RRETHI ITALO-SHQIPTAR “SKANDERBEJ”

1721
Prof. Ass. Dr. Spiro Mëhilli

( Marrë nga libri i autorit Spiro Mëhilli: “Arti i Shtatë në Tiranë” )
Më 6 janar 1939 filloi ndërtimi i Rrethit Italo-Shqiptar “SKANDERBEJ” nën patronazhin e Naltë të “Zog I”, Mbret i Shqipërisë. Punimet u ndoqën nga Ministri Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Ministri i Italisë në Tiranë. Kryesia që u krijua, u ndihmua nga një Këshilli Konsultues italo-shqiptar prej 24 vetësh, t’emëruar nga kryesia. Selia qendrore shtrihej në një truall prej afro 13000 m2 nga të cilat 7000 m2 të mbuluara nga godina, ndërtesa dhe instalime të ndryshme. Punimet u kryen nga firma “Pater” e Milanos.

Në vitin 1940 përfundoi Kompleksi ITALO-SHQIPTAR “SKANDERBEJ” ose CIRCOLO ITALO-ALBANESE “SCANDERBEG”, me drejtor të përgjithshëm kontin Valentini. Kompleksi përbëhej nga KINEMA-TEATËR “SAVOIA”, vlerësuar e kategorisë së parë. Salla kishte kapacitet për 800 shikues. Aty do të shfaqeshin filma dhe pjesë teatrore, opera, opereta e koncerte. Ndërtesa kishte një sallon të madh e të bukur, për ndenjen e publikut gjatë kohës së blerjes së biletave e ku grumbulloheshin për t’u futur në sallën e dytë, që shërbente për kohën e pushimit. Ajo kishte gardërobën në të djathtë, dhe tualetin në të majtë. Dyshemeja, ishte e shtruar me pllaka të bardha, nga 12 copë që rrethoheshin me pllaka të zeza. Në ballë vinte hyrja e mbyllur me dyer të veshura me xhama akulli, dhe mbi to, një ballkon, ku paria mund të hidhte vështrim mbi ata që vinin. Po ashtu ishin dhe dy dyer të tjera, më të vogla, dhe ato me xhama akulli, që shërbenin për të hyrë në sallën kryesore. Në vend të dukshëm, ne ballë të sallës, vendoseshin postera të filmit që shfaqej, dhe anash, posterat e filmave që prisnin radhën. Anash ishin shkallët që të çonin në tri katet e lozhave, ku çdo kat përbëhej nga dhoma të vogla, përjashto pjesën qendrore në katin e dytë, që ishte për drejtuesit e shtetit. Karriget ishin kolltukë të veshur me kadife ngjyrë tulle. Poshtë ishte salla, dhe ajo me kolltukë të veshur me damask, ku hapësirat anësore mbylleshin me perde të trasha. Në ballë, ndodhej skena. Përbri ndërtesës që përshkruam, ndodhej një ndërtesë e dytë, me të njëjtën pamje nga jashtë, e ku kishte salla për pritje, bibliotekë, klub, bufe, sallë vallëzimi dhe sallë lojërash. Aktualisht funksionon si Teatër Eksperimental “Kujtim Spahivogli” Të dy ndërtesat lidheshin me ndërtesë një katëshe, që shërbente si palestër e gjimnastikës. Përballë kësaj ndërtese e në mes te dy ndërtesave të para, ndodhej pishina me madhësi 25 dhe 10 metra dhe me thellësi maksimale 3 metra. Kinemaja u promovua më 10 mars 1940 me filmin italian “Un aventura di Salvador Rosa”, i ENIC. Interpretonte artisti i njohur Gino Cervi. Më pas filluan të shfaqen filma artistikë e dokumentarë. Nuk mund të lë pa përmendur filmin dokumentar “Fitore në Perëndim”, që u shfaq njëherësh edhe te Kinema “Rex” më 10 qershor 1941, i quajtur film i madh lufte; ose filmat: “Nuk të njoha më”, me Vitorio de Sica; “Njerëzit nuk janë mosmirënjohës”, “Dua të rroj”, me Letician. 

Me 10 tetor 1941 Kinema-Teatër “Savoia” u mbyll për restaurim dhe u hap më 2 dhjetor po të atij viti. Fatkeqësisht në shkurt të vitit 1942 ra zjarr dhe ndërtesa pësoi dëme të mëdha. U punua natë e ditë dhe më 13 maj ajo u hap për artdashësit me filmin “Zinxhirë të padukshëm”, që mbetet një nga kryeveprat e kinematografisë italiane, ku spikati loja plot sharm e Alida Vallit.

Më pas janë shfaqur “Instinkti”, me Alen Baxer dhe Jacqueline Welles, film që u shqërua me dokumentarin LUCE “Konferenca e Salsburgut”, mbi takimin e Adolf Hitlerit me Benitto Mussolinin; “Tereza Venerdi”, me Vitorio de Sicca dhe aktoren me origjinë shqiptare, Ana Manjani; “Përpara ka vend”, që nga shtypi i kohës u quajt më i madhi i stinës e me kërkesë të publikut u përsërit disa herë. Ai u shoqërua me dokumentarin “Orvajtja Angleze për të zbarkuar në Tobruk”, dokumentar, që i bënte jehonë fitoreve të momentit, të ushtrisë italo-gjermane, pa e ditur se kush do të ishte fundi i tyre; dokumentari Nr. 304 i LUCE, mbi “Manifestimin e XXX-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”; “Follia del seccolo”, me Paola Barbara; “La milizia territoriale”, me Leda Gloria; “La gloriosa avventura”, me Gary Cooper; “Oltre l’amore”, me Alida Valli dhe Amadeo Nazzari; “Tosca”, me Michel Simon; “Vendetta”, me Boris Karloff.

Kinematё, pёr shikuesit e tyre tё rregullt, aplikonin dhe hyrje pa bileta nё ditё tё caktuara tё javёs. Duke parë kërkesat nё rritje, nga 1 maj i vitit 1942, drejtoria e Kinema-Teatёr “Savoia”, ashtu si dhe simotrat, pezulloi të gjitha hyrjet gratis për ditën e parë të shfaqjes, ditëve të festave dhe të dielave, sepse kishte kërkesa të shumta. 

Filmat vazhduan me “Mbrapa fasadës”, “Pushtimi i ajrit”, “Tre vajzat e shkathta rriten”, me Deanna Durbin; “Princesha e Çardashit”, film i kompanisë italo-gjermane të operetës R.O.S.E.S. Nr. 1, operetë me tre akte e Kalmann; “Ponte dei sospiri” (Ura e psherёtimave) me Paola Barbara, O. Toso, E Spala; “E çmendura prej grimit”, ku interpretoi regjizori dhe aktori i madh italian Vittorio de Sica, me Maria Denis, aq popullore në vendin tonë; “Njeriu fantazëm”, “Jashtë shërbimit”, “Pietorja e kuqe”, me Alida Vallin dhe Oreste Bilancia; “Gjithçka mbaron në perëndim”, dhe “Zambaku i përgjakur”, me të madhin Zhan Gaben e Madlen Renaud; “Un mare di guai” (një det me halle), me Umberto Melnoti dhe Junie Astar; “Tamara”, me Vera Korena dhe Viktor Francen, film i LUCE; “Deliri”, “Armata e qiellit”, “Erë milionash” dhe “Primo Karnera”, me ish kampionin botëror të boksit; “Vajza nga Venecja” me Carol Ninol dhe Roberto Rey; “E bukura e Sidneit” dhe “100000 dollarë”, me Assia Noris dhe Amadeo Nazzari; “Dritë në errësirë”, me interpretimin e përsosur të Alida Valli dhe Fosco Giochetti, shoqëruar me dokumentarin LUCE mbi manifestimin e XXX-të të pavarësisë shqiptare; “Virgjëresha e liqenit”, kryevepër e kinematografisë hungareze, ku spikati loja e bukur e Pal Javer. Drejtor i kinemasë ishte Koço Janku me bashkëpunëtorë Medin Kamber Bego. Medin Kamber Bego nё vitet 1929 ose 1930 kishte shkuar për studime në Itali, në Universitetin e të Huajve, në Peruxhia, ku kaloi kursin e gjuhës italiane dhe më pas mbaroi studimet për gazetari. Në vitin 1931, që kur ishte student, intervistoi aktorin tonë me famë botërore, Aleksandër Moisiun. Ishte djalë i qeshur e plot humor. Në vitet e studimit, merrte pjesë aktive në jetën artistike të Universitetit. Ja se çfarë shkruante gazeta “ORA” e datës 29 gusht 1933, Nr. 72: “Pak kohë më parë në qytetin Peruxhia t’Italisë, Universiteti i të huajve çfaqi për autoritetet dhe publikun dy komedi të Carlo Goldonit. “La Locandiera” (Zonja e bujtinës. S.M.), dhe “Il poeto fanatico” (Poeti fanatik. S.M.). Në këto dy shfaqje interesante morën pjesë studentë dhe studente prej kombësive të ndryshme, sipas zakonit që ndiqet çdo vit. Veç këtyre, programi i asaj nate gazmore përmbante dhe valle e këngë të bukura që bënë publikun shumë të kënaqur, duke siguruar duartrokitje të nxehta e të parreshtuna gjatë çdo akti. Rolin kryesor, atë të kavalierit, në komedinë “La Locandiera” ose Hanxhesha, e luajti studenti shqiptar Medin Kamber, i cili me aq pasion dhe kujdes e kishte përgatitur pjesën e tij, saqë e luajti fare mirë, njëlloj me studentët më të përgatitur në kësi shfaqjesh e sidomos në atë të shekullit XVII, ku jo vetëm kostumet ndryshonin por ndryshonin dhe zakonet bashkë me mentalitetin e popullit”. Korespondentët e gazetave “Il giornale d’Italia” dhe “Il popolo di Roma” shkruan mjaftë fjalë të mira për suksesin e Kamberit. Ai rrolin e luajti përkrah një studenteje nga Malta. Në vitin 1933 Medin Kamber arriti tё intervistonte artisten Sandra Ravel, për të cilën artdashësit italianë linin kokën. Ajo kishte luajtur në SHBA për Shoqërinë Kinematografike “Paramount” dhe kur nuk xhirohej në filma, interpretonte në teatër apo në cirk si balerinë ose akrobate. Gjatë kohës që ata bisedonin kishin arritur në Osta e tё lodhur pas njё rruge prej 90 km, qëndruan në një kafene. I zoti i lokalit në gramafon kishte vënë valsin nga filmi “Paradiso”, që Sandra Ravel e kishte kënduar. U kthyen natën dhe ndaluan në rrugën përballë Bazilikës së “Shën Pjetrit”. Fjalët e ndarjes ishin: “Kur do takohemi?”; “Vitin tjetër do të vi në Shqipëri së bashku me një nga filmat e rinj që do xhiroj në Francë!”, – qenë fjalët e saja. Ai intervistoi dhe Lilian Deyrsi; Kay Francis, artisten amerikane që ka pasur sytë më të bukur dhe më të mëdhenj nё botë, sikundër ishte cilësuar, (e cila i dërgoi revistës “KINO-SPORT” fotografinë e saj me mbishkrim), dhe e ftoi në Shqipëri; Maurizio d’Ancora, artistin e ri me mjaft talent, që e ftoi në shtëpinë e tij. Ai banonte në një nga rrugët më të pasura të Romës. Ndenjën bashkë gjysmë dite. Prej tij mori premtimin se do vinte në Tiranë, në Kinema “Nacional” me rastin e shfaqjes së filmit “Al buio insieme” (N’errësirë të dy bashkë. S.M.). Ç’është e vërteta, ai nuk erdhi sikundër kishte premtuar, por më pas dërgoi fotografinë e tij dhe kërkoi falje që nuk mundi të vinte, por më poshtë shtoi se: “me mbarimin e filmit “Shigjeta e florinjtë”, do të jem në Tiranë”; artisten e famshme hungareze Martha Eggerth, me të shoqin, artistin Jan Kiepura, që premtuan se do të vinin në vendin tonë. Në ndarje midis të tjerash ajo i dhuroi një fotografi të sajën ku i shkruante: “Përshëndetjet e mija për Shqipërinë e bukur”. Gazeta “SHTYP” e janarit 1939 informonte publikun e kryeqytetit se “Martha Eggerth së shpejti do të ishte në Tiranë”. Medin Kamber Bego më 15 qershor 1938, ishte i pranishëm në Kinema-Teatër “Nacional” gjatë interpretimit brilant të vogëlushes shqiptare 11 vjeçare nga Korça, Elena Qirici, valltares, akrobates, këngëtares ekscentrike. Ishte vajza që kishte entuziazmuar publikun e Parisit, Londrës, Romës, Vjenës, artistja kryesore në dy filma të “Metro Golduin Moyer”, “Follie di Broduei”, të viteve 1936 dhe 1938. Ja me sa kulturë gazetareske e paraqiti ai figurën e saj: “Posa kitara havaitiane filloi të lëshonte meloditë më të ëmbla, ajo shënon ritmet me lëvizjet e trupit, figura e saj bëhet më e bukur, e një bukurie magnetike, që tregon se balloja për të nuk është një virtuozitet por një edukatë e lindur nga natyra. Përveç që këndon me një art të rrallë, e përveç danceve moderne që është e pa përshkruar, kërcente me majë të gishtave dhe danse klasike. Në Amerikë është konsideruar më shumë se një yll”. Ishte Medin Kamber Bego, që solli më 15 nëntor 1938 në Tiranë, Maria Denis (shiko mё sipёr. S.M.); Germana Paliero, partneren e Aleksandёr Moisiut nё filmin “Lorenzino de Medici”, qё dërgoi foton e saj me autograf, ku shkruante. “Z. Medin Kamber della Rivista “DIANA”, con mia cordialita” (Z. Medin Kamber tё Revistёs “DIANA”,me pёrgёzimet e mia. S.M.); Nino Torenton; Leda Gloria si dhe orkestrën e Eduardo Bianchit nga Argjentina. Kam mendimin se të gjithë ata artistë që premtuan dhe të tjerë që nuk kam mundur t’i gjej, duhet të kenë ardhur në Tiranë. Medin Kamber ka pasur shansin të shoqëronte sopranon simpatike Tefta Tashkon nga Roma për në Tiranë. Gjatë rrugës që bënë bashkë ata biseduan për t’ardhmen e jetës artistike në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. Ai ishte jo vetëm gazetarë por dhe botues shumë i suksesshëm. Kështu më 15 prill 1934 botoi në Tiranë revistën “KINO-SPORT”, më 25 mars 1935 revistën “DIANA”, më 15 dhjetor 1935 gazetën “PURTEKA”, që më 29 dhjetor të po ati viti e nxori me titullin “SHUFRA”. Po atë vit e thirri Musa Juka i cili i kërkoi të hapte një gazetë zyrtare me kusht që të mos merte nëpër gojë Ahmet Zogun dhe Italinë dhe se kishte për t’u subvencionuar nga shteti me 300 napolona. Medin Kamber nuk e pranoi ofertën. Atë vit ai u martua me zonjushen Anjezë, vajzë nga Roma, me të cilën pati dy djem, Mauricion dhe Ingrin, shokё tё mij. Në vitin 1937 ai e hapi gazetën zyrtare politike me titullin “SHTYPI”.
Pushtimi gjerman i Tiranës, “Savoia” kthehet në Kinema-Teatër “Kosova” 
Në muajin korrik të vitit 1943, me ardhjen e ushtrisë gjermane në vendin tonë, Kinema-Teatër “Savoia” u kthye në KINEMA-TEATËR “KOSOVA” dhe shfaqi filmin “Dy jetimet”, në interpretimin e Alida Vallit, Maria Denis, Roberto Villa, Germana Paolieri dhe Osvaldo Valenti, për të vazhduar me “E krisur për muzikë”, ku interpretonin Diana Durbin, e Herbert Marshall; “Qeshu palaço”, në interpretimin brilant të tenorit të jashtëzakonshëm Beniamino Gigli; “Të vallëzojmë së bashku”, me aktorët Ginger Roger dhe Fred Astair; “Dashuromë mua”, me Marika Rokk; “Suzana”, me Katerin Hepburn dhe Gery Grant. Nё atё periudhё jepeshin filma qё ishin shfaqur mё parё. Në vitin 1951 salla u kthye në Teatër Popullor dhe më vonë në Teatër Kombëtar.

Me 14 gusht 1943 (Bashkimi Kombit Nr. 190), njoftonte se: “Ministria e Kulturës Popullore në dobi të të mjeruemëve të luftës organizoi shfaqje të madhe kinematografike, me program të pasur dhe interesant:

1– Një dokumentar me rëndësi mbi: a)- Çarmatimi i trupave italiane në Shqipëri prej forcave gjermane dhe pamje të ndryshme piktoreske, kostume etj. të Shqipërisë së Veriut. b)- Asambleja e Tiranës, që rrëzoi regjimin fashist në Shqipëri. c)– Emërime në Këshillin e Lartë.

2– Filmi “Shi gjaku”, pasqyrë e gjallë dhe e mjerueshme e gjaksinave komuniste në Letoni.

3– Dokumentari luftarak më i fundit mbi të gjithë frontet e luftës, ku shfaqet dhe arma e re e nëndetëseve gjermane.

Shfaqja organizohet nga Ministria e Kulturës Popullore me filma që vijnë bujarisht në dispozicion nga komanda gjermane në Shqipëri dhe fitimet neto do të shkojnë krejtësisht në dobi të të mjeruemve të luftës. Biletat janë vu që tash në shitje pranë Kinema “Kosova”. Asnjë kryeqytetas nuk duhet të mungojë për me sigurue vend qysh më parë”. 

Më 15 gusht 1943, Ministria e Kulturës Popullore organizoi, për ditën e fundit në favor të të mjeruarve të luftës, një shfaqje kinematografike me interes të jashtëzakonshëm.

1– Dokumentari “Metropol”, me vallëzimet e gjithë botës, kostume magjiplotë, këngë napoletane e spanjolle.

2– Dokumentarë mbi çarmatimin e ushtrisë italiane në Shqipëri. Nisja e ushtrisë italiane nga Durrësi më këmbë dhe me vapor.

3– Dokumentari i ri: “Shi gjaku”. Hyrja e sovjetikëve në Lituani.

4– Mbledhja e Asamblesë në Tiranë. Fjalimet e ndryshme, solemniteti i rrëzimit të regjimit fashist. Betimi i Këshillit të Lartë. 

Brenda ditës u dhanë tri shfaqje. Çmimi i biletës ishte 4 franga shqiptare.
Vijon nesër
Sigal