Nesër do të lexoni/ Rrëfimi i Idris Shehit, ish- partizan i çetës së Pezës dhe kuadër i lartë i shërbimit Diplomatik Shqiptar

Ne “pezakët”, si e vramë nipin e të besuarit të Hitlerit

Leonard VEIZI

I ka kaluar të tetëdhjetat, por duket se kjo moshë e hedhur në shifër nuk ka shumë rëndësi për të. Përveç shëndetit, ai vazhdon të ketë të njëjtën gjatësi dhe për më tepër të njëjtën energji të admirueshme si shumë vite më parë. Mëngjesin e çdo dite ai ngjit me shkathtësi 56 shkallë për të mbërritur në katin e pestë të ndërtesës, ku janë vendosura zyrat e Komitetit Kombëtare të Veteranëve të LANÇ-it. Pastaj mund të zbresë dhe të ngjitet sa herë t’ia dojë puna. Dhe nuk përton. Ky është Idris Shehi, një ish- ushtarak i lartë dhe diplomat karriere, por dhe prozator e poet me sqimë, i cili për gazetën “Telegraf” ka dëshirë të rrëfejë luftën e Çetës Plakë të Pezës, pjesëtar i të cilës ka qenë për tre vite me radhë.
Kur do të formohej çeta e Pezës që është cilësuar si çeta e parë antifashiste në Evropë?
Çeta patriotike e Pezës, e krijuar më 5 qershor 1940 nga komandanti legjendar Myslym Peza, ishte e para çetë e armatosur në vendin tonë në luftë kundër okupatorit. Brenda periudhës njëvjeçare nga viti 1940 deri në qershor 1941, kjo çetë ndërmori disa aksione kundër okupatorit, duke goditur automjete ushtarake përgjatë rrugës nacionale Tiranë-Ndroq-Durrës, ndërprerje të linjave telefonike etj. Gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, çeta patriotike e Pezës, ishte përballur me tre operacione të okupatorit. Në operacionin e marsit të vitit 1941, ku 700 karabinierë sulmuan Pezën, çeta patriotike ne atë kohë humbi 5 luftëtarët e saj: Hasan Riza, Sadi Sinani, Rrem Haka, Vath Korriku dhe Xhafer Durishti. Ndërsa mbetën të plagosur 5 të tjerë, Skënder Peza, Sulejman Brahja, Emin Çelmeta, Qemal Deliailisi dhe Shkurt Rexha. Ndërsa nga ana e armikut pati 84 karabinierë të vrarë dhe shumë të plagosur.
Cili ishte Myslym Peza, kam parasysh aftësitë e tij organizative?
Shumë shpejt emri i Myslym Pezës u kthye në legjendë. Ai kishte një të folur të ngadalshëm dhe thoshte gjithnjë kryesoren, dëgjonte me durim dhe vëmendje, kishte dhuntinë e një nuhatjeje të jashtëzakonshme, gjë që jeta e kaçakut ia kishte stërholluar edhe më shumë. Pa arsim, ai dinte të organizonte ne mënyrë shembullore luftën e sulmit të befasishëm, në mbrojtje dhe në tërheqje në kohën e duhur. Ishte 40 vjeç, ku u kthye ne Shqipëri pas 9 vjet emigrimi jashtë shtetit. Vitet e jetës prej kaçaku, në luftë të pandërprerë kundër regjimit kishin përforcuar nuhatjen e strategut. Myslymi ishte i thjeshtë, i urtë, si populli nga kish dalë, ishte zemërbardhë e fisnik. Ai mbeti një shembull i njeriut që jetoi, luftoi, punoi vetëm për popullin. Kjo është arsyeja që emri i Myslym Pezës u kthye në legjendë për së gjalli. Dhe i tillë mbeti ai deri sa u largua nga jeta. Pas çlirimit të vendit, kur ai ishte me grada dhe me ofiqe të larta shtetërore, kurrë nuk e ndërroi qëndrimin e tij. Mbeti po ai Babë i Madh, i thjeshtë dhe i dashur. Çdo javë shkonte në Pezë, ulej midis fshatarëve dhe i dëgjonte me vëmendje dhe me shumë kujdes. Mbante mend hallet e tyre dhe përpiqej t’ua plotësonte nevojat. Vepra e Pezës dhe e Myslym Pezës meritojnë veç respekt e nderim.
Si do të lidhej një nacionalist me komunistët? 
Takimi i parë me Enver Hoxhën ishte përcaktues. Komunistëve që kishin marrë përsipër organizimin e luftës pa kompromise kundra okupatorit, ai u dha besën. Nga kjo kohë filloi lufta e madhe e Myslym Pezës. Në shtëpinë e tij filluan të grumbulloheshin patriotët e parë. Armiku duke parë influencën që kishte Babë Myslimi në Pezë e më gjerë, mendoj që ta tërhiqte nga ana e vetë, i premtuan shuma të mëdha parash e grada, por trimi i hodhi poshtë. Peza dhe Myslym Peza, u bën qendra e pare e madhe e ilegalëve dhe e njësiteve partizane. Në çetën e Pezës fillimisht do të vinte si komisar komunisti Vasil Shanto.
Po Konferenca e Pezës, në çfarë kushtesh do të zhvillohej?
Për më shumë nesër në gazetën Telegraf