Rrëfimet e ish-ministrit Osman Murati

372

Në 1980, ekonomia ishte në kolaps, në treg kishte mungesa të mëdha. Ja si Byroja vendosi që të racionoheshin ushqimet bazë dhe cili propozoi të përdorej sistemi i tolonave

Kujtimet e ish-ministrit Osman Murati: Një e papritur në jetën time

Si emërohem në Ministrinë e Tregtisë së Brendshme me funksionin e Ministrit

 

-Si na thirri papritur në zyrë mua dhe Farudin Hoxhën, Ramiz Alia

Në Tiranë qarkullonte fjalë se Mehmet Shehu kishte pasur dualizëm të theksuar me Byronë Politike dhe Enver Hoxhën

-Situata ekonomike në kolaps, në treg kishte mungesa të shumta

– Me dhimbje filluan të racionoheshin ushqimet bazë duke vënë sistemin e tolonave

Menjëherë, mbas vetëvrasjes së kryeministrit u morën masa nga Komiteti Qendror i Partisë dhe u zgjodh nga Kuvendi Popullor kryeministri i ri, Adil Çarcani, i cili vazhdoi punën për një vit derisa u bënë zgjedhjet e reja të radhës. Në muajin shkurt të vitit 1982, mbasi u zgjodh Kuvendi Popullor i radhës, u emërua edhe Qeveria e re përsëri me Kryeministrin Adil Çarçani, të cilit iu dha e drejta të formojë kabinetin e ri qeveritar. Në këtë kabinet më ra shorti edhe mua për të kaluar nga Inspektimi i Shtetit në Ministrinë e Tregtisë së Brendshme me funksionin e Ministrit. Siç kam theksuar edhe herë të tjera për lëvizjen e kuadrit, sidomos për ngritjen në përgjegjësi zakonisht të bënin komunikimin dhe urimin e rastit dhe me kaq duhet të paraqiteshe në detyrë.  Kështu ndodhi edhe në këtë rast.

Tek Ramiz Alia

Unë me Farudin Hoxhën, një ditë pasdite ishim thirrur në Komitetin Qendror te zyra e shokut Ramiz Alia. Në zyrën e shokut Ramiz para meje hyri Farudin Hoxha, i cili u vonua gati një orë. Me sa duket ai do të këtë pasur ndonjë problem pune, me projektet e hidrocentraleve ose të ndërtimeve. Nuk përjashtohej mundësia edhe për ndonjë problem tjetër.  Mbasi doli Farudini nga zyra e shokut Ramiz, me erdhi radha mua dhe, pasi trokita në derë, hapa derën dhe pashë që takimi bëhej nga shoku Ramiz me prezencën e kryeministrit të sapo emëruar, Adil Çarçani. Sapo hyra ne zyrë ata të dy, shoku Ramiz dhe shoku Adil, u ngritën në këmbë dhe pa më dhënë as dorën, apo edhe të më kishin pyetur për ndonjë të dhënë zyrtare, apo edhe për shëndetin, veç më thanë që me formimin e qeverisë së re, që do të shpallet me Kuvendin Popullor jeni emëruar si Ministër i Tregtisë së Brendshme. Shoku Ramiz duke u ngritur në këmbë, për të dalë nga zyra, më foli se “duam të formojmë qeverinë me kuadro profesionistë, mjaft më, vetëm me meritat e së kaluarës”. Kohët e reja duan njerëz të rinj dhe se do ta heqim atë ministrin ekzistues.  Me kaq u mbyll takimi.

Unë kthehem në shtëpi, me fytyrë të vrenjtur, dy fëmijët po bënin detyrat e shkollës dhe si zakonisht gruaja më pyeti “Çfarë të ka ndodhur?”. Ajo dhe te afërm të tjerë shqetësoheshin, sepse nëpër Tiranë pritej seç po ndodhte e çdo të ndodhte akoma, mbas vetë- vrasjes se Mehmet Shehut. Në Tiranë qarkullonte një mendim se Mehmet Shehu kishte pasur dualizëm të theksuar gjatë punës me Byronë Politike dhe konkretisht me shokun Enver… Prandaj edhe priteshin si gjithnjë “pastrimet” nga aparati i kryeministrisë, e më tej, gjë që nuk ndodhi, veç transferimit të sekretarit të tij dhe në skenën politike vihej re dalja më shumë në pah e Ramiz Alisë dhe e Adil Çarçanit.

Asistoi edhe vetë Enver Hoxha

Megjithë këtë ditën e mbledhjes ne Kuvendin Popullor, me shpalljen e Qeverisë së re asistoi edhe vetë Enver Hoxha. Ai dukej shumë i lodhur dhe e mbanin për dore të shoqëruar. Në përfundim të kësaj ceremonie në pushimin e radhës, i shoqëruar nga Adil Çarçani si kryeministër i sapo emëruar, na takoj veç e veç anëtarët e Këshillit të Ministrave, na bëri urimin e rastit dhe u largua.

Mbas kësaj ceremonie, që ishte e para për mua, pritej që secili Ministër do të paraqitej në detyrën e re dhe të fillonte menjëherë nga puna. Si të gjithë kolegët edhe unë kërkova nga Sekretari i Këshillit të Ministrave nëse do të vinte ndonjëri për të bërë prezantimin në aparatin e dikasterit të Ministrisë së Tregtisë së Brendshme. Kyeministri, më ktheu përgjigje, fillo detyrën e re në tregti, se tashmë  emërimi është bërë publik ne Kuvendin Popullor dhe nuk ka nevojë për prezantim.

Para meje shtrohej një pyetje e thjeshtë: Nga ta filloj punën në këtë dikaster të panjohur?

Megjithatë kisha një besim në vetvete me eksperiencën që kisha fituar gjatë jetës, sidomos me punën e kryer në Komisionin e Planit dhe Inspektimin e Shtetit duke mbajtur parasysh edhe faktin qe isha i diplomuar edhe si ekonomist. Por siç do vend tjetër pune, bazamenti në të cilin do të mbështetesha për të plotësuar zbatimin e kësaj detyre ishin dy parime kryesore:

Së pari, njohja e orientimeve dhe direktivave të partisë edhe në këtë fushë të ekonomisë dhe

së dyti, aktivizimi dhe puna në ekip me aparatin e ministrisë, si dhe lidhja e pa ndërprerë me organet e tregtisë ne rrethe. Mbështetja në këto dy hallka kryesore padyshim kërkonte prej meje që të zgjeroja njohuritë e mia teorike nëpërmjet lidhjes me kuadrot e Universitetit në fushën e Merceologjisë dhe atë të sferës se qarkullimit. Duhet te theksoj se zanafilla e trajtimit të çdo problemi që të diktonte puna dhe situata konkrete ishte kontakti me drejtoritë përkatëse të aparatit të ministrisë, pasi edhe sfera e veprimtarisë së tyre ishte e gjerë, për furnizimin e popullit që nga buka, veshja, ushqimi social, furnizimi i punëtorëve e deri te kopsa e gjilpëra. Mbase në një farë mënyre pa dashur kam mënjanuar disa herë edhe zëvendësit e mi, siç vepronin shume kolegë që e bënin komunikimin vetëm me ta, dhe mënjanonin bazamentin e punës  së ministrisë që e përbën drejtoria. Përvoja ime ka qenë gjithnjë kontakti i drejtpërdrejtë më drejtorët dhe specialistët e aftë dhe ekspertë të fushave përkatëse. Vetëm në këtë mënyrë komunikimi Ministrit i krijohen kushte dhe rrethana të favorshme për të kapërcyer situatat e vështira që na shtronte koha.

Problemet e shumta

 

Ndërkohë në vartësi të këtij dikasteri ishte Turizmi, furnizimi i ekonomisë me karburante dhe pjesë ndërrimi për makineri dhe pajisje. Ky dikaster funksiononte me një shkallë centralizimi të tepruar dhe prandaj gati 70 % e kohës më duhej të merresha me punë operative, megjithëse kisha edhe dy zëvendësministra që kryenin detyrat e tyre. Për të qenë i sinqertë, koha e punës bëhej  mjaft

e ngjeshur dhe e stresuar, sa nga problemet e çikërrimat e punës gjatë ditës, po aq dhe nga ankesat dhe problematikat që shtronte udhëheqja e partisë e asaj kohe, pa lënë mënjanë kërkesat dhe ankesat e vetë komiteteve ekzekutive të rretheve për fonde mallrash, emërime dhe lëvizje kuadrosh etj., etj.

Siç është përmendur edhe nga studiues dhe analistë të sferave të ndryshme nga vitet 1980 e më tej, situata ekonomike e vendit tonë sa vinte dhe po shtrëngohej hap pas hapi, sepse në disa degë strategjike të ekonomisë, bujqësia, industria e lehtë dhe ushqimore e sektorë të tjerë të shërbimit, s’po i plotësonin detyrat e planifikua- ra për mallrat e konsumit që lidheshin me furnizimin e popullit. Në vija të përgjithshme realizimi i detyrave të planit në këtë fushë pothuajse nuk plotësonte më tepër se 70% të kërkesave të para- qitura nga organet e tregtisë. Kjo situatë vështirësohej më shumë për faktin, se edhe detyrat e vëna në plan s’realizoheshin, përfshi edhe importimin e tyre  të kufizuar. Komentet në këtë fushë mendoj se janë të tepërta mbasi izolimi me botën e jashtme, sidomos prishja e marrëdhënieve me Kinën që tashmë ishte bërë fakt, kishte sjellë një gjendje të pakëndshme, kudo në çdo sferë prodhuese dhe shërbimi. Ndihej mungesa e lëndëve të para dhe bazës tjetër materiale e fondeve valutore, ashtu  si edhe bilanci i eksport-importit, sikur të realizohej plani i këtij aktiviteti 100 për qind s’qe i mjaftueshëm për të përballuar kërkesat e ekonomisë. Vlen për të theksuar se edhe niveli i stimulimit material ndaj punonjësve dhe ngushtimi i diferencimit në pagat e punonjësve për punën e kryer shoqërohej me rënien e interesit për punën që duhej kryer nga secili në vendin e punës, fakt ky që shoqërohej drejt- tpërdrejtë me rënien e rendimentit të punës. Këto elementë vepronin në të njëjtën kohë, sepse edhe shkalla e centralizimit të tepruar të kompetencave të organeve shtetërore dhe ekonomike kishin mënjanuar iniciativën e organeve përkatëse shtetërore dhe ekonomike të qendrës e të bazës. Këta faktorë përcaktues në sferën kryesore të ekonomisë për furnizimin e popullit me mallra te konsumit ushqimor dhe jo ushqimor, industrialë, krijuan një kontradiktë të thellë midis prodhimit material dhe konsumit të popullsisë. Kjo kontraditë dha efekte të pa dëshirueshme në marrëdhëniet midis shtetit dhe popullsisë në qytet e në fshat. Tregtisë së brendshme, sipas planit të shtetit, dihet që i jepeshin fonde mallrash për artikujt blegtoralë, (qumësht, kos, mish, vezë, djathëra etj.) vetëm për furnizimin e popullsisë banuese të qytetit, e cila përbënte afro 35-40 për qind të totalit të popullsisë. Me artikujt bazë ushqimorë, të bulmetit, afro 60-65 për qind e popullsisë së fshatit, duhej të furnizohej vetëm nga ndërmarrjet bujqësore, mbas tufëzimit të bagëtive të oborrit kooperativist. Shteti, nëpër- mjet tregtisë së brendshme, i detyrohej popullsisë së fshatit në ko- operativat bujqësore vetëm për artikujt kolonial (vaj vegjetal, oriz, sheqer, makarona, deri tek kripa e gjellës) dhe për të gjithë artikujt joushqimorë industriale (veshje, pajisje, sapun e pluhura larës, orendi shtëpiake deri tek artikujt shkollorë dhe kinkaleritë.

Filluan tolonat

 

Në këto kushte, mungesa e artikujve ushqimorë blegtoralë në masë të gjerë në popullsinë e fshatit, solli tronditjen e madhe të konsumit të mallrave ushqimore, si në popullsinë banuese të qytetit dhe në atë të fshatit. Ky fakt na detyroi që të racionoheshin ushqimet bazë të përditshëm, kryesisht mishi, bulmetrat, duke vënë sistemin e tolonave, si dhe të listave edhe për disa artikuj të tjerë që s’i përballonte prodhim- i industrial i vendit dhe me pamundësinë e importimit të tyre, për mungesë valute.

Ky fakt, s’qe i panjohur për organet e shtetit dhe të ekonomisë të asaj kohe. Me kushtetutën e ripunuar që u vu në zbatim në vitin 1978, u vendos parimi bazë në ekonomi “mbështetja në forcat e veta”, duke u justifikuar me sloganin se “do të konsumojmë aq sa do të prodhojmë”. Kjo mbyllje e ekonomisë për të punuar vetëm me bilance të balancuara të eksportit e të importit, pa asnjë ndih- më dhe kredi nga jashtë, solli asfiksimin gradual të ekonomisë, që në analizë të fundit, shteroi dhe u fundos në vitin 1991. Këto probleme madhore të ekonomisë janë njohur dhe diskutuar në mënyrë të pandërprerë si në rrugë partie dhe shtetërore të niveleve të larta të kohës mbas viteve 1980. Por, me keqardhje, atyre s’iu dha rrugëzgjidhja e duhur. Disa drejtues të komiteteve të partisë dhe të komiteteve ekzekutive të k.p. të rretheve, për fat të keq, flisnin tërë eufori deri edhe me personalitete të Komitetit Qendror të PPSH-së se “e kemi mirë furnizimin e popullit me produkte bujqësore e blegtorale” dhe, si- pas tyre, “ministritë përkatëse s’po na mbështesin si duhet, nuk e njohin mirë gjendjen”, etj., etj.” Ky koncept ishte shumë i dëmshëm, sa demoralizues ndaj kuadrit po aq edhe fyes. Kështu p.sh. mbaj mend një anëtar të Byrosë Politike që ishte gati të fliste për orë të tëra për nivelin e keq të shërbimit të një shitëseje, ose të një kamerieri të ushqimit social dhe nuk kapej mbas problemit thelbësor për të analizuar dhe për të nxjerrë përfundime për gjendjen e mallrave në dyqanet e tregti- së, për asortimentin që mungonte në to etj.

 

Nesër do të lexoni:

-Si u morën masa për ushqimet në zonat e mbuluara nga dëbora

– Në dhjetorin e vitit 1984 dhe janarin e viti 1985, ra një dëborë ku u bllokuan rrugët automobilistike në gati 1/3 e popullsisë

– Hekuran Isaj së bashku me mua me helikopter ushtarak shkuam për të verifikuar situatën e kësaj gjendjeje të krijuar nga natyra

-Situatë alarmante, Enver Hoxha kërkonte të dinte situatën