Ja si e kam njohur Zaho Kokën. Morali partizan, që çoi në plumb për dashurinë, pushkatimi barbari Ramize Gjebresë nga shokët e armëve, letërkëmbimi që u mbajt i fshehtë

Leonard VEIZI

Ishte ditë e ftohtë marsi edhe pse rrezet e diellit binin pingul mbi borën e bardhë duke krijuar shëmbëlltyra të padeshifrueshme. Metali i armës ngjitej në lëkurën e dorës, ndërsa rripi prej meshini vijëzohej mbi kallon e supit për ta bërë atë edhe një herë më të rëndë. Formacioni i rreshtuar në fushën e hapur dukej si i ngrirë dhe vetëm një frymëmarrje, si avull i bardhë, çlirohej vazhdimisht nga hundët. Ndërsa sytë ishin përqendruar në një pikë të largët diku tej, atje ku edhe pse nuk kishte pengje gjë, pritej të shpërfaqej gjithçka e mundshme. Në mes ndodhej skena, mbi të cilën nuk do të vononte të luhej tragjedia. Ndërsa ata, 800 sy njëkohësisht ishin dëshmitarët dhe aktorët e pashpallur të mizanskenës së përgjakshme. Pakkush donte ta tërhiqte këmbëzën, por ata që shënjuan mbi gjoksin e saj, duket se kishin mbledhur një mllef të harbuar…

…Ai emocionohet dhe sot kur i kujton ato çaste tronditëse. Duket i qetë teksa rrëfen ngjarjen, por një damar që pulson e tradhton vazhdimisht. Ka qenë vetëm disa metra larg të gjithës asaj që më pas do të cilësohej si një “ekzekutim makabër”. Nuk kishte skuadër pushkatimi, dhe as drejtues që do të jepte komandën “zjarr”. Më shumë se sa një njësi e organizuar ushtarake, ajo që ndodhi paraditen e 6 marsit të vitit 1944 në Ramicë të Vlorës, i ngjante një hakmarrje barbare të njerëzve që thoshin se besonin tek morali. Mato Hasmataj, atëherë vetëm 15 vjeç, është tronditur teksa para syve të tij ishte zhvilluar skena e një vrasje të paparalajmëruar. Të gjithë historinë e ekzekutimit të vajzës 21 vjeçare e cila shquhej për bukurinë dhe oratorinë e saj, e sjell në gazetën “Telegraf” dëshmia ekskluzive e Mato Hasmatajt, partizanit më të vogël të Brigadës V-S

A është hapur dosja e Ramize Gjebresë?

Dosja e Ramize Gjebresë, për herë të parë është hapur në fillim të viteve ’70 por më gjerësish ajo është bërë e njohur në vitet e demokracisë. Megjithatë, një klauzolë në ligj thotë se për çështje intime, një dosje hapet vetëm pas 100 vjetësh. Në rastin konkret me pjesën me themelorë të çështjes kemi të bëjmë me një çështje intime, nga e cila ka ardhur dhe reagimi i ashpër që e dënoi atë me vdekje. E sa për histori mund të themi se Ramize Gjebrea u lind në Gjirokastër në 20 prill 1923. Me konkurs fiton të drejtën për të vazhduar studimet në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” (1935-1940) në Tiranë. Merr ndikim të menjëhershëm nga idetë komuniste dhe bie në kontakt me ilegalët Misto Mame, Mihal Duri, Liri Belishova, Mexhmie Xhunglini, Fiqret Sanxhaktari etj. Në verën e vitit 1942 arrestohet, por lirohet për mungesë provash. Në vitin 1943 caktohet sekretare politike e rinisë në Berat. Më pas kalon në Brigadën e Pestë Sulmuese.

Kur e keni njohur për herë të parë Ramizenë?

Për herë të parë Ramize Gjebrenë e kam njohur gjatë përurimit të Brigadës, më 20 janar 1944. Atë ditë ajo kishte përgatitur një fjalim që u ngriti zemrat peshë të gjithë partizanëve. Ishte e re, e bukur dhe kishte një elokuencë që të habiste. Por duket se gjatë kësaj periudhe, kjo vajzë e bukur që ishte pagëzuar me pseudonimin “Interesantja”, kishte ndjenja të veçanta për një nga trimat e Brigadës, dhe pikërisht për Zaho Kokën. Dyshimet në ishte një dashuri e mirëfilltë, apo një ndjenjë e pastër shoqërore, janë debatuar gjatë në qarqet politike të kohës. Por më në fund u vendos që të bazohej tek një letërkëmbim që Ramize Gjebreja kishte pasur me shokun e saj Zaho Kokën.

Çfarë thuhej në këtë letërkëmbim?

Në ditarin e Ramize Gjebresë janë gjetur këto fletë të shkruara prej dorës së saj: “Sot do të shkruaj dhe për ndjenjat e mija. Në të vërtetë kam dëshirë, që edhe sot, edhe nesër të më kuptojnë shokët dhe shoqet. Secili ka dëshirë të pëlqehet dhe të kuptohet. Edhe unë për të krijuar një lidhje të re me njerëzit. …S’më kanë parë sytë djalë si ky! Më duket sikur jam rritur me të. Më pëlqen ta dëgjoj kur flet… Megjithëse e qortoj veten për shkujdesje, përsëri më tradhtojnë sytë, kur i kryqëzoj me sytë e Zahos”. Dhe duket se kjo shkujdesje ka sjellë dhe pjesën tjetër të problemit tragjik. Ndërkohë që çështja e dashurisë së “paligjshme” të Ramizesë me Zaho Kokën, kishte shkuar deri në shtabin e Brigadës.

Si trajtohej morali nga partizanët në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare?

“Morali partizan” ishte një ligj i pashkruar, por gjithsesi shumë i rreptë në ato vite të vështira lufte. Në të njëjtën kohë nga kundërshtarët politikë të Ballit Kombëtar, përflitej më së shumti se në mal bëhej “nami” mes partizanëve, të cilët kishin pranuar të merrnin me vete dhe femrat. Për t’iu shmangur një gjëje të tillë, që kish gjasa të përhapej edhe tek ata që ishin në mëdyshje të veprimtarisë partizane, ishte vendosur që në të tilla raste të mbaheshin qëndrime të rrepta.

Si do procedohej rasti konkret, në lidhjen me Ramize Gjebresë e Zaho Kokën?

Fjalët se mes Ramizesë e Zahos kishte “diçka” qarkullonin rëndom. Mirëpo Ramize Gjebreja ishte një nga përfaqësueset e seksionit politik të Brigadës e për rrjedhojë cilësohej si një nga kuadrot kryesore të saj. Për t‘i vënë “frerin” një dashurie që mund të krijonte dhe probleme të tjera, krerët e Brigadës në atë kohë, morën vendimin për të bërë një gjyq ushtarak. Shtabi i Brigadës V e kishte rezidencën e vet në shtëpinë e Zotajve në Ramicë. Zaho Kokën e thirrën me urgjencë nga Vunoi. Ndërsa Ramizenë e njoftoi Hito Çako për t’u paraqitur në shtab. Erdhi ora e gjyqit. Të dy me uniformën e partizanit veç e veç qëndronin në këmbë, të shtangur e duarlidhur. U dha urdhër për tu zgjidhur duart. Ata kishin qëndruar gjithë natën pa vënë gjë në gojë, ndërsa Zaho kishte pirë vetëm duhan.

Si u zhvillua gjyqi partizan?

Unë nuk kam qenë i pranishëm në gjyq, por këto gjëra u morën vesh më vonë. Ka qenë Komandanti i Brigadës, Shefqet Peçi, i cili bëri dhe bëri akuzën e drejtpërdrejtë. “Ke shkelur ligjin e shenjtë partizan”. Ramizeja nuk e ka pranuar. “Jo asnjëherë”, është shprehur ajo. Akuzohej se kishte shkuar me Zahon dhe se duke qenë e fejuara e Nako Spiros e kishte tradhtuar atë. Madje akuza thoshte se kishte një raportim se më 20 shkurt Ramizeja ishte parë me Zahon. Ramizeja kërkon që dëshmitari ta dëshmojë në sy atë që ka parë. Madje në këtë gjyq Ramize Gjebreja deklaron se marrëdhëniet e saj me Zaho Kokën ishin të pastra dhe ajo nuk e kishte tradhtuar të fejuarin e saj Nako Spiron. Pasi çojnë në një dhomë tjetër Ramizenë, gjyqi vazhdon me Zaho Kokën. E njëjta akuzë, “shkelje e moralit partizan”. Zaho nuk pranon të ketë marrëdhënie me Ramizenë. Por Shtabi kishte marrë dhe masa të tjera. I tregojnë disa letra. Por Zaho u thotë se të tilla letra kishte dhe të tjera në çantën e tij, të cilat mund t’i bënte publike.

Në fakt ky gjyq a ka pasur dëshmitarë për të vërtetuar “fajësinë”?

Në këtë gjyq kishte vetëm dy të pandehur ndërsa dëshmitarët rinin të fshehur. Pranimi ose jo i dashurisë së Ramizesë me Zahon kishte të bënte me shkeljen e moralit, dhe me sa duket këtu e kishte dhe rrënjët kundërvënia apo mospranimi i akuzës. Për dhjetë ditë rresht, Ramize Gjebrea dhe Zaho Koka janë mbajtur të izoluar në dhoma të ndryshme. Gjithsesi thashethemet nën zë qarkullonin mes partizanëve, porse asnjërit nuk mund t’i shkonte ndër mend që shoqja e luftës do dënohej me vdekje.

Cane Rama: Ja si e kam njohur Zaho Kokën

E njoha Zaho Kokën në Bbramyshnje të Tërbaçit të Vlorës kur u inagurua Brigada V Sulmuese. Këtu ishin dhe partizanët e partizanët e Çetës së Bregut. Ata më bënë shumë përshtypje për rregullin dhe disiplinën që mbanin, për veshjen e rregullt dhe të pastër, për shtatëgjatësinë të trupit dhe fytyrat e qeshura dhe serioze kur e donte puna. Në mjedisin e tyre spikaste një djalosh simpatik, me flokë të zinj të dendur dhe me një fytyrë të bukur. Ishte Zaho Koka, zëvendës Komisar i çetës së bregut. Ai kish veshur një xhakavento angleze si dhe qillota e çizme po angleze nga ato që hidhnin avionët aleatë angleze për partizanët tanë. Ai tregohej i thjeshtë dhe ishte gojëmjaltë me partizanët. Por vura re se ata e dëgjonin me vëmendje dhe kishin shume respekt për të. Unë u ndjeva krenar dhe më vinte mire që kishim shokë dhe shoqe si partizanët e bregut. Por Zahua më mbeti në mendje dhe nuk m’u durua pa pyetur partizanët bregas për të. Nuk isha gabuar. Në krah të Zahos shokët e ndjenin veten të sigurt e të respektuar. Ai kish lindur në fshatin Vuno në vitin 1920, pra ishte vetëm 23 vjeç. Nën pushtimin fashist djemve të bregdetit u bëhej presion i madh që të shkonin ushtar dhe të luftonin për krah fashisteve. Fshatarët kishin rënë në siklet të madh Zahua niset për në Tiranë për të mësuar nga shokët se si duhej punuar. E dëgjoi me vëmendje Kozma Nushin, bashkëfshatar dhe udhëheqës i lëvizjes çlirimtare. Ai e këshilloi që të mobilizonte fshatarët për të mbledhur e ruajtur të gjitha armët e municionet që kishin mbetur nga lufta Italo – Greke. “Do vije dita që të na duhen, – i tha ai, – dhe bëni çmos që asnjë nga djemtë të mos vejë në ushtrinë fashiste”. Kështu u lidh ai me luftën Nacional – Çlirimtare. Pastaj pati shumë takime të tjera me “Besnikun”, Hysni Kapon. Bisedat me të ishin një shkollë e vërtetë për Zahon. Kur e thirrën ushtar, Zahua, së bashku me dy shokë të tjerë shkoi në mal me pushkë në krah e me yllin partizan në kapelen e tij. Fashistët e kërkonin më kot dhe kërcënonin për t’u futur frikën dhe të rinjve të tjerë. “Mos u bëni merak se do të takohemi mendonte djaloshi i papërmbajtur për t’u hakmarrë me pushtuesit dhe në veçanti me toger Moretin, një kriminel i regjur, i cili betohej se “do ta varte Zaho Kokën” me duart e tij. Dhe rasti erdhi. Me urdhër nga lart u organizua ekzekutimi i toger Moreti. Ky aksion iu besua njësitit partizan të bregut. Zaho Koka së bashku me Anastas Zison. Dhimitër Grillon dhe Paskal Andonin e pritën toger Moretin në Vishe, një vend midis Himarës e Vunoit me shumë të përpjeta dhe kthesa. Së pari ata vunë në mesin e rrugës disa gurë të mëdhenj dhe zunë pozicionet. Vetura e fashistit qëndroi para gurëve, njerëzit zbritën dhe nisën të spostojnë gurët. Atëherë krisi belxhiku i Zahos dhe Moreti mbeti i vrarë në vend. Ky aksion dhe të tjerë në Radhimë, Gjormë, Libohovë, Kiçok, Këlcyrë e tjera, e rritën famën e njësitit partizan dhe e bënë më të njohur emrin e Zaho Kokës në të gjithë krahinën e bregdetit të Himarës me dhjetra të rinj shtonin radhët e njësitit. Me 1 gusht 1943, 60 të rinj e te reja formuan çetën partizane të bregut. Zaho Kokës iu besua detyra e zv/komisarit të çetës. Dhe ja çeta u përfshi në Brigadën e Pestë Sulmuese në inaugurimin e saj dhe Zahua u caktua zëvendës komisar i batalionit të tretë . Çfarë rruge kish ngjitur. Një vit e ca më parë se bashku me vëllezërit dhe motrat e tij skaliste dhe transportonte gurë të mëdhenj për mullinjtë e vajit. Tani së bashku me vëllezërit e motrat partizane udhëhiqte një batalion partizanësh në luftë kundër armiqve pushtues dhe veglave të tyre. Zahua ishte një shembull i shkëlqyer për të gjithë batalionin. Ai ishte në ballë të aksioneve. Trim i patrembur, zemër zjarr, gojë mjaltë, këndonte bukur ai i jepte krahë batalionit. Lufta kish nevojë për njerëz, prandaj në pranverën e vitit 1944 atë e ngarkojnë në zonën e Himarës për të krijuar një batalion të ri me djem e vajza të bregdetit. Në operacionin e qershorit forca të mëdha gjermane u përleshën në afërsi të fshatit Vuno, me partizanët e brigadës së gjashtë dhe njësitin e fshatit. Në këtë betejë veç partizanëve morën pjesë dhe shumë vajza e gra Vunjotase. Zahua i frymëzonte të gjithë me guximin e pashembullt por një plumb armik ia këputi rininë në mes, pikërisht në atë ditë të 8 qershorit të vitit 1944. Emri dhe vepra e tij mbetën të pa vdekshme. Ato jetojnë jo vetëm te ne, ish-luftëtarët e Brigadës V-S, por edhe në rininë tonë që i këndon heroit të popullit Zaho Koka me gjithë shpirtin.

Ngjarja

Ekzekutimi i kobshëm në Brigadën V Sulmuese

Më 6 mars të vitit 1944, kur lufta antifashiste shqiptare ishte në kulmin e saj, në Brigadën e V-të Sulmuese, ndodhi një ngjarje e pazakontë. Në fakt ngjarja ishte tragjike, por për shumë kohë nuk u konsiderua si e tillë. Pikërisht më 6 mars, në një ditë të ftohtë por me diell, kur dëbora vende vende kishte shkrirë dhe fshati Ramicë nuk ishte më aq i bardhë sa më parë, një urdhër i Shtabit të Brigadës, duhej zbatuar medoemos. Morali partizan ishte “shkelur” me të dyja këmbët. Dy prej luftëtarëve për çlirim po shkonin gjithnjë e më shumë drejt degjenerimit. Po në të njëjtën kohë, forcat kundërshtare të Ballit Kombëtar proklamonin me të madhe se, në jetën partizane kishte një ndjenjë të fortë amoraliteti. E gjitha kjo dukej ndaluar, me hir a me pahir. E që gjithçka të merrte fund sa më shpejt u sakrifikua jeta. Pushkatohet një nga eksponentët më të rëndësishme të Luftës, Ramize Gjebrea. Vendimi i kobshëm ishte dhënë gati 10-të ditë më parë, në fundshkurt të po atij viti, por vetëm atë ditë marsi u krye ekzekutimi.

Gjyqi

Pjesëmarrësit e ekzekutimit të paralajmëruar

Mato Hasamataj ishte një partizan e i thjesht e pa detyra drejtuese, pasi ishte vetëm 15 vjeç. Por ai është dëshmitar i një ndodhie për të cilën thotë se vazhdon ta emocionojë edhe tani që është 81 vjeç. Ai thotë se pjesëmarrës në gjyqin e Ramizesë dhe Zahos morën pjesë Komandanti i Brigadës Shefqet Peçi, komisari Hysni Kapo, zv/komisari Manush Myftiu. Ishin gjithashtu Tanush Shyti, Zenel Hamiti, Ramadan Xhangolli, Saliko Sulo, Liri Gega dhe Stoli Lipivani. Të ulur në karriget e drunjta ishin Hysni Kapo, Manush Myftiu, Bilbil Klosi, Hito Çako, Veis Pipa. I ftuar i K.Qarkor i Vlorës, Pajo Islami. Shumica e tyre kundër një vajze 21 vjeçare dhe një djali 24 vjeçar. I pari Tanush Shyti, parashtroi arsyet se përse gjykohej Ramize e Zaho. Më pas nisi procesi.

Ju rrëfej pushkatimin barbar të Ramizesë

Mato Hasamataj tregon për gazetën “Telegraf” gjithçka ndodhi atë ditë dimri, kur përpara 400 partizanëve u pushkatua Ramize Gjebrea. Ishte 6 mars 1944. Dimri ende nuk kishte dalë, ndërsa një pjesë e lëndinës ku ishin rreshtuar dy Batalionet e Brigadës së Pestë, vazhdonte të mbulohej pjesërisht nga dëbora. Mato Hasamataj tregon se diku nga ora 10 e mëngjesit u dha urdhri për rreshtimin e Batalionit I dhe II pasi tre batalionet e tjera të Brigadës ndodheshin me misione lufte. “Për shkak se isha inkuadruar në skuadrën e parë të Batalionit të parë, isha në fillim të rreshtit dhe e pashë të gjithë ngjarjen nga afër”, dëshmon Mato Hasamataj 65 vite më pas. Sipas tij, fillimisht partizanët kanë menduar se do të shkonin në ndonjë aksion kundër forcave gjermane, ndaj të bindur u rreshtuan dhe qëndruan në pritje. “Përpara dy Batalioneve doli shefi i sektorit politik të Brigadës, Hito Çako. Ndryshe nga çfarë prisnim ai filloi të fliste për moralin partizan, dhe më në fund përmendi emrat e Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës. Isha i pari në rresht dhe nga e djathta, ku shtrihej dhe fshati, pashë të vinte Ramize Gjebrea, e shoqëruar nga dy partizanë dhe me duar të lidhura. Nuk mund ta besoja që një nga kuadrot kryesore të Brigadës, e cila kishte fituar simpatinë e të gjithëve, të ndodhej përpara nesh në ato rrethana. Po në të njëjtën kohë Hito Çako u shmang dhe u fut mes radhëve të Batalionit. Në të majtë, në fund të Batalionit të II-të, dolën tre partizanë, dy meshkuj dhe një femër dhe drejtuan armët për nga Ramizeja. Ne të gjithë mbetëm të shtangur. Ramizeja ishte e vetme përballë tytave të tyre dhe iu drejtua: “Prisni more shokë, ç’bëni kështu”. Por në fakt ata të tre ishin shumë të irrituar, qëlluan në ajër dhe kërkuan që të kthehej pas. Ramizeja kur e pa që s’kishte rrugë shpëtimi iu drejtua: “Mos qëlloni nga mbrapa. Plumbat tuaj unë i pres ndryshe… Qëllomëni!”. Dhe ata e qëlluan. Të gjithë skenën makabre e kam përpara sysh edhe sot, kur kanë kaluar më se 65 vjet nga ajo ditë”, tregon për gazetën “Telegraf” Mato Hasamataj. Po sipas ish- partizanit 15 vjeçar, në të njëjtën kohë kur partizanët e urdhëruar për të kryer ekzekutimin e shëmtuar po qëllonin, dëshmon se ka dëgjuar komandantin e Brigadës, Shefqet Peçin t’u drejtohej: “Mjaft, mjaft more egërsira”. Por në fakt egërsia e tyre nuk ndaloi. Ramizeja ra përpara 400 partizanëve të Brigadës së saj, të cilët edhe pse nuk donin që ajo të ekzekutohej, nuk kishin asnjë fuqi për ta shpëtuar. Mato Hasamataj thotë se në gjyqin e Ramize Gjebresë ai që është treguar më agresori kundër saj ka qenë Hito Çako, por që u mbështet edhe nga Manush Myftiu. Ndërsa ka qenë në mbrojtje të Ramizesë dhe Zaho Kokës, komisari i brigadës Hysni Kapo ndërkohë që edhe Shefqet Peçi si komandant nuk ka qenë për masa radikale. Në përfundim, çdo gjë i është lënë votës dhe ndërsa Shefqet Peçi së fundi i është bashkangjitur votave pro dënimit me vdekje edhe historia e jetës së saj ka marrë fund. Por Mato Hasamataj thotë se për dënimin e Ramize Gjebresë nuk janë pyetur bashkëluftëtarët e saj. “Në ato vite ishte bërë traditë që për çdo lloj vendimi të gjyqit partizan pyetej edhe masa. Por nëse do të pyetej për Ramizenë, e them me bindje se askush nuk do të ishte dakord që ajo të ekzekutohej. Në këtë mënyrë Shtabi e anashkaloi këtë procedurë dhe e bëri fakt të kryer ekzekutimin”, shprehet ish- partizani 15-vjeçar i Brigadës së Pestë.