Sigal

Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)

Shqiptarët u habitën kur panë një fytyrë amerikani në Televizionin Shqiptar. Që nga viti 1946 ata ishin harruar krejt. Por çuditërisht ishin harruar dhe rusët, të fundit të të cilëve e kishin braktisur Tiranën në vitin 1961. Pak më të freskët ishin fytyrat e kinezëve që nuk bridhnin më me tufa që prej viti 1978. Prej 12 vjetësh, në Shqipëri nuk do të kishte më ‘turistë”. Dhe nëse të merrte malli për ndonjë të huaj, duket të kaloje tek rruga e Ambasadave, ku mund të përballeshe me ndonjë fytyrë diplomati pas të cilit do të ishte edhe një tjetër, një nënoficer i rëndomtë i Sigurimit të Shtetit.

Por kohët kishin ndryshuar. Në fillim administratori i PNUD-it, Uiliam Draper, më pas kryesekretari i OKB-së Peres De Kuelar, Nënë Tereza… Kaq u desh që mbas 30 vjetësh ngujim, zyrtari më i lartë i shtetit Shqiptar të merrte avionin për më mbërritur në Nju Jork. Gjatë rrëfimit të tij në “Telegraf” ish-përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Bashkim Pitarka, tregon për organizmin e vizitës së shefit të tij nga Peruja, vizitë e cila do të ishte një trokitje e hapur për demokracinë e munguar:

Në çfarë kushtesh do të zhvillohej vizita e Peres De Kuelarit në Shqipëri?

Kur punoja drejtor në Ministrinë e Jashtme në kolegjium të ministrisë, nëpër konsulta shpesh herë ishte ngritur çështja e një ftese që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuar të vizitonte Shqipërinë. Në listën e programit të vizitave të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Shqipëria fillonte me shifrën “zero”. Siç ishte dhe ajo e përfaqësimit të shtetasve shqiptarë në personelin e sekretariatit të OKB-së ku deri në vitin 1991 Shqipëria nuk përfaqësohej me asnjë funksionar të sekretariateve të sistemit të OKB-së në Nju Jork, Gjenevë apo shtete të tjera. Më kujtohet se ambasadori Abdi Baleta që ishte përfaqësues i Shqipërisë në OKB gjatë viteve ‘70, kishte bërë shpesh herë objekt diskutimi bërjen e një ftese për Sekretarin e Përgjithshëm për vizitë zyrtare në Shqipëri. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Deri në vitin 1989 kur kjo çështje u hodh në rend të ditës në Ministrinë e Jashtme. Unë si përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në OKB e përsërita këtë kërkesë duke e paraqitur edhe si dëshirë të vetë Sekretarit të Përgjithshëm të asaj kohe, shkëlqesisë së tij Peres De Kuelar.

E njihte z. De Kuelar Shqipërinë?

Duhet të kujtojmë se z. Peres De Kuelar ishte një mik i mirë i vendit tonë dhe kurdoherë mbante marrëdhënie personale me të gjithë ambasadorët shqiptarë pranë Kombeve të Bashkuar, duke më përfshirë dhe mua. Dëshiroj të theksoj se kur ai ishte Përfaqësues i përhershëm i vendit të tij, Perusë, në OKB, bashkë me përfaqësuesin tonë të përhershëm në atë kohë, e më pas ministrin e Jashtme z. Reiz Malile, kishte firmosur marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Kështu në një nga takime që pata me të në vitin 1989 unë i paraqita atij ftesën e presidentit të Shqipërisë z. Ramiz Alia dhe të ministrit të Punëve të Jashtme z Reiz Malile për të bërë një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ai e pranoi me shumë kënaqësi këtë ide, më falënderoi dhe më tha se në rastin më të parë do të planifikojë një vizitë në Shqipëri vitin e ardhshëm. Pra më 1990.

Cili do të ishte roli juaj në këtë vizitë?

Sigurisht mua dhe misionit tonë pranë OKB-së na dilte një detyrë e madhe për përgatitjen e kësaj vizite. Për mua ishte dhe një kënaqësi dhe angazhim diplomatik tepër i rëndësishëm. Asnjë Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së nuk e kish vizituar Shqipërinë, që nga viti 1955 vit kur ishim bërë anëtarë të Kombeve të Bashkuara. Më duhet t’u them se ishte vërtet një detyrë e vështirë. Pavarësisht nga predispozicioni miqësor dhe tepër pozitiv i shkëlqesisë së tij z. Peres De Kuelar, për realizimin e kësaj vizite historike ne u ndeshëm në një bllok të fortë kundërshtar të kësaj vizite nga ana e misioneve të Jugosllavisë dhe të Greqisë pranë Kombeve të Bashkuara të cilat ashtu si vetë qeveritë e tyre në atë kohë e shihnin me një kënd dhe sy tepër negativ dhe armiqësor këtë vizitë historike për vendin tonë. Përsëri argument për shkelje të së drejtave të njeriut përdorej mosdhënia e vizës nobelistes së madhe e të shquar Nënë Terezës. Për këtë çështje sidomos kur u shpall zyrtarisht koha e vizitës që do të bënte në Shqipëri, z. Peres De Kuelar, ishte ajo më intensivja për punën tonë, për të luftuar këtë veprimtari armiqësore për silurimin e kësaj vizite. Unë dhe kolegët e mi të misionit me takimet dhe kontaktet e shumta me funksionarët e lartë të sekretariatit të OKB-së me kronikat tona të shtypit që shpërndaheshin pranë OKB-së dhe misioneve të huaja me shkrime lidhur me këtë çështje, u përpoqëm t’i kundërviheshim përpjekjeve siluruese për anulimin e kësaj vizite.

Sa u ndikua Sekretari i Përgjithshëm nga këto dy lobe?

Më kujtohet se në dy takime të mia me zotin Peres De Kuelar në fillim të vitit 1990, kur unë i ngrita këto çështje ai më siguroi se OKB-ja dhe sekretariati i saj është i të gjithë anëtarëve saj. Por e vërteta është se arma më e fortë për ta luftuar këtë veprimtari antishqiptare doli puna e jonë me lobin hebre në Nju Jork dhe gjetkë në Shtetet e Bashkuar, si dhe e patriotëve shqiptarë të organizatës “Shqipëria e Lirë” me në krye të paharrueshmin, patriotin e madh Fan S. Noli, të ndjerin Antoni Athanas, sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Patriotike “Shqipëria e Lirë” të ndjerin zotin Dhimitër Trebicka dhe kryetarin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare me qendër në Boston, At Arthur Liolin, të cilët bënë një punë të palodhur me anëtarë të Kongresit amerikan, të departamentit të Shtetit të SHBA-së me lobin hebre etj., për të krijuar një frymë të re të marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe theksonin se ardhja e Peres De Kuelarit në Shqipëri do të nxiste inkurajonte më tej ndryshime të reja demokratike në atdheun e tyre. Shënoj se këta patriotë të nderuar shqiptarë m’u ndodhën në krah, jo vetëm për këtë çështje por për veprimtarinë më të rëndësishme që më ishte ngarkuar, negocimi i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në. Dhe në fakt fillimi i kontakteve dhe bisedimeve zyrtare të delegacionit shqiptar të kryesuar nga unë dhe me pjesëmarrjen e këshilltarit të misionit shqiptar pranë OKB-së z. Genc Mlloja, ishte faktori më i rëndësishëm që bëri të mundur përfundimisht, por edhe të domosdoshëm vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Ju, me siguri, si gazetar i shtypit shqiptar jeni në dijeni dhe i keni ndjekur me interes shkrimet dhe reagimet e shtypit ndërkombëtar lidhur me këto veprimtari politiko-diplomatik të Shqipërisë, sidomos ardhjes së De Kuelar në vendin tonë dhe negociatave shqiptaro-amerikane për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Në çfarë konkluzioni doni të dilni?

Si konkluzion dua të theksoj se nuk ishte puna jonë e misionit apo diplomacisë shqiptare në përgjithësi që determinonte, por ishin ato zhvillime politiko-diplomatike që përmenda më sipër, e cila u bënë dora që i hoqi gurin e fundit murin që po ngrinin armiqtë e Shqipërisë, jo vetëm për silurimin e vizitës së zotit De Kuelar, por dhe hapjen nga izolimit ndërkombëtar të vendit tonë.

Antishqiptarët

Kundërshtia e grekëve dhe serbëve

“Nga ana e qeverive në Athinë e Beograd si dhe e lobeve serbe e greke, në SHBA u zhvillua një veprimtari e gjerë diplomatike e propagandistike për të siluruar këtë vizitë. Për ta ishte e papranueshme që t’i hiqej izolimi ndërkombëtar Shqipërisë, ndonëse Shqipëria me të drejtë akuzohej edhe për vetëizolim, gjë që në fakt për atë periudhë ishte e vërtetë. Nga ana e misioneve të lartpërmendura dhe të lobit serb në mënyrë të veçantë por dhe në bashkëpunim me atë grek, i bëhej shpesh herë thirrje sekretariatit të Kombeve të Bashkuara dhe direkt Sekretarit të Përgjithshëm z. Peres De Kuelar, për të shmangur bërjen e një hapi të tillë miqësor ndaj Shqipërisë, për sa kohë që: “ky vend do të mbetet vendi më antifetar dhe vendi ku shkeleshin më së tepërmi të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha të minoritetit grek serb, maqedonas, etj, që jetonin në Shqipëri”.

Uiliam Draper III

Amerikani i parë në Shqipëri

“Dy ditë para ardhjes së De Kuelarit në Shqipëri, ministria e Punëve të Jashtme pati një vizitë dhe bisedime në vendin tonë administratori i PNUD-it, zotin Uiliam Draper III, i cili zhvilloi bisedime në ministrinë e Punëve të Jashtme për forcimin e bashkëpunimit të PNUD me vendit tonë, firmosjen e marrëveshjes për ndihmat dhe fondin e PNUD-it për Shqipërinë dhe inaugurimin e selisë së PNUD-it në Tiranë. Theksoj se zoti Uiliam Draper III ishte zyrtari i parë me shtetësi amerikane që vizitonte Shqipërinë pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike”.

DËSHMIA/ Këshilla: “Ngrini diga e mësoni notin se do t’u marri deti me vete”

Ju rrëfej De Kuelarin, ç’i tha Ramiz Alisë në vesh

Në maj të 1990 si përfaqësues i përhershëm pranë OKB-së m’u desh të gjendesha në Tiranë për të pritur vizitorin tepër të nderuar dhe “boss”-in tim të OKB-së Sekretarin e Përgjithshëm të saj zotin Peres De Kuelar. Kjo vizitë e rëndësishme ndërpreu (me mirëkuptimin e plotë të Departamentit të Shtetit Amerikan) negociatat me Departamentin për t’i dhënë dorën e fundit marrëveshjes dypalëshe së mirëkuptimit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Me ndihmësin e zëvendësit të Sekretarit të Shtetit për Evropën, ambasadorin Krammer, i cili ishte kryenegociator i palës amerikane, si dhe me përfaqësuesin e tyre të përhershëm pranë OKB-së ambasadorin Pikering, ramë dakord që mbas një jave të qëndrimit tim në Tiranë për vizitën e De Kuelarit, të takoheshim për përfundimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes. Nuk dua të hyj në programin e vizitës në Tiranë, por zoti Peres De Kuelar u prit nderime në vendin tonë dhe zhvilloi bisedime të rëndësishme me Presidentin e atëkohshëm të Shqipërisë zotin Ramiz Alia, sigurisht, me mikun e tij të ngushtë ministrin Reiz Malile dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit tonë. Dua të theksoj se në takimet e rëndësishme të zotit De Kuelar me presidentin Alia dhe ministrin e Punëve të Jashtme, R. Malile, ai bisedoi hapur dhe çiltër për shumë probleme të rëndësishme ndërkombëtare duke u ndalur në mënyrë të veçantë për proceset demokratike dhe liritë themelore të njeriut, për bashkëpunimin e Shqipërisë me OKB-në në planet e zhvillimit ekonomik, social-arsimor e kulturor për të drejtat e gruas dhe të fëmijëve etj. Ndër të tjera ai e këshilloi presidentin Ramiz Alia që në çeljen dhe hapat e Shqipërisë drejt vendosjes së një demokracie të vërtetë të një shteti shumëpartiak, të bëhej kujdes dhe të mos nxitohej sepse siç tha ai Shqipëria është si vendet e ulëta, të cilat duke qenë nën nivelin e detit u duhej më parë të ngrinin digat që të mos përmbyteshin. Dhe demokracia është një det i madh që po nuk more masa të mësosh not dhe të ngresh digat, që janë institucionet demokratike, – theksoi ai, – të përmbytin dhe do të ishte e vështirë të ruhej rendi, qetësia, liria dhe demokracia. Ramiz Alia si me të qeshur i tha: “Më përmendët që keni shumë nipër e mbesa, unë kam vetëm një dhe sapo ka filluar të hedhë hapat e parë se është motake, por askush nuk e nxit dhe nuk e shtyn të ecë me vrap, se po të rrëzohet një herë do të ketë frikë të ecå me hapat e veta. Kështu është dhe çështja e ndryshimeve demokratike në Shqipëri në një vend”.

ANALIZA

“Unë me analizën që i bëra rezultateve të vizitës ndonëse nuk mund t’i shprehja nxora si konkluzion se; kjo vizitë dhe bisedimet e shkëlqesisë së tij Peres De Kuelar me Ramiz Alinë dhe udhëheqës të tjerë shqiptarë, kishin mbjellë farën e shëndoshë të ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Vizita e tij, këshillat e tij gjatë vizitës, më pas ushtruan një influencë tepër të rëndësishme në hapat që do të ndërmerreshin nga Ramiz Alia, por mbi të gjitha nga vetë populli shqiptar për t’i sjellë këto ndryshime. Këto këshilla, kjo vizitë, -mendoj unë, – i dhanë krahë zotit Alia për t’i amortizuar kundërshtimet dhe kundërvëniet e mundshme e të pritshme të skifterëve në Komitetin Qendror dhe në vetë Byronë Politike. Mendoj se është e arsyeshme të ndalëm në efektet pozitive të takimeve bisedave me zotin Peres De Kuelar dhe të këshillave të tij. Ai dhe zoti Ramiz Alia zhvilluan edhe takime kokë më kokë ku unë nuk merrja pjesë”.

(Vijon numrin e ardhshëm)

NUMRIN E ARDHSHËM DO TË LEXONI

-Ftesa e De Kuelarit për Ramizin: “Eja ta pimë një kafe në Nju Jork”

-Pse Xhorxh Bushi i vjetër refuzoi të takonte presidentin komunist shqiptar

-Amerikanët, si e lanë Ramiz Alinë pa makinë dhe bodigard