Rrënjë dhe rrënjë. Toponimet: Matrënga dhe Barbati

1523
Nga Anastas GURMA* 

Dihet se për kushtet tona, toponimet janë thesar shumë i rëndësishëm dhe i vyer kur nuk ka dokumente të shkruar. Ato janë dokumente të heshtura, por shumë të rëndësishme dhe që flasin shumë. Në rrethinat e fshatit Nivicë-Bubar të Sarandës, tërheqin vëmendjen disa toponime mjaft interesante si: “Guri i shkruar”, “Matrëng”, “Barbataj”, “Bozhig”, “Vilëz”, “Pazare”, “Peshkëpi”, “Gjon Bube” e shumë të tjera. Këto toponime mbeten shumë të rëndësishme që të parët tanë niviciotë na i kanë lënë trashëgimi. Secili nga toponimet e mësipërme ka një histori. Në këtë shkrim mendova të ndalem në dy prej tyre: Matrëng -Është një toponim i veçantë dhe tërheqës. Kur e dëgjon dhe përqendrohesh, menjëherë mendja të shkon përtej detit, tek arbëreshët. Sigurisht që ky toponim të kujton arbëreshin e njohur Lekë Matrënga. Niviciotët (bubarit) në të folurën e përditshme e kanë ruajtur të pastër dhe e përdorin shpesh emrin e këtij toponimi. Isha në Matrëng, do të punoj në Matrëng, do vjelim ullinj në Matrëng etj. Vendi me këtë toponim ndodhet rreth 1 Km larg fshatit, në jug të tij, rreth katër Km. Në lindje të gjirit të bukur të Kakomesë dhe rreth 8 Km në veri të qytetit të Sarandës. Mbi këtë truall, në fillim të viteve ’70, është bërë shpyllëzimi i zonës dhe është mbjellë vreshtë. Gjatë shpyllëzimit kanë dalë themele shtëpish. Ndërsa përballë vendit të quajtur Matrëng, rreth një kilometër vijë ajrore, gjatë shpyllëzimit, janë gjetur varreza. Këto dy të dhëna janë të mjaftueshme se kemi të bëjmë me një qendër banimi të hershme. Për Matrëngën, në rrethinat e Nivicë-Bubar si toponim apo si qendër e banuar, nuk ka ndonjë burim të shkruar deri më sot, e nuk ka tërhequr vëmendjen e ndonjë historiani. Edhe Instituti i Historisë, megjithëse është informuar në mesin e viteve ’70 për këtë toponim dhe gjetjet në të nuk ka treguar ndonjë interes.Rreth 1000 metra në verilindje të këtij vendbanimi është një toponim tjetër domethënës, i quajtur” Guri i shkruar”. Fatkeqësisht ai sot nuk është më. Është dëmtuar gjatë ndërtimit të depove të kooperativës në Nivicë-Bubar gjatë viteve ’60. Po për çfarë shkruhej në këtë gur? Na vjen në ndihmë historiani anglez N. G. L. Hammond, i cili në librin e tij “Epiri”, në faqen 141 thotë se: “Në një sipërfaqe të lëmuar shkëmbi me shkronja bizantine është shkruar fjala “TERMON” që do të thotë “FUND” ose “ GJITHSHKA MBAROI”. Edhe ky toponim është një argument më shumë për Matrëngën si qendër banimi, por edhe për dramën që pësuan matrëngasit duke u larguar nga atdheu mëmë. Po kur kanë emigruar matrëngasit? Për këtë përgjigje, na vjen në ndihmë Prof. Aleks Buda. i cili shpjegon se: “Kështjellat e fundit të shqiptarëve ranë në duart e turqve në vitin 1479 dhe 1501. Dhjetëra qindra mijë shqiptarë braktisën vendbanimet, morën malet, kaluan përtej detit, braktisën gjithçka, për të mos humbur gjënë më të shtrenjtë, lirinë. Ka shumë mundësi që në këto vite të jenë shpërngulur edhe matrëngasit nga trualli mëmë. Në vitin 1487, siç vërtetohet nga një dokument i seminarit ortodoks të PANORMES në Sicili, emigruan dhe u vendosën në ishullin e Sicilisë, pasi u mposhtën nga osmanët dhe u pushtuan territoret ku kishin trojet e tyre një numër krerësh të jugut, ndërmjet të cilëve përmendim si më kryesorët; Petro Bua, Johan Barbati, Ndoni Bardhi etj. 24 Km. Larg qytetit të Palermos gjendet kolonia shqiptare “Fusha e arbëreshëve”, koloni e cila u themelua në vitin 1488. Atje u sistemuan një sërë familjesh të parisë shqiptare si familjet Aleksi, Barbato, Kostandini, Kuçi, Matrënga, Muzaki, etj. Sipas Prof. Jup Kastratit: “Lek Matrënga është me origjinë nga Himara”. Dhe duke qenë e vërtetuar se Lek Matrënga është himarjot dhe ky vendbanim ka qenë dhe është pjesë e Himarës, ka shumë mundësi që të parët e tij të jenë me origjinë nga ky fshat dhe vendbanim, ndërkohë që e kanë mbajtur emrin e fshatit si mbiemër të tyre, ashtu siç ndodh në shumë raste edhe sot në ditët tona. BARBATAJ. Edhe ky një toponim interesant dhe domethënës. Në jugperëndim të fshatit Nivicë-Bubar, ngjitur me të i pandarë, ndodhet një vendbanim dhe toponim i quajtur “Llakë e Barbate”. Edhe sot, megjithëse kanë kaluar shekuj, ka gjurmë të rrënojave. Në Nivicë-Bubar gojëdhëna vjen deri në ditët tona dhe rrëfen se atje, shumë vite më parë, ka qenë i vendosur fshati Nivicë. Gjurmët na çojnë në Greqi (Athinë) dhe Itali (Napoli). Mbiemri Barbati gjendet dendur tek arvanitasit e Greqisë dhe arbëreshët e Italisë. Në të dy rastet barbatasit janë dalluar për trimëri dhe kanë qenë përgjithësisht drejtues ushtarakë. Në librin e tij “Arvanitasit”, studiuesi Aristidh Kola, flet shumë për barbatasit si kapedanë arvanitas. Në një nga vjershat e tij thuhet. “Ku është Shtini dhe Kënaqi/ Meksi, Lopsi dhe Barbati” Dihet që himarjotët kanë pasur lidhje të ngushta me mbretin e Napolit dhe Venedikun. Dihet gjithashtu se gardat mbretërore të të dy vendeve, nga komandanti deri tek ushtari i fundit, kanë qenë himarjotë. Arbëreshi Agustin Barbati ka qenë komandant i trupave venedikase në Korfuz. Edhe sot në qytetin e Napolit ruhet dhe ekziston mbiemri Barbati. Ndërsa në rrethinat e Napolit ekziston një muze historik; muzeu me emrin “Barbati”. Ku me siguri dokumentohen dhe evokohen trimëritë arbëreshe. 
Ish-komandant i divizionit “Labëria” të Gjirokastrës, sot kryetar i degës së Ushtarakëve në Lirim, Sarandë
Sigal