Sigal

INTERVISTA I/ Flet Abaz Hoxha, ish-partizani 14-vjeçar i Brigadës së Pestë Sulmuese

Si u nda familja jonë, babai me Ballin, unë me Partinë

Abaz Tahir Hoxha

Jetëshkrim i shkurtër për një veprimtari të gjatë

Ai është teknik ndërtimi, gjeometër, inxhinier elektronik, studiues dhe historian i parë dhe i vetëm i kinematografisë, pedagog i Akademisë së Arteve dhe i Akademisë “Marubi” të Filmit dhe Multimedias, ku jep lëndën e Historisë së Kinematografisë Botërore dhe shqiptare. Abaz Hoxha u lind në Vlorë, më 14 prill 1930 dhe rrjedh nga një familje tradicionalisht intelektuale dhe patriotike. Njihet si një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare dhe kuadri i parë i lartë me arsim profesional i saj. Anëtar i Redaksisë së Arteve dhe Arkitekturës në Akademinë e Shkencave për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, themelues dhe për 17 vjet drejtor i Arkivit Shtetëror Qendror të Filmave (Anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmave (FIAF) nga viti 1963, Anëtar i Këshillit Shkencor të AQSHF, Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe fitues i dy çmimeve në konkurset Kombëtare letraro-artistike, publicist dhe autor i mbi 100 shkrimeve të karakterit problemor dhe studimor si dhe autor i 18 librave të botuara për kinematografinë shqiptare dhe botërore dhe figurave përfaqësuese të tyre. Hartues i Enciklopedisë së parë të Artit, etj.

Familja / Roli i babait dhe vëllezërve

Por cili ishte ndikimi i familjes tek Abazi, i cili në ditën e pushtimit të Shqipërisë ishte 9 vjeç dhe ditën kur u bashkua me batalionin partizan, jo më shumë së 14 vjeç. Ai thotë: Babai im Tahir Hoxha (1898-1974) kreu studimet në Itali në “San Demetreo Corona” dhe ishte bashkëkohës i Aleksandër Xhuvanit dhe Sejfulla Malishovës. Ai ishte arsimtar i vjetër. Por vinte dhe nga një familje e arsimuar e patriote. Gjyshi, Abaz Hoxha (1860-1915) kreu studimet fillore në vendlindje dhe të mesmen e pjesërisht të lartën në Stamboll (Turqi). Pati një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin kombëtar nga zgjedha Turke dhe u arrestua e burgos për 11 vjet fillimisht në burgun e Beratit dhe më vonë në Janinë, për veprimtari antiosmane dhe për përhapjen e shkronjave dhe të gjuhës shqipe. Ndërsa babai, Tahiri, punoi fillimisht si mësues dhe drejtor shkolle në shkollën e parë shqipe në Vlorë, të themeluar nga Jani Minga, si dhe si mësues i jashtëm në shkollën Tregtare të Vlorës, më vonë si mësues dhe drejtor i shkollës së vendlindjes të Tragjasit. Kjo shkollë u ndërtua me kontributin e fshatarëve. Babai, njihej si patriot, sepse kishte marrë pjesë me armë në dorë në Luftën e Vlorës në vitin 1920, ku kishte qenë komandant çete. Madje ai dhe ishte plagosur në këtë luftë. Por kishte influencë sepse familja e tij ishte dhe në gjendje të mirë ekonomike. Im atë ishte nga të parët që u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe për kontributin e tij u zgjodh Kryetar i Këshillit Nacional Çlirimtar. Por ndërkohë ai ishte shok Hysni Lepenicën e Skënder Muçon. Kalimi nga Këshilli Nacionalçlirimtar tek Balli Kombëtar, do t’i kushtonte shumë tim eti. Pas çlirimit ai u dënua me vdekje nga regjimi dhe pastaj ia kthyen me 25 vjet burg. Bëri 18 vjet në regjimin e Enver Hoxhës në burgun e Gjirokastrës dhe më vonë në Burrel. Vëllai i madh Lufter Hoxha së bashku me Niko Hoxhën, djalin e xhaxhait, ishte në Normalen e Elbasanit. Në protestat kur i prenë rrugën Zogut duke kërkuar armë, e arrestuan dhe e futën në burgun e Tiranës. Nga njohjet e babait e liruan pas disa muajsh për mungesë provash. Dhe ai erdhi në fshat e drejtonte organizatën e rinisë. Edhe vëllai im tjetër Kujtimi (që është dëshmor në 17 shkurt 1944) u përjashtua nga shkolla në Vlorë erdhi në Tragjas, ku u bashkua me çetën partizane.

Leonard VEIZI

Balli Kombëtar

Influenca e nacionalistëve

“Dalja në skenë e Ballit Kombëtar shkaktoi fillimisht një çoroditje dhe përçarje mbasi në krye të kësaj organizate ishin njerëz me influencë, intelektualë dhe me të kaluar patriotike. Në mitingjet te rrepet e Tragjasit ose në Rrëzën e çirakut u zhvilluan debate të ashpra midis përfaqësuesve të Nacionalçlirimtares dhe të Ballit Kombëtar me argumente e kundër argumente. Disa filluan të lëkundeshin, por kjo lëkundje ishte e përkohshme dhe në fund ata që i përkrahën përfaqësuesit e Ballit ishin shumë të paktë që numëroheshin me gishta. Megjithatë dalja e Ballit Kombëtar si një forcë politike në Shqipëri krijoi një hendek midis tyre dhe shumicës së popullit sepse ata u mbështetën kryesisht në pikëpamjet politike dhe pushtetin e pasluftës duke iu shmangur luftës kundër pushtuesve të huaj. Kjo nuk ndodhi në shumë shtete të tjera të koalicionit antifashist botëror. Kështu p,sh nacionalistët polakë morën pjesë direkt në luftën e armatosur kundër pushtuesve gjermanë në formë të organizuar dhe me formacione të një ushtrie të rregullt përkrah forcave të tjera të koalicionit të djathtë që drejtoheshin nga Partia Komuniste Polake që e kishte qendrën në Moskë. Duhet thënë gjithashtu se Nacionalistët polakë i kishin kushtet më të vështira mbasi sistemi socialist i vendosur në Bashkimin Sovjetik kish ndikim shumë të fuqishëm si një vend që jetonte prej disa dekadash në kufi me Poloninë. Kështu ndodhi në shumë shtete të tjera si në Francë etj ku të djathtë e të majtë u bashkuan në frontin e rezistencës antifashiste. Në Shqipëri ende nuk njihesh Bashkimi Sovjetik, ai u njoh si një forcë ushtarake e koalicionit antifashist vetëm me fillimin e luftës dhe jehona e luftës së tyre erdhi tek ne shumë më vonë”, rrëfen për “Telegraf” Abaz Hoxha..

Duke mbajtur pozicionin e luftimit për të qëlluar mbi helmetat jeshile të ushtarëve gjermanë Abaz Hoxha, atëherë më i vogli i Brigadës së Pestë Sulmuese, mendoi se ky duhet të ishte sulmi i fundit dhe pas saj vinte liria. Ai ka shtrënguar fort armën që ishte një trofe beteje, në pritje të shenjës së sulmit nga komandanti i Batalionit. Vetëm pak ditë më pas Tirana ishte çlirua, por ende pa u tundur flamuri kuq e zi mbi “komandaturën” në fund të bulevardit, një ekip partizanësh në periferi të qytetit kishin filluar të bënin arrestimet e para në njerëzit që cilësoheshin “kolaboracionistë me armikun”. Ata që kishin pasur më shumë mundësi ishin varur me duar e këmbë pas kolonës së motorizuar të trupave të Gruparmatës “E”, për të kaluar matanë kufirit. Të tjerët ishin në dorë të Zotit e të… partizanëve. Dhe ky do të ishte vetëm fillimi.. Në të vërtetë, ai nuk e dinte se si ishte lufta, por dëshirë të luftonte kishte vërtetë. Ishte vetëm 14 vjeç, i veshur me pantallona të shkurtra, kur bashkë me dy shokë të tjerë më të mëdhenj u ngjit malit përpjetë në kërkim të partizanëve. Ndërsa sot, 65 vjet pas atij veprimi, qesh me veten dhe thotë se ashtu si shumë të tjerë, edhe ai u bë pjesë e “epidemisë”. Dhe ky ishte prologu i jetës së tij ushtarake. Ndërsa në fund, ai do të rreshtohej në skuadrën partizane, që me një listë në dorë bënin arrestimin e bashkëpunëtorëve të pushtuesve. Më pas, për gazetën “Telegraf” Abaz Hoxha do të rrëfejë”

Cili ishte motivi që ju bëri në një moshë fare të re, t’i bashkoheshit një njësie lufte?

Kur shikoj një foto time të kohës të vitit 1944 dhe habitem me vete. Isha një fëmijë që kisha dalë për të luftuar.

Si do ta motivonit ju një veprim të tillë?

Mund të them se kjo ishte një epidemi e kohës. Shumë njerëz u ngritën kundër pushtimit të vendit. Unë në atë kohë mësoja në Tregtaren e Vlorës. Që në fillim të vitit 1942 u ndje një rezistencë që u vazhdua me revolta. U bënë dhe arrestime. Kjo frymë u fut fort edhe te studentët.

Si u pasqyrua rezistenca tek studentët e Tregtares?

Një ditë u mblodhëm në klasë. Kishim mësimin e gjuhës italiane. Profesori që na jepte lëndën ishte një italian, por fashist i deklaruar. Menduam të bënim një bojkotim të orës së italishtes. Klasa jonë ishte në katin e parë, “Kur të vijë profesori do të ikim nga klasa”, ky ishte dhe udhëzimi. Dhe vërtet sapo ai u fut të gjithë gjetën nga një mënyrë për t’u larguar nga ajo klasë. Unë, me 5-6 shokë të tjerë, dolëm nga dritarja. Profesori italian filloi të thërriste: “Kthehuni në mësim”. Por askush nuk u kthye. Të nesërmen doli një lajmërim dhe ne të gjithë përjashtoheshim nga shkolla.

Si do të vepronit pas këtij urdhri?

Në mbështetjen tonë erdhën studentët e tjerë, të cilët filluan protestat: “O të gjithë o asnjë”. Kjo provokoi dhe revoltën. Drejtori, i cili gjithashtu ishte italian, thirri në ndihmë karabinierinë. Shkolla u mbyll. Të gjithë studentët u shpërndanë nëpër shtëpitë e tyre dhe unë natyrisht u ktheva në fshatin tim, në Tragjas.

Çfarë atmosfere gjetët në fshat, pasi vinit nga qyteti?

Atmosfera ishte e ndezur. Në Tragjas tek rrapet shekullore në qendër të fshatit ziente jeta si në një qytet të populluar. Në të katër dyqanet e fshatit vazhdonte të luhej pokeri si në Montekarlo. Partizanët mblidheshin e këndonin ose mësonin përdorimin e armëve shokëve të tyre më të rinj dhe banorëve të fshatit. Kodra pranë shkollës dhe xhamisë gumëzhinte nga lëvizjet, venin e vinin korrierët e Këshillit Antifashist që ishte zgjedhur pak kohë më parë. Mblidheshin diskutonin, përgatisnin planin e aksioneve. Ndërsa ne më të vegjlit nuk ndaheshim për asnjë çast nga këto veprimtari dhe veçanërisht nga partizanët që na tregonin përdorimin e armëve. Bënim shërbime të tjera të vogla si korrierë për t’u lidhur me lagjen e Thanasajve që ishte në krye të fshatit. Edhe ne ishim shkrirë në vrullin e ngjarjeve në shërbim të luftës çlirimtare dhe për çdo shërbim që kryenim e ndienim veten krenarë, më të rritur, më të pjekur dhe po bëheshim përherë e më të vetëdijshëm se edhe ne mund të ishim të dobishëm bile edhe të luftonim.

Ju i bëni një vlerësim të madh Tragjasit, që gjithsesi ishte një fshat?

Në fakt Tragjasi ishte një fshat me tradita. Kishte një veçanti, një pjesë e madhe e të rinjve vazhdonin shkollat e mesme në Liceun e Korçës, në Normalen e Elbasanit, në Tregtaren e Vlorës apo në Shkollën Amerikane të Kavajës. Në fillim të viteve ‘30 e në vazhdim, nga ky fshat dolën shumë të rinjtë që shkolloheshin. Ndërsa në rastin konkret, me mbyllej e disa shkollave dhe me kthimin e studentëve në shtëpitë e tyre edhe rezistenca u spostua nga qyteti në fshat. Kështu u kthyen nga shkollat Lufter, Niko e Kujtim Hoxha, Fejzo e Merjeme Gjomemo, Tana, Qazim e Xhemil Cakërri, Filat, Tefta, Leka dhe Hetem Muço, Halim Ramohito e Avni Hakani, Shyqyri Alimerko dhe Abaz Fejzo, Gjovarf Banci e shumë të tjerë.

Po lëvizja e armatosur si do të niste në këto zona?

Në fillim të vitit 1942 po krijoheshin çetat e para. Në fillim u formua Çeta Plakë e Vlorës. Kjo çetë përbënte dhe embrionin. Një pjesë e mirë e ish-studentëve të Tragjasit bënin pjesë në këtë çetë. Madje dhe komisari ishte nga Tragjasi. Çeta vinte në fshat dhe kjo ndikoi në të rinjtë e tjerë të fshatit. Herë pas here ata shkëputeshin nga familjet për të mbushur r radhët e saj. Ardhja e çetës kthehej në një festë në fshat.

Po familja juaj ko do të rreshtohej?

Kam një histori familjare të dhimbshme. Sepse megjithëse një trung, ne u ndamë në dy pjesë gjë që do të na sillte probleme edhe më vonë. Tre vëllezër u bashkuan me partizanët, njëri ra dëshmor ndërsa babai nga Kryetar i Këshillit Nacional Çlirimtar kaloi me Ballin Kombëtar. Madje emrin e babait tim, Enver Hoxha e përmend disa herë në një nga veprat e tij.

Përse Tahir Hoxha do të bënte një lëvizje të tillë?

Ishte koha kur filloi të zgjerohej lëvizja patriotike. Por filloi dhe përçarja në radhët e partisë me grupin e Sadik Premtes. U krijua dhe Balli Kombëtar. Në këtë kohë, Sadik Premtja krijoi një çetë më vete. Mirëpo Sadik Premtja kishte lidhje prej kohësh me familjen tonë. Njihej me babain tonë që para pushtimit. Sadiku ishte kundër Qarkorit që drejtohej nga Hysni Kapo. Dhe pati një çorientim.

Cili ishte “sebepi” që Tahir Hoxha do të bënte lëvizjen përfundimtare?

Në kohën që në Labinot bëhej Konferenca e Labinotin në pranverë të ‘43-shit në shtëpinë tonë erdhën disa nga krerët nacionalistë që ishin shokë të babait si Hysni Lepenica, Skënder Muço, avokat, Isuf Luzaj, profesor në tregtare dhe më pas në universitete në Amerikë. Në këtë kohë vjen në shtëpinë tonë dhe Sadik Premtja, Bego Gjonzeneli, të cilët kishin marrë një radio me bateri e dëgjonin Radio Londrën. Isha akoma i vogël megjithatë fiksova një çast interesant nga biseda e tyre gjatë kohës kur u shpija kafet dhe ndonjë gotë ujë.

Dhe çfarë dëgjuat?

Sadik Premtja u thotë të pranishmëve: “Partia Komuniste është vënë në shërbim të sllavëve.”

Tregtarja e Vlorës, çerdhja e para të lëvizjes antifashiste

Duke folur për fillimin e lëvizjes Nacional Çlirimtare në rrethin e Vlorës, Abaz Hoxha, një prej pionierëve të kësaj lëvizje thotë: “Shkolla tregtare u bë vatër e lëvizjes patriotike që tashmë kishte filluar të organizohesh. Në Vlorë filluan atentatet e para kundër spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit. Filluan arrestimet në masë të inciatorëve. Veprimtarët antifashistë po binin në sy të agjentëve të SIMIT. Kjo bëri që shumë patriotë, kryesisht studentë dhe patriotë të njohur të hidheshin në ilegalitet, të dilnin nga qyteti dhe të shkonin në fshat. Lëvizja antifashiste po ziente në Vlorë. Në radhët e policisë dhe kuesturës vepronin oficerë shqiptarë patriotë që i shërbenin kësaj lëvizjeje duke njoftuar më parë për planet e fashistëve për arrestimet, internimet, bastisjet etj.. Bëheshin demonstrata dhe protesta antifashiste. Kjo lëvizje gradualisht doli nga qyteti dhe iu drejtua fshatit ku filluan të organizoheshin formacionet e para ushtarake. Ishte krijuar “çeta plakë e Vlorës” dhe po bëheshin përgatitjet për krijimin e “çetës së rinisë”. Shkolla Tregtare ishte një nga çerdhet e para të lëvizjes antifashiste. Nga radhët e saj po dilnin vullnetarët e parë të njësiteve guerile dhe çetave partizane, po përgatiteshin kuadrot që do udhëhiqnin luftën antifashiste në qarkun e Vlorës e më gjerë. Studentët e kësaj shkolle dhe të gjitha shkollave të tjera të Shqipërisë u bënë bërthama, pararoja dhe njësitet e sulmit të lëvizjes së rezistencës”.

(Vijon nesër)