Sigal

Leonard VEIZI

(Vijon nga numri i kaluar)

Ka punuar me dy emrat më të përfolur të Ministrisë së Brendshme, Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun. Emri i tretë, akoma më i përfolur, Koçi Xoxe, ishte pushkatuar më parë. Por dhe dy ministrat e tjetër që do të vinin pas tij do të ishin të njëjtin fund. Ndërsa i vetmi që do t’i shpëtonte “gijotinës” ishte Hekuran Isai. Arif Bizhga, ish zv/drejtori i Kuadrit të Ministrisë së Brendshme gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Telegraf”, rrëfen për punën dhe vdekjen e dy eprorëve, por dhe për detaje të tjera nga jeta në zyrën e kuadrit të Ministrisë së Brendshme.

Pasi u largua nga grupi i shoqërimit të Enver Hoxhës, ku e morët emërimin?

Meqenëse isha në organikë të Ministrisë së Brendshme, ajo më tërhoqi në aparatin e saj dhe fillimisht u emërova në zyrën e kuadrit si shef seksioni. Drejtoria e kuadrit kishte disa seksione, por unë përgjigjesha për kufirin. Kjo punë do të vazhdonte deri në vitin 1952, kur u emërova si zv/drejtor i Drejtorisë së Kuadrit kur drejtor ishte Halim Pulo. Në këtë detyrë pata rastin që të komunikoja shumë shpesh me ish ministrin e asaj kohe Mehmet Shehun, ku e informoja dhe kërkoja firmën e tij për lëvizjet e ndryshme që bëheshin në kuadër.

Si e mbani mend Mehmet Shehun e atyre viteve?

Ai ishte i ashpër dhe i rëndë si njeri, por ishte i drejtë. Kishte kërkesë të lartë llogarie. Por dhe ai vetë ishte shumë i aftë në organizimin e punëve. Megjithëse tip i rrëmbyer, nëse i raportohej për gabime të të tjerëve, ai nuk e vinte menjëherë firmën për shkarkim, por gjykonte dhe kërkonte të dinte më shumë, në se e meritonte një oficer të zbriste në detyrë apo të largohej. Por nëse e vinte firmën nuk kthehej më mbrapa. Me Mehmet Shehun punuam deri në fundin e vitit 1953, sepse në fillim të vitit 1954 ai u emërua kryeministër.

Cili do ta zinte vendin e tij?

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, që ishte Kadri Hazbiu. Me të do të punoja gjatë, derisa do të dilja në pension në vitin 1981.

Çfarë ndryshonte në stilin e punës mes Kadri Hazbiut e Mehmet Shehut?

Kadriu kishte cilësi të veçanta, nga të gjithë superiorët me të cilët kam punuar e kam njohur. Ai ishte tip “masoviku”. Të dëgjonte me vëmendje për problemet që i ngrije. Pranonte dhe arsyetimet që i bëheshin. Nëse hidhte një firmë për një problem, mund të bënte dhe të kundërtën ta anulonte, nëse i shtroheshin arsyetime të tjera. Një gjë të tillë nuk e pranonte Mehmet Shehu. Por Kadri Hazbiu thoshte: “Unë e firmosa, unë mund të firmos sërish për të kundërtën, mjafton që e drejta të vihet në vend”. Pastaj kudo që shkonte në popull, për takime partie, sepse ai ishte dhe anëtar i Byrosë Politike, ai fitonte simpatinë e turmës.

Keni ndonjë peng nga puna në aparatin e ministrisë së Brendshme

Një peng të madh më mbeti që nuk më lanë të vazhdoja shkollën e lartë të Bashkimin Sovjetik. Unë bashkë me të tjerët në Drejtorinë e Kuadrit, firmosëm për tre grupe oficerësh që shkuan me studime në BS. Fillimisht përzgjodhëm oficerët me mesataren më të lartë dhe që kishin arritje të punën e tyre. Grupimi i dytë ishin ata të mesmit dhe grupimi i tretë, edhe pse jo shumë të aftë nga ana profesionale, u krijua një kontingjent që të mund të aftësoheshin në akademitë ruse. Një ditë i shkoj në Zyrë Kadri Hazbiut, dhe pas firmosi për një kontingjent studentësh që donin të shkonin në BS i them: “Tre grupe çuam shoku Kadri, por unë nuk u futa në asnjërin prej tyre. E pra unë kam shumë dëshirë të përfundoja studimet jashtë shtetit”. Por Kadriu ma ktheu: “Ti Arif na duhesh këtu. Edhe këtu mund ta përfundosh shkollën e lartë. Dhe sa për dëshirë, unë s’do isha në këtë karrige, por do isha bërë një aviator, ashtu siç kam ëndërruar gjithmonë. Kësaj s’kemi ç’t’i bëjmë. Detyra e do që t’i të qëndrosh këtu”. Dhe kështu u mbyll kjo bisedë. Unë natyrisht përfundova shkollën në Tiranë, por më mbeti peng që nuk shkova në Bashkimin Sovjetik si shumë të tjerë.

Të dy ministrat e Brendshëm me të cilët ke punuar kanë pasur një fat tragjik. Si e morët vesh lajmin e vetëvrasjes së Mehmet Shehut?

Atë ditë isha me shërbim në Korçë. Në fakt edhe pse kisha dalë në pension, më thërrisnin shpesh për të dhënë eksperiencë. Kështu që ato ditë dhjetori unë ndodhesha në qytetin e Korçës me një grup punë nga Ministria e Brendshme dhe Kryeministria. Të zënë me punën tonë nuk kishim dëgjuar asnjë lloj lajmi dhe në darkë po shkonim drejt turizmit të Korçës për të ngrënë darkë. Tek shkallët na arrin një oficer i grupit dhe na thotë: “E morët vesh apo jo? Kryeministri ka vrarë veten. E dhanë lajmet”. Ne mbetëm si të ngrirë. Shoku që përfaqësonte kryeministrinë tha: “Shpejt bëni gati makinën të nisemi për në Tiranë”. Por unë e ndalova: “Prit një herë – i thashë. – Do të shkojmë atje ku jemi nisur. Po të ishte për tu nisur, na kishin thirrur vetë ata të Tiranës”.

Përse nuk u ngutët pas një lajmi të tillë?

Në një farë mënyrë unë e kisha kuptuar së Mehmet Shehu ishte larguar nga punët e partisë, dhe se midis tij dhe Enver Hoxhës kishte diçka. Ndaj dhe lajmi nuk më ra si bombë.

Çfarë të bëri të mendoje se midis ty krerëve kishte diçka?

Ajo që më ra më shumë në sy ishte Kongresi i 8-të, por dhe pas këtij kongresi mendja më mbeti diku. Pas kongresit u dhanë dekoratat e para të 40 -vjetorit të Themelimit të Partisë. Dekoratën e parë sigurisht e mori Enver Hoxha. Por ne ishim mësuar që në të tilla raste, këto dy figura vepronin me njëri -tjetrin. Pra i takonte Mehmet Shehut t’i vendoste dekoratën në gjoks Enver Hoxhës. Mirëpo nuk ndodhi kështu. Enveri kishte gjetur Simon Stefanin për t’i mbaruar këtë punë dhe kishte anashkaluar Mehmetin. Kjo më dogji shumë, ndaj e kuptova se midis tyre diçka nuk shkonte. Kjo m’u përforcua dhe atë mbrëmje kur morëm lajmin për vetëvrasjen e tij. Sapo u futëm në restorantin e turizmit të Korçës, plasën sazet: “E, e sheh, – i them përfaqësuesit të Kryeministrisë jo pa keqardhje, – kryeministri vetëvritet e këtu kërcet muzika”. Natyrisht u kthyem të nesërmen nga shërbimi, ndërsa ofensiva kundër figurës së Mehmet Shehut kishte filluar.

Po pushkatimi i Kadri Hazbiut, mendoni se ishte i merituar?

Asnjëherë nuk kam besuar dhe vazhdoj të mos besoj që Kadri Hazbiu të ketë qenë agjent i shërbimeve të huaja, siç dhe u cilësua. Nëse për Mehmet Shehun u hodhën disa versione dhe pati disa letra që në një farë mënyre e kompromentuan, për Kadri Hazbiun nuk kishte asgjë të tillë. Për më tepër dhe vetë Kadriu nuk pranoi asgjë. Unë them se, nëse u tha se Mehmet Shehu apo Kadri Hazbiu donin të eliminonin Enver Hoxhën, që të dy e kishin këtë mundësi. Por natyrisht ata nuk kishin ndërmend ta bënin një gjë të tillë, sepse ishin besnikë ndaj tij.

Punonjësit e Sigurimit / Kontroll biografisë deri te kushëriri i tretë

Ai ka punuar për një kohë të gjatë në Drejtorinë e Kuadrit të Ministrisë së Brendshme dhe di fare mirë gjithçka rreth organikës dhe oficerëve që shërbenin ë këtë ministri. Në Durrës, ne kishim një punëtor operativ shumë të aftë, i cili kishte luftuar dhe si partizan. Por kishte probleme në biografi, sepse njerëz nga familja e tij kishin qenë kundër Partisë gjatë luftërave, madje kishte dhe të pushkatuar. U kërkua që ai të largohej nga kjo detyre. I çoj në zyrë Mehmet Shehut aktin, që ta firmoste. Mehmeti më pyeti për më hollësisht. Unë ia shpjegova gjendjen, dhe në fund i shtova: “Megjithatë shoku Mehmet, ai vetë ka qenë partizan dhe është i zoti në punën e tij”. Por Mehmeti ma ktheu: “Ai mundtë jetë vërtet i zoti, dhe si civil mund të marrë poste shumë të rëndësishme në pushtet, por nuk mund të punojë më në organet e Sigurimit të Shtetit” dhe firmosi për largimin e tij nga Ministria e Brendshme”.