Rrëfimet e Maqo Bletës: Hysni Kapo më lexoi urdhrin e Enverit për zv/ministër. Si i martonte Pilo Peristeri çiftet e uzinës “Traktori” dhe fletë-rrufeja për Kadarenë gjatë stazhit të Partisë

1181
Sigal

ARKIV IV/ Fletërrufeja e një komunisti për Ismail Kadarenë dhe stazhi i tij në Kombinatin e Autotraktorëve. Si i martonte Pilo Peristeri çiftet e uzinës dhe çfarë ndodhi gjatë vizitës së Enverit

Maqo Bleta: Hysni Kapo më lexoi urdhrin e Enverit: “Do bëhesh zv/ministër”

(vijon nga numri i kaluar)

Qarkullimi e ka bërë të ndërrojë zyrë herë pas here, por gjithmonë në nivele të larta drejtuese. Në fillim në Shkodër, më pas në Tiranë, pastaj në Elbasan dhe sërish në Tiranë, këtë herë si zv/ministër i Industrisë dhe Minierave. Maqo Bleta, thotë se të gjitha këto janë meritë e punës së tij dhe nga gjithë kjo punë pa përfituar vetëm disa dekorata e medalje. Megjithatë çdo e keqe e ka dhe një të mirë. E kështu Maqo Bleta, gjatë rrëfimit të tij në “Telegraf” thotë se, gjatë kësaj kohe ka njohur shumë njerëz, një prej të cilëve, që i ka lënë përshtypje të veçantë ishte dhe Pilo Peristeri, drejtori i kombinatit të Autotraktorëve dhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror.

Përse një anëtar i Byrosë Politike ishte dhe një drejtor uzine?

Piloja nuk kishte shumë arsim, por dihej që kishte miqësi të fortë me Enver Hoxhën. Dhe me çfarë kuptoja unë e kishin vënë Pilon në uzinë të kishte një lidhje se çfarë mendimi kishte klasa punëtore për udhëheqjen e partisë. Dhe ai i thoshte të gjitha. Ndërsa mua më thoshte: “Unë jam drejtor politik. Kështu më ka thënë Enver Hoxha. Kurse Maqon e kemi drejtor teknik, më ka thënë ai”. Edhe fakti ishte se unë atje vendosja për të gjitha, problemet e organizimit e prodhimit unë isha si drejtor atje.

Pra ju linte dorë të lirë?

Ai ishte njeri babaxhan dhe nuk ngatërrohej asnjëherë në punët që nuk i dinte. Dhe që atëherë thoshte: “Mos u ngatërroni me mua se unë nuk marr vesh nga kjo punë, drejtori teknik është Maqoja”. Madje shpesh thoshte një proverb: “Dhentë e dhitë e Zeres dhe nami i Hasan Qeres”. Që do të thoshte: Kush e bëri punën e kush e mori lavdinë. Pra nënkuptonte që punën e bënte Maqo e lavdinë e merrte Piloja si drejtor që ishte. Por ai qe njeri i thjeshtë, nuk të merrte meritat, edhe pse në kupolën e partisë kishte një pozicion shumë të rëndësishëm.

A përplasej Piloja me njerëzit e qeverisë?

Më kujtohet një herë, kur po punonim për prodhimin e traktorit me forcat tona. Nuk kishte shumë që ishte emëruar si ministër i Industrisë Kristaq Dollaku. Dhe ai bëri një vizitë në uzinë. Mirëpo atje u njoh me situatën. Piloja kishte firmosur për blerjen e 300 shtretërve, sepse shumë nga stafi teknik ngrysej e gdhihej në uzinë dhe aty flinim. Kristaqi vjen ai i kërkon llogari Pilos në sy të punëtorëve. “Shoku Pilo, po ku i gjete paratë që ke blerë këta krevatë, që ke bërë kaq investime pse nuk ke marrë leje nga ministria”. Edhe Piloja u nxeh dhe ia ktheu: “Po ti nuk je në terezi more. Si të kanë vënë ministër”. Se Piloja fliste pa doreza edhe për shkak të pozicionit që kishte. Ashtu i nxehur siç ishte shkon direkt tek Enver Hoxha. Të nesërmen mora vesh se Kristaq Dollakun e çuan nga ministër në Berat, sekretar të parë. Domethënë kishte lidhje të tilla sa i ecte shumë fjala.

Po në marrëdhëniet tuaja kishte incidente?

As që bëhej fjalë. Mua më ndodhi njëherë një incident, por ishte Piloja që më mori në mbrojtje. Bëhej një mbledhje, siç bëheshin mbledhjet e përgjithshme të komunistëve. Dhe në atë kohë ishin nja 350 a 400 komunistë. I deleguar nga partia qe Haki Toska, sekretar i Komitetit Qendror. Sa mbaroi raportin sekretari i partisë, ngrihet një punëtor, i cili nuk kishte asnjë klasë shkollë, madje përdorte gishtin kur merrte rrogën edhe thotë: “Me leje. Kryeinxhinieri ynë është mendjemadh. Ai shet mend shumë, sa herë kalon pranë tornos time ai nuk përshëndet as ‘mirëmëngjesi’ e sa ‘mirëdita’, madje nuk më jep as dorën”. Unë u bëra dhe. Sepse po t’i kthehemi asaj kohe, të ngrinte një punëtor një problem të tillë në mbledhjen e përgjithshme të partisë, ku akuzoheshe për një nënvlerësim që i bëje klasës punëtore, të futnin në kallëpe të tjera. Po çfarë bëri Pilo me zgjuarsinë e tij. “More djalë, si e ke emrin ti?” Ai ia tha emrin, por unë nuk e mbaj mend. “Po sa klasë shkollë ke bërë ti? -vazhdoi Pilo. “Po s’kam”, tha ai. “Epo ne qenkemi njëlloj”, vazhdoi Pilo me të tijën. “More djalë po nuk të ka shkuar në mend ty se ata që kanë mend shesin mend, po unë edhe ti që s’kemi mend çfarë do shesim. Pastaj ne kemi 2000 punëtorë këtu e kryeinxhinieri po të flasë të gjithëve nga një minutë, ç’bëhet. Se 480 minuta është 8-orarëshi. Prandaj mos ngri të tilla probleme se e kemi djalë të mirë kryeinxhinierin”. Qeshën të gjithë dhe u harrua ajo punë. Ky ishte Pilo. Ai më mirë të falte një torno se të falte një lule. Ato i kishte shumë për zemër.

Kur do të përfundonte detyra juaj si kryeinxhinier e autotraktorëve?

Në Kombinatin e Autotraktorëve, një ditë më vjen për vizitë Enver Hoxha. Kjo qe më tepër një vizitë diplomatike. Bëhet fjalë për vitin 1974 ku Hoxha ishte i sëmurë. Mbasi i referova për gjendjen e uzinës, ish- udhëheqësi vlerësoi në përgjithësi sukseset e saj dhe në fund më tha: “Tani nuk kemi më nevojë për ty në Kombinat sepse kemi vepra më të mëdha, prandaj do të shkosh në Kombinatin Metalurgjik”. Unë u befasova. Nuk kisha si t’i kundërshtoja. Kështu në fillim të vitit 1975 unë shkova drejtor i Uzinës Mekanike të Kombinatit Metalurgjik në Elbasan.

Sa do të punonit në Metalurgjik?

Atje punova gjashtë muaj dhe një ditë prej ditësh më vjen Mehmet Shehu për të shikuar djalin e tij Skënder Shehun sepse bënte punën fizike dhe që e shoqëronte një djalë me emrin Viktor. Unë mezi e gjeta se ai lëvizte nëpër kombinat. Kryeministri më në fund e takoi të birin. Pasi mbaroi punë me Skënderin Mehmeti më takoi sërish dhe më thotë: “Të hënën në  orën 09:00 duhet të jesh në Komitetin Qendror”. Më kujtohet që atë ditë ishte e shtunë. “Por për çfarë duhet të jem atje”, e pyeta unë. Mehmeti as që më ktheu përgjigje. Dhe unë shkoj në Komitetin Qendror, në orën 09:00 të mëngjesit. Atje më del Mihal Bisha, drejtor i kuadrit dhe më çon direkt tek Hysni Kapo.

Çfarë do t’u komunikonte Hysni Kapo? Fillimisht në paradhomë gjej një Kiço Negovani, që ka qenë zëvendësministër i Arsimit dhe i pari u fut ai në zyrën e Hysniut. Atij i tha do të shkosh punëtor për edukimin në Hidrocentralin e Fierzës. Pas tij qe një zëvendësministër i tregtisë. Atë e caktoi të shkonte në degën e furnizimit të punëtorëve për edukim në Hidrocentralin e Fierzës. Kur më erdhi radha mua mendova se isha për në burg para atyre që dëgjova. Kur më lexon Hysni Kapo një letër ku thuhej se me vendim të Byrosë Politike të Komitetit Qendror emërohesha zëvendësministër i Industrisë dhe Minierave.

Morali socialist

Piloja, si i martonte çiftet e uzinës

Pastaj kishte dhe një diçka tjetër. Ai e kishte në parim kur thoshte: “Uzinën e kemi moderne, të pastër, të mirë. Klasën punëtore e kemi të mirë, por duhet ta kemi këtë edhe të moralshme. Me moralin e lartë socialist”. Dhe kur kishte raste që dashuroheshin, çifte, ai i merrte vesh dhe i thërriste. “Ejani këtu”, u thoshte. “A e do ti këtë vajzë? “Po e dua”, pranonte djali. “Po ti e do këtë djalë?”. “Po e dua”, pranonte dhe vajza. Se ata e kishin dhe të vështirë të bënin numra para Pilos. Atëherë ai u propozonte. “E po mirë. Këtë gjë bëjuani të ditur prindërve. U thoni se dasmën do t’ua heqë xhaxhi Piloja. Do t’u jap edhe shtëpi. Ti njofto vajzë njofto njerëzit e tu dhe ti djalë të tutë. Edhe do ta bëjmë një dasmë të përbashkët, në mensën e uzinës”. Dhe merrte një orkestër të kovaçëve se ata të gjithë u binin gërnetës, fizarmonikës e defit. Kishte një orkestër të shkëlqyeshme. Kishim edhe një mensë në madhe. Dhe atje grumbulloheshim nja 250 veta dhe vazhdonte dasma deri në orën 2-3 të mëngjesit. Por Piloja e mbante fjalën, i jepte çiftit të ri një apartament banimi dhe 2 javë pushime me paratë e ndërmarrjes. Kështu të gjitha palët ishin të kënaqura. Por ama në qoftë se u mungonte dëshira edhe këtë e kishte, për t’u martuar me zor nuk e bënte. Në të gjitha çiftet që ka martuar Piloja, vetëm një çift nuk ka pranuar të bashkohet dhe është bërë ashtu siç dëshironin ata. Në atë kohë ndërmarrja kishte rreth 2200 punëtorë. Pastaj kur u bë kombinati u arrit në 5 mijë punëtorë. Edhe punëtorët linin kokën për xha Pilon.

Stazhi i partisë

Fletërrufeja për Ismail Kadarenë, si e grisi Pilo Peristeri

Që nga koha e stazhit të partisë, midis kryeinxhinierit të Uzinës së Autotraktorëve Maqo Bletës dhe shkrimtarit që sapo kishte filluar të ndihej fort në fushën e letrave shqipe, Ismail Kadaresë, u lidh një goxha miqësi. Ishte koha kur pranimi në radhët e Partisë së Punës shoqërohej me një stazh pune fizike, sidomos për ata që bënin punë intelektuale, apo ishin pjesë e administratës shtetërore. Kështu ndodhi dhe me Ismail Kadarenë, stazhi i të cilit ishte caktuar në një nga uzinat më me emër të industrisë mekanike shqiptare, në Uzinën Traktori, e cila kishte për drejtor dhe një prej anëtarëve të Byrosë Politike. Duke kujtuar ditët që Kadare bënte stazhin e partisë në Uzinë, ish- kryeinxhinieri Maqo Bleta thotë: “Diku rreth vitit 1968, nëse nuk gaboj, më thërret një ditë Pilo Peristeri në zyrë. Më prezantoi me një djalë të ri me syze e më thotë: “Ky djali do të bëjë stazhin e partisë në uzinë. Dhe për këtë kam këto porosi; ai do të vijë në punë kur të dojë, do të iki nga puna kur të dojë, do ta vësh në punë atje ku të dojë ai dhe ti si kryeinxhinier do t’i qëndrosh afër. Gjithashtu do ta shoqërosh për të parë të gjithë uzinë dhe ta zgjedhë vetë vendin e punës”. Në fakt u habita ca se s’kishte ndodhur asnjëherë që një stazhier të  kishte kaq shumë liri veprimi dhe mendova menjëherë që djaloshi duhej të kishte ndonjë mik të madh. Dhe u bë ashtu siç tha Piloja. Atëherë u prezantova dhe mora vesh që ai ishte Ismail Kadareja, që në të vërtetë nuk ishte i panjohur më për mua, sepse librat e kij kishin filluar të qarkullonin shumë dhe unë ia kisha lexuar. Ismaili erdhi në punë. Në fillim ai punonte me përkushtim dhe nuk ndihej, por si një shkrimtar i dëgjuar qëllonte që nuk e zbatonte orarin e punës, të vinte në orën 07:00 të mëngjesit e të ikte në 15:00 pasdite. Por gjithsesi këto devijime ishin të parashikuara në porositë që më kishte dhënë shoku Pilo në atë kohë. Ne lidhëm një miqësi të mirë me Ismail Kadarenë sepse edhe ai tregonte një afërsi me mua dhe madje shkroi disa artikuj në gazetën “Zëri i Popullit” të asaj kohe ku fliste fjalë të mira për uzinën dhe punëtorët atje. Por një ditë prej ditësh ndodhi që Ismail Kadare të ishte objekti i një fletërrufeje. Në këtë fletërrufe të vendosur në “këndin e emulacionit’, shkruhej se Ismail Kadareja nuk zbatonte normat e partisë, udhëzimet e partisë, mësimet e shokut Enver, shkurt që nuk e kryente stazhin e punës së partisë sipas udhëzimeve të partisë. Dua të them që ky qe objekti kryesor. Mua ma sjellin atë fletërrufe në zyrë. Atëherë me të në dorë shkoj tek shoku Pilo Peristeri. Ia tregoj dhe i them se çfarë duhet të bënim në një rast të tillë? Mos vallë Ismail Kadareja duhet të jepte përgjigje me shkrim, siç ndodhte në të gjitha rastet e tjera të fletërrufeve të kësaj natyre? -“Kush e ka shkruar”, më pyeti Piloja. Në fakt ai që e kishte shkruar ishte një Kryetar i Bashkimeve Profesionale në një repart dhe ishte një oficer i liruar. E thërret Pilo në zyrë atë edhe mua bashkë. E në praninë time, i drejtohet atij: “Kjo që ke bërë ti është në kundërshtim me vijën e partisë, prandaj merre dhe grisë këtë fletërrufe”. Dhe kështu u bë, ai e grisi fletërrufenë dhe unë që atëherë mendova se Ismail Kadareja ishte një njeri që mbrohej nga lart.

(Përgatitur për Telegraf më 2005)

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

-Në krye të delegacionit shqiptar për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Mao Ce Dunit

-Incidenti me protokollin kinez që kishte vënë delegacionin shqiptar në krah të “armiqve” amerikan

-Qarkullimi pas 10 vjetësh. Nga zyra e zv/ministrit në zyrën e drejtorit të Uzinës Dinamo