Rrëfimi i Kiço Fotiadhit për katrahurën në Festivalin e 11-të

1566
Sigal

DOSSIER/ Rrugëtimi i  rrallë i  RTSH

Në kuadrin  e dosSierit  “Historia e rrallë  e RTSH”  tek lexuesi  do përcjellim intervistat e zhvilluara para 8-vitesh me personalitete  që hodhën themelet  e RTSH dhe u rritën bashkë me të. Këto intervista të ruajtura në arkivin e gazetës “Telegraf” dhe përbëjnë një thesar për këtë  historik kaq të rëndësishëm të së vetmes radio dhe televizion deri në vitin 1991.

Rrëfimi i Kiço  Fotiadhit një nga folësit e parë e nga më të njohurit të RTSH: Festivali i 11-të solli katrahurën në televizion pasi larguan Todi Lubonjën dhe  Nefo Myftiun

01-Pse më larguan nga TVSH dhe si më quajtën spikeri i Kosovës

02-Kur shkova për herë të parë në vitin 1959 në Radio Difuzion që ishte në Rrugën e Kavajës gjeta Alfons Gurashin

03- Unë gjeta në RTSH mjeshtërit e folësve shqipe, si Vera Zheji, Feride Konomin etj…

04- Kam lexuar nekrologjinë e Naserit të Ho Shi Minit, dhe njoftimin për vrasjen e Mehmet Shehut dhe nekrologjinë e Enver Hoxhës në radio

Albert  Z. ZHOLI

Folësi dhe spikeri është një profesion i vështirë. Profesion shumë dimensional. Spikeri nuk është një lexues i thjeshtë. Kur një njeri lexon lajmet, quhet lexues i lajmeve. Folësi është interpretues. Anon dhe nga aktori. Folësi mund të lexojë edhe një poezi shumë bukur, edhe një skicë letrare, edhe një reportazh dhe të tjera. Mund të lexojë të gjitha gjinitë që përmban media, letërsia. Ndërsa sot ka një shablonizën ku folësit imitojnë njëri-tjetrin. Si flet njëri mundohet të flasë edhe tjetri. Folësi duhet të flasë me tempo-ritëm, kur folësi të jetë i gjallë, plot jetë, emocion. Nuk ka një të lexuari uniform. Mikrofoni përpara ishte i shenjtë, nuk ishte diçka që mund ta merrte kushdo. Ky është mendimi i Kiço Fotiadhit, ikonës së televizionit shqiptar për folësit në përgjithësi. I rritur bashkë me TVSH-në, ai i tregon mes lotësh mbresat e jetës në këtë godinë të shenjtë të përhapjes së lajmit shqiptar. Një jetë plot ngjarje, lajme sensacionale, ankthe, pritje, debate. Kiço Fotiadhi mbetet një prej ikonave të RTSH-së. I qetë, i qeshur, optimist, karriera e tij ka kaluar nëpër labirinte që nuk i kishte menduar, por që e kanë kalitur në jetë dhe i kanë dhënë kënaqësinë e njeriut që kudo ku kalon merr përshëndetjet e njerëzve. Pika kulmore e karrirës së tij përkon me ngjarjet e Kosovës, ku leximi i qindra artikujve për të e ktheu në njeriun më të dashur të vëllezërve tanë që po vuanin represionin serb.

(Kiço Fotiadhi u nda nga jeta, më 17 shtator 2014)

 

-Ku e mbaruat shkollimin dhe kur trokitët për herë të parë në Radio Tirana?

-Unë edhe kur isha i vogël e kam pasur pasion teatrin. Në Vlorë merrja pjesë në rrethet teatrale të Shtëpisë së Pionierëve të Vlorës. Isha një bashkëpunëtor i Shtëpisë së Kulturës së Vlorës. Doja të studioja për dramaturgji. Konkurrova në vitin 1957 dhe nuk fitova. Konkurrova përsëri në vitin 1958 dhe fitova. Fillova Liceun Artistik..Kam pasur pedagog Sandër Prosin, Naim Frashërin, Kadri Roshin, Prokop Mimën, Mihallaq Luarasin etj. Kam pasur fatin që letërsinë  dhe teatrin grek e kam bërë katër vjet rresht në dy segmente, me Profesorin e madh Myzafer Xhaxhiu (na jepte letërsinë antike greke) dhe Xhemal Broja profesor (na jepte teatrin e lashtë grek). Jemi ushqyer me nivelet shkencore pedagogjike kulturore më të bukura që kishte ai brez pedagogësh. Në bazat tona hodhëm parimet më të shenjta të artit shqiptar dhe të artit botëror në përgjithësi. Këto vlera që ne morëm nga profesorët tanë i përcollëm me bashkëpunëtorët tanë që kishim. Mbas Liceut që e mbarova me rezultate shumë të larta, unë kam mbaruar Institutin e Lartë Dramaturgjik “Aleksandër Moisiu”. Akademia e Arteve fillimisht ishte Instituti i Lartë Dramaturgjik “Aleksandër Moisiu”. Rezidenca e tij ishte në Teatrin Popullor. Aty ishin studiot, klasat dhe kjo u krijua në vitin 1958. Mbas  disa vitesh u zgjerua, përveç teatrit dramatik filloi dhe u krijua edhe muzika, piktura dhe kështu u  krijua Akademia. Akademia u krijua në vitet 1970. Studentët e parë të atij Instituti janë Serafin Fanko, Piro Sava etj. Në vitin 1966, kur  mbarova Institutin u emërova direkt spiker kryesor në Radio Televizionin Shqiptar.

-Si u realizua  kjo?

-Në vitin 1959 funksiononte Radio Difuzioni Shqiptar, i cili transmetonte me orë të reduktuara nga ora 06-08 e mëngjesit dhe 12-18-00, dhe nga ora  20-22  e darkës. Kërkonin elementë, spiker dhe kishin shumë emisione, të gjalla, të dramatizuara dhe jo të dramatizuara, të gjitha ishin me krijimtari letrare. Bazën e spikerëve ato e kërkonin tek shkollat artistike. Profesori ynë Prokop Mima punonte në mënyrë tepër serioze, për të mësuar se si të flasësh bukur, si të dublosh bukur, si të recitosh  bukur etj. Ata erdhën një ditë në Lice dhe incizuan zërat më të bukur. Midis tyre konkurrova edhe unë. Më dhanë një gazetë dhe lexova diçka. Atyre u pëlqeu zëri, tingulli, shqiptimi etj., dhe mbas  20 ditësh u kthyen  përsëri në Lice. Ai që na incizoi më tha,  se mund të bashkëpunosh me ne në emisione të ndryshme në radio, kjo i përket vitit 1959. Unë e kisha zërin më të pjekur se sa të tjerët  dhe më caktuan në emisionin e fëmijëve. Në atë kohë folësit nuk i vinin në mikrofon menjëherë. Mua më jepnin skica letrare dhe tregime të ndryshme. Atëherë ishte krijuar një personazh në emisionin e fëmijëve që quhej “xhaxhi korrespondenti”. Ky ishte një figurë i cili korrespondonte me të gjithë Shqipërinë për të gjithë problemet që kishin fëmijët. Kështu e kishin përgatitur redaktorët. Këtu mbaj mend një redaktor të mirë që nuk është sot, Konstandin Lelin.

-Kë gjetët tjetër në Radio?

-Kur shkova për herë të parë në vitin 1959 në Radio Difuzion që ishte në Rrugën e Kavajës gjeta Alfons Gurashin. Ai i kishte kaluar këto faza dhe në atë kohë bënte Enciklopedinë e Radios. Ai ishte një emision që transmetohej çdo të diel, në orën 10. Nga emisionet e fëmijëve, unë vazhdova në emisionet e kulturës, me emisione letrare .Kisha emisionin “Universiteti Popullor” në radio. Kisha emisionin për figura të shquara të muzikës klasike botërore, rubrika e prindit, tryeza familjare. Një emision në vitin 1964 që titullohej “Shqiptarët  në  mërgim”, ku ne komunikonim me mërgimtarët tanë etj.

-Kur filloi të funksionojë Televizioni Shqiptar?

-Në vitin 1960, filloi televizioni eksperimental Shqiptar. Stoli Beli ishte redaktore e emisioneve të fëmijëve dhe të rinisë. Ajo ka bërë prezantimin e parë duke u drejtuar nga studio “Të dashur  teleshikues televizioni eksperimental Shqiptar fillon emisionin e tij të parë”. Në fillim  ky televizion jepte emisione dy herë në javë nga një orë dhe pastaj 3 herë në javë nga një orë me një kapacitet të vogël dhe vetëm për Tiranën. Unë nuk kisha pikësynime për televizion dhe për radio. Po studioja për aktor. Mendoja se në cilin teatër profesionist do të emërohesha dhe çfarë roli do të bëja, por edhe televizioni bënte punën e vet. Ne kishim një drejtor shumë të nderuar, i cili ka hedhur themelet e televizionit, Petro Kito. Në vitin 1963, Stoli Beli më  propozon mua për të dhënë lajmet në televizion. Unë shkova dhe fillova të punoja me kamerën. Bëra një javë praktikë.
Studioja ishte një sallë e thjeshtë 5×6 m, një tavolinë e thjeshtë dhe një stol i vogël. U formua stafi i parë teknik me inxhinier Saliun, Lulzim Tomçiun, Jani Mele, Gëzim Hoxha. Ishin djem të përkryer, atdhetarë. Ata janë themelet e atij televizioni që ne përjetojmë sot.

-Nëse do flasim për teknikën e asaj kohe…?

-Ishte një kamerë e thjeshtë gjermane me katër objektiva. Nuk ishin këto sisteme kompozimi që janë sot. Në atë kohë as tavolina nuk duhej të dukej. Nga ana trupore duhej të dukej gjysma e duarve (jo duart e plota), nuk duhet  të dukej  mikrofoni, letrat. Meqenëse edhe muret nuk ishin të veshura  duhej të flisje me zë më të lartë nga ç’flet një  folës sot. Nuk kishim sistem komunikimi me regjinë. Aty regjinë e bënte Stolia, ajo ishte edhe redaktore edhe  regjisore. Lajmet ishin 6-8 minuta.

-Kur ka qenë dita që ke dhënë lajmin e parë në Televizion?

Jo, nuk e mbaj mend. Për mua ka qenë dita më e çuditshme dhe më e shenjtë në konceptin e vërtetë të fjalës, sepse  nuk ishte krijuar imazhi që unë po flisja në televizion. Në atë kohë e gjithë Tirana  mund  të kishte 15 copë televizorë, bëhet fjalë për vitin 1963. Ata që kishin ardhur nga Bashkimi Sovjetik nga studimet kishin sjellë ndonjë televizor bardhezi.

-Kur keni filluar të jepni emisione të rregullta?

-Ka qenë viti 1970. Kur u bë godina e re e RTSH. Godina e Radios nga ana  funksionale e  brendshme ka qenë e mrekullueshme. Të gjithë delegacionet që vinin (dhe gazetarë) mahniteshin. Ishte godina më e kompletuar nga ana funksionale në Evropë. Ajo ka qenë një dhomë ku regjia  me kameramanin i ndante një mur prej xhami me ajër të kondicionuar, ku vinin specialistë që masnin lagështinë çdo dy orë. Sepse prapa radios ishte një shatërvan i madh dhe aty kalonin të gjithë tubacionet e ajrit të filtruar. Nuk kishte të drejtë as drejtori i përgjithshëm të vinte në studio pa lajmëruar dhe pa leje. Studiot tona ishin hermetike. Asnjë zë nuk dëgjohej nga jashtë. Kishim roja të sigurt që rrinte tek dera. Televizionin e ruante Sigurimi i Shtetit Shqiptar. Nga  vitet ’70-të  e mori policia, dhe Ministria e Brendshme. Ai spiker që i binte ora për lajme duhet të paraqiste letër
hyrjen për në studio. Kjo ishte fletëhyrje e veçantë për në studio. Ndryshe as Zoti nuk të linte të hyje në studio.

-Çfarë përfaqësonte dhe përfaqëson një folës në Televizionin Shqiptar, sipas këndvështrimit tuaj?

-Ajo ka të bëjë me përgjegjësitë personale që ndjen secili vetë, dhe me nivelin kulturor që ka ai. Pashë një kronikë një ditë ku një televizion privat tregonte që Athina Onasi mbesa e miliarderit të madh Aristotelit të madh, hapi një ekspozitë në Britani me antikuaret e nënës së saj Kristina Onasit. Spikeri nuk dinte të thoshte Onasis por thoshte o Isis, O Isi… Kjo ka të bëjë me sedrën profesionale dhe me përkushtimin që ka secili. Ne si folësa (unë dhe kolegët e mi) nuk përfaqsonim më një grup njerëzish, përfaqsonim një popull të tërë. Kështu na edukonin drejtuesit. Ishim përfaqësues të 4 milionë shqiptarëve. Përgjegjësia ishte e madhe dhe pregatitja që duhej të bëja unë duhej të ishte e tillë, duhet të isha i saktë. Këtë nuk e arrita vetëm në sajë përpjekjeve të mia profesionale, por arrita nëpërmjet vërejtjeve, sugjerimeve që më bënin vetë njerëzit e thjeshtë, shokët, etj. Folësi komunikon me të gjithë kategoritë njerëzore, jo vetëm me analfabetin por edhe me akademikun.Mënyra që duhet të flasi folësi duhet të jetë aq e kapëshme, saqë duhet ta kuptojë edhe analfabeti por edhe akademiku.

-Ju në fillimet tuaja nuk keni bërë gabime të tilla ?

-As që bëhet fjalë. Athere kaloje në vrimë të gjëlpërës. Unë hyra si spiker shumë i ri. Isha i pari spiker me arësim të lartë që u emërova.Spikerat që gjeta unë aty nuk e kishin arsimin e lartë, por ishin njerëz me talent, të përgjegjshëm, studiues, të dashuruar me punën. Unë gjeta atje mjeshtërat e folësve shqipe, si Vera Zheji, Feride Konomin etj. Me këtë grup u  përgatita unë si folës.Unë erdha nga një shkollë artistike. Kërkesat për materialet që lexoheshin në lajme, qoftë lajme politike, letrare, kishin kërkesa artistike ishin maksimale. Në  këtë rrugë hyri e folura në radio-televizion.. Më vonë Virgjil Kule, Tefta Radi,

Kur filloi  emërtimi “Revista Televizive” si emision?

Në vitin ‘70-të, ka filluar emisioni i  lajmeve “ Revista Televizive”. Që në këtë vit kam qenë drejtues kryesor i lajmeve.

-A organizonit konkurse apo seminare për folësa në atë kohë?

-Ne organizonim kurse për folësa që në vitet  1968 në radio, me vendim drejtorie, me program të caktuar. Nga këto kurse kanë dalë që nga Çlirim Poro, Ismail Shara, Zerina, Vjollca Vokshi. Kam qenë mësimdhënës i tyre.

-Ka pasur shumë kërkesa në drejtim të folësave?

-Po ka pasur shumë kërkesa.

-Përse ju larguan nga Televizioni shqiptar ?

-Populli shqiptar nuk ka ecur sa duhet përpara sepse ne meremi me probleme që kanë të bëjnë me fiset me zakonet, inatet, mëritë, dhe me gjëra koti. Më  erdhi një letër anonim nga fshati im.Në letër thuehej se nëna ime kishte kushërirë të parë, të dytë,të tretë të arratisur në Greqi. Këto ishin në vitet 40-45-së. Ndërsa babanë e akuzonin si anëtar të Partisë Fashiste. Anëtar i partisë fashiste në atë kohë ishte kushdo, që punonte në adminsitratë. Pra ishte një urdhër që kushdo që punontë në adminsitratë automatikisht ishte antar i Partsë fashiste. Babai duke qenë mësues, rregulli e përcaktonte të tillë. Donte s’donte ai. Pra kjo ishte arsyeja

-More mundimin ta sqaroje këtë problem ?

-I shkova disa shokëve të babait tim që ishin anëtarë të Byrosë Politike dhe as nuk më morën në konsideratë fare kërkesën time.

-Po ju vetë keni qenë antar i Partisë së Punës?

-Unë nuk kam dashur kurrë të bëhem anëtarë partie sepse e dija se në përbërje të organizatës bazë të partisë ishin njerëzit më të paaftë. Ato mbaheshin vetëm me ato teserën e kuqe, ata e shkatërruan atë parti.Unë edhe në rrugë të shkoja, edhe në televizion njerëzit më thonin profesor.Të gjithë dështakët i sollën drejtues në Radio Televizion.Nga klasa punëtore sollën shefa kuadri.

-Mund të na veçoni ndonjë nga drejtuesit e RTSH ?

-Kanë qenë shumë, profesionistë. Por Festivali i 11-të solli katrahurën në televizion. Larguan Todi Lubonjën, iku dhe  Nefo Myftiu që ishte Drejtoreshë e Brendshme e Radios. Ajo që në 70-tën, u bë  drejtoresha e informacionit të televizionit shqiptar dhe mblodhi të gjithë ajkën e profesionistëve. Ajo mblodhi Alfons Gurashin, Agron Cobanin,Tomor Toporen etj.

-Rehabilitimi

-Më hoqën më1 korrik 1974 dhe më çuan  punëtorë në fermë me gjithë gruan.Mbas dy vjetësh më thirri Simon Stefani që ishte sekretar i Parë i Tiranës dhe më çoi Drejtor të Kulturës në zonën e Lurës për dy vjet.Më vonë drejtor në Pallatin e Kulturës Ali Kelmendi. Në vitin 1980 fillova bashkëpunimin me Radio Televizionin. Atëherë filloi restaurimi im biografik. Në vitin 1981 filluan ngjarjet në Kosovë që kërkonin pavarësinë  dhe Shqipëria mbajti qëndrimin e saj  me  disa artikuj shumë të fuqishëm. Një prej atyre artikujve ka qenë i marsit i vitit 1981. Artikulli e kishte titullin “Kush e nxiti armiqësinë midis popullit të Jugosllavisë”. Ishte historik-shkencor-politik-ideologjik. Dikush e lexoi nga spikeret në radio e lexoi por udhëheqja dhe nuk e pëlqeu. Dhe i thanë se i vetmi që mund ta lexojë mirë është Kiço Fatjari. Më morën dhe më dhanë tekstin. E lexova disa herë vetëm. Pastaj në radio. Kisha emocione të jashtzakonshme pasi ishte një artikull bombë, patriotik. Të jepte zjarr. Aty ishte shkëlqimi im atë ditë që u transmetua ajo. Ngjarja për të cilën unë flisja më ngacmoi shumë..Unë bëra një lexim artistik të përkryer të gjithë që e dëgjuan e pëlqyen shumë. Ngjarjet e jashtëzakonëshme kanë lexime të jashtëzakonëshme. Ajo ishte ngjarje kombëtare. Isha shumë i zhytur në ato materiale.Unë lexoja dhe dridhesha i tëri dhe më rëngjethej mishi. Pas atij momenti të gjithë materialet që ishin për Kosovën kalonin nëpërmjet meje.Unë dashje pa dashje jam quajtur spikeri i Kosovës. Më vinin urime nga populli i Kosovës, disa mendonin se isha  kosovar, pastaj morën vesh që unë isha himarjot.

-Përveç folësit çfarë emisionesh keni bërë  në RTSH?

-Në radio kam bërë në emisione speciale të gjithë letërsinë e viteve ’30-të  të Nonda  Bulkës, Qemal Stafës, Migjenit, Petro Markos e të tjerë. Këto i kishim të gjithë të regjistruara në radio. Kur ika unë në vitin 1974, dy nga redaktorët e redaksisë së kulturës komunista i hoqën nga arkiva këto emisione vetëm se ishte zëri im. Por nuk më dëmtuan mua por arkivën.Nuk ka më Nonda Bulka të regjistruar.Hoqën nga televizioni kronikat e mia.Në televizion pastaj kam bërë cikle emisionesh muzikore.Me Albert Mingën kam bërë 2-3 cikle emisionesh. Në vitin 1972 kemi  bërë festivalin e 8-të të këngës në radio Televizion. Në vitin 1972 kemi bërë edhe një emision në studiot e Televizionit Shqiptar me një regji absolute, me një transparencë figure dhe me një komunikim skenari, me një tekst të improvizuar të thjeshtë.Kam bërë edhe emisione muzikore si ai “Për ty atdhe” në të gjithë Shqipërinë  me këngëtartë më të mirë të asaj kohe,me  Justina  Alia, Ema Qazimi që janë në arkivën e televizionit Shqiptar. Pastaj në vitin 1984-1985, u dha si orientim për të bërë një emision për etnogjenezën shqiptare, ku u formuluan disa skenare dhe do të bëheshin 26 emisione me metrazh të gjatë nga 3 orë secili për të gjitha rrethet e Shqipërisë. U mblodh një grup specialistësh, arkeologë, historianë, bënë skenarin dhe iu ngarkua regjisorit Dhimitër Pecani, me Fatmir Lelën operator, kështu u krijua një grup dhe u dha një orientim që atë emision ta bëja unë.Ky emision u realizua në këmbë dhe jo ulur dhe ishte i pari në historinë e televizionit Shqiptar. Ai emision u bë i thjeshtë pa tekst, unë vetëm flisja pa letra.Kam bërë 26 emisione të cilat janë në  arkivë. Ky emision ishte mujor, dhe zgjati tre vjet. Kemi shkuar deri tek shpella e Trenit në Prespë, në Bitickë atje ku janë pesë varret ilire dhe kemi xhiruar.

-Ky është emisioni më i bukur i juaji?

-Është emisioni më i bukur dhe më i arrirë profesional, më i kompletuar më i përgjegjëshëm.Ky emision i kishte brenda të gjitha elementë e tijë si historik kulturor, shkencor. Ky emision ishte edhe intim sepse ne hynim edhe nëpër familje.

-A keni marrë ndonjë vlerësim nga Enver Hoxha?

-Kur lexoja artikujt për ngjarjet e Kosovës më vëzhgonte shumë drejtori i radios Agim Papaproko që ishte gazetar dhe drejtor i radios në atë kohë. Në studio, jo përballë meje por anash, rrinte Çajup Rusmaili.Unë tregoja artin tim të të folurit. Kam lexuar edhe nekrologjinë e Naserit dhe të Ho Shi Minit, dhe njoftimin për vrasjen e Mehmet Shehut dhe nekrologjinë e Enver Hoxhës në radio. Por leximet për Kosovën ngelen ndër më të dashurat dhe ato me më përgjegjësi për mua. Kur dal një ditë nga studio i lodhur Çajupi më thotë se më ke bërë një nder shumë të madhe se një herë në tre  ditë më merr Enver Hoxha në telefon dhe më thotë se “bravo ju  qoftë për ato artikuj, ai djalë lexon shmë bukur dhe përgëzojeni atë djalë. Ai djalë nuk lexon por këndon këngë patriotike”.

-Ti e ke dhënë lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës?

-Lajmin e kam dhënë në radio. U kërkua  që lajmi të lexohej çdo dy orë. Vonë kam takuar të burgosur politik,  personalitete, që më kanë thënë se ti na ke bërë të qajmë neve në burg. Ai neve na ka futur në burg padrejtësisht por ti me mënyrën tënde të leximit na detyrove të qajmë. Unë e trajtova si një poemë poetike lajmin. Një ngjarje e jashtëzakonëshme ka lexime të jashtëzakonëshme. I kundërt ishte njoftimi i vrasjes për Mehmet Shehun. Ajo nuk ishte nekrologji, nuk kërkonte atë impulsitet, nuk kërkonte atë ndjenjë, emocion por kërkonte indiferencë, ftohtësi dhe vetëm llogjikë. Llogjika duhet, sepse është llogjika e frazës.

-Po me Ramiz Alinë çfarë do të veçoni ndonjë rast interesant?

-Nuk kam ndonjë mbresë të veçantë.Por në ngjarjet e Kosovës në vitet 1985-1986, unë pata një polip në grykë në kordën e krahut të djathtë dhe ishte një operacion i cili nuk mund të bëhej këtu nga specialistë tanë. Specialistët mbas vizitës aritën konkluzionin që më mirë të bëhej jashtë sepse është profesionist dhe mund ti ikte zëri.Iu referua ky problem shokut Ramiz. Në atë kohë ai ishte President. Kjo ishte në vitin ’87-të. Ai dha urdhër që unë të dilja me një grup të televizionit.  Ky urdhër u vonua dhe më pas ai e përsëriti në mënyrë të prerë se duhet të shkojë patjetër jashtë shtetit të operohet sepse zëri i spikerit i radio –televizionit  është më i domosdoshëm se  i Presidentit të Repuplikës.

-Çfarë të veçantash kishte në emisionet për Kosovën?

-Ne si individ kishin kërkesa profesionale por kishin dhe thjeshtësinë dhe modestinë që të pyesnim për gjëra që nuk i dinim dhe nuk i kuptonim.Unë konsultohesha shpesh me Robert Zhvarcin, ky ishte një mik i imi, shkrimtar, përkthyes. Jam konsultuar edhe me të tjerë. Në  ngjarjet në Kosovë në atë kohë ishte shprehja lëvizje iridentare, që akuzonin serbët për Kosovën. Dhe për këtë unë pyesja Robertin. Ai më tha se kjo lëvizje ishte e shekullit e 11-të në Itali që u quajt lëvizje brenda e  qyteteve dhe e shteteve.

-Mbani mend ndonjë gabim teknik gjatë leximit që të ka lënë shije të hidhur më vonë?

-Kjo nuk ishte një kërkesë luks i një njeriu por ishte një kërkesë që ke një përgjegjësi përpara. Në vitin 1972 më 28 nëntor unë kisha të gjithë revistën televizive. Atë natë meqë ishte 28-29 Nëntori kishte shumë veprimtari kulturore-artistike-ceremoniale nëpër ambasada..Më kujtohet që lajmi i  fundit i asaj reviste televizive ishte një pritje që kishte bërë ambasada shqiptare në Romë. Ambasadori Ksenofon Nushi një miku im dhe bashkëfshatar imi dhe i afërt  familjar i imi,kur  unë e transmetoj lajmin mua nuk më del Nushi por e shqiptoj Nusi.Unë në atë kohë nuk e ktheva e të thoja më falni dhe është Nushi por e lashë ashtu siç ishte. Todi Lubonja Drejtor i Përgjithëshëm më merr në telefon sa mbaroj buletinin e lajmeve dhe më thotë se eja  pak në zyrë. Kur u futa në zyrë Todi më tha din të thuash “SH”, dhe më spjegoi se kisha thënë Nusi dhe jo Nushi.
Eshtë një mungesë vëmendje më bërtiti dhe i ra tavolinës. Jo se është mungesë artikulimi i them unë, por fola 45 minuta dhe studioja nuk ka ajër të lagështuar, u tha pështyma dhe gjuha nuk arrin ta thotë Sh.

-Pse u shkëputët nga TVSH-ja?

-Nuk u shkëputa nga TVSH-ja, por më shkëputën në vitin1992. Kur u ndërrua sistemi u mblodh aty një këshill drejtues  dhe  morën në analizë të gjithë  punonjësit e televizionit  dhe thanë se ky (për mua) i ka  shërbyer monizmit. Po ashtu për Alfons Gurashi dhe Virgjil Kulen, folësit më të mëdhenj të ekranit shqiptar !!! Unë u befasova. Nuk kam qenë kurrë komunist, as anëtarë i Byrosë Politike, as anëtar i Komitetit Qendror, as anëtar Pleniumi, as anëtarë i thjeshtë partie. Kam qenë një specialisti mirëfilltë, i të folurës shqipe dhe e kam për nder që gjuhën time amëtare e kam ditur ta përdor dhe e përdor në mënyrën më të përkryer, dhe për këtë kam marrë vlerësimet më të mëdha të gjuhëtarëve më të mëdhenj shqiptarë. Ata thonin se folësit e radio-televizionit janë përdoruesit më të shkëlqyer të gjuhë shqipe. Ne jemi hulumtuesit e gjuhës shqipe, kërkuesit por përdoruesit janë ata.

-Kush ishte motivacioni që ju larguan nga TVSH-ja?

-Motivacioni ishte se i kisha shërbyer me besnikëri monizmit.

-Kush ka ikur njëkohësisht me ju në atë kohë?

-Kam ikur unë, Alfons Gurashi dhe nuk e mbaj mend tjetër.Unë i kam shërbyer publicistikës shqiptare, televizionit shqiptar, kulturës kombëtare shqiptare dhe do ti shërbej. Njerëz të tillë edhe për moshën edhe për aftësitë profesionalistike mbahen në institucione.Nuk zhduket nga institucionet. Mbas meje ikën të gjithë si Virgjili, Tefta.I vetmi njeri që mbahet është vetëm Dhimitër Gjoka. Ajo ishte një shkollë që ne e krijuam sepse nuk ekzistonte asgjë në Shqipëri.Unë që isha i kësaj pune unë shikoja RAI-n dhe spikerin kryesor, shikoja se çfarë elementi mund të marr nga ky dhe ta përshtas me veten time. Kjo ishte shkollë për të tjerët.Ishte edhe radio Korça, Radio Shkodra, Radio Gjirokastra, Radio Kukësi ku të gjithë flisnin në dialektin e vet, ndërsa ne e unifikuam të folurën. E folura zyrtare është një dhe flitet një.Spikerat dhe folësat duhet të flasin gjuhën amëtare në mënyrë të përsosur.

-Po ju pastaj shkuat direkt në emigracion?

-Jo nuk shkova në emigracion.Unë isha Drejtori i Pallatit të Kulturës Ali Kelmendi.Ky pallat vazhdoi punë deri në vitin 1994-1995 dhe pastaj me një vendim ky pallat kulture u shkri dhe u sekuestrua dhe unë ngela pa punë. Bashkëpunova me dy privatë që merreshin me tregti dhe unë punova si përkthime.Shkova për një kohë në Greqi tek fëmijët dhe rrija pa punë tek ata.Erdha kërkova punë përsëri në vitin 1997 fillova si bashkëpunëtor ku më ndihmoi Albert  Minga. Televizionin Shqiptar e njeh Ylli Pepo, Albert Minga, Ëngjëll Ndocaj, Dhimitër Pecani këta e njohin televizionin shqiptare ndërsa të tjerët janë kalimtar. Fillova të merrem me televizionin e Vefës ku ishte në organizim e sipër. Ky kishte një aparaturë të shkëlqyer dhe thamë të bëjmë një television model, ai punonte me dixhital.ishte një kryeinxhinier shumë të mirë.studiot ishin nga më të mirat dhe kamerat nga më të mirat e Evropës dhe mendova të krijoj një staf të përkryer por pas disa muajsh dolën problemet që kishte ai me shtetin shqiptar dhe e sekuestruan. Më thirën në dy televizione private.

-Ke ndonjë peng në jetë duke qenë nismëtar i shumë gjërave në Radio-Televizionin shqiptar?

-Në qoftëse nuk do të kisha probleme me rënien e refleksit të të parit sot, do të kisha bashkëpunuar me ndonjë televizion privat dhe do të hapja një shkollë, ose një kurs për të pregatitur spikera dhe jo lexues lajmesh.

Dhënë për “Telegraf” në vitin 2009