Rrapi Mino shembulli më i shëmtuar i vartësisë së drejtësisë nga politika

2443
Sigal

Shpendi Topollaj

Teksa lexon intervistën maratonë të ish-prokurorit drithërues të diktaturës komuniste, Rrapi Minos, falë mbiemrit dhe sidomos bëmave të tij, ashtu si padashur të del para syve gjykatësi i Ferrit-Minosi dhe përbindëshi Minotaur, i cili hante djemtë dhe vajzat që athinasit sillnin si haraç çdo vit për vrasjen e Androgeut. Por në qoftë se ata Mino e kishin një arsye për t`u hakmarrë, ky Mino-ja ynë, me zellin e tepruar dhe besnikërinë prej Cerberi, atij qenit me tri kokë që ruante me rreptësi Hadin, me inskenimet gjyqësore dhe dënimet e pashembullta që dha ndaj të pafajshmëve, madje edhe duke ndjerë kënaqësi kur u fuste nga një plumb pas koke deri edhe shokëve të tij, pra teksa përhapte frikë dhe terror në popullin hallemadh shqiptar, do mbesë në histori shumë më i urryer dhe shumë më i neveritur. Do mbesë i tillë, jo vetëm për ato që bëri, gjoja në emër të ligjit (“Detyrën kam bërë, atë që më kushtëzonte ligji”), se në emër të ligjit digjeshin në turrën e druve shkencëtarët si Xh. Bruno me shokë, dhe inkuizitorët e konsakruar nga këshilli Lateranens IV në vitin 1215, si i famshmi Torkuemada, nuk i vriste aspak ndërgjegjja, por se edhe pas disa dekadave dhe viteve të burgut që kreu, jo vetëm që nuk ndien asnjë pendesë, por bën dhe apologjinë e atij sistemi gjakatar, pra duke provokuar: “mirë u a bëmë.” Dhe jo vetëm kaq; por me shpifje dhe gënjeshtra të ulëta, kërkon të përlyejë dinjitetin dhe reputacionin e atyre që u shkatërroi jetën së bashku me familjet e tyre. Sot, të tillëve u ka ardhur goja, pasi ata që vuajtën himlerizmin e tyre, kur erdhi demokracia, pra kur dolën nga burgjet skllavërore apo u kthyen nga humbëtirat ku i kishin internuar e poshtëruar, u treguan ashtu siç ishin, fisnikë të vërtetë. Në të ashtuquajturin kundër revolucion hungarez të 1956 -ës, kryeprokurorin kriminel, nuk e justifikoi asgjë, ndaj zemërimi i turmës së revoltuar, pasi i futi një plumb, e vari në mes të Budapestit. Qe një veprim simbolik, por me domethënie të madhe. Pak kohë më parë, pasi lexova librin e Felix Tchouevit: “Biseda me Molotovin”, edhe ai në moshën e Minos, përgatita dhe botova shkrimin kritik: “Pohimet e pandershme të Viatçesllav Molotovit dhe Molotovët tanë”. Dhe ja ku del një i tillë nga skutat ku ishte fshehur dhe pa pikën e gajles, gati sa nuk na thotë me mburrje si ai: “Mbas revolucionit, ne vramë e premë majtas e djathtas dhe sollëm fitoren.” Ç`janë këta monstra që nuk kanë pikën e respektit dhe vlerësimit për jetën e tjetrit? Edhe pse gruan e tij Polina Xhemçuzhina, stalinisten e thekur, me akuza false e burgosën dhe e detyruan ta ndajë, Molotovi vazhdon po atë avaz; t`i bjerë fyellit në një vrimë dhe të nxjerrë po ata tinguj të pështirë për superioritetin e rendit komunist dhe përligjjen e miliona të pushkatuarve, të burgosurve, të internuarve dhe të të vdekurve nga uria. S`kishte faj, se ishte i komprometuar, pasi ishin me qindra listat e pafund të të dënuarve me vdekje që ishin firmosur nga dora e tij. Mes tyre, ashtu siç u bë edhe te ne me firmën e këtij kryeprokurori, pasuan tortura çnjerëzore e marrje jetësh të udhëheqësve nga më të shquarit e atij vendi, me arsyetimin: “Kishte shumë mosbesime dhe dyshime… kishte dhe shumë njerëz të dobët, që u mungonte vendosmëria në zbatimin e vijës së partisë dhe te të cilët nuk ishim të bindur që, në momente kritike nuk do të tradhtonin, nuk do të tërhiqeshin mbrapa.” Dhe më tej shton: “Por duhet thënë që çekistët u treguan tepër të zellshëm. U ishte ngarkuar një mision dhe ata e kryen pa vënë në punë arsyen. Për këtë shkak shumë njerëz të ndershëm vdiqën.” A nuk bëri të njëjtën gjë edhe sigurimi i shtetit te ne, ai sigurim që Mino nga frika e pranonte t`i jepte urdhra për 15 vjet me radhë? E bukura është se edhe figura e dytë pas Stalinit thoshte se më survejonin, ashtu sikurse na thotë në intervistën e tij shoku Rrapi, për aparatin e përgjimit në tavllën e zyrës së Mihal Bishës dhe poshtë ballkonit të tij. Tani, a kemi të drejtë ta pyesim shokun Mino se ku ndryshojnë deklaratat e tua nga ato të Molotovit? Pse, nuk e dinte ai se asgjë nuk kishte ndryshuar nga koha e Koçi Xoxes që në procesverbalin gjyqësor të majit të vitit 1949 pohonte: “Unë kam dhënë urdhër që të arrestuarve t`u pakësohet ushqimi, uji dhe të torturohen deri në vdekje. .. I kemi dhënë urdhër Vaskë Kolecit, që në Veri të vriste pa gjyq. Për vrasjet pa gjyq, jam këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut Komandant (E. H.). Ka pasur edhe vendime Byroje për këtë punë.” Edhe Molotovi flet për kujdesin e “madh” të Stalinit dhe drejtuesve të lartë të Partisë – shtet në ish B. S. për njerëzit e thjeshtë, gjë që me shumë djallëzi e bën edhe sh. Rrapi, kur gjoja verifikonte letrat e popullit apo ato që njerëzit e nxitur nga lart ngrinin në diskutimet për ata që Neroni kishte në plan t`i asgjësonte. Dhe tani që gjërat janë qartësuar, dhe njerëzit pak e shumë janë qetësuar disi, Mino vijon të llomotisë për të çoroditur dynjanë dhe sidomos ata që nuk e kanë jetuar atë kohë, duke përsëritur po ato akuza për grupe armiqësore (paçka se pranon që kjo nuk u vërtetua asnjëherë), dhe kuadro të degjeneruara, pa moral, aventurierë e ahengxhinj që bënin shpenzime të jashtëzakonshme në darka e dreka. “Jetë qejfi jashtë çdo limiti.” Proh pudor! (O Turp!), – do të thoshte Ciceroni. Kjo s`është tjetër, veçse ligësi që rëndon jo ata heronj antifashistë, besnikë ndaj atdheut e popullit të tyre, por shërbëtorët besnikë të diktatorit, i cili, të mos ia hamë hakun, e kishte të pashoqe talentin për intriga e poshtërsi dhe zgjedhjen e marionetave që plotësonin tekat makbethiane të tij. E di se këto janë pak a shumë gjëra të njohura, ndaj nuk dua të zgjatem më tej. Fëmijët, nipërit e mbesat e atyre që baltos ai, bëjnë mirë t`i përgjigjen vetë. Ajo që më nxiti të formuloj këtë replikë, është se Rrapi degëshkundur e frikacak, se mos e pësonte vetë, përzien në çorbën e tij plot vrer edhe babanë tim Hulësi Topollaj, luftëtarin e orëve të para, shok të Qemal Stafës e Mihal Durit, djalin e njërës nga familjet më të shquara për atdhedashuri në Kolonjë, familje që i dha Luftës për liri shumë partizanë e dëshmorë, shtëpia e të cilëve u dogj disa herë nga armiqtë, kuadrit të plagosur e korrekt që shkoi pa hezitim kudo që e transferuan, dhe që si shumë të tjerë, besonte në idealin komunist dhe që nuk i mjaftonte gjoksi për dekoratat e akorduara. Kudo që shërbeu, sikurse thuhet në artikullin e gazetës së nderuar “Kushtrim brezash” me titull “Luftoi e punoi me ndershmëri”: “…ai ka mbetur në memorien e familjes, të shokëve të Luftës e të punës, si një njeri me virtyte të larta.” Dhe këto virtyte, me të cilat ne fëmijët e tij krenohemi, kërkon t`i përdhosë ky njeri, duke keqinterpretuar të vërtetat e njohura botërisht. Ndofta gaboj, por më duket se ish-kryeprokurori kërkon të hakmerret për fjalët që tha vëllai im Spartaku, historian, diplomat e analist në filmin dokumentar të Monika Stafës e Dashnor Kaloçit për farsat e gjyqeve të atëhershme të drejtuara prej tij. Sidoqoftë dua të shtoj se babai ynë kishte shkruar para vitit 1965 librin me kujtimet e Luftës “Partizanët e Gramozit” dhe aty përmendte edhe një fshatar të varfër, i cili kundërshtonte pagimin e taksave duke iu mbajtur pak goja dhe një tjetër që kishte vjedhur fshatarët, por më pas kishte dalë partizan. Ishin ankuar deri te Komandanti i Madh dhe ky i fundit, sikur i kishte vënë të gjitha punët në vijë, dërgon Minon t`i sqarojë. Po Minos i besohet dhe verifikimi i sherrit të bërë nga Hulësiu me gazetarin e “Zërit të Popullit” në rreth, i cili i urdhëruar nga Sekretarja e Komitetit të Partisë (kandidate dhe më pas anëtare e K.Q.), kërkonte të kontrollonte Prokurorinë. Kjo ishte rrjedhojë e përplasjes së Hulësiut si prokuror, me atë drejtuese partie që donte të dilte mbi ligjin dhe të realizonte goditje personale, duke shfrytëzuar postin e pamerituar që i qe besuar dhe duke sjellë pakënaqësi e përçarje në popull. Tekstualisht, për nxjerrjen nga zyra të gazetarit fodull, Rrapi shkruan: “Prokurori, që mesa duket ishte mësuar me këto sjellje të pa denja, bëri një proçkë tjetër që bëri bujë deri në Komitetin Qendror”. Po ashtu, Rrapi me fraza orakujsh, thotë se, edhe kur e çuam në një rreth tjetër, Hulësiu “mesa kam dëgjuar më vonë, nuk qëndroi mirë”. Po si do qëndronte mirë një kuadër i drejtë, kurajoz dhe me integritet si Hulësiu, kur shihte se edhe në Mirditë, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, sillej si toger Baba dikur? Jo, shoku Rrapi duhet të thotë se Hulësiu u dënua rëndë, dhe për pasojë vdiq në moshë 58 vjeçare, ngaqë në librin e shkruar prej tij, përmendej “armiku” i supozuar gjeneral leitnant Petrit Dume, ish-komandant i batalionit “Hakmarrja”, Hero i Popullit, Shef i Shtatmadhorisë, kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe deputet në të gjitha legjislaturat. Kuptohet që të tillë nuk e bëri Hulësiu, por vetë Partia me Enver Hoxhën në krye. Mirëpo, duhej zbuluar “grupi”. Dhe Rrapët u vunë në lëvizje, duke u kujtuar se, edhe pse libri qe botuar para 10 vjetësh, autori e kishte përmendur Petritin me larghedhje e qëllime të mbrapshta. Kuptohet se nga kjo e pësuam të gjithë si familje. I kam sqaruar të gjitha këto në romanin tim “Zhgënjimi i Partizanit të Gramozit”,  duke e ndierë si detyrë morale evidentimin e së vërtetës dhe përshkrimin e tragjedisë që ngjau te ne. Se është ashtu sikurse thotë nobelistja Svetlana Aeksieviç se “Jeta njerëzore bëhej histori dhe historia copëzohej në mijëra jetë njerëzish.” Mirëpo, ja që dalin nga errësira dhe myku i labirintit disa Minotaurë me kostume e kravatë që duke vënë kapele republike, pandehin se kanë ndërruar edhe kokën dhe përpiqen të shtrembërojnë këto të vërteta, pa e shkuar ndërmend aspak të kërkojnë të paktën falje, për vuajtjet që u shkaktuan të tjerëve. Qenka një sëmundje e pashërueshme ky molotovizmi, pra tendenca për t`iu shmangur përgjegjësisë para historisë, d.m.th. refuzimi i të vërtetës, për të cilin Nitzcshe shprehej: “Të refuzosh të shikosh një gjë që shihet, të refuzosh të shikosh një gjë siç shihet.” Mirë se ajo kohë qe atëherë, thotë Mino, por sot që s`është më ajo kohë, pse po i njëjti qëndrim? Mos vallë si atëherë dhe si sot, fajin e ka karakteri?