Namik Shehaj: Dardanelet, anija ruse me shqiptarë, në shënjestrën e amerikanëve
TË DHËNAT
Sofistikimi i mbrojtjes ajrore
Mbrojtja Kundër Ajrore në Shqipërinë e pas Luftës II Botërore, pati një zhvillim të madh për kohën në vitet 1960-1970. Ndërmjet viteve 1954-1955. Ushtria Shqiptare u pajis me bateri KA 85 mm e mjete radioteknike më të sofistikuara, ndërsa në vitet 1957-1958 u pajis me bateri 57 dhe 100 mm. Në vitet 1959-1969, në armatim futen edhe raketat e drejtuara, topat AKA 37 mm, topat 57 mm dhe 100 mm me drejtim automatik, mitralozat 14, 5 mm me katër tyta, dhe me radarë të zbulimit të largët, të mesëm, të afërt. Regjimenti i Raketave të Drejtuara Kundërajrore që konsiderohej si krenari e kësaj arme është krijuar me 6 dhjetor të vitit ‘68. Në vitet ’70 kishte 22 regjimente të AKA, 18 batalione mitraljerë AKA, që llogarisnin rreth 6 gryka zjarri për çdo kilometër të frontit.
Mbresa nga stërvitja në Bashkimin Sovjetik, gjatë ditëve të Mbledhjes së 81 partive. Përgatitja e efektivit për qitjen e rrallë, udhëtimi i gjatë deri në Kazakistan dhe qëndrimi dashakeq i kolonelit rus ndaj ekipit shqiptar
Gazeta “Telegraf”
(Vijon nga numri i kaluar)
Ishte koha kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik ishin përkeqësuar së tepërmi. Pikërisht, kur në Moskë kremtohej përvjetori i Revolucionit Bolshevik dhe një delegacion i përfaqësimit të lartë shqiptar ndodhej në Kremlin, Regjimenti i Raketave të Tiranës kishte ndërmarrë udhëtimin e gjatë për në shkretëtirën e Kazakistanit. Një dokument i pandryshueshëm, nënshkruar kohë më parë, në kuadrin e Traktatit të Varshavës, detyronte Bashkimin Sovjetik t’i hapte rrugën 112 ushtarakëve shqiptarë për të realizuar qitjen e parë dhe të vetme të tyre me raketa.
48 vite më vonë, ish-komisari i Regjimentit të Raketave, Namik Shehaj do të tregonte me ngjyra të gjalla për gazetën “Telegraf”, atë çka ndodhi në udhëtimin e jashtëzakonshëm të efektivit shqiptar nga porti i Vlorës, deri në poligonin e qitjes në Kazakistan dhe kthim.
Cilët shkuan në BS dhe sa qëndruat atje?
Nga momenti që mësuam se do të shkonim për qitje, u bë dhe caktimi i kuadrove. Filloi një stërvitje intensive, për të rritur shkallën e njohurive, veçanërisht, për qitje me raketa. Në fund të çdo jave na merrnin në provim, mbi shërbimet profilaktike, që u bëheshin parametrave të ndryshëm të kompleksit drejtues të raketave, ku bënte pjesë aparatura dhënëse-marrëse, ajo e drejtimit-indikator, aparatura e koordinatave dhe aparatura e linjave. Aparaturat e koordinatave dhe komandave ishin, si të thuash, truri i këtij sistemi drejtues. Në fund të këtij kursi intensiv ne realizuam deri në katër qitje në “shurdhëri”. Quheshin të tilla, sepse bëheshin veprime të plota për lëshimin e raketës, por, kur vinte ky moment, në vend të raketës, lëshohej nga aparatura e imitacionit një sinjal në formë trekëndëshi, që quhej “paçkë”, i cili i afrohej objektivit real, pra, avionit, si të ishte vetë raketa. Dhe, kur arrinte distancën e caktuar nga avioni, realizohej shpërthimi e asgjësimi. Kështu, pasi përfunduam këtë punë, morëm porosi që familjeve të mos u thoshim se do të shkonin në BS, por t’u shpjegonim se do të shkonim me shërbim e do të vonoheshim rreth dy muaj. Një natë, duke u aguar 31 tetori ’60, me një kolonë të gjatë makinash, nga Pezë-Helmësi, u nisëm për në Vlorë. Aty na priste një anije desantësh e Luftës së Dytë Botërore, e quajtur “Irgis”. Ishim 112 oficerë dhe ushtarë, me në krye komandantin e Regjimentit të Raketave, kolonel Bejto Isufin dhe komisar, nënkolonel Pasho Zhupën. Të dyja këto figura do të mbeten të paharruara për ne, sepse në atë qitje nuk i patëm vetëm eprorë, por dhe prindër e shokë armësh.
Si shkoi udhëtimi me anijen ushtarake?
U nisëm nga porti me një det të qetë, por, kur u futëm në “mexokanal”, midis Karaburunit dhe ishullit të Sazanit, pothuaj të gjithëve na zuri deti. Më pas u qetësuam. Ky vapor ecte jo shumë shpejt dhe ne mbërritën në Sevastopol pas pesë ditë e net udhëtimi. Kur kaluam detin Egje dhe hymë në ngushticën e Bosforit, na urdhëruan të futeshim të gjithë nëpër kabina, sepse ishim me uniformë ushtarake dhe të armatosur. Por unë i kisha marrë shokut tim, Selfo Baçit, një palë tuta sportive dhe në këtë mënyrë pata fatin të rri mbi kuvertë e të shoh ishujt e Egjeut, flotën luftarake amerikane, që na shoqëroi sa hymë në Dardanele, si dhe pafundësisht gondola turke, ku çifte të shumta shëtitnin në detin Marmara. Mbaj mend, kur na shoqëroi luftanija amerikane. Në bordin e saj dallova qartë marinarët dhe shumë vajza, që qeshnin dhe kryenin veprime provokuese me ta, aq sa disa prej tyre hoqën rrobat e trupit, duke nxitur marinarët në brohori, derisa kalonin në ekstazë, për t’i ngritur në krahë. Kjo skenë më la një shije të hidhur, mua si oficer i ri.
Kur mbërritët në Bashkimin Sovjetik?
Më 5 nëntor, në mëngjes, mbërritëm në qytetin e bukur të Sevastopolit, buzë detit Azov. Ky qytet kishte një panoramë me të vërtetë mbresëlënëse. Ishte i gjelbëruar, nga ana lindore kishte një terren të pyllëzuar. Por, në mes të një masivi shkëmbor, dukeshin dyer e dritare në një vijë dhe kurioziteti na shtyu të pyesnim një ushtarak sovjetik. Në fakt, në Sevastopol, na u ngjit si rrodhe një kolonel sovjetik. Siç na tha Bejto Isufi, ky kolonel ishte i KGB-së, që ishte ngarkuar me sigurimin e regjimentit tonë, deri sa të rihipnim për t’u kthyer në atdhe. Ai na shpjegoi se ato dyer e dritare ishin të një uzine të madhe për prodhimin e pajisjeve për anijet luftarake mbiujëse dhe të nëndetëseve. “Shokëve shqiptarë do t’u këshilloja të vizitonin qytetin, meqë do të niseni me tren për në Moskë. Shikoni edhe kinopanoramën në perëndim të qytetit, si dhe ju rekomandoj të vizitoni kodrat “Malehov”, që janë edhe krenaria e Sevastopolit”, na këshilloi ushtaraku sovjetik. E falënderuam kolonelin dhe i hymë kryq e tërthor qytetit bregdetar. Pamë dhe kodrat “Malehov”, ku ishte vendosur një tank i lehtë, që simbolizonte qëndresën historike të popullit dhe ushtrisë kundër forcave pushtuese hitleriane. U mahnitëm kur hyjmë në kinopanoramë, ku, në atë kohë, po shfaqej filmi “Grushti i tretë”. Aty e ndjeje veten si pjesëmarrës në veprimet luftarake. Madje, të dukej sikur do të të shtypte tanku, që vinte përballë. Në një pamje, kur një snajper gjerman qëlloi kundër një sovjetiku, m’u krijua ideja se qëlloi kundër meje dhe shokëve, që kisha në krahë. U mënjanuam për t’i shpëtuar plumbit dhe kjo, në fakt, na krijoi një gjendje ankthi, edhe pse na porositën, kur u futëm që të mos tronditeshim, pasi ai qe veç një film. Ekrani i filmit ishte një gjysmërrethi me një diametër goxha të gjatë. Vetë qyteti i Sevastopolit na krijoi idenë e Gjirokastrës apo të Pogradecit. Por ajo që na mrekulloi, ishte kinopanorama.
Pas kësaj, u nisët për në kryeqytet?
Natën u nisëm me tren, me të cilin udhëtuam drejt Moskës. Ky udhëtim zgjati dy ditë e dy net dhe, më 7 nëntor 1960, përgjatë natës, hymë në Moskë, e cila na priti ftohtë, me një dëborë të dendur me flokët sa dora e një fëmijë të porsalindur dhe na u krijua përshtypja se po udhëtonim në një hapësirë pa përmasa, sepse, sa dolëm nga Sevastopoli, deri sa mbërritëm në poligon, nuk na zuri syri asnjë kodër, të paktën 200-300 metra të lartë, por vetëm fushë dhe sërish fushë pa mbarim. Të them të drejtën ky peizazh më zymtoi, se ne ishim mësuar me relievin e vendit tonë, me kontraste, që të mrekullojnë, sepse, nga një zonë, tek tjetra, të presin surprizat e pamjeve mahnitëse.
A ju ndodhi ndonjë incident nga Vlora në Sevastopol?
Jo, por një incident më ndodhi vetëm mua në pikën kufitare në Vlorë, kur hipëm në vapor. Oficeri i kufirit, çdonjërit nga kuadrot, që do të hipnin në anije, i kërkonte dokumentin e identifikimit. Unë nuk e kisha këtë dokument, sepse ma kishte marrë dikur ish-zëvendësshefi i garnizonit të Tiranës, në atë kohë major Mit’hat Kondi. Kurse aty, në prezencën e oficerit të kufirit dhe komandantit të Regjimentit të Raketave, Bejto Isufit, u thashë se e kisha harruar në shtëpi. Bejto Isufi u revoltua shumë për këtë pakujdesi timen, por i tha oficerit të kufirit se për mua bëhej ai garant me nderin e tij të oficerit. Unë mendova se do të më kthenin. Por jo. Kurse, kur zbritëm në Sevastopol, çdo kuadër duhet të paraqiste përsëri dokumentin e identifikimit. Por Bejto Isufi, sërish doli garant për mua dhe unë zbrita në tokë.
MOSKA
Qyteti që nuk i dukej fundi
Moska ishte një realitet i ri për shqiptarët. Përshtypja që linte qyteti gjigant për ata që e vizitonin për herë të parë ishte padyshim e jashtëzakonshme. Lidhur me vizitën e ekipit të ushtarakëve shqiptarë në vitin 1960 në kryeqendrën e Bashkimit Sovjetik, Namik Shehaj, shprehet: “Qëndruam 24 orë në Moskë dhe gjatë gjithë ditës vizituam atë që patëm mundësi, duke lëvizur me trenat e metrosë së Moskës, stacionet e të cilës ishin me të vërtetë për t’u admiruar. Meqenëse ne mbërritëm më 7 Nëntor, në një ditë feste, të gjitha lokalet publike ishin të mbyllura. Por ne na hahej dhe kërkuam një restorant për të ngrënë. Na ranë këmbët, por një shoku ynë, që e takuam rastësisht, dhe që kishte qenë dhe herë tjetër në Moskë, na tregoi se ku mund të gjenim një restorant. Atje na mbajtën palltot në një guarderobë, ku paguam dhe nga një rubël. Na bëri përshtypje se atje ne si shqiptarë hëngrëm shumë bukë dhe nuk e paguam atë. Atje buka nuk paguhej, por dhe vetë rusët e përdornin pak. Vizituam Universitetin “Lomonosov” në krah të të cilit ishte një stadium gjigant, “Lluzhniki”, me tribuna krejt rrethore e të mbuluara. Po të hyje në godinën kryesore të Universitetit, nga tarraca dukej Moska, si në pëllëmbë të dorës. Por, veçse fundi nuk i dukej”.
NË POLIGONIN E KAZAKISTANIT
Ushtarakët shqiptarë, si u provokuan nga koloneli sovjetik
I pyetur për mbërritjen në poligon dhe si u pritën ushtarakët shqiptarë atje, Namik Shehaj, ish-komisari i Regjimentit të Raketave tregon: Mbas 24 orëve pushim, në Moskë u nisëm me një tren tjetër, ku do të udhëtonim në drejtim të lindjes për të mbërritur në deltën madhështore të lumit Vollga, në qytetin e Astraharit. Për të shkuar atje kaluam një urë hekurudhore në një udhëtim që zgjati 4 minuta dhe ndaluam 20 kilometra në lindje, në një lokalitet, që quhej Ashulluk, ku na prisnin 18 mikrobusë aviacioni. Në to hipi i gjithë regjimenti, për të shkuar në poligon. Kolona lëvizte me shpejtësi maksimale. Na çudiste fakti që udhëtimi bëhej në një tokë ngjyrë gri, a si bezhë, por rrugë nuk shikonim. Kështu, më 10 nëntor 1960 mbërritëm në poligon, ku na priti komanda e tij me në krye kolonelin Tukariev. Ai ishte një oficer i luftës. Kishte një kokë të rruar, i martuar me një grua, që jetonte në Moskë, ndërsa ai vetë shërbente mijëra kilometra larg, në Kazakistan. Takimi i parë, me kolonelin Tukariev, u bë në një sallë të madhe ku merrnin pjesë të gjithë kuadrot, me në krye kolonelin Bejto Isufi. Komandanti i poligonit, në vend që të na fliste për rregullat dhe orarin e veprimeve, e filloi ters paraqitjen, duke na folur me ashpërsi, arrogancë e kërcënime. Në këtë kohë ndodhi dhe incidenti i parë i provokuar nga komandanti i poligonit. Kolonel Bejto Isufi, e ndërpret kolonel Tukarievin me shumë revoltë, duke i thënë: “Të gjitha këto që thatë nuk na hyjnë në punë, prandaj na trego orarin e veprimeve! Për të tjerat përgjigjemi ne! Shoku kolonel, nëse nuk e dini po ua them unë: Ushtria e Republikës Popullore të Shqipërisë, është një ushtri e organizuar dhe e disiplinuar, sipas rregulloreve tona. Kërcënimet që bëre, mbaji për vete, sepse ne nuk duam t’ia dimë fare për to. Ne kemi ardhur këtu sipas marrëveshjes së nënshkruar në kuadrin e Traktatit të Varshavës dhe do ta kryejmë detyrën tonë, doni apo s’doni ju, sepse kemi një detyrim ndaj atdheut tonë dhe popullit shqiptar!” U ndjemë tepër krenarë për shokun tonë, Bejto Isufin, qëndrimi burrëror i të cilit na entuziazmoi dhe na detyroi të ishim jo vetëm të disiplinuar, por të bënim çdo përpjekje për të realizuar qitjet me raketa dhe të asgjësonim objektivin, që në rastin konkret ishte një avion pa pilot. Këtë incident ne ua bëmë të qartë të gjithë ushtarëve tanë, por ua bëmë të ditur edhe oficerëve rusë, të cilët u indinjuan nga qëndrimi i kolonelit Tukariev. Pas këtij qëndrimi të eprorit të tyre, ata na siguruan se do të na ndihmonin duke na thënë: “Shokë e vëllezër shqiptarë, përpiquni të përvetësoni gjithçka. Ne nuk do të kursehemi për t’ju ndihmuar. Edhe sikur të krijohen defekte të çdo lloj, ditën që ju do të bëni qitje, aparatura do të jetë në gatishmëri. Për këtë ju japim fjalën e nderit të oficerit!”
NESËR DO TË LEXONI
-Ja si u internua majori rus, që përkrahu Enver Hoxhën.
-Ç’thanë Bejto Isufi e Pasho Zhupa gjysmë ore para qitjes.
-Pse u porositën ushtarakët shqiptarë të mos binin në provokacionet sovjetike?