RRËFIMI I ISH-KOMISARIT TË BRIGADËS VI-S, ARIF BIZHGA

1435
Leonard VEIZI
Kujtime nga Arif Bizhgës, ish- komisar kompanie në Brigadën e 6-të Sulmuese, Fshati që u dënua me shfarosje nga mercenarët, si u përhap në fshat ideja për t’u ngritur në luftë, a pati të tjerë agjitatorë që folën për Luftën dhe si e kapëm brenda në makinën e SIM-it Ali Këlcyrën
Kaparjeli ishte një fshat që u bë bazë e rëndësishme e Luftës, sepse aty u strehuan rezervat ushqimore që përdoreshin për njësitë partizane, u montua një radiostacion ku lidheshin krerët e zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër, si dhe u ngrit një spital partizan. Mbas çlirimit ky fshat, si rrallë kush mori medaljet e “Kujtimit”, “Çlirimit” dhe “Trimërisë” për kontributin e tij gjatë Luftës Antifashiste
Trupat partizane ku bëja pjesë edhe unë mbanin nën darë urën e Kardhiqit. Aty ishim sinjalizuar, se në një makinë të SIM-it italian udhëtonte një ushtarak që duhej ndaluar. Ne e ndaluam, por brenda nuk gjetëm atë që na ishte thënë, por Ali Bej Këlcyrën, një prej eksponentëve më me peshë të Ballit Kombëtar. Ne e çuam atë në qendër ku do t’i bëhej edhe një gjyq. Por për shkak të presioneve që u bënë, meqenëse ai ishte njeri me reputacion, u dha urdhër që të lirohej
Në fillim foli Ali bej Këlcyra e pas tij Bahri Omari, që u munduan të merrnin rolin e protagonistit. Por ai që i demaskoi vërtet dhe mori duartrokitjet edhe ovacionet e popullit të mbledhur në shesh ishte Bedri Spahiu. Ai ishte vërtet i imët e trupvogël, por fjala e tij pati jehonë të madhe, sidomos kur u përmendi dy përfaqësuesve të Ballit, të gjitha ato zotime që kishin marrë dhe që s’i kishin mbajtur

Kaparjeli
Fshati që u dënua me shfarosje nga mercenarët
Arif Bizhga thotë se Kaparjeli ishte një fshat që, për shkak se u bashkua me Lëvizjen, por dhe për shkak të vetë pozicionit gjeografik, që ishte vendosur në thellësi i mbrojtur nga të dyja anët nga malet, i bë halë për armikun. “Ky ishte një fshat që u bë bazë e rëndësishme e Luftës, sepse aty u strehuan rezervat ushqimore që përdoreshin për njësitë partizane, u montua një radiostacion ku lidheshin krerët e zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër, si dhe u ngrit një spital partizan. Mbas çlirimit ky fshat, si rrallë kush mori medaljet e “Kujtimit”, “Çlirimit” dhe “Trimërisë” për kontributin e tij gjatë Luftës Antifashiste. Por në ato vite fshati ynë u dënua me vdekje nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. Gjatë operacionit të dimrit 1943-1944, pikërisht në dhjetor ’43 kundër fshatit u ndërmor një mësymje shfarosëse me tre kolona mercenarësh. Nga Kaparjeli sapo ishte nisur një kompani e Brigadës së 5-të drejtuar nga Shefqet Peçi, i cili po merrej me riorganizimin e njësisë. Por për shkak të dëborës së madhe ata u kthyen sërish në fshat. Ky ishte dhe një shans, sepse i erdhi në ndihmë fshatit. Ishte menduar që dy kolonat e mercenarëve do ta rrethonin fshatin nga dy anë dhe e treta do të futej mes për mes tij. Sapo u zbuluan trupat që po marshonin drejt fshatit, Shefqet Peçi dha urdhër për evakuim. Kompania dhe fshatarët vullnetarë zunë pozicionet dhe kur trupat mercenare u futën në fshat plasi pushka. I pari që u vra ishte komandanti i kolonës Magjar Shalari. Gjithsesi u zunë 7 robër për të cilët Shefqet Peçi dha urdhër të pushkatoheshin. Por ndërhyri gjyshi im, duke thënë se ata ishin djem të fshatrave përreth dhe duke u pushkatuar në Kaparjel, i fuste në gjak në këtë mënyrë. Atëherë Shefqet Peçi i liroi të 7 robërit ”, rrëfen ish- partizani i Brigadës së 6-të Sulmuese. Ai është invalid i Luftës, për shkak të plagëve të marra në luftime. Në Labinot të Elbasanit, një predhë e artilerisë gjermane do të bënte copë- copë mitralierin që luftonte në krah të tij, ndërsa atë vetë e ka hedhur disa metra më tej. Ciflat e metalit i kishin hyrë në pjesën më të madh të trupit, por fati e deshi që ai të mbijetonte. Tanimë është 84 mote, por ishte 17 vjeç kur dëgjoi për herë të parë se shqiptarët duhet të ngriheshin në një luftë të përbashkët për të hequr qafe zgjedhën e okupimit fashist. Partia Komuniste ishte krijuar prej disa muajsh, dhe emisarët e saj kishin filluar të shkonin fshat më fshat, për të ndikuar fillimisht me familjet më me influencë. Arif Bizhga, një prej pinjollëve të fisit të madh të Bizhgajve në Kaparjel të Vlorës, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf” rrëfen gjithçka ka parë me sytë e tij në ato ditë të vështira Lufte të viteve 1942-1945, ku ai do të luftonte, jo vetëm në Vlorë e rrethinat e saj, por në Shqipëri të Mesme, në Veri, më Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni.
Si kontaktuat për herë të parë me lëvizjen e armatosur?
Shefqet Peçi ka qenë njeriu i parë që erdhi në shtëpinë tonë e foli për Luftën. Ai ishte kushëri i parë me babain tim, pra nënat e tyre ishin motra. Duke qenë se ne ishim një familje patriarkale, me 27 vetë në shtëpi, Shefqeti e kishte më të lehtë ta fillonte punën propagandistike nga fisi Bizhga. Ai bisedoi gjatë me gjyshin, babanë dhe xhaxhain tim. Unë atëherë isha 17 vjeç, hyra e dola disa herë për t’u shërbyer ndonjë gjë dhe gjatë kësaj kohe kapa disa fragmente nga biseda e tyre. Aty për herë të parë dëgjova dhe për organizimin e një lufte të armatosur. 
Vetëm për arsyen e lidhjes së gjakut, Shefqet Peçi e filloi punën nga familja juaj?
Jo vetëm për këtë. Gjyshi im kishte kaluar disa luftëra. Ai kishte luftuar kundër hordhive turke për mbrojtjen e Kurveleshit, por dhe në luftën e 1920-s kur hodhën në det ushtrinë italiane. Për këtë arsye ai ishte nderuar me “Medaljen e Patriotit”. Ndaj ishte me influencë, jo vetëm në fshat, por dhe më tej.
Si u përhap në fshat ideja për t’u ngritur në luftë?
Pas kësaj bisede në shtëpinë tonë, gjyshi im, Mane Bizhga, thirri disa burra të fshatit, të cilët kishim besim të madh tek ai. Ky ishte takimi i parë i gjerë në fshatin Kaparjel, ku Shefqet Peçi foli për një lëvizje të armatosur kundër ushtrisë italiane që ishte pushtuar Shqipërinë. Një gjë e tillë u përkrah nga pjesëmarrësit. Ky ishte dhe ambienti ku ideja për t’u ngritur në luftë të përbashkët për çlirimin e atdheut gjeti shpejt terren.
A pati të tjerë agjitatorë që folën për Luftën?
Më pas në familjen tonë do të vinte Mustafa Matohiti, ai që ne e cilësonim si propagandistin e flaktë të qarkut të Gjirokastrës. Ai e gjeti idenë e shtruar dhe ambientin e krijuar, ndaj foli më me zjarr për bashkimin e popullit për t’u hedhur në luftë?
Në këto krahina vepronin vetëm emisarët e Partisë Komuniste…?
Jo krejtësisht. Pas Shefqet Peçit e Mustafa Matohitit në fshatin tonë erdhi Ismail Golëmi, një ish- oficer i Zogut, i cili kishte disa merita dhe për këtë arsye kishte dhe reputacion në krahinë, sepse dhe familja nga rridhte ishte patriote. Por ai kishte parapëlqyer të vishte uniformën e oficerit fashist. E megjithatë ai shëtiti në krahinë duke bërë propagandë se donte të formonte një trupë me vullnetarë për të luftuar pushtuesit. Por shumëkush e njihte se ai shquhej për ndjenjat e tij profashiste, megjithatë pati njerëz që e ndoqën nga pas dhe në vend të luftonin pushtuesit, u futën në radhët e xhandarmërisë së tyre.
Pati përplasje mes dy krahëve, nëse mund t’i quajmë si të tillë në ato fillime?
Deri në ato çaste jo. U veprua me kujdes. Me t’u marrë vesh ky lajm, se Ismail Golëmi kishte filluar nga propaganda, menjëherë erdhi tek ne Shefqet Peçi dhe bëri një punë sqaruese, por nuk e demaskoi Ibrahim Golemin, sepse ai kishte ende shumë influencë në zonë. Por fshati kishte filluar të mblidhej rreth Këshillit NAÇl që u formua në ato kohë ku kryetar i zgjodh babai im dhe që qëndroi i tillë deri në përfundim të Luftës. Pikërisht në një situatë të tillë, kur Shefqet Peçi sqaronte fshatarët ngrihet gjyshi im, Mane Bizhga, dhe pyet: “Kush ka më shumë njerëz në shtëpi në fshatin tonë?”. “Ti” – ia kthejnë bashkëfshatarët. “Po mall e gjë?” – pyet sërish gjyshi. Sërish bashkëfshatarët i thonë – “Ti”. “Epo më dëgjoni mua, – u kthehet gjyshi, – sikur të përmbyset ne do të bashkohemi me rezistencën”. Dhe kështu Kaparjeli në mënyrë kompakte u bashkua me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. 
Si u organizuat ju me Lëvizjen?
Përpara se të dilja në mal unë u organizova me Rininë Komuniste që u formua menjëherë. Ndërsa një djalë i xhaxhait tim filloi aktivitetin ilegal me armë në dorë. Në dhjetor të vitit 1942 u bë lufta e Gjormit. U bë një thirrje Këshillave Nacionalçlirimtare për përforcime dhe u ngritën shumë vullnetarë. Nga fshati ynë shkuan; xhaxhai im Habil Bizhga, kushërinjtë e mi, Avdyl e Hajro Bizhga si dhe Lutfi Velniukaj. Ky ishte aksioni i parë i armatosur kundër pushtuesve në këtë krahinë. Çeta “Avni Rustemi” që u krijua në atë periudhë pati ndikim shumë tek të rinjtë që iu bashkëngjitën asaj. Edhe unë, i influencuar nga kushërinjtë e mi, u bëra pjesë e shumë aksioneve, por dhe e disa luftimeve sporadike dhe pas aksionit kthehesha sërish në shtëpi. 
Po ju vetë kur do të dilnit në mal?
Në qershor të vitit 1943, pa lejen e prindërve, duke ia lënë bagëtitë që kisha në ruajtje një bashkëfshatari tim, mora pushkën që e mbaja gjithmonë me vete dhe shkova vullnetar në çetën “Avni Rustemi”. Më kujtohet që shumë shpejt komanda më dha një mortajë shpine, me të cilën luftova kundër trupave italiane tek Ura e Kardhiqit. Këtë mortajë ma vunë në shpinë, meqenëse unë isha i gjatë dhe i fuqishëm.
DËSHMIA/ Bisedimet në Gjirokastër mes komunistëve dhe Ballit Kombëtar

Ali Këlcyrën e kapëm brenda në makinën e SIM-it
Në Itali, Partia Fashiste e Benito Musolinit ishte rrëzuar, ndërsa trupat ushtarake të tyre kishin mbetur në mëshirë të fatit. Në të njëjtën kohë, komanda e Divizionit “Peruxhia”, që ishte dislokuar në Gjirokastër, nuk kishte pranuar të dorëzohej tek partizanët, siç kishin bërë shumë njësi të tjera. Në të njëjtën kohë, në lojë futet dhe Balli Kombëtar. Duke kujtuar ato ditë Arif Bizhga rrëfen:
“Sapo u mor vesh se një përfaqësi partizane kishte hyrë në Komandën e Divizionit “Peruxhia” për bisedime, krerët e Ballit Kombëtar, shpejtuan që këtë divizion ta merrnin vetë nën përgjegjësi. Trupat e Ballit Kombëtar të kryesuar nga Hysni Lepenica bënë sulmin në Grehot. Por italianët nuk pranuan të dorëzoheshin, as tek partizanët dhe as tek ballistët. Në Grehot ata bënë qëndresë dhe në këto luftime mbetën të vrarë të paktën 30 nga pjesëtarët e Ballit Kombëtar së bashku me komandantin e tyre Hysni Lepenicën. Po në këtë kohë, trupat partizane ku bëja pjesë dhe unë mbanin nën darë urën e Kardhiqit. Aty ishim sinjalizuar se në një makinë të SIM-it italian udhëtonte një ushtarak që duhej ndaluar. Ne e ndaluam, por brenda nuk gjetëm atë që na ishte thënë, por Ali Bej Kelcyrën, një prej eksponentëve më me peshë të Ballit Kombëtar. Ne e çuam atë në qendër ku do t’i bëhej edhe një gjyq. Por për shkak të presioneve që u bënë, meqenëse ai ishte njeri me reputacion, u dha urdhër që të lirohej. Ndërkohë ishin ditët kur Italia kishte kapitulluar, ndërsa trupat gjermane ende nuk ishin futur nga Greqia. Batalioni ynë, kishte hyrë në Gjirokastër dhe mbante nën kontroll një pjesë të qytetit që përfaqësohej nga ndërtesa e Bashkisë dhe Sheshi i Çerçizit, ndërsa trupat e Ballit Kombëtar dominonin mbi kala dhe në godinën e Prefekturës. Atëherë të dy palët kërkuan që të bisedonin dhe të sqaronin popullin. Në sheshin e Çerçizit u improvizua një tribunë ku u ngritën dy përfaqësues të Ballit, Bahri Omari dhe Ali bej Këlcyra ndërsa Fronti përfaqësohej me Bedri Spahiun. Batalioni ynë kishte krijuar disa patrulla dyshe që vërtiteshin nëpër turmë dhe kishim marrë udhëzim që të qetësonim dhe të mos lejonim popullit të nxiste thirrje kundër krerëve të Ballit Kombëtar. Sheshi i Çerçizit u mbush tej e tej. Në fillim foli Ali bej Këlcyra e pas tij Bahri Omari ku u munduan të merrnin rolin e protagonistit. Por ai që i demaskoi vërtet dhe mori duartrokitjet edhe ovacionet e popullit të mbledhur në shesh ishte Badri Spahiu. Ai ishte vërtet i imët e trupvogël, por fjala e tij pati jehonë të madhe, sidomos kur u përmendi dy përfaqësuesve të Ballit, të gjitha ato zotime që kishin marrë dhe që s’i kishin mbajtur. Për t’i prerë fjalën Bedri Spahiut, disa ballistë shkuan në kalanë e Gjirokastrës ku ishte instaluar një sistem alarmi dhe u ranë borive. Populli duke menduar se ishte aviacioni që do të bombardonte u shpërnda me shpejtësi. Vetëm kështu mundën t’i prisnin fjalën demaskuese Bedri Spahiut”
Intervistë e dhënë nga Arif Bizhga në dhjetor 2006 për gazetën Telegraf. Arif Bizhga ka disa kohë që është ndarë nga jeta. 

NESËR DO TË LEXONI
-Lufta me trupat gjermane deri në Sanxhak, si komandonte oficeri SS
-Puna me grupin e shoqërimit të Enver Hoxhës, pas çlirimit të vendit
-Detyrat në Ministrinë e Brendshme, 30 vjet me Kadri Hazbiun
Sigal