Mihal Prifti: Si e priti Mao Ce Duni, Mehmet Shehun, çfarë biseduan dhe radiogramet për takimin e Ballukut me Çu En Lain.  Ceremonia ‘Extra’ para largimit dhe zëvendësimi nga Reiz Malile

Vangjel KASAPI

Leonard VEIZI

(Vijon nga numri i kaluar)

Marrëdhëniet me PKK dhe RPK deri nga mesi v.1959, përgjithësisht janë karakterizuar nga një zhvillim jo gjerësor. Përparësitë shtriheshin kryesisht në veprimtaritë e ambasadave tona në Moskë, Pragë, Varshavë, Budapest, Bukuresht, Berlin. Pekini figuronte pak i aktivizuar me ne. Por që nga atashimi i Mihal Priftit gjer në mbarim të v. 1959, marrëdhëniet e ndërsjella marrin një impuls duke u ngjitur në vendin II dhe bëhen më interesante. Kinezët u dyndën me shpejtësi dhe me siguri të paparë në Përfaqësinë tonë të rigjallëruar, duke e angazhuar Trupin tonë Diplomatik të shkundet, të mobilizohet e të përballojë rritmet dhe përpjestimet që shpërthyen për të mirën e dy vendeve, posaçërisht për Shqipërinë. Ministri ynë Fuqiplotë, tashmë i fortë për të pritur e çmuar ngjarje dhe situata të ndërlikuara, serioze dhe përgjegjësore, në suazën ndërkombëtare dhe dypalëshe, operonte pa nxitim, por kur futej dilte me diçka për t’i dhënë Atdheut.

Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë në baza të drejta, të forta e të shëndosha, me të vërtetë vëllazërore. Parrullën “Jemi vëllezër në gëzime e vështirësi” e takon kudo. Këtë vit, sidomos pas mbledhjes së fundit të Traktatit të Varshavës, që u bë në Moskë, shokët kinezë, mbajnë qëndrim shumë hapur, pa rezerva dhe flasin për të gjitha çështjet me ne. Udhëheqja e Shtetit kinez ndjekë përsë afërmi zhvillimet e situatës së vendit tonë, veçanërisht pas keqësimit të marrëdhënieve tona me disa vende. Ato preoukupohen për gjendjen e vendit tonë në vështirësitë që ne kalojmë dhe janë të vendosur për të na ndihmuar me të gjitha mundësitë. Udhëheqja kineze nuk e njeh të kaluarën e popullit tonë (e tha vetë shoku Mao), as luftën tonë s’e njeh mirë dhe ka paqartësira mbi çështjen konkrete të politikës ekonomike të Shtetit tonë. Nga sa kemi marrë vesh janë ngarkuar persona të caktuar të merren me studimin e disa çështjeve konkrete të vendit tonë. Edhe pala jonë nuk e njeh Kinën, as të kaluarën e Kinës, as revolucionin kinez dhe mirë-mirë, as gjendjen aktuale e konditat me të cilat Kina ndërton socializmin. Kina është një vend nga ku mund të marrim eksperiencë shumë të pasur e shumë të vlefshme.

Ngarkesa    

1959-ta dhe 1961-shi qenë 2 gjysma vitesh të fillimit e të mbarimit të karrierës diplomatike të M. Priftit në Kinë, të shoqëruara me kthesën e madhe dhe vazhdimësinë e saj të suksesshme. Po viti i plotë 1960 konsiderohet më i ngarkuari me detyra, veprimtari e rezultate. Aq sa në kontekstin e diplomacisë së jashtme shqiptare, ose të Trupit Diplomatik të RPSH në shtetet e botës, Përfaqësia jonë në Kinë, ashtu sikurse dikur në BS, përbënte epiqendrën e të gjitha efekteve në ndihmë të Shqipërisë. Nga pasqyra përmbledhëse për v.’60 “Ambasada e RPSH në RPK” janë rradhitur temat e problematikës së zgjeruar, ku duke seleksionuar shumë çështje gjatë studimit, evidentojmë: Takimet e panumërta me përfaqësues kinez; angazhimet me delegacionet e çdo lloji e të çdo rangu të shkëmbyera midis 2 vendeve; studimi i plotë mbi marrëdhëniet midis dy qeverive e popujve tanë; informacione të shpeshta “Mbi çka shkruan shtypi kinez për vendin tonë dhe punën e Përfaqësisë sonë për shtypin në Kinë e Vietnam”; veprimtari e lodhshme po të gëzueshme kushtuar festave zyrtare dhe datave historike të Shqipërisë e Kinës; puna e gjithanëshme për nënshkrimin  e marrëveshjeve Tekniko-Shkencore dhe Kulturore, të cilat u plotësuan me një vëmendje të posaçme nga kinezët; mobilizimi tepër i madh për zbatimin e protokolleve për lëvrimin e kredive dhe ndihmave falas nga RPK për RPSH dhe shkëmbimin e mallrave mes dy vendeve etj. Nga ai grumbull i pamatshëm i veprimtarisë së Ambasadës sonë, që u udhëhoq në çdo ditë, në çdo çast, në çdo situatë, në çdo vështirësi e të tjera pamje, do të figurojë emri, mbiemri e firma “Ambasadori ose Ministri Mihal Prifti”.

Delegacioni

Delegacioni i parë nga Shqipëria i Kuvendit Popullor nuk mund të përcillej pas gjithë nderimeve që iu bë nga udhëheqja e Parti-Shtetit dhe populli kinez, pa u takuar edhe me Kryetarin e madh-Udhëheqësin e PKK, të Luftës dhe themeluesin e Republikës Popullore. Prandaj, në një ditë qershori (7.6.1960) në Hanxhoun e famshëm për mrekullitë natyrore dhe pallatet perandorake (në rrethinat e Shangait), 3 anëtarë të delegacionit Lleshi, Belishova e Prifti u pritën me ngrohtësinë, thjeshtësinë dhe botëmadhësinë e atij personaliteti të madh. Mikpritësi pyeti “si ndiheni në Kinë, u kënaqët apo u lodhët etj”. Kryetari i Presidiumit Lleshi, i shfaqi mirënjohjet për pritjen e rrallë që iu rezervua dhe i transmetoi përshëndetjet më të larta të popullit shqiptar dhe personalisht nga Enver Hoxha. Mandej u kalua në bashkëbisedim. Aty, kryesisht shkëmbyen mendime Kryetari Mao dhe L. Belishova, por në 3 raste ndërhyri edhe Ambasadori i zgjuar e i matur kur atë e donte kuvendimi. Kështu kur u shtrua domosdoshmëria e ndikimit të Kinës në arenën ndërkombëtare për çështje madhore, Mao Ce Dun bëri një kujtesë: “Të gjitha vendet vëllezër të Lindjes-Koreja, Mongolia, Vietnami nuk janë përfaqësuar në OKB. Të gjithë ne jemi të paligjshëm për ta-SHBA, Francës, Japonisë…”. Atëherë “Shoku Mihal: Thotë se do të vijë koha e do ju pranojnë, se asnjë çështje e rëndësishme ndërkombëtare nuk mund të zgjidhet pa vendet e Lindjes, pa Kinën e Madhe…”. Shtojmë se për Ministrin e Fuqiplotë Prifti pritja e takimi me Maon vinte pas 3 rasteve në Ambasadë, me M. Shehun e A. Këllezin.

Misioni

Përpara nisjes prej Shangait për në RD të Koresë, i përcolli me përqafime, i palodhshmi, i sakrificës, i durueshmi M. Prifti. Si patriot e diplomat i madh, ai i kishte përmbushur përpikëmërisht detyrimet partiake, shtetërore, morale dhe shoqërore. Madje atë delegacion, ai e përjetoi me një përgjegjësi dhe shqetësime, të cilit në karrierën e tij diplomatike s’i patën ndodhur. Sapo u kthye nga Shangai në Pekin, nisi në MPJ Kineze një letër mirënjohje të H. Lleshit për Liu Sha Çi. Këtu mbyllej vizita në Kinë e delegacionit të KP të RPSH. Mirëpo Mihali intuitiv e brente fakti përse shtypi kinez i dha fare pak jehonë këtij delegacioni. Madje nuk shkroi fare mbi takimet me udhëheqësit kryesor të Kinës, përfshi Maon. Megjithatë, ai analist i politikës së madhe, s’e kishte vështirë të aludonte, të dilte në disa përfundime, ta mendonte sa më objektivisht atë heshtje kineze. Problemet që lindën me atë delegacion e përshtypjet, që ai la në udhëheqjen kineze, nxiti thirrjen e Plenumit XVII të PPSH. Si anëtar plenumi dhe përjetues i rezultateve e i ndodhive negative me delegacionin, erdhi nga Kina e asistoi edhe Mihali. Sipas një përmbledhje të shkurtër në Dossierin “Marrëdhëniet me PKK”, del se në Plenum “Liri Belishova kritikohet për qëndrimin e gabuar, e cila çështjet që i thanë kinezët për mosmarrëveshjet që ato kanë me sovjetikët, ja ka njoftuar Këshilltarit të Ambasadës sovjetike në Pekin; si dhe për qëndrimin e gabuar që ka mbajtur ndaj provokacioneve të bëra në adresë të PPSH nga sovjetikët në një drekë të organizuar në Moskë pas kthimit nga Pekini në Atdhe”. Sipas materialeve të Byrosë Politike e të Pleniumit XVII, që mundëm të lexojmë, nga ato të botuara nëpër shtypin e përditshëm dhe nga dëshmitë autentike të figurave serioze të politikës e të diplomacisë, përfundimisht rezulton se L. Belishova u shkarkua nga të gjitha funksionet, kurse G.N. dhe Rr.D. Morën vërejtje. Sa për M.Priftin, ai nuk përmendet fare në atë Plenum.

VITI 1961

Mihal Prifti, si u zëvendësua nga Reiz Malile

Lidhur me Kongresin IV të PPSH, anëtari i Plenumit dhe Ambasadori M. Prifti ndikoi në PKK për të ndihmuar me autoritetin dhe financimin e saj, që ai Kongres të zhvillohej mbarësisht në ato koninuktura konfliktuale me PK të BS etj. Kongresi çeli një etapë të re dhe plani 5-vjeçar shënonte një hap të rëndësishëm në zhvillimin e vendit. Plotësimi i tij mbështetej në masë të konsiderueshme në përkrahjen politike dhe ndihmat pa limit të Kinës. Ku, si Përfaqësues i Plotfuqishëm, një rol të ndjeshëm i takonte ta luante edhe Mihali. Po, fill pas atyre ditëve të gëzueshme, përpara kthimit në detyrë-Pekin, Ai thirret nga R. Alia, që me kujdes e bën me dije se mund ta lëviznin në një funksion tjetër. Kështu, KQ njofton Kryeministrinë se Byroja Politike, pasi mori në shqyrtim propozimet e Ministrisë së PJ dhe Drejtorisë së Jashtme të KQ, vendosi: “Mihal Prifti, deri tani Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RP të Shqipërisë në RP të Kinës, të shkarkohet nga kjo detyrë dhe të emërohet zv.ministër i Punëve të Jashtme. Atë e zëvendësonte Reiz Malile. Ky veprim u rikonfirmua edhe nga mbledhja e dytë e Byrosë Politike ku nga 11 shokët e diplomacisë së propozuar, 7 prej tyre nuk u miratuan, kurse 4 të tjerët, përfshi edhe Mihalin, u pranuan. Por, 1 muaj më vonë, del dekreti nr. 3290 i Presidiumit të Kuvendit Popullor mbi shkarkimin e M. Priftit nga funksioni si Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i RPSH në RPK. Po ku shkonte? Ai mbahej në dispozicion në KQ.

EPILOGU

Largimi “Extra” nga Kina

Lajmi mbi transferimin dhe përcjellja speciale-ceremoniale nga udhëheqja kineze e Ambasadorit të RPSH kishte shkaktuar jehonë në trupin e huaj diplomatik, një xhelozi veçanërisht tek sovjetikët; Takimet e lamtumirës buronin nga stadi i arritur në marrëdhëniet dy palëshe, Kinë-Shqipëri, ku një interpret me rol ndikues të ndjeshëm, në ato 2 vjet të zjarrta, meritonte me notën “Extra” diplomati i talentuar, i çuditshëm, fjalëpak, autoritar e i heshtur, ashtu siç u pëlqente edhe kinezëve. Transferimi dhe përcjellja madhështore e Ambasadorit Prifti nga udhëheqja e Pekinit korrespondonte me fat për Atdheun. Tashmë çështja e Shqipërisë në Kinë ishte bërë popullore. Gjithkund konstatohej se Shqipërinë e njihnin të gjithë dhe kishin admirim të madh për të.

RADIOGRAMET

Çfarë bisedoi Beqir Balluku me Çu En Lain

Ambasada e Republikës të Shqipërisë – Pekin, më 20/12/60 – Ministrisë së Punëve të Jashtëm – Tiranë

Lënda: Marrëdhëniet tona me RPK dhe trupin diplomatik t’akredituar në Pekin gjatë v.1960

Marrëdhëniet e vendit tonë me RPK janë zgjeruar e thelluar akoma më shumë në të gjitha drejtimet. Partia KK, veçanërisht udhëheqësit e saj, e vlerësojnë dhe e çmojnë shumë qëndrimin e drejtë, parimor e të palëkundur të Partisë sonë në të gjitha çështjet aktuale dhe posaçërisht për çështjet që kanë të bëjnë me PKK dhe RPK. Më 1/8/60 sh.Çen I, në bisedim me Titullarin mbi këtë mbledhje, i ka thënë atij: “Ne të gjithë shokët admirojmë qëndrimin e Partisë suaj dhe jemi të prekur nga ky qëndrim , që inspiron dhe na inkurajon në punët tona”. Në ishim të parët që shokët kinezë na shfaqën pikëpamjet mbi mosmarrëveshjet me sovjetikët (qysh nga takimi me H.Lleshin, 4/6/60, me B.Ballukun bisedim me Çu En Laj dhe delegacionit kryesuar nga A.Këllëzi). Çu En Laj i tha sh. Beqir: “Ne jemi vëllezër në gëzime e vështirësi. Bukën që kemi do ta hamë së bashku”. Provë tjetër të konsideratës së madhe që ka Qeveria e RPK është përgjigja e shpejtë pozitive që Qeveria e RPSH u dha 2 letrave që sh. Mehmet Shehu i drejtoi sh. Çu En Laj lidhur me disa nevojat tona urgjente. Në mënyrë të kënaqshme dhe me gatishmëri të madhe nga pala kineze janë realizuar ose janë duke u realizuar edhe të gjitha ardhjet e tjera ekonomike dhe ushtarake… Një ndihmë të madhe në forcimin e zgjerimin e marrëdhënieve miqësore midis vendeve tona, ka qenë ardhja e delegacioneve të ndryshme nga vendi jonë në Kinë: Me rastin e 1 Majit 3 delegacione; i Ministrisë së Shëndetësisë; i Bashkimeve Profesionale; i Kuvendit Popullor me H. Lleshin; i Qeverisë me A. Këllëzin; i KMK me BJ i M. Treskës; i Lidhjes së Shkrimtarëve me Shefqet Musaraj në krye etj.. Përsërisim faktin e ardhjes së sh.Mao Ce Dun dhe udhëheqësve të tjerë, si dhe fjalimi i Çu En Lajt në këtë pritje me rastin e Kongresit IV të PKSH. Kjo qe një pasqyrë e qartë dhe e kthjellët e marrëdhënieve tona shumë të ngushta e në rritje midis dy vendeve tona. Marrëdhëniet e mira e në rritje janë reflektuar edhe në problemet konkrete të kësaj Përfaqësie. Ministria e PJ kineze na ka ndihmuar me çdo gjë dhe na ka vënë në dispozicion gjithçka. Po edhe neve i kemi ftuar dhe pritur me gjithë përzemërsi e dashuri të gjithë delegacionet dhe ekspertët kinezë që kanë qenë në Shqipëri

Kredencialet

Nga Mao Ce duni tek Ho Shi Mini

Kinën, përgjatë qëndrimit të Mihalit Ambasador, e vizituan disa delegacione nga Shqipëria. Ato dhanë ndihmesa në zgjerimin e shëndoshjen e miqësisë, marrëdhënieve e të bashkëpunimit bilateral. Po, në shumësinë e rezultateve, mbahet mend veçmas ajo e delegacionit të Kuvendit Popullor të RPSH. Që u kryesua, si përjashtim, nga 2 figura politike: Haxhi Lleshi, Kryetar i Presidiumit të KP, e Liri Belishova, anëtare e Byros Politike dhe Sekretare e KQ të PPSH. Vizitën e parë në Azi delegacioni shqiptar ia rezervoi popullit Vietnamez për luftën ngadhënjyese çlirimtare mbi kolonizatorët e huaj. Përkrah autoriteteve të Hanoit, në aeroport kishte ardhur nga Pekini edhe Ambasadori i RPSH në RD të Vietnamit. M. Prifti. Ai e shoqëroi kudo deri në audiencën e pazakontë dhënë nga Presidenti i Shtetit, personaliteti e burri i shquar, Ho Shi Mi. 6 ditët e qëndrimit dhanë një panoramë të atij Vietnami të dëgjuar, të përkrahur e ndihmuar edhe nga RPSH. Që këndej në RP të Kinës, duke realizuar nja axhendë të pasur e të ngjeshur po 6 ditë. Gjithë ato vizita e takime mikpritëse e të përzemërta nëpër Kinë u përgatitën e u bashkërenduan nën kujdesin e vëmendshëm të Ministrit Fuqiplotë Prifti. Ky bashkëjetoi me delegacionin gjithkund. Në intervalin e udhëtimeve nga Kina Jugore në VL, delegacioni u shtrua edhe në bisedime dypalëshe. Anën kineze e përfaqësuan Liu Shao Çi, Çu En Lai, etj. e ambasadori i RPK në Tiranë Llo Shi Gao. Nga pala shqiptare qenë H. Lleshi, L. Belishova, Lefter Goga, Vasil Nathanaili e M. Prifti. Përpara nisjes së bisedimeve L. Sh. Çi, nuk dihet arsyeja, vuri kushtin: “Do të bëjmë një bisedim të brendshëm partie dhe nuk do të botohet asgjë”1. Mihali i përvuajtur me “akrobaci” në diplomaci hesht. Aty bashkëbiseduan kryesisht Liria me  L. Sh. Çi për probleme me interes të përbashkët. Pikëpamjet e shfaqura u regjistruan dhe u zbardhën me dorën e Mihalit dhe u nisën me korierrin e posaçëm të Ambasadës në Tiranë.

(vijon nesër)