Sigal

Abaz T. Hoxha

Studiues dhe historian i kinemasë

 

Në tetor të vitit 1940 trupat fashiste italiane sulmuan Greqinë. Një nga kronikat e para të Institutit “Luce” që pasqyroi këtë sulm ishte kronika 89/1940, me titull “Marshimi i trupave italiane drejt Greqisë“, si edhe filma të tjerë propagandistikë e mashtrues që falsifikonin qëndrimin e popullit tonë përballë agresionit fashist kundër Greqisë. Për të përligjur këtë agresion para opinionit dhe për të mashtruar popullin shqiptar, se gjoja mbronin interesat e tij, ata gjetën pretekstin banal për sajimin e një vrasjeje nga ushtarët grekë në kufirin shqiptaro-grek të një farë Daut Hoxhe. Por populli shqiptar nuk u mashtrua nga ky provokacion, ai nuk e aprovoi këtë sulm fashist dhe nuk u gënjye nga teksti demagogjik i filmave që trajtonin këtë temë dhe, jo vetëm që nuk u ngrit kundër popullit grek që luftonte për mbrojtjen e lirisë së tij, por edhe kundërshtoi të rekrutohej në ushtrinë fashiste. Shumë nga ata që ishin nën armë dezertuan në mënyrë të organizuar nga radhët e ushtrisë. Demagogjinë bajate dhe të rëndomtë të shprehur nëpërmjet kronikave të “Luce-s” e hodhi poshtë vetë lufta e vendosur e popullit shqiptar kundër fashizmit italian, e cila bëri që në Shqipëri të gozhdoheshin disa divizione, të cilat u goditën pa ndërprerje nga forcat e Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare. Kjo luftë qe një ndihmë e madhe për popullin vëlla grek, i cili i dha një përgjigje të merituar agresionit fashist italian. Vetë Musolini u detyrua që më 2 nëntor 1940, në letrën e njohur dërguar Hitlerit, të pohonte, se një nga shkaqet e disfatave të ushtrive italiane në frontin grek ishte

“tradhtia” (siç i pëlqente atij ta quante), pothuajse e përgjithshme e forcave shqiptare, të cilat “ngritën krye kundër trupave tona”.

(Les letres secret change par Mussolini et Hitler, Edition Pavois).

Sulmi italian kundër Greqisë është trajtuar edhe në disa kronika angleze, siç janë, për shembull;

-British News Nr. 22 e 28 tetorit 1940, me titull “Trupat italiane sulmojnë Greqinë nga territori shqiptar”, në të cilën jepen këto trupa me biçikleta, motoçikleta dhe forca të koracuara që shkojnë drejt frontit, pamje nga mobilizimi ushtarak dhe përgatitjet në Greqi për t’i bërë ballë këtij sulmi nga ana e trupave greke të komanduara nga gjenerali Metaksa.

-Në kronikat e mëvonshme jepeshin aspekte nga luftimet italo-greke në territorin shqiptar, disa refugjatë shqiptarë, sulmi dhe marrja e qytetit të Korçës nga ana e trupave greke, si dhe luftime, ndërtime urash kalimi prej druri për të zëvendësuar ato të gurit që ishin shkatërruar nga italianët në tërheqje, kapje materialesh luftarake etj. Kronikat angleze (British News) kanë fiksuar edhe ndeshje ajrore midis aviacionit të trupave ndërluftuese gjatë Luftës italo-greke, sidomos në fillim të vitit 1941.

Luftimet italo-greke janë pasqyruar në shumë kronika, jo vetëm të institutit “Luce”, por edhe të shoqërive të tjera kinematografike italiane. Në një dokument të Mëkëmbësisë së Përgjithshme që i dërgohej Ministrisë së Kulturës Popullore, nga kjo e fundit kërkohej që t’i krijoheshin mundësitë kinoregjisorit Amadeo Kastellani, përfaqësues i firmës “Tirrenia – Film”, i cili ndodhej atëherë në Tiranë, për të xhiruar një film të metrazhit të shkurtër në kuotën “731” (afër Qafës së Gllavës).

Të shqetësuar nga gjendja, vetë Musolini vizitoi frontin grek prej 2-21 mars 1941. Megjithëse ai erdhi i maskuar në Shqipëri, “Luce” i kushtoi një kronikë të posaçme kinematografike të destinuar për t’u shfaqur në ekranet italiane. Kjo vizitë kishte për qëllim të tregonte “trimërinë” e udhëheqësit fashist dhe për të ngritur moralin e trupave që ishin dekurajuar e rraskapitur nga sulmet e pandërprera të forcave patriotike greke, nga sabotimet e furnizimeve dhe nga goditjet që po pësonin ato nga ana e popullit tonë, i cili ishte ngritur në luftë. Po në këtë kohë (më 11 maj 1941) bëri një vizitë në Shqipëri Mbreti i Italisë, i vetëquajturi Mbret dhe i Shqipërisë, Viktor Emanueli III, i cili synonte ta afirmonte veten si i tillë. Kësaj vizite fashistët i dhanë rëndësi të jashtëzakonshme dhe bënë përgatitje të mëdha për ta pritur me pompozitet, gjoja në emër të popullit shqiptar. Mobilizuan të gjithë përkrahësit e tyre, të hapur e të fshehtë, të armatosur dhe të paarmatosur, por me gjithë këto masa, siç dihet, populli shqiptar e priti mbretin italian me plumba. Heroi i Popullit Vasil Laçi, i bëri atij atentat duke depërtuar midis morisë së përkrahësve dhe mbrojtësve të mbretit italian. Vizitës së Viktor Emanuelit në Shqipëri “Luce” i bëri jehonë me anën e kinokronikave 145 dhe 146 të viti 1941, si dhe në një film të veçantë kronikal, natyrisht duke e fshirë aktin heroik të Vasil Laçit. Filmi pasqyron pritjen e Viktori Emanuelit nga Kryeministri kukull Vërlaci, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe autoritetet e tjera, vizitat e tij në kishën ortodokse, në xhaminë e Tiranës si dhe vizitat që bëri në Krujë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Korçë, Pogradec, Elbasan dhe Shkodër. Gazetat fashiste u mbushën me lajmet pompoze dhe supertitujt: “Shqipëria përshëndet Mbretin e saj”, me premtimet dhe lëmoshat që u dha ai hierarkëve fashistë dhe me të ashtuquajturat ndihma për të dëmtuarit nga lufta, të cilat, sigurisht, përfunduan në xhepat e kuislingëve. Si gjithnjë para ngjarjeve të mëdha, erdhi në Tiranë konti Çiano. Ai mbërriti në Shqipëri më 9 maj 1941, d.m.th., dy ditë para se të vinte Perandori italian. Kjo vizitë u xhirua edhe në film.

(Marrë nga libri i autorit “Arti i 7 në Shqipëri”,botim ALBIN, 1994)

Si është trajtuar ky problem nga qarqet shoviniste në kinemanë greke?

(filmi artistik grek “Qielli”)

Në Gusht 1965 u zhvillua në Varna të Bullgarisë Festivali I i Filmit Ballkanik, ku merrnin pjesë të gjitha vendet ballkanike, si dhe të ftuar edhe nga shumë vende të tjera, kryesisht të Lindjes si; Hungaria, Çekosllovakia, Polonia, B. Sovjetik etj. Festivali bëhej nën patronazhin e UNESCO-s që përfaqësohesh nga italiani Enrico Fulchinioni. Në krye të Festivalit u zgjodh një Komitet Drejtues që përbëhesh nga kryetarët e delegacioneve të të gjitha vendeve Ballkanike. Ky Komitet drejtohej nga vendi organizator (Bullgaria) e përfaqësuar nga Ministri i Kulturës,Videnov. Në statutin dhe rregulloren e Festivalit ishte e përcaktuar qartë, se nuk pranohej dhe nuk lejohej asnjë film që cenonte dinjitetin kombëtar të vendeve pjesëmarrëse ose vendeve të tjera. Festivali kishte zgjuar interes të veçantë në shkallë botërore, për arsye të ngjarjeve që po zhvilloheshin në kampin socialist, kontradiktat e ndryshme si për t’u çliruar nga tutela sovjetike ashtu edhe tendencat hegjemoniste që kërkonte të kishte secili vend ballkanik. Për këto arsye kishte një pjesëmarrje shumë të gjerë të përfaqësuesve të shtypit të shkruar dhe elektronik me rreth 150 gazetarë që nga Japonia deri në Sh.B.A. Delegacioni shqiptar shoqërohej nga një regjisor bullgar dhe kishte si përkthyes shkrimtarin shqiptar me banim të përhershëm në Bullgari,Thoma Kacori. Në atmosferën festive të Festivalit ishin organizuar disa veprimtari të ndryshme, që nga konferencat e shtypit për secilin vend pjesëmarrës që ishin të organizuara mirë dhe merrnin pjesë të gjithë gazetarët dhe të ftuarit, sesione shkencore si p.sh ai me temën “Kinemaja që na bashkon”(mbi rolin human të kinemasë), etj. Çdo vendi pjesëmarrës i ishte rezervuar një ditë e posaçme ku shfaqeshin filmat në publik me pjesëmarrjen edhe të autoriteteve më të larta të shtetit bullgar etj. Gjithë kinematë e Varnas në ditët e Festivalit shfaqnin filma të vendeve ballkanike në kuadrin e Festivalit. Vetë Festivali nuk kishte si qëllim konkurrimin, por njohjen e kinematografisë ballkanike dhe kjo, siç duket, ishte bërë me qëllim, që të mos kishte qejf mbetje dhe mospajtime në rastin e dhënies së çmimeve. Pra mund të thuhet se, si filmat e programuar si pjesëmarrës në Festival, ashtu edhe ato që ishin jashtë tij, po shfaqeshin ato ditë në kinematë e Varnas, kishin funksione të barabarta me synimin e afrimit dhe bashkëpunimit midis kinematografive të vendeve Ballkanike që ishte edhe synimi i UNESCO-s. Veçanërisht shtypi bullgar i kushtoi një vëmendje të veçantë Festivalit si ai lokal, i Varnas ashtu edhe shtypi qendror në Sofje. Botoheshin intervista të shumta me kineastë të vendeve të ndryshme etj. Delegacioni shqiptar pati kontakte të shumta me kineastë të vendeve ballkanike e më gjerë dhe, veçanërisht u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë e miqësore me kineastët e vendit organizator, Bullgarisë. Këtë e dëshmuan edhe prononcimet zyrtare në shtypin bullgar.

Por delegacioni ynë u ndodh në mënyrë të befasishme para dy incidenteve nga të cilat njëra kishte të bënte me përfaqësuesit e shtypit bullgar dhe tjetra pati karakter të theksuar politik që kishte të bënte me qeverinë bullgare. Në një intervistë që u dha gazetarëve bullgarë kryetari i delegacionit shqiptar jepte një vështrim të shkurtër të rrugëve që kishte ndjekur kinematografia shqiptare nga lindja e saj si dhe lidhjet e saj fillestare me përfaqësues të ndryshëm të kinematografisë sovjetike, jugosllave, bullgare dhe çeke dhe ndihmën që i kishin dhënë ato që në hapat e para të saj, duke theksuar edhe ndihmën e kinemasë bullgare. Fatkeqësisht deklarata e kryetarit të delegacionit shqiptar ishte transformuar duke vënë theksin sikur kinemaja bullgare ishte një nga themelueset e kinemasë shqiptare. Në këtë kohë po bëheshin shumë deklarata në shtyp, radio dhe televizionet e vendeve të ndryshme ku në veçanti kinematografia jugosllave dhe sovjetike quheshin si themelueset e kinemasë shqiptare dhe fatkeqësisht edhe individë të caktuar që kishin bërë ndonjë kurs specializimi në B. Sovjetik i mbanin avazin kësaj teorie, sigurisht për të nxjerrë në pah se ata vetë ishin themeluesit e saj. Kinemaja bullgare, në kohën e prerjes të marrëdhënieve me Jugosllavinë kishin bërë të mundur montimin e një ose dy filmave dokumentarë ose kronikalë shqiptarë në Sofje, dhe për këtë ne u ishim mirënjohës, për ndihmën e dhënë, por kjo nuk mund të identifikohej me themelimin e kinemasë shqiptare nga Bullgaria. Prandaj kryetari i delegacionit shqiptar kërkoi takim me gazetarin respektiv dhe këmbënguli që kjo të përgënjeshtrohej dhe në shtypin e ditës tjetër të vihesh e plotë deklarata e delegacionit shqiptar. Në fakt përgënjeshtrimi nuk u bë, por një ditë më vonë u dha ekzaktësisht deklarata e kryetarit të delegacionit shqiptar. Incidenti i dytë dhe më i rëndësishmi ishte fakti se në kinematë e Varnas, në kuadrin e veprimtarive të Festivalit, po shfaqej filmi grek “Qielli” në të cilin kishte pretendime të hapura territoriale karshi Shqipërisë. Filmi kishte si sfond Luftën italo-greke dhe në një sekuencë jepte pamje të Korçës të pushtuar nga forcat greke dhe një ushtar grek i shkruante dy herë letra familjes së tij. Në të parën i thoshte se “ne erdhëm në Epirin e Veriut” dhe në të dytën precizonte se “e morëm përsëri Epirin tonë të Veriut”. Për këtë kërkuam menjëherë takim me drejtorin e Festivalit, të cilit i kërkuam që të hiqej menjëherë nga qarkullimi ky film që ishte krejtësisht në kundërshtim me frymën, statutin dhe rregulloren e Festivalit dhe cenonte traditat e lashta miqësore midis dy vendeve tona (Shqipërisë dhe Bullgarisë). Ai na tha se do bisedonte për këtë me Kryetarin e Komitetit, Ministrin e Kulturës Videnov dhe do të merrnin masa prandaj të mos shqetësoheshim dhe mundësisht të mos e bënim problem këtë çështje. Por filmi grek nuk po hiqesh nga qarkullimi edhe dy ditë më vonë, madje edhe më datën 12 gusht kur delegacioni ynë do jepte një konferencë shtypi. Në hyrjen e ndërtesës të Ministrisë së Komunikacionit ku zhvillohesh konferenca e shtypit ishte programi i shfaqjeve ku përfshihesh edhe filmi grek “Qielli”. Në këtë mënyrë objekti i konferencës së shtypit ndryshoi komplet dhe në qendrën e saj, që tërhoqi më shumë vëmendjen e gazetarëve, u vu protesta publike e delegacionit tonë, i cili e quajti këtë incident si një akt provokues të qeverisë bullgare (mbasi Kryetar i Komitetit të Festivalit ishte një anëtar i qeverisë bullgare, ministri i Kulturës, Videnov) që kishte lejuar shfaqjen e këtij filmi që binte ndesh me frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit reciprok midis vendeve ballkanike, cenonte miqësinë me Bullgarinë u shërbente qarqeve shoviniste greke me pretendimet e tyre absurde për “Epirin e Veriut”, prishte vetë atmosferën e krijuar gjatë Festivalit dhe ishte direkt në kundërshtim me statutin dhe rregulloren e tij. Delegacioni ynë kishte treguar durim duke njoftuar disa herë për heqjen e filmit nga qarkullimi, por këto përpjekje ishin bërë pa vlerë, prandaj ne denoncuam aktin, deklaruam largimin nga Festivali duke rezervuar të drejtën për të marrë pjesë në Festivale të tjera. Këtu shpërthyen pyetjet e gazetarëve, interpretimet e pabazuara të palës bullgare. Deklarata jonë u përkthye në frëngjisht dhe rusisht, por me kërkesën e disa gazetarëve rumunë që na erdhën më vonë në dhomën e hotelit, u përkthye edhe në rumanisht dhe iu shpërnda të gjitha delegacioneve. Ne kërkuam me këmbëngulje që deklarata jonë të botohej të nesërmen edhe në Buletinin e Festivalit, gjë që nuk u realizua. Por atë që bëmë ne me përkthimet e kishte bërë më mirë se ne një gazetar gjerman që e kishte marrë me stenogram gjatë konferencës dhe ua kishte shpërndarë gjithë gazetarëve. Ditët e mëvonshme stacionet e ndryshme të radios dhe televizionit të Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik, Hungarisë etj, i bënë jehonë të gjerë kësaj deklarate duke e trajtuar në konceptet e tyre si institucione zyrtare, kur Shqipëria pothuajse kishte prerë çdo marrëdhënie politike, diplomatike, kulturore etj, jo vetëm me Bashkimin Sovjetik, por edhe me vendet e tjera socialiste. Deklarata e delegacionit tonë u botua në datën 14 gusht 1965 edhe në faqen e parë të “Zërit të Popullit”.

E përmenda këtë ngjarje konkrete në fushën e kinematografisë për të dokumentuar si e kanë trajtuar qarqet shoviniste edhe nëpërmjet filmit Luftën italo-greke, duke e deklaruar hapur se ajo u shndërrua nga një luftë patriotike për të përballur agresionin fashist në një luftë pushtuese territoresh të huaja me pretendimet dhe rivendikimet e tyre absurde të çlirimit të tokave të tyre “Epirit të Veriut”. Kjo politikë ka vazhduar dhe vazhdon të bëhet edhe sot nga qarqe të caktuara shoviniste që kërkojnë të ngrënë edhe disa varreza të ushtarëve të tyre, të ngrenë lapidare e përkujtimore, të ngrenë edhe flamurin grek në tokat shqiptare me pretekstin, se ku ka rënë një ushtar grek, është tokë greke”. Akoma më skandaloze është provokimi i zbuluar kohët e fundit me një video ku jepen ushtarët grekë në stërvitje, të cilët shprehin një urrejtje patologjike kundër popullit shqiptar e cila është akoma më e rëndë, se nuk ka të bëjë thjesht me ndonjë qark shovinist, por një institucion shtetëror, me urrejtjen që propagandojnë forcat e armatosura kundër një vendi fqinj, pra shovinizmi nuk është i rastit, por në themel të politikës të qarqeve sunduese greke.

Delegacioni shqiptar largohet nga Festivali i Parë i Filmit Ballkanik për shkak të një provokacioni antishqiptar

Sikurse është njoftuar ditët e fundit u çel në Varna të Bullgarisë Festivali i parë i Filmit Ballkanik. Për t’i shërbyer qëllimit të Festivalit, mirëkuptimit e miqësisë midis popujve ballkanikë, Republika Popullore e Shqipërisë mori pjesë me një delegacion dhe me një numër filmash për t’u shfaqur në Festival. Për fat të keq, nga ana e autoriteteve bullgare, të cilët ishin organizatorët dhe mikpritësit e festivalit, ky rast u shfrytëzua për të kryer një provokacion ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë. Në këto kushte, pas protestave të tij energjike pranë Komitetit Drejtues të festivalit, më 12 gusht 1965, delegacioni shqiptar u detyrua të mbajë qëndrim me një konferencë shtypi në Varna, kundër këtij provokacioni antishqiptar dhe, për këtë shkak, të largohet nga festivali. Të njëjtën ditë, delegacioni shqiptar u drejtoi pjesëmarrësve të Festivalit të filmit ballkanik një deklaratë me shkrim me përmbajtjen që vijon:

“Delegacioni shqiptar në Festivalin e parë të Filmit Ballkanik erdhi në kohë dhe në përbërje të plotë me njoftimin zyrtar bërë Komitetit të Festivalit. Ai erdhi me vullnet të mirë për të kontribuar në realizimin e qëllimeve të caktuara nga statuti i Festivalit të filmit ballkanik, gjë që vërtetohet nga pjesëmarrja aktive e delegacionit në të gjitha aktivitetet e ushtruara sipas programit dhe nga të gjitha intervistat e dhëna gazetarëve të ndryshëm për shtypin dhe radion. Gjatë bisedave krijuese me kineastët e vendeve të ndryshme dhe veçanërisht me kineastët bullgarë, anëtarët e delegacionit shqiptar shkëmbyen mendime dhe eksperiencë lidhur me çështje krijuese të artit kinematografik. Ky shkëmbim u cilësua reciprokisht i vlefshëm dhe frytdhënës. Por ne konstatuam, se në ekranet e kinoteatrove të Varnës në kohën e shfaqjeve të festivalit, është projektuar filmi artistik grek “Qielli”, ku pasqyrohen rivendikimet tokësore, shoviniste greke mbi të ashtuquajturin “Epir të Veriut”, siç e quajnë shovinistët grekë pjesën jug-lindore të Shqipërisë, që përbën një territor të gjerë të Republikës Popullore të Shqipërisë. Në film ky territor paraqitet si “tokë amtare greke”. Ky është një provokacion i hapur nga qeveria bullgare, vendi organizator i Festivalit të parë, i cili ka marrë dhe shfaqur këtë film pikërisht në Varna në kohën e Festivalit të filmit ballkanik. Delegacioni shqiptar, vuri menjëherë në dijeni Komitetin drejtues të Festivalit. 24 orë pas kësaj, Komiteti në fjalë nuk kishte marrë akoma masa konkrete për mënjanimin e incidentit. Delegacioni shqiptar proteston përsëri në mënyrë të vendosur pranë Kryetarit të Komitetit Drejtues. Megjithëse pala bullgare kërkoi ndjesë dhe premtoi se do të marrë masat e nevojshme, akoma edhe sot, ditën e kinematografisë shqiptare, filmi grek “Qielli” figuron në të gjitha reklamat e filmave të festivalit, të vendosura në të gjitha anët e qytetit, prandaj pala bullgare mban përgjegjësi të plotë dhe të rëndë për vetë aktin dhe për rrjedhimet që mund të ketë ky provokacion. Ky është një provokacion i bërë me qëllim dhe drejtohet kundër frymës së vetë festivalit, kundër miqësisë shqiptaro-bullgare dhe i shërben politikës antishqiptare të qarqeve shoviniste greke dhe të imperializmit amerikan, politikës së përçarjes midis popujve ballkanikë dhe jo miqësisë e mirëkuptimit, që janë qëllim i festivalit. Në këto rrethana, delegacioni i kinematografisë shqiptare e konsideron të pamundur qëndrimin e tij të mëtejshëm në Festivalin e parë të filmit ballkanik dhe proteston energjikisht kundër këtij akti të shëmtuar. Përpara largimit të tij të detyrueshëm, përgjegjësinë për të cilin e mban plotësisht pala bullgare, delegacioni deklaron edhe një herë se, ai përkrah qëllimet e mira të Festivalit të filmit ballkanik. Delegacioni shqiptar shpreh keqardhjen për faktin që, qysh në Festivalin e parë pati vend një provokacion kaq i ulët që drejtohet kundër tërësisë tokësore të Republikës Popullore të Shqipërisë. Megjithatë delegacioni rezervon të drejtën për të marrë pjesë në Festivalet e tjera të këtij lloji.

Delegacioni shqiptar në Festivalin e parë të Filmit Ballkanik                                                                                                                   (ATSH)

Botuar në faqen e parë të gazetës “Zëri i Popullit”,e shtunë,14 gusht,1965

Delegacioni përbëhej nga:

1.Abaz Hoxha-Kryeinxhiner i Kinostudios “Shqipëria e re”(prezantuar si ZV/Drejtor)- Kryetar i delegacionit.

2.-Kristaq Dhamo-regjisor-anëtar delegacioni

3.-Viktor Gjika-operator-regjisor-anëtar delegacioni