Sigal

Gani Elezi: Ju rrëfej ç’ndodhime luftëtarët e Al Fatahut në Zall-Herr, pse i përgatitëm, gjuha e komunikimit, pse u ndalua hedhja me parashutë dhe lufta e Kosovës

Leonard VEIZI

 (Vijon nga numri i kaluar)

 NGA LIBRI “KUR PËRGATITESHMI PËR MBROJTJE”

 

Mbërritja e palestinezëve në Shqipëri

“Në fillim të vitit 1971, në 6-mujorin e parë, pranë detashmentit u organizua përgatitja ushtarake e një grupi prej 30 të rinjsh palestinezë për një periudhë kohe 6 mujore. Palestinezët ishin të rinj. Kishin ardhur nga shtete të ndryshme arabe, por edhe nga mjaft vende europiane, për tu përgatitur në interes të luftës së tyre çlirimtare për pavarësi. Si shkak për organizimin e përgatitjes së këtij grupi, ka qenë kërkesa e një delegacioni palestinez që kishte ardhur në Shqipëri dhe që kishte ndjekur një stërvitje treguese të detashmentit të zbulimit. Si duket, duke parë nivelin e përgatitjes dhe të aftësive luftarake të efektivave të zbulimit, ky delegacion kërkoi pranë autoriteteve shqiptare që të dërgonte dhe të përgatiste një grup luftëtarësh, që më vonë do t’i angazhonte në luftën çlirimtare të popullit të tyre. Kjo bëhej në kuadrin e përgatitjes së luftëtarëve palestinezë në interes të luftës për çlirimin e tokave të tyre të pushtuara nga Izraeli dhe për krijimin e shtetit të tyre të pavarur palestinez. Gjithashtu, kjo përgatitje bëhej në kuadrin e politikës, që ndiqte në atë kohë PPSH, në mbështetje të lëvizjeve revolucionare, në interes të luftës kundër imperializmit dhe të vetëvendosjes së popujve të shtypur”.

Ata ishin vetëm 30 persona, të disiplinuar dhe të vëmendshëm deri në maksimum për të marë brenda një periudhe të shkurtër gjithçka të mundëshme që u trasmetohej nga ushtarakët shqiptarë. Nuk kishin as një minutë kohë të tepërt, dhe gjithçka e kishin vënë në shërbim të marjes në masë të konsiderueshme të informacionit ushtarak. As që mendohej se ishin thjeshtë njerëz me uniformë që do të kryenin misione “komando” në thellësi të forcave kundërshtare, por oficerë të cilët me shpejtësi u duhej të përgatisnin në tokat e tyre disa qindra mijë ushtarë të tjerë të cilët do të ishin të gatshëm të hidheshin në frontin plot rreziqe të luftës.

Politika e kohës jo vetëm nuk e kishte për zemër boshtin Uashington – Tel Aviv, por shkonte në krahun e kundër të tyre, në mbrojtje të luftës së popullit palestinez, por edhe të disa vendeve të tjera, që në atë kohë ishte herezi të cilësoheshin si “të botës së tretë”. “Tablloja sinoptike”, nuk mjaftohej vetëm me propagandë, por dhe me ndihmë konkrete për popujt që kërkonin të drejtat e tyre. Në këtë kuadër mbritën në Shqipëri të paktën 30 trupa palestrineze, por dhe nga disa vende të Amerikës Latine, të Afrikës etj, për të mësuar nga oficerët e zbulimit shqiptar artin ushtarak. Gani Elezi, një prej kuadrove të Detashmentit të Zbulimit dislokuar në Zallherr të Tiranës, kujton se si për gjashtë muaj rresht stërviti një togë palestinezësh të cilët si drejtues ushtarak kishin një person me emrin Jasin:

Përse ushtarakët shqiptarë duhet të përgatisnin forca të armatosura palestineze?

Përgatitja e Palestinezëve bëhej në kuadrin e politikës, që ndiqte në atë kohë PPSH, në mbështetje të lëvizjeve revolucionare, në interes të luftës kundër imperializmit dhe të vetëvendosjes së popujve të shtypur. Në këtë kuadër, veç këtij grupi palestinez, janë përgatitur edhe grupe të tjera, nga vende të ndryshme, si nga Indonezia, nga disa vende të Amerikës Latine, të Afrikës etj.

 

Cili ishte niveli i kontigjentit që kishte ardhur për të marë leksione praktike?

Të 30 djemtë palestinezë ishin mjaft të arsimuar dhe të kulturuar. Në përgjithësi ishin me arsim të lartë dhe me ambicie për të përfituar sa më shumë në fushën e përgatitjes ushtarake. Për përgatitjen e tyre u hartua një program 6 mujor, në të cilin peshën kryesore e zinte përgatitja taktike dhe njohja e përdorimi i armatimit të lehtë të këmbësorisë, përfshi këtu edhe qitjet luftarake me këto lloj armësh. Veç këtyre disiplinave, në programin e përgatitjes së tyre u përfshinë edhe lëndë të tjera, si përgatitje xheniere, përgatitje për njohjen dhe përdorimin e mjeteve të mbrojtjes kundër kimike, përgatitje topografike, përgatitje fizike etj.

Cili nga ushtarakët shqiptarë u ngarkua për stërvitjen e tyre?

Për realizimin e përgatitjes taktike, të përgatitjes së zjarrit dhe të përgatitjes fizike u ngarkova unë, duke marrë kështu edhe drejtimin në tërësi të grupit. Në përgatitje taktike u përpunuan tema që realizonin aftësimin e pjesëmarrësve për të drejtuar ushtarakisht nënreparte të vogla, si skuadra, toga e këmbësorisë etj., në llojet kryesore të luftimit, si në mbrojtje, në sulm etj. Por në mënyrë të veçantë u zhvilluan tema që kishin të bënin me veprime karakteristike të nënreparteve të zbulimit, siç ishin veprimet në prita, veprimet gjatë kërkimit për të kapur robër, veprime për të zbuluar dhe goditur objektiva të veçanta të kundërshtarit etj.

Ku konsistonte programi për ta?

E gjithë kjo përgatitje orientohej në aftësimin e tyre në bazë të taktikës së nënreparteve të zbulimit. Në përgatitje zjarri u programuan dhe u dhanë njohuri për përdorimin e të gjithë armëve të lehta të këmbësorisë, duke filluar që nga pistoleta, pushkët, automatiku, mitrolozët e lehtë dhe të rëndë, granatëhedhësi kundërtank, granatat e dorës dhe deri tek topi kundërtank 75 mm. Në përgatitjen xheniere u dhanë njohuri, veçanërisht, në njohjen dhe përdorimin e lëndëve plasëse në kuadrin e veprimeve luftarake kundër objekteve të ndryshme të kundërshtarit, për zbulimin e pengesave xheniere dhe të fushave të minuara, hapjen e shtigjeve dhe të kalimit në mes tyre. Në përgatitje kundërkimike jepeshin njohuri për përdorimin e mjeteve personale të mbrojtjes kundërkimike, si kundërgazi, kompletet e lehta të mbrojtjes kundërkimike etj. Në topografi zhvilloheshin tema që kishin të bënin me aftësimin e pjesëtarëve të grupit për tu orientuar dhe për të lëvizur me anë të mjeteve topografike dhe të hartës në çdo terren dhe në çdo kusht të motit. Në përgatitje fizike u zhvilluan tema të përgatitjes së përgjithshme fizike dhe veçanërisht tema për përgatitjen e pjesëtarëve për veprime të ndeshjes trup me trup me kundërshtarin, për veprime në pengesa ujore, për kalimin e pengesave të terrenit me mjete alpinistike etj.

Në çfarë gjuhe komunikonit me ta?

Mësimet jepeshin në gjuhën angleze. Në fillim si përkthyes ishte Besnik Selenica, që erdhi nga drejtoria e zbulimit dhe pas tij, për një farë kohe, përktheu Bashkim Bashllari, edhe ky oficer i zbulimit. Për një kohë shumë të shkurtër në këtë detyrë u caktua edhe Ilia Zhulati, një specialist i vërtetë i gjuhës angleze. Gradualisht, edhe unë vetë fillova të jap mësim direkt në gjuhën angleze, meqenëse e zotëroja në një farë mase, gjë që ma lehtësonte shumë punën, sepse në këtë mënyrë arrija t’i shpjegoja më mirë konceptet taktike dhe kërkesat e tjera të përgatitjes ushtarake. Në rastin e spjegimeve me përkthyes ishte e vështirë që të arrihej sqarimi i plotë i atyre kërkesave specifike, sidomos në përgatitjen taktike.

A arritën ata të përfitonin maksimumin e leksoneve tuaja?

Dua të theksoj se, për një periudhë kohe prej 6 muajsh, grupi i të rinjve palestinezë arriti të marrë njohuri shumë të mira për çështje të organizimit dhe të drejtimit të veprimeve luftarake të grupeve të vogla, deri në nivelin e togës së këmbësorisë apo të grupit të zbulimit, në të gjitha llojet e veprimeve luftarake. Në të njëjtën kohë, në sajë të vullnetit dhe të predispozicionit të tyre, ata arritën të njohin dhe të përdorin në një shkallë të pëlqyeshme të gjithë armatimin e lehtë të këmbësorisë dhe të bëjnë qitje të suksesshme me të. Edhe në përgatitje fizike dhe në disiplina të tjera patën arritje mjaft të mira. Më ka ngelur në kujtesë interesimi i tyre për veprimet luftarake në qytete dhe në qendra të tjera të banuara, për mundësitë e kundërvënies ndaj veprimeve luftarake të helikopterëve të kundërshtarit dhe për çështje të tjera që ata i kishin hasur në praktikën e tyre luftarake, interesim të cilin ne nuk mundëm ta plotësonim si dhe sa duhet, për arsye se edhe ne nuk kishim përvojë dhe literaturë të mjaftueshme për këto lloj veprimesh luftarake. Megjithë këtë, në forma të ndryshme u munduam t’u zhvillojme atyre aftësitë luftarake për tu orientuar dhe për të marrë vendime të drejta ushtarake në çfarëdo lloj situate dhe terreni. Taktika e lejonte këtë mundësi.

DREJTUESI

Jesini, njeriu që ndëshkonte rreptë

Duke kujtuar stërvitjen e kontigjentit të 30 të rinjve palestinezë në ambjentet ushtarake të Zallherit, Gani Elezi ish drejtues i lartë i Detashmentit të Zbulimit pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë rrëfen për “Telegraf”: “Me palestinezët pata marrëdhënie shumë të mira dhe miqësore. I dëgjoja tek bisedonin me njëri tjetrin për shumë probleme dhe, meqë unë nuk e kuptoja gjuhën arabe, Jesini, përgjegjësi ushtarak, Zijadi, përgjegjësi politik, Mensuri apo Ibrahimi, dy nga djemtë më të arsimuar, më shpjegonin brendinë e diskutimit. Interesant ishte se Jesini jepte masa ndëshkimore për ato që nuk zbatonin rregullat e tyre. Një nga masat që aplikonte ishte që të mos merrnin pjesë në një ditë stërvitje, masë të cilën, kur e mora vesh, kërkova që ta ndërpriste. Si në të gjithë grupet e tilla, edhe në këtë grup kishte mosmarrëveshje për pozicionin dhe të ardhmen e secilit. Kjo bëhej më e dukshme në raportet e djemve që kishin ardhur nga rradhët e luftëtarëve të Al Fatahut dhe të atyre që kishin ardhur nga vendet perëndimore, por që kishin arsim dhe përgatitje më të lartë dhe që mund të zinin pozita më të favorshme në strukturat e ardhshme ushtarake dhe politike të tyre. Një gjë të tillë ma shprehu në një rast njëri nga to, me emrin Abu Tarek, nëse ishin emra të vërtetë. Ai vinte nga grupet e luftëtarëve, por nuk kishte të dhëna të tjera të arsimit dhe të lidhjeve që të ishte në grupin e të preferuarve. Më thonin shpesh se nuk do ta harronin ndihmën që ne, ndër të cilët veçanërisht unë, po u jepnim për të përvetësuar artin e drejtimit të veprimeve luftarake, dhe se një operacion do ta quanin “kumandam Ganiu”, siç më thërrisnin mua. Shumë prej tyre më patën premtuar se do të gjenin mundësi për të më kontaktuar, por që nga ajo stërvitje ka kaluar shumë kohë. Shpresoj të kem kontribuar në çështjen e tyre, të luftës dhe të ndërtimit të shtetit të Palestinës. Si kujtim të tyre kam ende të parën orë që kam përdorur, Enicar, që më dhuroi një i ri prej tyre, me emrin Tahir”.

DEDUKSIONI

Lufta e Palestinës si lufta e Kosovës

A mund të thuhet se palestinezët e stërvitur në Shqipëri ishin kontigjent i grupeve terroriste? Kësaj pyetje, Gani Elezi ish drejtues i lartë i Detashmentit të Zbulimit pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë i përgjigjet: “Vitet e fundit, sidomos në fillim të viteve 90-të, pas ndryshimeve politike që ndodhen në vendin tonë, është folur shumë për faktin se PPSH përgatiste grupe “terroriste” të vendeve të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe rastin e përgatitjes së grupit të palestinezëve. Unë, edhe në atë kohë, edhe tani, nuk i përfshij ata në këtë kategori, në kategorinë e terroristëve. Ata ishin përfaqësues të një populli që luftonte dhe që ende lufton për lirinë dhe pavarësinë e vendit të vet, objektiv për të cilin sot është angazhuar i gjithë faktori ndërkombëtar, përfshi SHBA, BE, Rusia, Kina etj. Nëse palestinezët nuk do të kishin marrë ndonjë herë armët në duar, asnjë nuk do të ishte kujtuar të merrej me çështjen e tyre, jo më t’i jepnin lirinë e merituar. Kjo është identike me çështjen e Kosovës. Nëse nuk do të kishte dalë në skenë UÇK, nëse nuk do të ishte përdorur faktori ushtarak, çështja e pavarësisë së Kosovës kushedi se në ç’kalenda do të ishte shtyrë”.

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

Aksidentet me stërvitjet ku kërkohej përgatitje e lartë fizike

Pse u ndalua hedhja me parashutë nga forcat e detashmentit

Urdhëri i Mehmetit për programin e përgatitjes së reparteve të zbulimit