e dipllomatit të jashtëzakonshëm Ismail Qemali, i cili firmosi pavarësinë, që Shqipëria do të kishte shtetin e vet, do të rronte e lirë dhe e mosvarme. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare do të mbetet në historinë e popullit tonë epopeja më legjendare, pasi ajo u shkrua me gjak e sakrifica të panumërta, ishte një luftë popullore, masive e drejtë dhe me pikësynime të qarta paqeje e lirie që e ngriti në një shkallë sipërore traditat e shkëlqyera patriotike e luftarake të kultivuar ne shpirtin e popullit. 7 Prilli i vitit 1939, dita e pushtimit fashist të Shqipërisë, ishte finalizimi i një sërë paktesh e marrëveshjes politike të qeverisë shqiptare të asaj kohe me Italinë fashiste për pushtimin ekonomik që do të përfundonte me pushtimin ushtarak. Ishte ora 5.30 i mëngjesit kur Durrësi, Vlora , Shëngjini, Saranda, etj, u sulmuan prej 22.000 trupash të mbështetur prej 400 aeroplanësh, 300 tankesh dhe shumë anijesh luftarake. Pushtimi fashist i Shqiperise, do të shënonte pushtimin e parë të një vëndi në Evropë, por edhe rezistencën e parë të popujve ndaj fashizmit, e këtë rezistencë do ta rriste populli ynë i vogël liridashës. Rezistenca e 7 prillit do të shprehte zemëratën e madhe të popullit tonë ndaj cënimit të territorit e integritetit, por do të ishte dhe një mesazh për të gjithë popujt për rezistencën ndaj kuçedrës fashiste, që synonte të vinte botën e popujt nën këmbë. Ishte kjo arsyeja që shtypi evropian, do ta fokusonte këtë rezistencë në faqet e para dhe do të deklaronte, se atë që kishte harruar ta bënte Evropa, po e bënte populli i vogël luftëtar shqiptar. Rezistenca e shqiptarëve, më 7 prill do të inagurohej me gjakun e Mujo Ulqinakut e të dëshmorëve të tjerë të asaj dite, që do të shënonte edhe pushtimin fashist të Shqipërisë, të tradhëtuar nga mbreti Zog, që e la popullin dhe vëndin në mëshirë të fashizimit e për turp i ngrenë monumente e emërtojnë bulevarde, i japin vila e troje. Konti Ciano, në mënyrë cinike, do të shkruante: “ Nuk ka më Shqipëri të mos varme”, por populli shqiptar me intuitën e tij luftarake do të orjentohej e do të shihte drejt lirisë e progresit, drejt djemve që e thirrën të luftonte për pavarësinë e do të rriste rezistencën qysh me formimin e çetave të para patriotike ne vitin 1940, në fillim nga Myslim Peza dhe të çetave partizane dhe të njësiteve guerile në vitin 1941-1942. Rezistenca antifashiste e popullit shqiptar do të rritej gradualisht. Pa luftë nuk mund të shkulej fashizmi. Lufta kërkonte luftëtarë, kërkonte drejtues, komandantë e komisarë, kërkonte organizim. Dhe këtë e bëri Partia Komuniste me drejtuesit e saj të cilët e kuptuan dëshirën e popullit dhe nevojën e organizimit të gjithëanshëm të rezistencës popullore. Thirrja e Konferencës së Pezës e 16 Shtatorit të vitit 1942, Konferencë që mbetet kuvendi më i rëndësishëm i të gjitha kohërave, pasi ajo kishte në themel bashkimin dhe unitetin , ku të gjithë delegatët me unitet dhe mënçuri vendosën: “ Bashkim pa dallim feje, krahine, ideje në luftë kundër pushtuesit fashist.” U krijuan Këshillat e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, u formuan çetat partizane në të gjitha krahinat. Lufta Antifashiste kaloi në organizim të ri. Pas Konferencës ë Pezës, Këshilli i Përgjithshëm NÇ, duke studiuar e ndjekur situatën e krijuar, me formimin e çetave e batalioneve në të gjitha krahinat e vëndit, nevojen e drejtimit ushtarak te LANÇ, si dhe nevojat e bashkërendimit të veprimeve luftarake, me luftën e shteteve aleate të koalicionit antifashist, vendosi të thërrasë në Labinot të Elbasanit, mbledhjen për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, i cili orientonte krijimin e reparteve dhe njësive te reja. Ndërsa Kongresi i Përmetit zgjodhi Këshillin Antifashist NÇ, Komitetin me atributet e qeverisë provizore demokratike popullore, si dhe u miratua krijimi i Komandës së Përgjithshme të UNÇ, i divizioneve e korparmatave të ushtrisë partizane. Me krijimin e Br. I S dhe kalimi i tij në veri të vëndit, insiativa luftarake kaloi në anën e forcave partizane dhe u krijuan kushtet për të kaluar në kundërmësymjen te përgjithshme, dhe me krijimin e njësive operative strategjike, u kaluan në operacione për çlirimin e kryeqytetit dhe qyteteve kryesore të vëndit e në të mëpastajmen për çlirimin e plotë të vëndit më 29 nëntor 1944. Lufta e armatosur kundër pushtuesit fashist dhe tradhtarëve të vëndit u zhvillua e pandërprerë, me një intensitet përherë e më të madh, dhe u rrit shkallë-shkallë, nga aksionet e njësiteve guerile në qytete e fshatra, në çeta partizane, në veprime luftarake të batalioneve, brigadave, e pas formimit të SHP dhe krijimin e divizioneve e korparmatave pas kongresit historik të Përmetit. Kur lufta e popullit shqiptar kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, përballoi disa operacione armike, duke gozhduar forcat e më se 15 divizioneve armike me 100.000 ushtarë të fashizmit italianë dhe 75.000 ushtarë nazistë gjerman, mori inisiativën operative dhe kaloi në Kundërmësymje të Përgjithshme. 
Ne, veteranët e LANÇ, ashtu si gjithë populli liridashës shqiptar, pohojmë se “ udhëheqja e Fronti Nacionalçlirimtar, Shtabi dhe komanda e Përgjithshme e UNÇSH, kanë meritën e madhe që me largpamësi e futën luftën tonë ne koalicionin e madh antifashist botëror të udhëhequr nga BS, Anglia dhe SH B A . Për drejtimin e UNÇSH dhe kryengritjen popullore te operacioneve operative-strategjike, për kalimin e D-1 Sulmues në Shqipërinë e veriut, për dërgimin e brigadave sulmuese për çlirimin e Kosovës dhe deri në Bosnje-Hercegovinë e Sanxhak, si për çlirimin e vëndit nga pushtuesit nazi-fashistë. Shumë urdhra, direktiva e udhëzime kanë dalë nga fronti antifashist nacionalçlirimtar, nga shtabi dhe komanda e përgjithshme e UNÇSH, shumë luftime, beteja dhe operacione janë zhvilluar me urdhrin e tyre, të gjitha janë fituar dhe në këtë jubile nuk mund të rrimë pa përmëndur, largpamësinë e vendimeve, për organizimin dhe drejtimin e ushtrisë. Urdhri për çlirimin e Kosovës kishte rëndësi jetike. U derdhën lumenj gjaku, por Kosova u çlirua. Komanda e përgjithshme e UNÇSH, kishte në krye një udhëheqës të madh, të zot, trim, atdhetar e të papërkulur që udhëhoqi ushtrinë partizane, bëri shtet per 45 vjet. Ky qe Enver Hoxha, askush më tepër se Enver Hoxha nuk e meriton thënien: “lavdia shkon tek ai që nuk e kërkon atë”- De Gol. Ne jemi krenarë që u bëmë në kohën e duhur pjesë e antifashizmit botëror. Antifashizmi shqiptar nuk mund të harrohet kurrë. Vlerat e LANÇ, nuk do të harrohen e nuk do të zbehen asnjëherë. LANÇ- do të kujtohet e do të jetë emblemë krenarie për të gjitha brezat. Nëse do të duhet të shohim me objektivitet në thellësi të kësaj epopeje, për të ndriçuar të vërtetën, mund të pohojmë pa hezitim se LANÇ nuk ka asnjë gabim që të ketë renduar mbi kurrizin e popullit dhe të historisë. Për antifashizmin, ka vetëm një qëndrim, dhe ai është nga ana e fitimtarëve. Ata që u bashkuan me fashizmin e nazizmin, që u bënë kolaboracionistë nuk mund të kthehen mbrapsht e nuk mund të njollosin historinë. Ne, veteranët e pasardhësit nuk do të na gjykojnë ata që mbajnë mbi vehten damkën e tradhtisë dhe historia i gjykoi njëherë. Të mohosh LANÇ don të thotë të mohosh kontributin që populli ynë dha për rivendosjen e Pavarësisë kombëtare, shpëtimin e vendit nga copëtimi territorial, të mohosh gjakun e dëshmorëve, të mohosh sakrificat e pamata të popullit për liri e pavarësi. LANÇ ishte një luftë e drejtë e mbarë popullore. Ajo do të merrte një karakter masiv, në qytete e fshatra ,në jug e në veri. Ishte meritë e Frontit Antifashist NÇ dhe e Partisë Komuniste që e ngriti popullin në këmbë. Dhe shkëlqimi i trimërisë së popullit do të ngrihej nga partizanët me yll në ballë. Këtë e di i gjithë populli, edhe vendet e koalicionit antifashist në BS, Angli, SHBA, dhe vazhdon të konfirmohet edhe sot e kësaj dite nga bota përparimtare, me përjashtim të ballisto zogistëve që u bashkuan me nazifashizmin e që turpin kërkojnë ta lajnë me sakrificat dhe trimëritë e të tjerëve. Partizanët, sot veteran të LANÇ, do të mbeten deri në frymën e fundit bij besnikë të popullit trim e liridashës. Ne jemi e do të jemi mirënjohës deri në adhurim popullit e këtë mirënjohje do ta ruajmë deri në frymën e fundit, do ta kultivojmë e transmetojmë në breza përmes pasardhësve veteranë të cilët i duam dhe i ruajmë e do ti ruajmë si dritën e syve. Ne u lindëm, u rritëm, u mëkuam e u edukuam me virtytet më të larta e me të pastra të këtij populli lirdashës, me përshëndetjen simbol “VDEKJE FASHIZMIT – LIRI POPULLIT”. Ishte ky betim popullor që nxori nga gjiri i vet djemtë e vajzat e i hodhi në luftë për liri, që armiku nuk u a pa kurrë shpinën. Heroizmi i më se 6.000 vajzave e grave që morën pjesë e luftuan krah për krah me vëllezërit partizanë në LANÇ ishte një sakrificë e jashtëzakonshme dhe tregon se LANÇ ishte një revolucion shoqëror, ideali i shenjtë i lirisë i frymëzoi ato dhe i ngriti mbi pengesat e rreziqet e panumërta, mbi mentalitetet dhe zakonet konservatore. Me gjithë raprezaljet nazifashiste gjatë luftës çlirimtare, banorët e qyteteve shqiptare i ruajtën miqtë e tyre hebrenj. Është gjithashtu rast i rrallë në historinë e luftërave të pushtuesve që kur një ushtri kapitullon, ushtarë të saj të pranohen në rrjeshtat e ushtrisë kundërshtare, siç ndodhi me ushtarët italianë pas kapitullimit të Italisë fashiste, apo të gjejnë strehim në shtëpitë e fshatarëve shqiptarë. Pas kapitullimit të fashizmit italian, mjaft ushtarë e kuadro të ushtrisë italiane u inkuadruan në brigadat sulmuese dhe luftuan shumë mirë. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte dhe do te mbetet një epope e ndritur e historisë së Shqipërisë dhe nuk ka asnjë forcë regresive ta errësojë e mënjanojë atë. Ajo do të mbetet një gur i provës së zjarrtë të shqiptarëve ndër shekuj, që për lirinë dhe pavarësinë e vërtetë. Dëshiroj të theksoj se kohët e fundit kanë dale disa zëra që thonë se duhet t’i hiqen të gjitha gradat dhe titujt Enver Hoxhës. Nuk ka dyshim se zëra të tilla vijnë nga qarqe neofashiste, nga pinjollë të kolaboracionistëve me pushtuesit nazifashistë dhe të atyre që kanë tradhëtuar me kohë vlerat e LANÇ. Organizata jonë e Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar i hedh poshtë me neveri këto pretendime sepse, ne Enver Hoxhën e kemi patur Komandant të Përgjithshëm për 5 vjetët e LANÇ-it dhe do ta përmendim, leksione për demokracinë nuk pranojmë nga ata që nuk e njohin atë. Eshtë e patolerueshme edhe dhënia e mendimeve personale të pamatura e të hedhura në tregun mediatik, sikur shteti dhe politika të jenë çështje personale. Ka patur zëra edhe për heqjen e shalleve të kuq që janë simbol i gjakut të derdhur qysh në Komunën e Parisit. Mos të harrojmë të kaluarën se, ai popull që harron të kaluarën, humbet të ardhmen. Le të përpiqemi të shikojmë e të ecim përpara, t’i shtojmë lavdinë këtij vëndi duke ndriçuar majat e lavdisë, 28 Nëntorin Ditën e Madhe të Pavarësisë dhe 29 Nëntorin Ditën e Madhe të Çlirimit. Organizata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare njeh dhe respekton programet e atyre partive, organizatave dhe shoqatave politiko-shoqërore e atdhetare të cilat në statutet dhe programet e tyre pranojnë vlerat e pamohueshme të LANÇ të popullit shqiptar, i mbrojnë dhe i propagandojnë ato. Ajo nuk patohet me asnjë force politike që zhvillon veprimtari neofashiste, shoviniste e terroriste dhe është kundër çdo ekstremi antikombëtar. Populli shikon por nuk harron.
*Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ
Sigal