Rruga luftarake e batalionit “Bajram Curri”

2370
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Tropoja ju përgjigj kushtrimit për luftë
Malësia e Tropojës dhe populli i saj, duke ndjekur me besnikëri traditat patriotike të të parëve, dhe në mënyrë të veçantë të plakut të maleve patriotit Bajram Curri, u ngrit i gjithë në këmbë dhe iu përgjigj kushtrimit për luftë kundër pushtuesve fashistë. Kështu, me fillimin e vitit 1942, në mjaft fshatra të zonës kishin nisur veprimtarinë luftarake ilegalët e parë. Ndërsa në muajin prill të vitit 1942 këta ilegalë krijuan njësitin e parë luftarak të zonës. Fillimisht ky njësit bëri një punë të kujdesshme me fshatarët e të gjithë malësisë për ngritjen dhe pjesëmarrjen e tyre për të luftuar kundër pushtuesve fashistë. Një punë të kujdesshme bënë anëtarët luftarak të njësitit me të gjithë malësorët, si dhe me drejtuesit e bajraqeve për luftë të vendosur kundër fashistëve italianë dhe milicisë, për të mos dërguar djem ushtarë në shërbim të tyre. Në këtë drejtim njësiti luftarak arriti suksese në lëvizjen që tashmë ishte zgjeruar në të gjithë malësinë e Tropojës. Fashistët italianë duke parë se luftëtarët e njësitit po bëheshin pengesë për realizimin e qëllimeve të tyre, nisën nga masat për asgjësimin e tyre. Prej tyre filloi ndjekja dhe organizimi i pritave për luftëtarët e lirisë. Në gusht të vitit 1942 ra në përpjekje luftëtari i njësitit Hysen Paci. Rënia e tij në luftë kundra pushtuesve bëri që radhët e njësitit të shtohen me mjaft luftëtarë të tjerë nga të gjitha krahinat. Në tetor të vitit 1942 njësiti shkatërroi teleferikun e minierës së Kamit, ndërsa më 28 nëntor, në kuadrin e 30 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë ndërpreu linjën telegrafike në rajonin Qafë e Luzhës. Lufta në malësinë e Tropojës po rritej gjithnjë e më tepër, krahas zhvillimit të luftës së organizuar në të gjitha krahinat e tjera të Shqipërisë.
Bashkëpunim me luftëtarët e Kosovës
Fillimi i vitit 1943, luftëtarët e malësisë së Tropojës, u ngrit gjerësisht në luftë kundër pushtuesve fashistë dhe çetnikëve, duke bashkëpunuar edhe me luftëtarët e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit. Luftëtarët e njësitit kishin fituar një përvojë luftarake dhe ishin vazhdimisht në lëvizje, duke shkuar fshat më fshat për mobilizimin e fshatarëve dhe të t’i bërë rezistencë e goditur armikun në të gjitha drejtimet e duhur. Në ditët e para të shkurtit 1943, luftëtarët e Malësisë dhe disa luftëtarë nga Gjakova zhvilluar një aksion luftarak në afërsi të Rostovicës.Ndërsa më 15 mars 1943, luftëtarët e malësisë të Tropojës, me pjesëmarrjen edhe të mjaft malësorëve, duke bashkëpunuar me luftëtarët kosovarë, u ndeshën me luftim kundër kundër forcave fashiste italiane në qafën e Mugllës, në Shumrije. Në këtë luftim fashistët lanë mjaft 30 të vrarë dhe u zunë shumë materiale dhe teknikë luftarake. Në malësinë e Tropojës u formua Çeta e Malësisë në mars të vitit 1943. Kjo çetë në muajin maj të vitit 1943 u riorganizua në Sylbicë të Bytyçit duke ju vendosur emri i luftëtarit të madh të maleve dhe të Dragobisë, Bajram Curri. Luftëtarët e çetës “Bajram Curri” më 9 shtator 1943, me pjesëmarrjen e mjaft forcave të fshatrave të malësisë së Tropojës dhe të Hasit, zhvilluan një aksion të ashpër kundër forcave fashiste italiane, milicëve, bashkëpunëtorëve të tyre që ishin vendosur në qytetin e Gjakovës. Në këtë aksion fashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre pësuan humbje të ndjeshme. Edhe luftëtarët e çetës dhe nga forcat vullnetare të Malësisë patën të vrarë dhe të plagosur.
Çeta “Bajram Curri” u bë batalion
Pas këtij aksioni që bëri jehonë luftëtarët e çetës “Bajram Curri”, në mes të vështirësive kaluan nga Gjakova nëpër fshatrat e zonës dhe mbërritën në Plavë e Guci. Këtu zhvilluan konferenca me popullin për organizimin dhe zhvillimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të vëllazërimit e të bashkëpunimit me popullin e Malit të Zi, për luftë kundër fashizmit. Puna sqaruese e çetës me popullin e zonës ndihmoi në ngritjen e këshillave nacionalçlirimtare në disa fshatra të këtyre krahinave. Çeta e zgjeroi veprimtarinë e saj në Plavë e Guci, ashtu si dhe në malësinë e Tropojës, duke rritur numrin e luftëtarëve të saj. Kështu më 8 nëntor 1943 formohet batalioni “Bajram Curri”. Ditë më pas batalioni u takuan në rrethet e Plavës e Gucisë dhe me forcat e batalionit “Perlat Rexhepi” të Shkodrës, të cilët kishin ardhur me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare për të çliruar Plavën e Gucinë.

Në pragun e dimrit të vitit 1943-1944 nazistët gjermanë dhe çetnikët, të ndikuar nga rritja dhe zhvillimi i numrit të luftëtarëve në zonë, po organizoheshin për të sulmuar dhe shpartalluar pjesë-pjesë luftëtarët e të dy batalioneve, që zhvillonin veprimtari në malësi të Tropojës. Nga bashkimi i dy batalioneve u krijua aradha (grupi) “Bajram Curri” e “Perlat Rexhepi” me komandant Sadik Bekteshi. Forcat e batalioneve organizuan dhe kryen mjaft aksione rreth zonës së lirë, zhvilluan konferenca sqaruese me popullin dhe ngritën mjaft Këshilla Nacionalçlirimtare në fshatra. Kështu, si rezultat i kësaj punës sqaruese, malësorët u mobilizuan dhe nga fundi i nëntorit krijua batalionin e ri të Malësisë dhe e quajtën “Rinia”.
Konferenca e Bujanit dhe luftimet e batalionit
Në Malësinë e Tropojës u krijua një zonë e lirë dhe mjaft e gjerë, e cila u dha mundësinë përfaqësuesve të popullit të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit të mblidhen prej datës 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944 në Konferencën e tyre Nacionalçlirimtare. Kjo Konferencë e rëndësishme përcaktoi detyrat parësore dhe ato të së ardhmes të popullit kosovar. Rezolucioni i Konferencës shprehej se “Kosova e Rrafshi i Dukagjinit është një krahinë e banueme me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipninë. Prandaj e ndjejmë për detyrë me i tregue rrugën e drejtë që duhet me ndjekë populli shqiptar për me realizue aspiratat e veta. Rruga e vetme, pra, që populli shqiptar i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit të bashkohet me Shqipërinë asht’ lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjakësuer e rrogtarëve të tij, sepse kjo asht e vetmja rrugë për me fitue lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi me vetvendosë mbi fatin e tyre me të drejtën e vetvendosjes deri në shkëputje”. Në vazhdimin e operacionit të Dimrit të zhvilluar në mjaft krahina të tjera të Shqipërisë, më 14 shkurt 1944, rreth 4.000 nazistë dhe çetnikë sulmuan në befasi forcat partizane në rrethin e Tropojës. Luftëtarët ishin të vendosur në afërsi të katundit Degë dhe pjesa tjetër në malin e Dobrejt e në katundin Gri. Partizanët e batalioneve “Bajram Curri” dhe “Perlat Rexhepi” e filluan dhe e zhvilluan luftën të rrethuar në këtë zonë të pakalueshme nga bora e madhe dhe dimri i egër i vitit 1944. Luftime të ashpra u zhvilluan në qafën e Gashit, në Bujan, në Degë e në Gri. Në këto luftime nga ana e pushtuesit pati mjaft të vrarë e të plagosur, ndërsa nga radhët e partizanëve ranë në fushën e nderit Jah Salihi, Fahri Ramadani dhe Galdo Galderizi, partizan italian, si dhe pati të plagosur. Pas këtyre luftimeve të përgjakshme, forcat e batalioneve manovruan brenda zonës së Tropojës, ku një pjesë e luftëtarëve u përqendruan në zonën e Lumës dhe një pjesë në zonën e Gjakovës. Luftimet në këtë zonë vazhduan gjatë vitit 1944. 
Batalioni që u bë brigadë partizane
Ndërsa më 6 nëntor 1944, forcat partizane të Malësisë së bashku me forcat territoriale, bënë të mundur krijimin e Br. XXV S, e cila menjëherë u inkuadrua në radhët e Div. V Sulmues. Ky Divizion i UNÇSH mori pjesë në luftimet që zhvilluan forcat tona në tokat e Jugosllavisë, për shpartallimin e plotë të nazistëve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Brigada u mblodh në Astë-Tropojë, ku bënin pjesë rreth 900 luftëtarë të batalioneve “Bajram Curri”, “Rinia”, të Malësisë së Gjakovës dhe të Hasit. Komandant i brigadës u caktua Veli Doçi, zëvendëskomandant Çelo Arrëza, komisar Nuri Arapi, zëvendës komisar Spiro Pano, përgjegjës rinie Jovan Antoni dhe intendent Maxhun Nimani. Veprimet e para luftarake kjo brigadë i zhvilloi në Plavë e Guci. Më tej, brigada shkoi në ndihmë të Brigadës VI Sulmuese, e cila po zhvillonte luftime kundër forcave të ushtrisë hitleriane e reaksionit në Nikaj-Mërtur, Theth, Shalë e Shoshë. Ndërsa më 3 dhjetor 1944, brigada u përqendrua në Ferizaj dhe i shkoi në ndihmë Brigadës II Jugosllave të Kosmetit. Kjo ishte e rrethuar në Ferizaj nga forca të shumta armike. Pas disa orë luftimesh, Brigada XXV Sulmuese i shpartalloi armiqtë dhe e shpëtoi Brigadën II të Kosmetit nga shpartallimi dhe asgjësimi i sigurt. Bashkë me forcat e tjera të Divizionit V Sulmues, Brigada XXV Sulmuese luftoi në Sanxhak, duke zhvilluar beteja të ashpra kundër forcave nazistëve gjermanë. Luftëtarët e Brigadës, pas 12 ditë luftimesh të pandërprera kundër nazistëve gjermanë në qytetit Priepolje, e çliruan atë. Pas këtij luftimi të fundit në tokat e Jugosllavisë, Brigada u kthye në Kosovë dhe prej andej në Tiranë. Gjatë luftimeve për çlirimin e Atdheut, si dhe në tokat e Jugosllavisë ranë në fushën e nderit 53 partizanë të Brigadës XXV Sulmuese. Kanë kaluar vite nga ajo kohë dhe veteranë e pasardhës të tyre i kujtojnë dhe nderojnë këto data historike, sepse ndjehen krenarë dhe të vlerësuar që u rreshtuan në ballë të rezistencës antifashiste, për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj.
Sigal