Rushit Kuçi/ 70-Vjetori i betejës në Qafën e Shkozës

1064
Sigal

Luftimet për dështimin e mësymjes së armikut gjatë operacionit të qershorit 1944

Rritja e Luftës Nacional Çlirimtare e popullit shqiptar, zhvillimi me sukses i kundërmësymjes të pranverës së vitit 1944 nga Ushtria Nacional Çlirimtare dhe forcat vullnetare të vendit, rritja e njësive të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, i kishin vënë pushtuesit dhe tradhtarët e vendit në kushte shumë të vështira. Lufta e popullit tonë mbante të gozhduara në Shqipëri, divizione të tëra gjermane, ndërkohë kur atyre u duheshin për t’i hedhur në frontin sovjeto- gjerman, ku nazistët pësonin disfata të njëpasnjëshme. Në këto rrethana komanda gjermane së bashku me tradhtarët e vendit vendosi të fillojë një mësymje të përgjithshme me forca të mëdha, operacionin armik të qershorit 1944.

Qëllimi i këtij operacioni ishte:    

  • Të asgjësohej ushtria NÇL.
  • Të asgjësohej Fronti Nacional Çlirimtar.
  • Të siguronin krahët për zbarkimin e mundshëm të trupave anglo- amerikane në Ballkan.
  • Të siguronte tërheqjen e një pjese të forcave për në frontin e lindjes.
  • T’i jepte mundësi reaksionit të brendshëm të riorganizohej e të merrte në dorë pushtetin politik.

Këtë operacion nazistët gjermanë e kishin planëzuar të fillonte me 40 mijë veta duke pasur në ndihmë dhe 10 mijë tradhtarë të vendit tonë.

Drejtimet kryesore të operacionit ishin: Berat – Kiçok – Përmet dhe  Ujë i Zi – Qafë-Shkozë – Tenda e Qypit – Taronin Përmet. Në të dy këto drejtime kryesore vepronin forcat tona të Brigadës së shtatë sulmuese, Br.12 S dhe disa batalione territorial duke filluar që nga Çepani, Cerova, Vinokashi, Toshkësi, Vëndresha, Spathara, Vala, e Lavdari. Në paraditen e datës 2 qershor 1944 armiku filloi lëvizjen e forcave të veta kundër pozicioneve partizane. Ishin çaste shumë vendimtare për partizanët e Br.7S. Të vendosur për çështjen e madhe të çlirimit të atdheut, partizanët gjetën forca të reja për të përballuar me sukses sulmin që po përgatiste armiku drejt Qafës së Shkozës. Drejtuesit e Br.7S bën planin e veprimeve për t’ju kundërvënë  dhe shpartalluar forcat e armikut. Në themel të këtij plani qëndronte pleksja e veprimeve mbrojtëse me veprimet sulmuese të befasishme kundër armikut. Heroizmi masiv ishte kthyer në një tipar dallues në këto luftime. “Asnjë hap për armikun për të kaluar Qafën e Shkozës”, kjo ishte parulla luftarake që frymëzonte të gjithë partizanët e brigadave dhe të forcave territorial. Ata dinin të vlerësonin rëndësinë e kapjes së majave siç ishte Qafa e Shkozës, Bregu i Cicit e Taronina. Në kohën që lufta vazhdonte, armiku manovroi me forcat e veta për t’u marrë krahët partizanëve. Situata sa vinte dhe ndërlikohej. Forcat partizane rrezikoheshin të binin në rrethim, prandaj ata u tërhoqën me kujdes për të zënë pozicione më të përshtatshme. Armiku goditi me artileri pozicionet partizane, duke u hedhur më vonë në sulm me forca të shumta. Kompania e parë që kishte zënë pozicione të përshtatshme dhe kontrollonte nga lart tërë gjerësinë e kodrës, nuk i lëshoi pozicionet. Kundërsulmoi me forca kryesore përballë, ndërsa me forca më të pakta i goditi gjermanët në krah e në shpinë. Këta të fundit të vendosur midis dy zjarreve u detyruan të tërhiqeshin përsëri për në Ujin e Zi. Në këto luftime armiku pësoi humbje të mëdha, por edhe nga forcat tona ranë në fushën e luftës shokët: Zyber Tafa, Sali Dalipi, Selim Ballo, Petref  Spaho, Bajram Muharremi si edhe u plagosën disa të tjerë. Pas këtyre veprimeve nazistët gjerman rigrupuan forcat për të vazhduar mësymjen e mëtejshme. Në këto kushte Shtabi i Brigadës urdhëroi që edhe batalioni i tretë të përqendrohej në Qafën e Shkozës. Komanda e përgjithshme duke vlerësuar gjendjen e luftimeve që zhvilloheshin nga Br.7S urdhëroi Br.12S të përforconte mbrojtjen në drejtimin e përgjithshëm të luftimeve Berat- Përmet. Ardhja e Br.12S si dhe forcat vullnetare territorial të Çepanit me dy batalione të komanduara nga patriotët e mirënjohur: Riza Vala, Sabri Radëshi e Kamber Cerova u pritën me gëzim pasi rregullohej raporti i forcave. Nga ana tjetër, populli i zonës Valë, Therepel, Lavdar, Vëndreshë, Cerovë e Toshkëz, ishin të mobilizuar për të ndihmuar partizanët me ushqim e veshmbathje. Dy ish- partizanë të Vendreshës së Malit Dine e Meçan Musaj, që në atë kohë u përdorën si korrierë në atë fshat, në kujtimet e tyre kanë shkruajtur: “Gjatë furnizimit që bënin fshatarët me ushqime kishin pasur raste që kolonave me karvan u dilnin përpara grupe naziste të shoqëruar nga ballistë e tradhtar dhe ja u merrnin ushqimet. Duke vënë re raste të tilla u morën masa që në çdo fshat të dërgoheshin korrierët partizan të instruktuar nga Shtabi i Brigadës për të përgatitur skuadrat e shoqërimit me nga 10 vetë. Çdo karvan që nisej nga fshati drejt frontit të luftës do të udhëtonte në situatë luftarake me pararojë, praparojë e kraharojë. Në raste të veçanta kur armiku kontrollonte më dendur, përdorej dhe mashtrimi duke organizuar dy kolona, njëra ngarkuar me drithë (misër e grurë) me legjendën se do të shkonin për të bluar në mulli dhe tjetra e ngarkuar me ushqime për partizanët. Këto forma e metoda të taktikës luftarake bënin që ushqimet të shkonin në destinacion deri në vijën e parë të frontit”.

Sulmi më i fuqishëm në Qafën e Shkozës u organizua natën e 3 qershorit. Të gjitha kodrat e pikat dominuese ishin në duart e forcave tona. Shtabi operativ me qëllim që të mos i lëshohej iniciativa armikut vendosi që ai të sulmohej natën. U caktuan dy kompani të Br.12S dhe kompania e parë dhe e tretë të batalionit të 3-të të Br.7S. Për të siguruar fillimin e këtij veprimi ju caktuan detyra edhe baterisë së mortajave të Br7S. Pas predhave të para që hodhi bateria e mortajave mbi përqendrimin armik, të katër kompanitë u hodhën në sulm. Armiku vuri në përdorim të tërë armatimin që kishte në dispozicion. Partizanët duke shfrytëzuar errësirën e natës sulmuan mbi pozicionet armike. Goditjet që ju bënë armikut ballë për ballë, në krah e në shpinë i shkaktuan humbje të mëdha dhe e detyruan atë të tërhiqej duke lënë në fushën e betejës mbi 30 të vrarë e disa të plagosur. Edhe nga forcat partizane ranë në betejën e Qafës së Shkozës komandanti i batalionit të tretë Gani Nivica si dhe partizanët trima: Aliko Gllava, Eqerem Bukali si edhe mitraljeri, Adem Hajdar Emiri. Luftimet e kryera në Qafën e Shkozës nga data 2-6 qershor, njihen si luftimet më të përgjakshme të operacionit të qershorit 1944. Vetë kuadrot drejtuese të ushtrisë gjermane kanë pohuar se: “Në shkrepat e Skraparit kemi pësuar tre humbje të mëdha, në Qafën e Gjarprit, Tendën e Qypit dhe Qafën e Shkozës”. Luftimet në Qafën e Shkozës u realizuan me sukses dhe u bën burim frymëzimi jo vetëm për partizanët, por edhe për popullin që i përjetësoi ato në këngë:

“Ç’po lufton Brigada e shtatë,

Qafë e Shkozës ulërin,

Partizanët si petritë,

Mbi gjermanët bëjnë kërdinë.

Buçet topi e mortaja,

Therepelë e gjer te Valë,

Burra, gra gjithë kanë dalë

Që t’i bëjnë armikut ballë”.

Banorët e Therepelit e ndien më shumë luftën e Qafë Shkozës, pasi sa herë që thyheshin gjermanët nga sulmet e kundërsulmet e forcave tona, irritoheshin dhe donin të digjnin shtëpitë e fshatit Therepelë. Por batalioni vullnetar i komanduar nga therepeliu trim Petref Alizoti i dinte me hollësi shtigjet dhe rrugët nga mund të afroheshin gjermanët dhe i penguan disa herë duke i dëmtuar ata me forca e mjete. Në këtë 70 vjetor të çlirimit të atdheut na dalin detyra që këto ngjarje historike t’i kujtojmë duke u njohur me këtë pjesë historie dhe brezat e ardhshëm.