Rrëfimi i Besnik Kaltanjit: TVSH, një arkiv i mbushur me thesare

203

Dosier/ Besnik Kaltanji, ish-drejtori i arkivit në RTSH:

01-Në arkiv janë 6 milionë metër linear film 16 mm

02-TVSH, një arkiv mbushur me thesare

03- Dhomat e arkivit brenda RTSH-së, u shkatërruan gjatë vitit 1997

04- Kam qenë një ndër ideatorët e emisionit shumë të ndjekur “E diela debat”

 

 

Albert Z. ZHOLI

 

Tashmë ka 4 vjet në pension por ka pasur një jetë të tërë në TVSH, plot 38 vjet. Një nga pionierët e këtij televizioni që u bë shkollë për gjithë televizionet shqiptare në periudhën postkomuniste. Gazetar, drejtues dhe ideues emisionesh, Drejtor i arkivit të TVSH-së, ai nuk e ka lënë mënjanë dhe krijimtarinë letrare, ku herë pas here ka hedhur në letër poezi të ndryshme që lidhen dhe me jetën në televizion, të cilat tashmë i ka përmbledhur në një libër. Eksperiencën më të vështirë dhe më të bukur në TVSH ai quan atë të drejtimit të arkivit të TVSH-së.

  1. Besnik, ju para disa vitesh filluat dhe poezinë dhe keni nxjerrë në treg librin me poezi “Pesha e lotit”. Mund të na thoni diçka për titullin intrigues të këtij libri poetik?

Libri është ndarë në 4 kapituj me të vetmin qëllim dhe arsye që të paraqesë poezi sipas përjetimeve që ka njeriu në jetën e tij. Përjetimet e dashurisë i kam në kapitullin e quajtur “Pranvera”, sepse për mua e tillë është dashuria si kjo stinë e bukur ku futen vitet e rinisë, vitet më të bukura të jetës. Në këtë pranverë lajtmotivi, (që është në parathënien e këtij kapitulli) janë vargjet: brenda pikave të shiut, “Rrotullohemi unë dhe ti”. Beso se këto dy vargje i paraprijnë botës së brendshme që përjeton njeriu kur dashuron, tregon njëlloj uniteti shpirtëror midis dy të dashuruarve si dhe përjetimeve të ndryshme kur njeriu humbet dashurinë. Vetë figura e futjes së njerëzve brenda pikës së shiut paraqet në mënyrë simbolike forcën e dashurisë, por dhe tragjiken e humbjes së saj. Në përjetimet e poezive të këtij kapitulli kanë marrë spunto nga ngjarjet e ndryshme që çdo njeri ose i ka vetë ose i ka përjetuar nga tregimet e miqve dhe mikeshave në RTSH. Emërimi në TVSH në vitin Janar, 1972, më futi në të tjera rrugë të letërsisë dhe medias. Ne ishim brezi i parë i TVSH-së, të porsahapur dhe u detyruam që nga viti në vit t’i përshtateshim strukturave dhe gjinive të ndryshme televizive, sepse në atë kohë (ato vite), emisionet dhe struktura e transmetimit ndryshonte çdo vit. Ky ndryshim, na ka bërë brezit tim të parë të gazetarëve televizivë, që për shumë vite të kalonim nga një emision tek tjetri. Në një vit mund të bëje telereportazhin, vitin tjetër fjalën artistike, më pas koncertin apo bisedën në studio dhe kështu me radhë. Kjo vazhdoi për shumë vite, derisa gazetarët filluan të profilizoheshin në drejtime të caktuara.

Po Besniku u profilizua?

Ky term në televizion është jo shumë strikt megjithatë ndoshta dhe për edukimin shkollor që kisha (shkenca politike dhe Juridike), më tepër merresha me redaktimin e emisioneve sociale dhe politike. Përveç këtyre, vlen të theksohet se në këto 38 vjet të punës time në RTSH, i kam lëvruar të gjitha gjinitë gazetareske. Në fillim fillova në informacion tek lajmet, ku meqë ishim të parët luanim dhe rolin e kameramanëve, sepse kishte mungesa, ku përveç kronikave të ditës përgatisja dhe drejtoja emisionin e përjavshëm “Të njohim dhe zbatojmë ligjet”. Më pas kam kaluar në programet artistike, në marrëdhëniet me jashtë, e kështu me radhë. Me kalimin e kohës, me pjekurinë mora dhe funksione drejtuese dhe organizative, si Shef Redaksie, Drejtor Departamenti, Drejtor Drejtorie dhe me radhë.


Ç’përmban ky arkiv?

Në arkiv janë 6 milionë metër linear film 16 mm, i cili për t’u rihedhur në formatin e përdorshëm sot, kërkon aparatura, të cilat që nga vitet 1980, nuk përdoren më.

 

Po kur flitet për arshivën e radios?

Të njëjtat probleme ka dhe fondi i radios, i cili është i tëri në shirit manjetik ndërkohë që teknologjia që punohet sot në radio është në CD dhe digjital. Pra dhe ky fond për t’u transmetuar në teknologji të reja kërkon shumë përkushtim, vëmendje dhe para. Eshtë për të rdhur keq që nga mos bërja e këtyre transmetimeve që para shumë viteve një pjesë e mirë e fondit të artë si në radio dhe tv kanë dalë jashtë përdorimit dhe kjo është një humbje e madhe për arkivin dhe kulturën shqiptare.

Cila ka qenë dita më e vështirë në këtë institucion?

Koha më e vështirë ka qenë koha kur luftova për të rikonstruktuar dhomat e arkivit brenda RTSH-së, të shkatërruara gjatë vitit 1997, si dhe rikonstruksioni i sallave të fundit, kjo për faktin se gjatë rikonstruksionit u desh të lëvizin nëpër ambiente të ndryshme mijëra kuti me shirit dhe film, të cilat gjatë transportit nuk duheshin ngatërruar, sepse si çdo arkiv dhe arkivi i RTSH ishte ndarë sipas tematikës, problematikës dhe ngatërrimi i viteve gjinive, do sillte katrahurë të pandreqshme.

Ku konsiston pasuria e arkivit të RTSH?

Në vlerat e pallogaritshme. Një arkiv mbushur me thesare. E veçantë në llojin e saj, sepse deri në 1998, vit në të cilin u vitin hapën radiot dhe televizionet private, ne ishim i vetmi burim i incizimit, filmimit, të të gjithë veprimtarive që bëheshin në vendin tonë që nga ato kulturore artistike deri në ato politike.

Kushtet në të cilat ruhet sot ky arkiv a janë plotësisht të sigurta?

Kushtet fizike janë të sigurta por, ato teknologjike janë akoma larg parametrave që kërkohen dhe mospasja e tyre çdo ditë dhe më tepër e i shkatërron materialet e arkivit i bën të pavlefshme për t’u transmetuar.

Ky arkiv në krahasim me ato të vendeve evropiane në ç’nivele qëndron?

Me arkivat e vendeve perëndimore nuk krahasohemi për ruajtjen dhe përpunimin teknologjik të materialeve. Me sa di, probleme të tilla kanë televizionet e lindjes, të vendeve ish -komuniste. Por, për sa i përket sistemimit dhe skedimit të materialeve, jemi të njëllojtë edhe me arkivat perëndimore. Këtë gjë e kanë theksuar edhe në seminare të ndryshme që Organizata Botërore e Arkivave anëtare të së cilës jemi dhe ne.

Diku jeni shprehur se keni qenë një ndër ideatorët e emisionit shumë të ndjekur “E diela debat”?

Ideja u hodh në një bisedë nga Blendi Fevziu ku më pas e diskutuam në detaj. Do të ishte një emision kryesisht me karakter politik, ku të ftuarit specialë do të ishin kryetar partish dhe politikanë të të gjitha partive pa dallim. Emisioni pati sukses. Ai bëhej një herë në javë çdo të diel në orën 21-00. Tashmë ai po vazhdohet në televizionin Klan, po nga gazetari Blendi Fevziu.


Arkivi i RTSH-së

Detyrën e Drejtorit të Arkivit të RTSH, me thënë të drejtën nuk ma ngarkuan e kërkova vetë, pasi lashë detyrën e Drejtorit të Departamentit social ekonomik me të vetmin qëllim për të dhënë sadopak, kontributin dhe eksperiencën time për ristrukturimin dhe vënien në eficiencë të kësaj pasurie unikale kombëtare, e cila për arshivën në RTSH nuk i është kushtuar vëmendje e duhur si nga RTSH edhe nga shteti. Arshiva në të shumtën e kohës është parë si një shtojcë për të mbushur programe dhe jo si një institucion që ka vlera të papërsëritshme të të gjithë zhvillimit ekonomik, politik, social, shoqëror të vendit. Ka ardhur koha që për ruajtjen dhe miradministrimin e kësaj pasurie të ketë strategji nga ana e shtetit, sepse, për krijimin e kushteve për ruajtjen teknologjike e teknike si dhe të kthimit të formateve të ndryshme në formatet që përdor sot TVSH duhen fonde të mëdha, të cilat RTSH nuk i përballon dot, me gjithë përpjekjet që bën vit pas viti.