Rrëfimi i Xhelal Staraveckës/ Historia e ka gabim, nuk e bëra unë masakrën e 4 Shkurtit në Tiranë, por atë e organizoi Xhaferr Deva. Rezerva për ballin dhe pse Mehmet Shehu për mua ishte mik për kokë dhe armik për vdekje. Ja e vërteta e ngjarjes

2008
Sigal

Masakra në Tiranë: “Historia e ka gabim, nuk e bëra unë 4 Shkurtin”

Në historinë e Shqipërisë, por edhe në shkrime të ndryshme për atë kohë, thuhet se Masakrën e 4 Shkurtit të vitit 1944 në Tiranë, ku u vranë 84 të rinj, të reja e qytetarë të thjeshtë që u gjetën në rrugë e organizoi Xhaferr Deva si ministër i Brendshëm i qeverisë kuislinge me kryeministër Mehdi Frashërin dhe Xhelal Staravecka si komandant i Xhandarmërisë së Tiranës për të ushtruar terror ndaj Lëvizjes komuniste. “Historia e ka gabim, shkruan Xhelali, ngjarja ka një motiv të dobët, dhe kjo nga Xhaferr Deva. Më 3 shkurt erdhi në Tiranë Kadri Cakrani. Dy të rinj të guerileve komuniste vranë një rojen e Kadriut dhe xhaxhanë e Xhaferr Devës. Për shkak të këtij aksioni Xhaferr Deva vuri në veprim një regjiment kosovar që ishte në atë kohë në Tiranë duke bërë gjithë atë kasaphanë. Natyrisht këtu pati gisht edhe Kadri Cakrani që ishte një kriminel i lindur. Mehdi Frashri, si kryeministër, u hidhërua tej mase për ngjarjen dhe për gjendjen që i kishte dalë jashtë kontrollit, por s’kish ç’të bënte, pasi ishte vënë midis dy zjarreve, qoftë me Ballin, qoftë me eksponentë të qeverisë që ishin lidhur shumë ngushtë me gjermanët”. Më tej Xhelali shkruan se historianët shqiptarë, po të tregoheshin pak më të vëmendshëm dhe të shikonin dokumentet e kohës, pasi ato aty janë, nuk do të ma vishnin mua 4 Shkurtin. Atë nuk e kam bërë unë, se nuk kam qenë fare në Tiranë dhe s’kam pasur fare lidhje as me ngjarjen e as me qeverinë. Le të hapen dokumentet e emërimit tim. Unë e kam marrë emërimin si komandant i xhandarmërisë së Tiranës më 13 shkurt dhe kam filluar punë më 14 shkurt, 10 ditë pasi ishte bërë masakra. “Pra 4 Shkurtin e ka bërë Xhaferr Deva”, përfundon kujtimet për këtë çështje Xhelali. Veç këtyre fakteve, në libër ai përshkruan edhe shumë ngjarje të tjera, natyrisht sipas pikëpamjeve të tij, që gjithsesi të bëjnë të mendohesh.

 

EKSKLUZIVE/ Një nga figurat e njohura të Luftës flet për herë të parë për deformime të mëdha të fakteve historike

Xhelal Staravecka: “E vërteta, pse e tradhtova Luftën”

Dushan Mugosha, si e torturoi dhe e vrau partizanin nga Bilishti

 

Zylyftar HOXHA

Një emër i njohur dhe që përmendet shpesh në historinë dhe dokumentet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në fillim si komandant i çete dhe i njësive të tjera partizane në zonën e Skraparit, si organizator kryesor në formimin e Brigadës së Parë Sulmuese në Vithkuq, në gusht të vitit 1943, zëvendëskomandant dhe komandant i batalionit të parë të kësaj brigade. Metamorfoza erdhi më pas. Me anë të një kthese të çuditshme kalon në anë të kundërt, në atë të armikut, ku edhe këtu bëhet një nga eksponentët kryesorë të qeverisë kuislinge, të ngritur nga nazistët gjermanë të kryesuar nga regjenca me Mehdi Frashëri në krye në fillim të vitit 1944. Arratiset nga Shqipëria në nëntor të vitit 1944. Pas shumë peripecive shkon nga Jugosllavia në Vjenë e më pas në Itali. Aty dënohet me 12 vjet burg nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, pasi në vitin 1942 kish marrë pjesë në vrasjen e 130 robërve italianë të xhandarmërisë italiane në Çorovodë. Pas disa viteve me të drejta të kufizuara qëndrimi në Itali, arratiset për në Francë, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës deri sa vdiq.

Simpatia për Enver Hoxhën

Është për t’u theksuar se ndryshe nga shumë të mërguar për arsye politike, ai nuk u lidh dhe nuk bashkëpunoi me asnjë lloj organizate të krijuar jashtë për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, përkundrazi i kundërshtoi dhe i luftoi ato me të gjithë forcën e tij. Dhe jo vetëm kaq, megjithëse regjimi i Enver Hoxhës e kishte dënuar me vdekje në mungesë dhe e kishte shpallur si një nga armiqtë më të rrezikshëm të popullit shqiptar, përkundrazi Xhelali edhe në mërgim, edhe pse vuan larg vendlindjes, e vlerëson dhe shfaq simpati për figurën e Enver Hoxhës, i njeh atij meritat e Luftës, madje edhe të drejtimit të shtetit, duke e quajtur atë një burrë shteti, një intelektual të dorës së parë.

Deklarata

“Një ditë, në burg në Romë, vëllai im Samiu, shkruan Xhelali, më erdhi shumë i gëzuar. Më kërkonin anglezët për të më çuar diversant me parashutë në Shqipëri apo për të drejtuar grupe diversantësh kundër atdheut. Unë nuk pranova të dilja nga burgu, nuk pranova për t’i rënë flamurit tim, që, pas vitit 1948, me prishjen me jugosllavët, është regjimi më atdhetar që Shqipëria dhe Iliria nuk e kanë pasur qysh më se 3000 vjetësh. Në gjithë këtë emigracion, – vazhdon më tej ai, – mundohuni të gjeni vetëm një shqiptar që të thotë siç them unë: Rroftë Shqipëria edhe pa mua! Rroftë Shqipëria edhe pse ajo është kundër meje, edhe pse ajo po bën reprezalje kundër familjes sime, kundër gruas, Illdisit, fëmijëve, që letrat e mia nuk venë, paratë nuk pranohen; prandaj pranoj më mirë vdekjen se sa përmbysjen e atij regjimi në Shqipëri…!”

Libri

Në një libër me kujtime me titull “Në gjyqin e historisë” ai flet hapur dhe në mënyrë tepër të sinqertë për jetën e tij të trazuar, për arsyet pse e tradhtoi Frontin Nacionalçlirimtar dhe bashkëpunoi me fashizmin, për qëndrimin e tij në mërgim dhe se si ai ndiqte me interes zhvillimet politike në Shqipëri.

Kundër jugosllavëve

Duke e pasur merak, Xhelal Staravecka sqaron më tej pozicionin e tij, tashmë ekstrem. Që nuk i duronte dot të dërguarit e Titos pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare ai e dëshmon jo vetëm në kujtimet e tij, por edhe në dokumentet e kohës. Menjëherë pasi ai u nda nga Partia Komuniste, në pranverë të vitit 1944 ai lëshoi një promemorie në të cilën iu bën thirrje komunistëve dhe popullit të distancohen nga të dërguarit e Titos, në të cilën ndër të tjera shkruan se ata (jugosllavët) janë bërë zotër të vendit dhe nesër do të jetë vonë për t’u shkëputur nga kthetrat e asaj pantere që quhet Jugosllavi. Bashkëpunimi me ta do t’i kushtojë shumë vendit tonë, i cili s’do të jetë gjë tjetër veçse një krahinë e humbur dhe e përbuzur e tyre dhe Shqipëria një vend i pushtuar që s’do të marrë dot frymë.

Të dërguarit e Titos

Mllefin e ndaj ndërhyrjes jugosllave në punët e brendshme të Shqipërisë, ai e dëshmon edhe në një dokument tjetër në ditët e Luftës, ku shkruan se Mukja u prish nga të dërguarit e Titos vetëm për një fjalë në deklaratën e përbashkët, vetëm për fjalën “Shqipëri e Madhe”, që nënkuptonte se Kosova nuk do të ishte më pjesë e Jugosllavisë. Megjithëse armik i regjimit, ai më pas e admiron qeverinë Enver Hoxhës vetëm e vetëm se përzuri jugosllavët. I ekzaltuar ai thotë se dita më e gëzuar e jetës sime ka qenë kur mora vesh ndarjen me Jugosllavinë, duke lënë të nënkuptuar se nga që bëri këtë i ka falur gjithçka tjetër Enver Hoxhës, edhe sakrificat e përndjekjet që i bëhen familjes së tij në Shqipëri.

Rezervat për Ballin Kombëtar

Në librin e tij “Në gjyqin e historisë” Xhelal Staravecka flet gjatë për organizatën e Ballit Kombëtar, duke vënë në dukje gabimet e kësaj organizate si dhe duke sulmuar udhëheqësit e saj. “Balli thërret e bërtet se ka qenë themeluar në vitin 1939, shkruan ai, mirë pra, po ç’priti kjo organizatë të dilte në luftë kundër okupatorit pas katër vjetësh rresht? Edhe kur doli, doli me mision të luftonte kundër Nacionalçlirimtares. Ku paska dalë Balli për çështjen shqiptare? Por edhe kur doli në vitin 1943, ç’katund, nuk po themi krahinë e qytet çliroi nga italianët?”

Vazhdimi

Duke folur më tej për këtë çështje, Xhelali thotë se Abaz Ermenjin e ftova kaq herë që të vinte me mua e të hidhte dy pushkë për sy e faqe në ato përpjekje që unë bëra për çlirimin e Çorovodës, por ai, i zhytur në atë Ball që ishte sojtar i okupatorit me themelonjësin e tij në krye, Ali Këlcyrën dhe Hasan Dostin, të cilët na prunë Italinë fashiste, nuk erdhi asnjë herë”.

Banesa e tradhtisë

Xhelali bën dallime midis eksponentëve kryesorë të Ballit. “I vetmi që ka luftuar me tërbim kundër Nacionalçlirimtares dhe që ka dalë me çetë që në gjysmën e parë të janarit 1942, ka qenë Safet Butka. Atë ideologji kishte ai, dhe iu përmbajt, ndërsa të tjerët janë përdredhur. Se në Ball jo vetëm nuk bëheshin vepra të mira, por duke qenë pjesë e tij, patjetër shoqëroheshe me tradhti, sepse ai që e themeloi, Ali Këlcyra e bëri Ballin banesë tradhtie”.

 

Debati me Komandantin e Brigadës: “Mehmet Shehu, për mua, mik për kokë dhe armik për vdekje”

Në dokumentet historike, por edhe nga bashkëkohësit e bashkëluftëtarët e tij është thënë se Xhelal Staravecka ishte karrierist dhe mendjemadh, ai u bë xheloz pse nuk u bë ai komandant i Brigadës së Parë, pasi kishte mbaruar edhe akademinë ushtarake në Itali, por u bë Mehmet Shehu. Madje tregojnë se Xhelali me Mehmetin nuk shkonin fare me njëri-tjetrin, grindeshin aq shumë sa një ditë Xhelali u largua një herë e mirë nga brigada. Sebepi u gjet leja për martesën e tij në Berat, ku shkoi dhe nuk u kthye më. Por në kujtimet e tij Xhelali nuk e pranon këtë version, ai e kundërshton këtë “argument” që jepet nga historianët shqiptarë. E kam dëgjuar, më kanë përgojuar shumë, shkruan ai, por nuk është kjo e vërteta. Unë për këtë çështje bëj këtë deklaratë: “Në jetën time dy persona kam dashur me forcën e shpirtit tim, vëllanë, Saminë dhe Mehmetin, pa e ditur dhe konstatuar ky i fundit ndjenjën time kundrejt tij, e, megjithëse u bëmë armiq, nuk kam mundur hala deri më sot ta ndërroja dashurinë që kam pasur dhe kam për Mehmetin. Këtë deklaratë e bëj me qëllim shpirtëror, pse as pyes as kam kurrgjë as për Mehmetin, as prej shokëve të tij në atë regjim sot në Shqipëri…”. “E vërteta është ndryshe, thekson ai, e theksoj këtë çështje duke u betuar në nderin e së vërtetës, se një nga faktorët kryesorë që u drejtova armët shokëve të Luftës, të idealit e që qëllova me zjarr e hekur kundër tyre gati një vit pa pikën e pendimit dhe të dhimbjes ishte ndërhyrja brutale dhe e paskrupullt e jugosllavëve në punët tona, të cilët ishin bërë si të zotët e shtëpisë, por veçanërisht rasti në Fravesh të Tiranës, kur Dushan Mugosha torturoi pa arsye një partizan nga Bilishti. Pas torturave çnjerëzore partizani vdiq, por për Dushan Serbomadhin kjo nuk mjaftoi. Ai i zbrazi në kokë tërë karikatorin e revoles, duke e sharë në nderin e nënës së tij. Nuk munda ta duroja dot atë skenë. Ky ka qenë një moment psikologjik që unë u divorcova krejtësisht nga Nacionalçlirimtarja dhe u hodha në krahun tjetër”. (Bot.17.11.2006 )