Rrëfen Xhenieri Ilirjan Dhima

879

Tuneli i Porto Palermos me xhepat anësorë ishte 1280 m i gjatë. Kjo është vepra më e rëndësishme në Mesdhe dhe e vlerësuar nga NATO. Tunelet e Kukësit, Dajtit dhe Poliçanit

Intervista/ Rrëfimi i ish-ushtaraku të lartë të Xhenios, Ilrjan Dhima

-Tuneli i Porto Palermos me gjithë xhepat anësorë ishte 1280 metra i gjatë

– Tuneli kryesor ishte 8 metra e 60 cm nën ujë dhe 8 metra e 10 cm mbi ujë

-Vepër e tillë thuajse nuk ka në Mesdhe e vlerësojnë shumë ushtarakët e NATO-s

– Në Rinas bëmë disa punime speciale në tunelet e avionëve luftarakë MiG, që ishin strehuar aty

– Në vitin 1983, kaloj në batalionin e Fortifikimit në Morinë të Kukësit, ku bëmë disa tunele për rezervat dhe për drejtimin e shtabit në rast lufte

-Kukësi kishte prioritet për fortifikimet, pasi ishte në kufij me ish-Jugosllavinë

-Tunelet e Kukësit janë si shtëpi nëntokësore

– Në vitin 1984, shkova disa muaj për thellimin dhe ristrukturimin e dy tuneleve për uzinën e armëve në Poliçan

– Në malin e Dajtit ndërtuam tunele për makinat “Benz” të udhëheqësve në rast lufte

Albert Z. ZHOLI

Flitet shumë për bazën ushtarake të Porto Palermos. Në çfazë ishte kur shkuat ju? Cfarë punimesh sekrete janë bërë dhe si punohej. Kush janë të veçantat e ëksaj abze kaq shumë të diskutuar?

Kur shkova unë kjo vepër e madhe ushtarake kishte kohë që kishte filluar ose mund të them se punimet ishin në fazën përfundimtare. Duhet të theksoj se puna kishte filluar që në vitin 1968. Pra, afërisht 13 vjet punë, por duhet të dini se ishte një punë e jashtëzakonshme, një punë që as mund të mendohet sot, se nuk ishin këto mjete. Kishte dy projekte, një rus dhe një kinez. Ne vumë në zbatim projektin kinez, pasi në bazë kishim disa specialistë kinezë, që nuk krijonin shoqëri me ne, por që punonin me përkushtim. Duhet të them se tuneli kryesor ishte 8 metra e 60 cm nën ujë dhe 8 metra e 10 cm mbi ujë, pra në total 16 metër e 70 cm.. Tuneli me gjithë shumë xhepa anësorë ishte 1280 metra i gjatë. Kjo bazë u ndërtua kryesisht për të qenë në gatishmëri për t’u strehuar nëndetëset në rast lufte. Ishin bërë 4 vendbazime për nëndetëset (aq nëndetëse kishim), por edhe për luftanijet dhe katerat silurues. Sipas rregullores paraprake, nëndetëset do futeshin të fikura nëpërmjet një arganelloje, pasi kishin zhurmë shumë të madhe dhe sillnin dridhje të tunelit që mund të shkaktonte çarje. Pra, e gjithë hapësira ishte llogaritur për katër nëndetëse dhe rreh 20 katera silurues. Ishte një punë gjigante dhe një vepër e sigurt që të bënte krenar. Madje dua të them se në një vizitë, që ka bërë ish-inxhinieri i ndërtimeve hidroenergjetike shqiptare, Farudin Hoxha, nuk e besonte që pas ikjes së kinezëve këtë vepër madhështore e bënë vetë oficerët xhenierë shqiptarë. I dukej e pabesueshme. Më vonë shumë oficerë të NATO-s i kanë bërë vlerësimet maksimale. E tillë ishte Porto Palermo, një vepër e paarritshme dhe me vlera të jashtëzakonshme në kushte lufte. Dua të them se kur shkova oficer i ri, aty gjeta oficerë dhe nënoficerë të shkëlqyer, të dashur, punëtorë që më pritën si mos më mirë. Në fillim, dua të flas për Zydi Turre, gjeometri i fortifikimit. Njeri punëtor, i dashur, korrekt. Pastaj po ndalem tek Kasem Omeri, komandanti i lavdishëm i Porto Palermos. Pastaj vijnë me radhë, oficerët Xhorxhi Koçi, Vasil Mala, Kasem Omeri, Mark Jahja nga Tropoja, por edhe inxhinieri civil Selimllari. Pra, këta ishin oficerë shembullorë, por edhe njerëz të ndershëm, patriotë dhe miq të sinqertë.

Sigurisht një vepër e madhe që besoj se kërkonte vëzhgimin e partisë. Kush nga udhëheqësit e kohës vinte të shikonte punimet në Porto Palermo?

Vinin disa, por më shumë vinte Prokop Murra Ai shumë herë takonte vetëm komandantin dhe komisarin, ishte tepër strikt. Ka ardhur Simon Stefani, por edhe Alfred Moisiu atë kohë. Drejtor i Përgjithshëm i armës xheniere dhe më pas zv/ ministër. Të gjithë e dinin rëndësinë e kësaj vepre, por dinin dhe përgjegjësinë ndaj ishin tepër të vëmendshëm ndaj saj.

Si vazhdoi më pas karriera juaj ushtarake?

Në vitin 1983, kaloj në batalionin e Fortifikimit në Morinë të Kukësit, ku bëmë disa tunele për rezervat dhe për drejtimin e shtabit në rast lufte. Aty kam punuar në vijën te dogana ku bëmë fortifikimin me qendra zjarri të të gjitha kalibrave. Punë e madhe, investim i madh. Punonim ditë dhe natë. . Tunelet janë të gjithë me projekte e grykat e tyre të ndërtuara në mënyrë të tillë që të durojnë goditjet Atomike..Veçoj qendrat e zjarrit për Artileri tokësore që disa i kanë bërë shtëpi apo depo biznesesh pasi po ashtu janë shumë të sigurta. Për këto tunele flitet shumë sot madje edhe zmadhohen si rëndësi dhe si shtrirje. Ato janë tunele specifike, tepër të sigurta ku është punuar me përgjegjësi dhe perfeksion. Pra vendkomanda të pajisura në tunele ka pasur dhe në Kukës pasi ishte vend kufitar me ish-Jugosllavinë kur ne kemi pasur gjithmonë shkelje kufiri. Shteti i jepte rëndësi këtij kufiri. Aty është ndërtuar si në Tiranë apo qytete të tjera një prej vendstrehimeve më të mëdha në sistemin komunist. Kjo për shumë arsye. Fortifikimet në Kukës kanë vazhduar me vite dhe unë pak kam qëndruar. Në këto tunele Instituti Projektimit kishte parasysh që bënte një kompleks që nga vendkomanda e luftës, mensa, spitali, depot e ushqimeve që të ishin të sigurta. Me sa mbaj kisha dëgjuar spitali nëntokësor ishte më i madhi nga ato të qyteteve të tjera. Tunelet projektoheshin që ti rezistonin armatimeve të rënda por edhe rrethimit të madh si kohë. Mendohej që në rast lufte të kishte ushqim mbi 6 muaj. Këto tunele ishin sekret për kohën dhe kishin 5 hyrje-dalje tejet sekrete dhe të mirëkontrolluara. Tunelet janë ndërtuar si ato të Vendkomandës së Luftës që ndodhet në Tiranë “BunkArt 1”. Pra me salla mbledhje, me zyra të veçanta për drejtuesit ku mbrojtja ishte e sigurt edhe nga shpërthimet bërthamore duke e bërë Shqipërinë e asaj kohe me tunelet më të sigurta dhe më shumë funksionale. Numri shtretërve nuk ishte standard pasi mund të shtoheshin në çdo situatë.

-Kur shkuat në Poliçan?

Në vitin 1984, më emërojnë përkohësisht në uzinën e armëve në Poliçan, ku shkova disa muaj për thellimin dhe ristrukturimin e dy tuneleve për uzinën e armëve në Poliçan. Në ato pak muaj, aty pashë një uzinë moderne dhe tepër të fortifikuar. Pozicioni gjeografik e bënte atë të padallueshëm dhe shumë të maskuar. Në këtë uzinë kishte disiplinë të lartë dhe kërkesa llogarie. As miza nuk mund të futej aty. Në vitin 1985-1986, pas dy vjetësh shkoj në Rep 5100 me qendër në Qyteti Stalin në Regjimentin e Fortifikimit, konkretisht në qendrën e fortifikimit në fshatin Brezhdan afër Beratit. Aty ndërtuam dy tunele dhe dy depo për rezervat e shtetit dhe komanda në raste lufte.

 Çfarë mbani mend nga Brezhdani?

Një ditë lëvizja me këmbë nga Brezhdan për të shkuar në Berat. Ishte 11 prill 1985, dita kur vdiq Enver Hoxha. Nuk dija asgjë dhe ecja me këmbë për të gjetur ndonjë makinë. Një kalimtar ndalon pranë meje dhe më thotë i tronditur: “E more vesh, vdiq Enver Hoxha”. E pashë me dyshim. Kur shkoj në Repartin e Beratit pashë flamurin në gjysmë shtizë dhe të gjithë me kokë të ulur. Askush nuk fliste. As stërvitje nuk zhvillohej. Në gjithë repartin shikoje një gjendje të nderë. Sa u takova me eprorët më thanë të shkoja urgjent në repart, pasi kishim kaluar në gatishmëri numër një. Komisari më bëri me dije të kisha kujdes, sepse atë kohë në xhenio ishin ushtarët me biografi të keqe (kur e kujtoj sot qesh). Në fakt, ata ishin ushtarë më liberalë dhe nuk kishin gatishmëri. Rrallëherë kishim situate të tilla. Pesë ditë fjeta në repart pa lëvizur. Ishte një situatë që nuk i vije emër. Por ushtarët nuk kishin atë ndjeshmëri dhe as që kalonin stres. Ata sikur e ndjenin se do të përmbysej sistemi pas këtij momenti.

 Në cilat tunele të tjera keni qenë?

Kam qenë në disa. Isha gjithmonë në lëvizje. Në vitin 1987 emërohem në Regjimentin e Rinasit në kompaninë autonome të Dajtit. Në fillim bëmë disa punime special në tunelet e avionëve luftarakë MiG, që ishin strehuar aty dhe disa rregullime në fushën e aviacionit. Në vitin 1962 u krijua Regjimenti i Rinasit me avionë luftarakë MiG-17 dhe avionë MiG-19. Avionët luftarakë MiG-19 ishin ‘shtylla’ e kësaj force për shkak të numrit të tyre të madh (mbi 70 avionë). Po në të njëjtin aeroport u dislokuan për një kohë të shkurtër avionët luftarakë të sapoardhur nga Kina; avionët luftarakë të tipit F-7A ‘Fishbed C’ të cilët ishin versioni kinez i avionit luftarak sovjetik MiG-21F-13 (modeli i parë i prodhuar në masë). Por pas pak kohe këta avionë (12 në numër) u transferuan në bazën ajrore më të re të Forcave Ajrore Shqiptare; ajo e Gjadrit, ndryshe e njohur edhe si Lezha-Zadrima. Avionët F-7A (MiG-21F-13) u grupuan në një skuadrilje. Tunelet aty ishin të maskuar dhe shumë të sigurt. Avionët luftarakë futeshin brenda dhe askush nuk mund ti shihte. Pas disa muajsh kaluam në malin e Dajtit. Do ndërtonim tunele për makinat “Benz” të udhëheqësve në raste lufte. Ndërtuam dy tunele me gjatësi 38 metra me disa xhepa. Njëkohësisht edhe dy ofiçina moderne brenda tuneleve. Kishin pajisje shumë të mira.

Kush i ndiqte këto punime?

Aty vinin disa nga udhëheqësit e kohës Prokop Murra, Simon Stefani, Foto Çami, por punimet i ndiqte i pari.

 

Çfarë kujtoni nga kjo periudhë, veç punës për ndërtimet e tuneleve në Rinas dhe malin e Dajtit?

Kujtoj një stërvitje të madhe të zhvilluar në këtë vit (1987) në Kavajë. Ishte një stërvitje masive ku merrnin pjesë dhe shumë trupa të xhenios. Aty takova për herë të parë Alfred Moisiun. Ai takoi trupat xheniere duke na orientuar për stërvitjen. Ishte shumë praktik dhe komunikues. Foli shkurt dhe prerë dhe me shumë përgjegjësi. Në fund, na foli për rëndësinë e stërvitjes dhe ku duhet të përqendrohemi për të arritur rezultatet e duhura. Ai theksoi se udhëheqja i ka dhënë rëndësi kësaj stërvitje për vetë zhvillimet e fundit politike në vend dhe në Ballkan. Fjala e tij na mobilizoi më shumë. Vërtet me këto orientime ne u vlerësuam shumë mirë në stërvitje. Në Regjimentin e Rinasit qëndrova deri në vitin 1988 dhe pastaj u zhvendosa në batalionin e Shupalit, me detyrë Shef Shtabi Batalioni. Më pas në Repartin, Brigadën, 49-30 në Tiranë ku u emërova komandant batalioni në Rep. 34-48 në Uzinën “Traktori”, deri sa u largova nga ushtria. Në këtë repart zhvillonim stërvitje të ndryshme.

Kombinati Mekanik, Poliçan

Kombinati Mekanik, Poliçan ishtë një ndërmarrje shtetërore, e themeluar në vitin 1962, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura Shqiptare për armatim. Kombinati ndodhet pranë qytetit të Poliçanit, në rrethin e Skraparit, 22 km në jug të qytetit të Beratit. Uzina e Prodhimit të Municioneve (sot Kombinati Mekanik Poliçan), u ndërtua dhe filloi aktivitetin e saj në vitet 60–të. Uzina filloi prodhimin e municioneve për herë të parë në vitin 1967. Në fillim, u vu në punë linja e prodhimit të fishekut 7.62 mm dhe më pas me radhë linjat e prodhimit të granatave të dorës ofensive dhe difensive, minave kundërtank e kundër-këmbësorisë, predhave të mortajave 82 mm, kapsollave detonatore KD 8, fishekzjarrëve 180 mm etj. Me kalimin e viteve, krahas prodhimit, vazhdoi në mënyrë të pandërprerë puna eksperimentuese për prodhimin e artikujve të tjerë të nevojshëm për ushtrinë. Në këtë poçes eksperimentimi u përfshinë dhjetëra inxhinierë dhe specialistë të aftë nga i gjithë vendi. Si rezultat i kësaj pune, në vitet 80–të u vunë në punë linjat e prodhimit të predhave 60, 107 dhe 120 mm, djegoreve 60 dhe 82 mm, fishekëve bazë 60 dhe 120 mm, fishekëve 12.7, 14.5 dhe 9 mm, etj. Rritja e nomenklaturës së prodhimeve, kapaciteteve prodhues dhe numrit të punonjësve, i cili arriti shifrën 3 200, ishin faktorët bazë që në vitin 1986 e shndërruan Uzinën në Kombinat të Prodhimeve Ushtarake. Aktualisht, në Kombinatin Mekanik Poliçan janë të instaluara 12 linja kryesore për prodhimin e artikujve të lartpërmendur. Cikli i punës është i mbyllur duke realizuar në Kombinat prodhimet ushtarake, instrumentet dhe veglat e punës, deri në ambalazhimin e prodhimit të gatshëm. Linjat e prodhimit janë të përbëra nga makineri speciale, të destinuara për prodhimin e municioneve. Vetëm 5 deri 10 % e kapaciteteve prodhuese kanë karakter universal dhe mund të përdoren për prodhime civile. Mbas vitit 1992, si rrjedhojë e ristrukturimit të Ushtrisë dhe mungesës së fondeve, porositë për ushtrinë në Kombinatin Mekanik Poliçan u ulën në mënyrë drastike, duke sjellë si pasojë reduktimin e fuqisë punëtore nga 3 200 në 1 700. Gjatë viteve 1994 – 1997, prodhimi u ndërpre plotësisht. Nga korriku 2006 e deri tani ndërmarrja funksionon me pavarësi financiare nga shteti. Aktiviteti kryesor aktual është demilitarizimi i municioneve te tepërta të F.A. Sasia e municioneve te asgjësuara në Kombinat që prej vitit 2001 e deri tani, është rreth 26 000 ton (municione të shtimjeve te topave 57 mm, 76 mm, 85 mm, 100 mm, bomba aviacioni 100 kg, 150 kg., 250 kg, predha mortaje 107 mm dhe 82 mm). Aktualisht po demilitarizohen municione mortaje 82 mm prodhim importi (rus, kinez), granatat e dorës dhe fishekë 7.62 mm.