RRËFIMI I HASAN HALILIT PËR MEHMET SHEHUN

Albert Z. ZHOLI

Si e vrau Mehmet Shehu italianin që e kishte pasur shok banke, në vitin 1942

INTERVISTA/ Flet ish-ministri Bujqësisë, Hasan Halili, ish-agronom në Kutë: Ju tregoj takimet me Mehmet Shehun, Hysni Kapon dhe vizitën e Enver Hoxhës në vitin 1970

Hasan Halili, ish-deputet i Partisë Demokratike dhe ish-ministër i Bujqësisë dhe për një vit ministër pa portofol në qeverinë Meksi, në vitet 1992-1997. Në këtë bisedë ai sjell kujtimet për vitet e jetës së tij, emërimin në Kutë të Mallakastrës si agronom, takimet me Mehmet Shehun, Hysni Kapon dhe vizitën e Enver Hoxhës në vitin 1970 si dhe takimet e shumta me Pirro Gushon-sekretari i Partisë së Fierit. 

Ku ju emëruan kur mbaruat shkollën e lartë?
Me mbarimin e shkollës së lartë bëmë zborin gjashtë mujor për oficer në Burrel, dhe e mbaruam atë më 28 gusht 1968. Vajta në shtëpi dhe pas tre-katër ditësh ika në Fier. U paraqita në Komitetin e Partisë së rrethit, që i kishte në nomenklaturë për emërim specialistët e lartë. Më emëruan në kooperativën bujqësore Kutë-Drizar, në rrethin e Mallakastrës. Unë nuk kisha kaluar ndonjëherë andej dhe nuk dija ku ishte dhe ç’pozicion gjeografi k kishte, por për Sevasterin e Vlorës isha i orientuar. Disa specialistë të njohur fierakë, kur u thashë ku më kishin emëruar, më uronin dhe me shumë kujdes, për të mos më dekurajuar, më thoshin se, atje shumë agronomë kishin dështuar e ikur pa e mbaruar detyrën. Kjo kishte ndodhur, sepse banorët ishin shumë të vështirë në të komunikuar me ta. Ata ishin edhe shumë ironikë me të panjohurit. Më 4 shtator 1968 u nisa me autobusin e vetëm, që vinte në Fratar, qendra e lokalitetit, i cili ishte 50 km larg, me rrugë gjithë kthesa dhe relativisht malore. Bujqësia ende nuk kishte hyrë në rrugën e mekanizimit dhe modernizimit. Problemet ishin të shumta. Sektori i dytë, ku shpërdorohej paraja e kooperativës ishte ujitja. Ishte një rezervuar që vadiste edhe Çorrushin, po ne kishim kryesorin. Rezervuari i bërë në lagjen Bregas të Çorrushit ishte me 1.8 milionë m3 ujë kapacitet ujë mbajtës. Me këtë kapacitet ujiteshin një herë të vetme rreth 1500 ha., kur ne, tokë nën ujë kishim rreth 300 ha. Shpenzimet e ujitjes në vitin 1968 ishin rreth 10 milionë lekë, ndërsa në vitin 1969, paguam rreth 3 milionë lekë. Përfaqësues i drejtorisë së ujërave në kooperativë ishte Duro Kapaj nga Drizari, me njohuri të kufizuara për punën, por shumë korrekt në harxhimin e ujit për nevojat tona. Rendimentet u rritën në misër, grurë, duhan, ullinj etj. Të gjithë këta faktorë çuan që në fund të viti 1970 ne ta çonim vlerën e ditës së punës 80 lekë dhe të shlyenim të gjitha detyrimet ndaj shtetit prej 11 milionë lekësh. Në prill të vitit 1969 në gjithë Mallakastrën ra një tërmet. Më shumë dëme u bënë në fshatrat Ninësh, Gadurov, Cërril, por dëme bëri edhe tek ne. Qeveria qendrore dhe ajo lokale, ngritën me shpejtësi brigadat e rindërtimit të shtëpive, riparimit të objekteve shoqërore, stallave etj. Grupin nga Tirana e drejtonte Salë Verdha, një njeri që njihte humorin dhe të shumat e problemeve i zgjidhte me humor. Në këtë periudhë, çdo natë behej mbledhja e hapët e organizatës së partisë, ku na thërrisnin edhe ne. Kishte ndonjë banor që donte të fitonte edhe padrejtësisht, ndërtim apo riparim, e duhej kujdes me ata për t‘i bindur. Në Kutë ishte një partizan i Brigadës I Sulmuese, luftëtarë i çartur, i sëmurur në Luftë nga mushkëritë dhe merrte pension goxha të madh nga kjo. Atij i kishin bërë edhe shtëpitë dy –tre vjet përpara nga shteti. Ai vetëm me një çarje në cep të shtëpisë kërkonte ta bënte të gjithë shtëpinë nga e para. Në organizatë të partisë filloi të bërtiste e të kërkonte që patjetër t’i bëhej shtëpia nga e para në të kundërt do të ankohej, në parti, në komitet të partisë të rrethit, tek Mehmet Shehu, në komitetin qendror tek shoku Enver, bile edhe tek Mao Ce Duni. Deri tek Enveri ne rrinim seriozë, por kur përmendi edhe Maon, ia dhamë gazit edhe kështu u mbyll dhe ankesa e Skënder Shehut.

Në tetor të viti 1970, vjen Enver Hoxha në Ninësh, si u prit, çfarë tha?
Në tetor të viti 1970, vjen Enver Hoxha në Ninësh, për inaugurimin e fshatit të ndërtuar nga e para që iu vu emri, “Fshat socialist”. Mitingu ishte madhështor. Mua, banorët e fshatit më thoshin, ik takoje. Ku të veja unë? Edhe ajo më duhej, kështu që unë qëndrova midis nxënësve të fshatit Kutë, me të cilët bëja ndonjë shaka për moshën e tyre dhe që ata e pëlqenin atë. Kështu u mbyll edhe kjo detyrë e vënë nga partia për eliminimin e pasojave të tërmetit. E thashë me lart se kryetar ishte Naim Zeneli, nga Kuta, një burrë, që nuk e njihte bujqësinë pothuajse fare. Ai pati një të mirë shumë të madhe në metodën e punës së tij: Për të gjitha gjërat mbështeste specialistët dhe nuk i linte ata të ballafaqoheshin me organizatat partisë, këshillat apo anëtarët e kryesisë së kooperativës. Vuante nga sëmundja e gjumit, që ndonjë që nuk e njeh e tall atë që e ka, po ajo është sëmundje si gjithë të tjerat. Ne e anashkalonim këtë defekt fizik të tij, defekt që ia njihte edhe rrethi dhe e toleronte. Për aq kohë sa unë punova me të, nuk kam konstatuar ndonjë shenjë përvetësimi të pasurisë. Naimi kishte një vëlla, që punonte direkt në punë krahu, që jo vetëm ishte punëtor, por edhe i sinqertë. Ndikonte pozitivisht tek cilido që kishte pranë. Më 1 nëntor 1971, me rastin e fillimit të kongresit aksionin për mbledhjen e misrit edhe nëpër shi, unë, Qani Myslymi, përgjegjësi i sektori Kutë, Temo Skëndua përgjegjësi i sektorit Drizar, vemi në aksion. Ç’të shikonim, kishin ardhur 30 % e anëtarëve të partisë, 50 % e anëtarëve të kryesisë, dhe rreth 20 % të këshilltarëve që duhej të vinin. Nga që terreni ishte shumë i keq, shi binte vështirësitë ishin të mëdha, ata që duhej ta drejtonin (anëtarët e partisë të fshatit) nuk ishin. Morali ishte zero. U detyruam te tre të fillonim vetë punën. Ngarkonim misër në krahë dhe u bëmë baltë nga koka tek këmbët. Brenda orës 1200 e mbaruam dhe ikëm në shtëpi. Unë, një fëshfëshe që kisha veshur, ia dhashë një gruaje dhe ma lau e ma ktheu të tharë. Kur panë fshatarët që u futëm ne, e vazhduan punën me inat dhe nuk dallohej më kush ishte drejtuesi e kush punëtori. Të revoltuar nga qëndrimi i tyre, në dhomën time u mblodhëm, unë Qaniu dhe Temua, dhe vendosëm të bëjmë një fletë-rrufe për anëtarët e partisë, këshilltarët dhe anëtarët e kryesisë, që nuk erdhën në aksion ditën e fillimit të punimeve të kongresit. Flet-rrufeja, ra si bombë në opinion, por populli u gëzua shumë, ndërsa dembelët filluan sherrin me Temon e Qaniun, që si u bashkuan ata me një jo anëtar partie, bile edhe me hije në biografi , e të bëjnë fletë-rrufe për anëtarët e partisë. Debati, vazhdoi gjatë, sa detyroi komitetin e partisë së Fierit të vinte në mbledhjen e popullit, që u bë në terren, ku punonim për mbjelljen e ullinjve në Zhupanat. Nga komiteti i partisë erdhi sekretarja për bujqësinë Naunka Bozo, që ishte e njohur mirë me intrigat në kooperativë. Ajo na mbështeti ne, dhe u vuri kufirin tek “thana” dembelëve dhe formalistëve. Ky veprim dhe kjo mbështetje rriti autoritetin e drejtuesve të kooperativës. Ky veprim më prezantoi edhe mua më shumë tek autoritetet e Fierit dhe personalisht tek Pirro Gusho, sekretar i parë i rrethit, një burrë shumë punëtor, i pa korruptueshëm dhe më shumë se ç’duhej, hijerëndë për detyrën e tij. Unë nuk kishte javë të mos merrja pjesë në mbledhjet e brigadës traktoriste, që drejtohej nga Sali Xhaferi. Mekanikën e kishim të pakët, pjesët e ndërrimit të kufizuara, profesionist kishim pak, nevojat për mekanizim rriteshin nga dita në ditë. Megjithëse bënim debate me Saliun në mbledhje, për mungesë korrektese nga ana e tij, për detyrat që merrte, ai asnjëherë nuk e mori atë personale dhe si kundërvënie ndaj tij, por thjesht për të plotësuar nevojat e punës në kooperativës. Drejtor SMT-je (stacioni i makinave dhe traktorëve) ishte Sifi Prifti, që merrte përsipër shumë gjëra e nuk bënte asgjë. Kjo më detyroi të vete tek Tashko Lakua, gazetari i gazetës “Bashkimi” për Fierin dhe t’i kërkoj të shkruajë për këtë fakt. Më kërkoi ta shkruaja me dorën time si edhe ta firmos, dhe të nesërmen u botua tek gazeta. Kjo e tronditi Sifin se shkruhej për fshatin e Mehmet Shehut, e nuk bëhej shaka. Brenda javës na solli katër traktorë DT- 54 dhe 75, të cilët i dhanë një frymëmarrje punëve tona, por u rrit edhe prestigji tim para brigadës traktoriste.

Mehmet Shehu, kishte ardhur në Çorrush për herë të fundit në vitin 1964
Mehmet Shehu, kishte ardhur në Çorrush për herë të fundit në vitin 1964, vit i madh krize për të cilën i ankoheshin moshatarët e tij dhe ai deklaroi, se nuk do të shkelte më në kooperativë në rast se nuk përmirësonin gjendjen. Ai nga larg e ndiqte ecurinë e kooperativës dhe për të marrë të dhëna më të sakta në vitin 1972 dhe 1973, nëpërmjet së shoqes, Fiqerete Shehut, që ishte drejtoreshë e shkollës së partisë, nisi studentët e kësaj shkolle për “punë” në prodhim nga 15 ditë. Vinin rreth 10-15 veta të fushave të ndryshme, filozofi , ekonomi, kulture etj. Drejtohej ekipi nga Munir Çomo, Zv. Drejtor i shkollës së partisë, nga Libohova e Gjirokastrës, një burrë shumë i komunikueshëm me të gjithë. Kur kishin pushim rrinin në dhomën time e bënin debate, në të cilat unë nuk futesha se ishin delikate për kohën. Kur mori vesh nga isha, Muniri më thotë: Në fshatin tuaj më janë vrarë dy vëllezër, njëri 18 e tjetri 17 vjeç partizanë. Nëna na thoshte merrini nuset nga të doni, po nga Dukati –jo! Çuditërisht vëllait tim, i ra që të merrte gruan nga Dukati, Alema Mëhillin, motrën me baba të kunatit tim Qemal Mëhilli. Me atë, më thotë Muniri, nëna shkon shumë mirë. Studentët, merrnin pjesë në të gjitha aktivitetet, si partie, këshillash, kryesie, brigadash, rinie, shkolla, nëpër shtëpia, e kudo mbanin shënime, që në fund ia përcillnin komitetit të partisë së rrethit dhe drejtoreshës së tyre Fiqiretit, që me siguri ia përcillte Mehmetit. Ndërkohë unë isha takuar me të dy vëllezërit e Mehmetit, Arshiun, që banonte në Fier dhe Duron që banonte në Tiranë dhe ishte komisar i aviacionit të Shqipërisë. Më kishin folur me dashamirësi dhe më kishin inkurajuar në punën time. Kur në fund të vitit 1971, vlefta e ditë punës arriti 105 lekë dhe u shlyen të gjitha detyrimet e trashëguara nga Çorrushi, ekonomia mori frymë dhe filloi të mendohej për më tej. Në fund të vitit 1972 vlefta e ditës së punës arriti 130 lekë dhe u sigurua fond i garantimit të pagës na lindi e drejta morale të ftonim kryeministrin e vendit, birin e Çorrushit për vizitë. Për këtë, pas konsultimeve me komitetin e partisë, u formulua dhe iu dërgua një letër, ku vihej në dijeni për arritjet dhe çfarë parashikonim për të ardhmen dhe në fund, i bënim ftesën për të na vizituar kooperativën. Ai e pranoi atë, por me një letër na e la, që, do ta caktonte kohën më vonë. Me atë letër në çantë, unë shkoja ndërmarrje më ndërmarrje, që të na ndihmonin për të zgjidhur problemet, që kishim e në kushte normale nuk na i zgjidhte njeri. Çdo ndërhyrje, që bëhej shtonte të ardhurat, pakësonte shpenzimet. U pajisëm me dy makina transporti, aq të nevojshme për distancën tonë nga Fieri. Në vitin 1974 na erdhi, lajmi, jo zyrtar që kryeministri sivjet do të vinte, pa na thënë datën. Me ndihmën e të dy komiteteve, të partisë dhe ekzekutivit, përgatitëm tabela pas tabelash me të dhëna dhe me to u pajisëm të gjithë, që të ishim në një mendje për çdo gjë që do të raportonim. Këto i kishte edhe rrethi. Një javë para ardhjes në kooperativë Pirro Gusho, pothuajse vinte çdo ditë merrej me detajet më të vogla të pritjes. Për zyrë adaptuam një klasë të shkollës, në Çorrush, në një klasë bëmë gati një dhomë për fjetje, zyrën e drejtorit të shkollës Kutë e bëmë WC, të cilën e përdori një herë vetëm Fiqeretja, po duhej ama. Për këtë detaj të pavlerësuar nga ne, mendjen na e dha Pirrua. Përcaktuam pozicionet e vendosjes së njerëzve, sipas detyrave dhe pëlqimit të mikut, që i merrnim me mend. Pirro Gusho pati rolin e madh të mbarëvajtjes së kësaj vizite. Më 31 gusht 1974 ora 9.00 mbërrin në kooperativë Mehmet Shehu, Fiqret Shehu, dy djemtë e tyre i madhi dhe i vogëli, me eskortën e shoqërimit të tyre si edhe Pirro Gusho dhe nënkryetari i rrethit, Myrteza Sinoimeri, nga Gjirokastra, në vend të Myzafer Trebeshinës, kryetarit të komitetit, që kishte një detyrë të vënë nga vetë kryeministri dhe nuk mund të vinte. Pas kaq vjetësh të mburresh e të thuash që nuk u kënaqëm për vizitën do të bënim hipokritin dhe disidentin pa qenë të tillë. Kishte dalë gjithë populli i Kutës dhe Drizarit në pritje në Kutë. U futëm në zyrën e sajuar, në krye Naimi, anash djathtas Mehmeti, më poshtë, Fiqereti, Xhevati, Myrteza Sinoimeri, nënkryetari i rrethit, ndërsa në krahun tjetër, majtas Naimit, Sadik Jonuzi nga Bregasi i Corrushit një moshatar, që e pëlqente Mehmeti, e vinin me radhë, Pirro Gusho, sekretari i parë, kryetari i këshillit të bashkuar, kryetarja e gruas e frontit, rinisë etj, në një stol mbrapa tyre ishte djali i madh dhe i vogli i Mehmetit, unë etj. Filloi Mehmeti, pas përshëndetjes, të pyesë Naimin për kooperativën, ai filloi të fliste shumë i emocionuar dhe, pse të mos themi edhe i trembur, nga hija e rëndë e tij dhe nga nami i hapur si njeri i ashpër. Në një moment e pyet: “kryetar, sa dhi mund të mbajnë kullotat e fshatrave tuaja?. Naimi, ngeci u hutua u skuq dhe nuk po përgjigjej. Hë mo xha Sadik, i tha, sa thua ti? Po, i thotë ai rreth 3000-3500 krerë. Aq mendoj edhe unë, tha kryeministri. E mirë, i tha Naimit, kryetari nuk duhet të dijë të gjitha, po ja pyet këta të moshuarit dhe i gjen këta treguesit, megjithatë vazhdo. Naimi, pësoi spazmë në grykë dhe humbi mundësinë e të folurit. U krijua një skenë pak e sikletshme për të gjithë ne. - Hë mo, fol! – I tha. Ai hiç. Ndërhyri sekretari i byrosë. Mehmeti i thotë, tani me inat: - pusho ti! M’u drejtua mua: - hë mo na fol ti agronom, se kryetari u hutua! U ngrita më këmbë. - Ulu, - më tha, - fol ulur. - Jo, - i thashë, - jo që jini mik, por edhe më i madh nga unë, kështu që do të flas më këmbë. Sa pa filluar unë më pyet: - Nga je? Ëhë, thashë me vete filloi drama ime. - Nga Vlora, - i thashë. – Po le ato, - më tha, - po nga cili fshat i Vlorës? - Nga Dukati, - i thashë. - Ore, mos e ke shtëpinë atje ku më futën shtatë plumba në këmbë të pantallonave mua? - Edhe dy në kapotë, - i tha Fiqereti. - Jo i thashë, e kam tek rruga Vlorë – Llogora, para se të futesh në pyllin e Llogorait. - Se mos më gënjen, - thotë prapë. I them: “gënjeshtra 40 ditë e ka për këdo, ndërsa për ju e ka 4 minuta, kështu që nuk mund të gënjej”. Qeshi,i bë qejfi me përgjigjen dhe unë fillova të flas. Vazhdova hollësisht. Më thotë: - po, i kam parë nga aeroplani ato kanalet, po atje pse kini mbjellë qepë, sikur nuk shkon qepa atje se është fushë? - Jo, - I them, - nuk janë qepë, janë presh. - Aa po, po, dakord, vazhdo! Pirro Gusho, nga prapa trupit të xha Sadikut, me dorë ma bënte: - Vazhdo, vazhdo fol! Unë vazhdova deri në hollësi e kur mbarova, i them që në rast se ju duhet më shumë për ekspozenë e bërë, jam gati. - Jo jo! - thotë, - mjaft, po dua të di kush janë më mirë: këta dajot e mi të Sevasterit apo ju? (ne dajot i kishim thirrur vetë në takim, po në të njëjtën kohë kishim marrë të dhëna edhe nga Sevasteri). Ata menjëherë thonë që ne marrim 150 lekë për ditë pune ndërsa këta 140 lekë, pra jemi më mirë. - Po, - i thashë, në pamje të parë kështu të krijohet përshtypja, por treguesit e tjerë na nxjerrin neve më mirë nga të ardhurat për krahë pune dhe për frymë popullsie në vit, - dhe krahasova të dhënat e tyre me tonat. - Hëë, mo! - u tha, - i jepni përgjigje!Ata heshtën e pranuan rezultatet. Me të gjitha këto shpjegime që dhashë, unë kuptova që ai ishte kënaqur. Vemi lart Mapo-s ku ishte mbledhur populli i të dy fshatrave. Rrugës diçka më tha për ullirin dhe unë e kundërshtova teknikisht. - Ikë more, - më tha, - se ju për dhi dini!- e qeshi. Në mbledhje foli gjatë sidomos për grupin “armiqësor” të Beqir Ballukut, që për fat të partisë ishte i vetëm. Kur iku ai, i them Xhevatit: “I vetëm të jetë ai grupi?” - Rri o rehat ti apo do ndonjë gozhdë, - më tha Xhevati. Aty foli shumë ashpër për italianët dhe deklaron me gojë të tij që ju e dini se në shpellë të lakuriqit në Kremenar, unë kam therur ne dorën time 300 italianë. M’u ngjeth mishtë, me këtë deklaratë.

Tregimi i Selam Karemanit
Megjithëse, mua më kishte treguar këtë Selam Karemani nga lagjja Bregas i Çorrushit, që fliste hapur me mua kur ishim vetëm dhe nuk gënjente kurrë. Në vitin 1942, kur u bë lufta në Selenicë, italianët u dorëzuan dhe një italian kishte kërkuar ta çonin tek shtëpia e Mehmet Shehut. Ky e kishte shok që në akademi dhe familja e tij e kishte mbajtur Mehmetin me muaj në mos me vite në shtëpi. Partizanët e marrin oficerin me një skuadër ushtarësh dhe e çojnë në Çorrush tek Shehu, që e dinte rolin e familjes së këtij italiani. Shehu e priti si djalin e tij deri sa erdhi Mehmeti, me të cilin u puthën e qafosën si u takon dhe atij i lindi shpresa se do ta shpëtonte shoku. Pas dy tre ditësh, vjen një letër nga Ballshi. Mehmeti urdhëron skuadrën të marrë italianët në një përrua pranë shtëpisë i vë në rresht dhe jep urdhër për zjarr. Partizanët, duke e ditur raportin e tij me oficerin, të gjithë i vrasin, oficerin, jo. Atëherë Mehmet merr pistoletën dhe e qëllon në ballë shokun e klasës dhe pastaj ulet në një gur e vë duart në kokë. Vajti i ati, Shehu, e i thotë: Ç’bëre more djalë, do të zërë buka që u ke ngrënë këtyre njerëzve, si e vrave shokun?! Ai, në lot e sipër i thotë të atit: I kam dhënë besën Yllit. Dhe ashtu si e parashikoi Shehu, në vitin 1981, Mehmet Shehu kryeministri i Shqipërisë për gati 30 vjet gjendet i vrarë dhe minimalisht as autopsia nuk iu bë, po u varros si njeri pa identitet. Këtë tregim të xha Selamit e dëgjova pas vitit 1990, kur Selami nuk jetonte më, nga të tjerë çorrushiotë me të njëjtën përmbajtje. Pasi u mbyll mitingu, që të jem i sinqertë, që ishte shumë entuziast, Mehmeti takoi shumë moshatarë, me të cilët këmbente shaka e kujtime nga periudha e Luftës, pastaj vajtëm për drekë në një klasë të shkollës, në të cilën morën pjesë rreth 30 veta, të ulur këmbëkryq në shilte, që i kishim marrë nga familjet e Kutës. Dreka qe me shumë dashamirësi dhe në një moment Qani Myslymi, nga Kuta ia mori këngës: Mehmet Shehu, të na rrojë ... Kënga vajti “gjym” dhe ai u kënaq shumë, sa që e hodhi kapelen republike në mes të sofrës dhe këndoi edhe vetë. Në Mallakastër secili duhet të marrë mirësi me një gotë raki, kështu që edhe unë megjithëse isha nga fundi i shtëpisë, duhet të merrja, po të merrja me nivelin tim jo, me autoritete. Gjej me gotë shoqëruesin e Mehmetit, Ali Cenën, me origjinë nga Gjirokastra dhe rritur në Krujë. Ai rastësisht e kishte gotën bosh dhe këtë e pa shefi i tij që i tha: - Të gjeti jo në gatishmëri! Qeshëm!... Vazhdoi dreka pa ndonjë gjë të veçantë, veç përsëri diskutuam një temë bujqësore dhe unë si i ri e kundërshtova nga ana teknike e përsëri më thotë: Ik ore, se ju për dhi dini. Pas drekës ai iku në Çorrush ndërsa Pirro Gusho pushoi tek dhoma ime. Unë çuditesha me Pirron se para kryeministrit rrinte si ato nuset në kohë të Turqisë para vjehrrit dhe këtë ia thashë Xhevatit, me të cilin bisedoja pa droje. Xhevati më thotë, që e ka nga periudha e Luftës këtë respekt, po koha tregoi se të tjera arsye e detyronin të rrinte ashtu. Në Çorrush filloi takimi me banorët, që kishin mbushur lëndinën pranë shkollës, me burra, gra fëmijë, të rinj e të reja, të pa organizuar për të ardhur, po kishin ardhur vetë. Në Çorrush në këtë kohë përgjegjës sektori ishte Tafil Velikaj, nga një lagje e fshatit me emrin Shullënjas, i cili nga partia shikohej si me dyshim se i ati nuk e kishte përkrahur Luftën, bile dashakeqësit thoshin që e ka luftuar atë. Në presidium ishte Naimi, si kryetar dhe Xhevati e të tjerë kuadro. Mbledhjen duhej ta drejtonte Naimi. Po ai vazhdoi të ishte i bllokuar nga të folurit dhe përsëri krijohet një situatë që askush nuk mund të ndërhynte. Mehmeti i thotë dy herë Naimit të drejtonte mbledhjen, po ai heshte. Mehmeti u revoltua dhe thotë: “ka një djalë nga Çorrushi të drejtojë mbledhjen apo jo?” Xhevati ndërhyri menjëherë, që ishte dashamirës për Tafilin dhe i thotë: “Kemi përgjegjësin e sektorit, - dhe thirri Tafilin, që erdhi në presidium e Naimi iku e rrinte më këmbë mbrapa. - I kujt je ti? - i tha, kryeministri? - I filanit, - i tha Tafili. Atëherë Mehmeti thotë: - Babai i këtij nuk ka qenë me armë në dorë në luftë, po ne, jo vetëm nuk na ka penguar, por edhe na ka ndihmuar. Po si janë punët në fshat, krijohen situata të paqena, kështu që, më bëhet qejfi, që ky djali është përgjegjës sektori.

Tafili filloi të drejtojë mbledhjen me shumë kompetencë, duke dhënë e ndërruar fjalën folësve. Në fund e mori fjalën edhe kryeministri, që iu kujtoi bashkëfshatarëve vuajtjet e Luftës, përpjekjet për ngritjen e ekonomisë, foli gjatë kundër Bektash Haxhiut, personit që sipas xha Selamit e kishte çuar në shkollën teknike Mehmetin. Para darke unë u them dajove të Mehmetit, që ishin për darkë, që të gjejnë mënyrën të më ndihmonin të transferohesha nga Kuta. Ata, si mjeshtra të zakonit, në një moment marrin një mirësi për mua dhe thonë: “po e marrim këtë mirësi për këtë djalin nga krahina jonë, që të vazhdojë të ketë suksese, po edhe këta Mallakastriotë, të mendojnë se na duhet edhe ne, se shtëpia nuk mbahet me miell hua”. Mehmeti mori gotën, u mendua ta pijë apo jo, për arsyet që dihen dhe pastaj vendosi ta pijë, edhe t’u përgjigjej edhe dajove dhe thotë: “Ta gëzojë Hasani, pa për atë tjetrën ne Mallakastriotët jemi mësuar me miell hua”. Kjo i vu kapak punës së transferimit tim edhe dy vjet të tjera.

Nesër do të lexoni: Hysni Kapo në Gjirokastër njofton kuadrot e takohen në Fratar
Në fillim të vitit 1975, u godit grupi “armiqësor” i naftës