Rushit Kuçi: ‘Tenda e Qypit’, 70 vjet nga dita e betejës partizane që bëri histori

804

 Nën komandën e Mehmet Sheut, më 19 janar 1944, partizanët arritën fitore, gjermanët lanë 100 të vrarë gjermanë 

*Kolonel në pension

 Luftimet e zhvilluara në Tendën e Qypit midis forcave çlirimtare partizane dhe atyre pushtuese gjermane, janë një nga  më të veçantat, më të përgjakshmet dhe me peshë jo të vogël gjatë luftës antifashiste nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Kujtimi i asaj beteje është detyrë e nderim për të rënët që sollën lirinë.

GJENDJA NË FILLIM TË LUFTIMEVE

Më 19 janar 1944 rreth orës 15:00 kolona gjermane e përbërë nga batalioni i parë i regjimentit 54, kompania e tretë  e regjimentit 227 dhe bateria e tretë e regjimentit të artilerisë së divizionit 100, mbasi përshkuan Oparin dhe Tomorricën, pasi pushkatuan 114 vetë të pafajshëm në Vlushë, Turbohovë, Kapinovë, Krushovë e gjetkë, mbërritën në Çorovodë. Rreth orës 16:00 të 19 janarit pasi vendosën baterinë  e artilerisë në pozicione zjarri në sheshin e qytezës, hapën zjarr kundër kompanisë së parë të batalionit të dytë  të Grupit të Tretë të Skraparit  që kishte zënë pozicion luftimi në Kala. Nga ky zjarr nuk pati të vrarë. Në të gdhirë të datës 20 janar kolona gjermane nisi marshimin drejt Tendës së Qypit. Pasi kaloi Sharovën, u ngjit përpjetë, hyri në Veleshnjë dhe rreth mesditës sulmoi pozicionet e batalionit të dytë të Grupit të Tretë. Luftimi u zhvillua i rreptë, me volum të madh zjarri nga të dy palët. Trupat gjermane në sulmin e parë dështuan dhe u detyruan që të hapnin të gjithë forcat e tyre në formacion luftimi. Pasi vendosën artilerinë në pozicione, hapën zjarr të dendur dhe kaluan përsëri në sulm, të paraprirë nga zjarri i mortajave dhe topave. Në kurrizin e kodrave të Veleshnjes dhe të Karakollit e deri lart në Tendën e Qypit,u zhvilluan luftime shumë të ashpra  dhe këmbëngulëse nga të dy anët. Gjermanët i përsëritën sulmet por nuk mundën të përparonin sepse ishte i fuqishëm zjarri i forcave partizane. Detyroheshin që të ndalnin sulmin, të riorganizoheshin dhe pastaj të fillonin përsëri, edhe me zjarr artilerie edhe me zjarr këmbësorie. Kishin kaluar katër orë luftime dhe vetëm atëherë gjermanët mundën që të përparojnë drejt Tendës së Qypit dhe ajo rrezikohej që ata ta pushtonin. Kjo sepse përballë tyre ishte vetëm batalioni i dytë partizan, kurse forcat e batalionit të parë nuk ishin të angazhuara në luftime në drejtimin Vendreshë-Spatharë. Pesha e këtij luftimi i ra vetëm forcave të batalionit të dytë, partizanët e të cilit treguan trimëri të pashoqe dhe guxim të madh për të mbajtur e mbrojtur me çdo kusht pozicionet. Në këtë situatë , nga fshatra të krahinës së Dëshnicës po marshonin drejt Tendës së Qypit , batalioni i tretë dhe i parë të Br1S dhe një kompani e batalionit “Antonio Gramshi” . Në krye të këtyre forcave ishte Mehmet Shehu. Ai, si komandant i lindur për luftime, sa dëgjoi krismat e mortajave  me shpejtësi erdhi në Tendën e Qypit para se të mbërrinin forcat e tij vartëse.

MEHMET SHEHU ME BR 1 S

Mehmet Shehu pasi u takua me komandantin e Grupit të tretë, Zylyftar Veleshnja, me komandantin e batalionit të dytë Petref Therepelin, etj., u njoh me gjendjen,vendosi të krijojë një shtab operativ të të gjithë forcave partizane pjesëmarrëse në këto luftime  dhe mori në dorë plotësisht situatën;përpiloi shpejt e shpejt planin e kundërsulmit dhe lajmëroi që batalionet e brigadës së parë  të afroheshin sa më shpejt  në majë të Tendës së Qypit. Batalionin e tretë të asaj brigade e komandonte Gjeli Argjiri, i cili mori urdhër të hapej shpejt në formacion luftimi për të kundërsulmuar së bashku me ato forca të batalionit të dytë të Grupit të Tretë që ishin të afta për luftim. U dha urdhri që para se të hidheshin në kundërsulm, partizanët të shkrehnin nga një granatë ofensive  dore  me komandën “granata hidh”, sepse kështu sulmi kishte më tepër efekt; ato do të shërbenin , në një farë mënyre, si përgatitje me artileri e sulmit.

BETEJA

Pas hedhjes së granatave të gjithë partizanët u vërsulën kundër gjermanëve nga lart poshtë për gjatë gjithë kurrizit të kodrave Nishicë-Veleshnjë, nën tingujt e borisë së Haki Kapajt nga Mallakastra. Sulmi po vazhdonte, por boria nuk po binte më si në fillim! Borizan Hakiu ishte goditur në grykë nga një plumb armik, por komandanti i batalionit dha urdhër: “Bjeri borisë!” Hakiu për të zbatuar urdhrin, që tingujt e borisë të mos heshtnin, por të shoqëronin sulmin e partizanëve, me një pëllëmbë të dorës djathtë zuri plagën që të mos rridhte gjaku dhe  me të majtën mban borinë duke  nxjerrë tingujt që  u jepnin zemër luftëtarëve për të vazhduar vrullshëm sulmin…dhe boria e partizanit burizan legjendar vazhdoi edhe ca deri sa u mbush me gjak… Nga ana tjetër gjermanët organizuan zjarr të dendur me të gjitha llojet e armëve të tyre kundër forcave partizane sulmuese. Plumbat e mitralozave prisnin degët e drurëve si drapri grurin. Ky zjarr i furishëm gjerman e uli pak tempin e sulmit partizan, por nuk e ndaloi dot atë. Komandanti i kompanisë Mefail Rozani nga Podgoria e Korçës u ndesh trup me trup me gjermanët duke luftuar me bajonetë deri në vrasje të njëri-tjetrit. Në këtë kohë një togë ushtarësh gjermanë pa u diktuar  lëvizi gjatë Përroit të Veleshnjës me qëllim që të kapte Qafën e Murrizit në anën veriore të Tendës së Qypit dhe për t’u dalë në shpinë forcave partizane shqiptare që po kundërsulmonin. Gjermanët dërguan  më parë drejt qafës një grup të vogël zbuluesish, të cilët me fshehtësi të madhe dhe me maskim të përkryer mundën t’i afroheshin Tendës duke manovruar nga krahu i Qafës së Murizit. Aty pranë ndodhej vendvrojtimi i komandës së Grupit. Zylyftar Veleshnja, komandanti, duke vrojtuar zhvillimin e luftimeve në Kodrën e Karakollit u godit papritur nga një prej zbuluesve gjermanë në këmbën e djathtë dhe u rrëzua menjëherë në tokë. Iljaz Sevrani, komisari, duke parë Zylyftarin e shtrirë u ngrit në këmbë të shihte se çfarë ka ndodhur, se nuk i shkonte kurrë në mendje që gjermanët mund të ishin afruar aq shumë pikës së vrojtimit të komandës partizane, kur luftimet zhvilloheshin tutje, por edhe ky u qëllua në nofull nga ushtari zbulues gjerman. Partizani Ali Zaimi nga Dobrusha, korrier i komandës së Grupit  vrapoi që të ndihmonte dy të plagosurit, por edhe ky u godit për vdekje nga plumbi gjerman. Grupi zbulues gjerman u kthye  drejt pikës së nisjes së vet, pa u dëmtuar fare nga partizanët.

ARRITJA E FITORES

Situata e luftimeve sa vinte e po vështirësohej për forcat partizane. Edhe forcat e batalionit të tretë të Br1S dhe ato të batalionit të dytë të Gr3P të Skraparit, me gjithë sulmet e tyre nuk kishin munduar që të shkulnin nga pozicionet e zëna trupat gjermane. Në këtë gjendje vetëm futja në luftim i forcave të reja mund të sillte ndryshime. Prandaj Mehmet Shehu vendosi që batalioni i parë i Br1s i komanduar nga Xheladin Beqiri (Karadaku) të hidhej me shpejtësi në kundërsulm, së bashku edhe me forcat e tjera ekzistuese të batalioneve të dytë e të tretë të Grupit. Kodrat në drejtim të Karakollit u ndezën flakë e zjarr. Jo vetëm plumba e granata dore, por edhe predha e bomba  të armëve të lehta të artilerisë u përdorën nga të dy palët. Ashpërsia e luftimeve arriti kulmin  në përleshjet trup me trup dhe përgjakjet e forcave ndërluftuese nxisnin edhe më tepër egërsinë. S’kaluan shumë orë dhe situata po ndryshonte në favor të forcave partizane. Gjermanët filluan tërheqjen në drejtim të Çorovodës, duke lënë  një sasi materialesh, armatimesh dhe nga ato të shërbimit të prapavijës. Partizanët kapën një top, një mortajë, pesë mitraloza të rëndë, disa mitroloza të lehtë, pushkë automatike dhe rreth pesëdhjetë kafshë me ngarkesa të ndryshme luftë e jetese. Kishin mbetur rreth 100 trupa gjermanë të vrarë. Pati edhe mjaft të tjerë të plagosur. Në këto luftime për kapjen dhe mbajtjen e Tendës së Qypit, ranë trimërisht midis të tjerëve Ilmi Xhaferi nga Muzhencka, Ali Zaimi nga Dobrusha, Njazi Nishica, Fatushe Kadiu nga Veleshnja, Haki Kapaj nga Gjerbësi i Mallakastrës. Po kështu edhe nga forcat e Br1S ranë dhjetë vetë. Midis të plagosurve jo të paktë nga rradhët partizane ishin edhe Zylyftar Veleshja, Iljaz Sevrani, Naim Therepeli, Abaz Rogu, Tahir Murrizi nga Vendresha e tretë, dhe disa nga partizanët e Br1S. Tradita e krijuar gjatë këtyre 70 vjetëve për të kujtuar këtë betejë, me ekskursione, marshime, takime, aktivitete ushtarako-sportive, artistike etj ka rëndësi të veçantë sepse mban gjallë  shpirtin luftarak të përpjekjeve  të pandërprera të popullit tonë për liri , pavarësi e përparim shoqëror.