Rrahman Parllakut nga akademia Ruse, tek traktati i Varshavës. Sot ceremonia e 100-vjetorit të heroit të popullit

1292
Sigal

Jeta e Gjeneral Rrahman Parllakut – Nga student në Akademinë e Lartë Ushtarake në Bashkimin Sovjetik tek Traktati i Varshavës

Halil Rama, Sakip Cami

  1. Jeta studentore në Akademinë e Lartë Ushtarake “Voroshillov”, në Ish-Bashkimin Sovjetik

Studimet në Akademi filluan në ditët e para të majit 1948. Ishin tre studentë nga Shqipëria: Arif Hasko, Panajot Plaku dhe Rrahman Parllaku. Për vijimësinë mësimore i bashkuan në një grup me katër bullgarë: gjeneralët Boris Kopcev e Petër Iliev dhe kolonelët Ivan Boçvarov e Ivan Demirsekev. Fillimi për ta ishte tepër i vështirë. Mësimet zhvilloheshin në gjuhën ruse, që për shqiptarët ishte krejtësisht e panjohur. Grupet e tjera përbëheshin nga sllavë, bullgarë, serbë e çekë, pjesa më e madhe e të cilëve e njihnin ose e kuptonin gjuhën ruse, pasi një pjesë e tyre kishin mbaruar kurse e shkolla ushtarake në ish-Bashkimin Sovjetik. Pothuajse të gjithë kishin mbaruar shkolla ushtarake, disa edhe akademitë ushtarake të vendeve të tyre, si në rastin e studentëve nga Çekia, kurse oficerët shqiptarë vinin në akademi vetëm me eksperiencën e Luftës Nacionalçlirimtare. Studimet i filluan pak ditë pas mbërritjes në qytetin e Moskës. Mësimet zhvilloheshin në rusisht dhe nuk u mundësua asnjë kurs parapërgatitor mbi gjuhën ruse apo mbi njohuritë fillestare ushtarake të programit mësimor, por krahas studimeve ushtarake duhet të ndiqnin edhe kursin e gjuhës ruse.

Mësimet i zhvillonin në fakultetin për të huajt, pranë Akademisë, pasi nuk i kishin bashkuar me oficerët sovjetikë. Me ta takoheshin vetëm në takimet ku mbaheshin referate nga personalitete të historisë, kulturës e shkencës ose në raste ceremonish të ndryshme. Pas dy javësh studime, oficerët shqiptarë i priti Shefi i Fakultetit të të Huajve, Gjeneral-Lejtnant Kutuzovi. Ai pyeti mbi përgatitjen e tyre ushtarake dhe mbi detyrat që kishin pasur. Kur mësoi se ata nuk kishin mbaruar shkolla ushtarake, por kishin vetëm eksperiencën e komandimit e drejtimit të luftës, tha prerazi se do ta kishin shumë të vështirë të përfundonim studimet në atë akademi. Ai pyeti nëse për këtë ishte në dijeni Gjeneral Mehmet Shehu, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, që megjithëse studioi atje vetëm për një vit, mbase u kishte treguar se sa të vështirë e kishin shqiptarët përfundimin e akademisë. Vetëm kolonel Hamit Keçi që kishte mbaruar shkollë ushtarake në Itali, u dallua në mësime dhe mbaroi me rezultate të larta. “Ju duhet ta dini, – u tha Kutuzov të sapombërriturve, – se këtu në Akademinë e Lartë të Ushtrisë Sovjetike, oficerët tanë vijnë për të studiuar pasi kanë mbaruar shkollat ushtarake për oficerë, pasi kanë komanduar reparte nga toga deri nënkomandant regjimenti, pasi kanë mbaruar studimet në Akademinë Frunze, ose në akademitë e llojeve të armëve si artileri, tanke, aviacion, xhenjo, etj. Pastaj kanë komanduar divizione e njësi të barabarta me to dhe me këtë bagazh përgatitjeje dhe eksperience janë dërguar në këtë akademi, kurse ju vini këtu pa përfunduar më parë asnjë shkollë ushtarake”. Në fund theksoi se do t’i shkruante komandës shqiptare që t’i dërgonin në Akademinë Frunze, megjithëse mendonte se edhe atje ata do ta kishin shumë të vështirë. Drejtuesi i grupit shqiptar, Gjenerali Jairov, ndërhyri duke thënë: “Shoku Gjeneral, këta janë të rinj dhe me shumë vullnet. Kam bindjen se do t’ia dalin ta mbarojnë akademinë. Mos nxitoni ta bëni propozimin”.Nga takimi me Gjeneral Kutuzovin, Parllakut i kujtohet se dolën tepër të zhgënjyer: “Arif Hasko i futi një të sharë labçe dhe pastaj shtoi: na e prishi gjakun.

Nuk e di a na e hap derën piloti se është më mirë të hidhemi nga avioni, se sa të kthehemi të turpëruar, se nuk ishim të zotët të përfundonim akademinë”.Me gjithë ndikimin e zhgënjimit të madh nga takimi me Gjeneral Kutuzovin, të ndihmuar e të inkurajuar nga pedagogët, ata iu futën me vullnet e durim punës për të përballuar vështirësitë e shumta të fillimit. Këmbëngulja në studime u krijoi besim në forcat e tyre dhe u dha siguri. Në këtë valë studimesh që i kishte përfshirë në vorbullën e saj, nëpërmjet komunikatës dhe vendimeve të Inform Byrosë të Partive Komuniste mësuan mbi prishjen e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave. Shqetësimi qëndronte në faktin se nuk dinin mbi qëndrimin e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Hoxhës, pasi ajo nuk ishte thirrur në mbledhjen e Inform-Byrosë, ndërsa oficerët jugosllavë të fakultetit kishin hapur fjalë se Partia Komuniste Shqiptare ishte mbështetëse e Partisë Komuniste Jugosllave.

  1. Parllaku, student në akademi si dhe atashe ushtarak i Shqipërisë

Të nesërmen erdhi ta takonte Parllakun në fakultet, zëvendësi për punë politike i komandantit të akademisë, i cili kërkonte të mësonte nga Rrahmani, si anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe si Atashe Ushtarak, mbi qëndrimin e PKSH-së. Në takim, Rrahmani shkoi bashkë me Arif Haskon dhe me Panajot Plakun. I tha hapur se deri atëherë nuk kishin asnjë informacion as ai dhe as ambasadori, pasi lidhjet me Tiranën i mbanin nëpërmjet Beogradit dhe nuk mund të informoheshin direkt, por përgjigjja ishte se sido që të ishin marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë, ata ishin të bindur se PKSH do të mbështeste Inform-Byronë, ku bënte pjesë edhe Partia Komuniste Sovjetike. Mihal Prifti, në atë kohë ambasador në Moskë, i ftoi menjëherë në ambasadë për t’u konsultuar me Rrahmanin, Arifi n e Panajotin, pasi të tre ishin kuadro të larta nga Shqipëria që ndodheshin në Moskë. Mihali ndodhej në vështirësi. Telefonatat nga kolegët nuk pushonin. Gazetarët qëndronin te dera dhe donin të mësonin me çdo kusht qëndrimin e PKSH-së. Vendosën të shmangnin çdo komunikim me shtypin, deri në marrjen e informacioneve të sakta. Pas dy ditësh tensioni, Radio “Moska” e hapi edicionin kryesor të lajmeve të mbrëmjes me komunikatën e Partisë Komuniste Shqiptare që jo vetëm bashkohej me vendimet e Inform-Byrosë, por edhe shpërthente në akuza të ashpra ndaj Partisë Komuniste Jugosllave. Oficerët jugosllavë që studionin me oficerët shqiptarë u ngritën në grup, u larguan nga salla dhe pas disa ditësh i ndërprenë studimet për t’u kthyer në Jugosllavi. Pas vendimit të PKSH për t’iu bashkuar Inform-Byrosë, ata iu kthyen me përkushtim e këmbëngulje studimeve. Duke parë përpjekjet e tyre të vullnetshme, pedagogët nuk e kursenin ndihmën e tyre. Gjeneral Jairovi, drejtuesi sovjetik i grupit shprehej i gatshëm t’i ndihmonte me konsultime edhe gjatë natës. Shqiptarëve iu bë edhe një favor i veçantë që i ndihmoi shumë. Jashtë çdo rregulli u lejua që literaturën dhe dokumentet sekrete t’i përdornin edhe natën. Sipas rregullit, kutia me dokumente merrej në mëngjes me firmë dhe pas përfundimit të studimeve, në orën 21.00, dorëzohej në sekretarinë sekrete ku dokumentet numëroheshin fletë më fletë sipas listës së tërheqjes, por drejtuesi i grupit, i bindur në ndershmërinë e tyre, e kishte siguruar komandën se shqiptarët dinin ta ruanim sekretin. Sjellja prindërore e pedagogëve dhe kujdesi për t’i përgatitur pa bërë lëshime në kërkesa, ua shtonte përgjegjësitë. Ata ua kujtonin shpesh faktin se për gjithçka po mësonin, do të përgjigjeshin përpara Komisionit të Lartë të Ministrisë dhe provimi do të ishte provim edhe për ta, pasi vlerësohej edhe merita përgatitore e punës së tyre. Kjo ua shtonte detyrimin ndaj punës së tyre studimore. Studionin me të gjitha forcat. Vështirësi më të mëdha kishte Parllaku, sepse nuk kishte mbaruar shkollë të mesme të rregullt. Gjashtë muajt e parë, nga lodhja e pagjumësia humbi 18 kg. Mësonte gjatë gjithë natës duke fjetur vetëm pak orë gjumë, edhe ato me qetësues. Falë kujtesës së veçantë, vullnetit e këmbënguljes mundi iu shpërblye me vlerësimet e pedagogëve dhe rezultatet e larta të provimeve.

  1. Kongresi I, përjashtimi i Parllakut nga KQ i PKSH. Gjatë kohës që ata studionin në akademi, në Shqipëri, pas shkëputjes nga Jugosllavia, kishte filluar një luftë brenda partisë, për të cilën ata nuk kishim informacion dhe nuk e dinim si zhvilloheshin ngjarjet në parti dhe çfarë kishte vendosur mbledhja e Pleniumit XI të Komitetit Qendror të Partisë. Lufta bëhej mes atyre që ishin pro jugosllavëve dhe antijugosllavëve. Flamurin e antijugosllavëve e kishte rrëmbyer Enver Hoxha, që kishte qenë më pro jugosllavi nga të gjithë. Ai që kishte bërë marrëveshje me Titon dhe po e çonte ushtrinë dhe gjithë vendin tonë drejt bashkimit me Jugosllavinë, për ta kthyer Shqipërinë në republikë të shtatë të Federatës Jugosllave. Por në atë kohë gjithçka mbahej në fshehtësi dhe askush nuk e dinte si manipuloheshin dokumentet nga Hoxha. Tre ushtarakët e lartë shqiptarë, njëkohësisht edhe kuadro partie, u thirrën nga Moska për të marrë pjesë në punimet e Kongresit I të Partisë. Në takimin e parë me Mehmet Shehun, ai i vuri në dijeni se me anë të një letre, Gjeneral Kutuzovi i kishte kërkuar largimin nga akademia të tre oficerëve shqiptarë, përkatësisht Parllakut, Haskos dhe Plakut. Gjeneral Shehu i ishte përgjigjur se ata ishin krijuesit dhe komanduesit më të mirë të ushtrisë në Luftë dhe se detyra e tyre (sovjetikëve) ishte t’i përgatisnin për ta komanduar ushtrinë edhe në të ardhmen. Në Kongres, në emër të Byrosë Politike, u pritën mjaft mirë nga Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu, veçanërisht Parllakut iu rezervua një pritje e ngrohtë dhe u zgjodh në presidiumin që do të drejtonte punimet e Kongresit të Partisë. Ai ishte në listën që përfaqësia do t’i propozonte kongresit për zgjedhjet anëtar ose kandidat të Komitetit Qendror të Partisë. Në raportin paraqitur Kongresit mbi veprimtarinë e Komitetit Qendror të Partisë u theksua përgjegjësia e anëtarëve të plenumit për gjendjen në parti dhe pati kritika si dhe propozime për masa ndëshkimore ndaj një pjese të anëtarëve të Komitetit Qendror e të Byrosë Politike, që u akuzuan si të lidhur me jugosllavët. Për Parllakun nuk pati në raport asnjë kritikë apo vërejtje, por kur filluan pyetjet e diskutimet, delegatët që mund të përfitonin nga situata e krijuar, kërkuan që të jepte sqarime dhe të bënte autokritikë, pasi kishte qenë anëtar i Komitetit Qendror dhe për disa muaj Drejtor Politik i Ushtrisë. Gjithashtu i kërkuan të fliste për lidhjet e tij me Koçi Xoxen. Në diskutimin e tij, Rrahmani u detyrua të sqaronte se në luftë kishte marrë pjesë që në Vlorë, pa mbështetjen e askujt, se ishte ngritur në përgjegjësi në bazë të vlerësimit që i kishte bërë partia luftës dhe punës së tij, se në parti ishte pranuar në janar të 1943. Ai deklaroi se Koçi Xoxen e kishte njohur pasi ishte kthyer nga lufta në Jugosllavi në vitin 1945, se ishte zgjedhur në Komitetin Qendror të Partisë që në mbledhjen e plenumit, në tetor 1944 në Berat, kur po drejtonte luftimet për çlirimin e Kosovës, dhe se megjithëse kishte komanduar Divizionin V në luftimet e Sanxhakut dhe Bosnjës, asnjëherë nuk kishte qenë i preferuari i jugosllavëve.

Në të tre rastet e përplasjes me jugosllavët nga Gjeneral Mehmeti, ai kishte qenë në krahun e tij. Qëndrimi i tij në kongres dhe mospranimi i kritikave çoi në heqjen e tij nga lista e të zgjedhurve në Komitetin Qendror. Kjo ishte një goditje e rëndë morale, por që nuk e vuri në pozitë inferiore. E ndjente veten me fat që nuk e penguan të vazhdonte studimet në Bashkimin Sovjetik.

  1. Në Traktatin e Varshavës

 

Me krijimin e Traktatit Ushtarak të Varshavës, në 14 Maj 1955, ushtria shqiptare u bë pjesë e Traktatit bashkë me 8 shtetet themeluese të tij. Në Traktat bënin pjesë ushtritë evropiane të bllokut socialist: Bashkimi Sovjetik, Polonia, Çekosllovakia, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Gjermania dhe Shqipëria. Qëllimi i krijimit të këtij traktati, siç thuhej në dokumentin themelues të tij, ishte të ruhej pavarësia e të gjitha shteteve socialiste veç e veç dhe të kampit socialist në tërësi kundër agresionit imperialist dhe bllokut agresiv të NATO-s, si dhe mosndërhyrjes në punët e tyre të brendshme. Mosndërhyrja në punët e brendshme nuk u respektua asnjëherë. Këtë e tregoi ndërhyrja e ushtrisë sovjetike për të shtypur revoltat popullore në Hungari e Çekosllovaki dhe për të mbajtur Bazën Ushtarake të Pashalimanit në Vlorë, duke rrëmbyer anijet luftarake shqiptare. Shtabi i Traktatit merrej me përgatitjen luftarake të ushtrive pjesëmarrëse, me pajisjen me armatime e teknikë luftarake, me mbajtjen në gatishmëri, sidomos të efektivave që përfshiheshin nën Komandën e Traktatit. Ky shtab jepte udhëzime të përgjithshme për programet e përgatitjes e gatishmërisë luftarake. Çdo ushtri planizonte e programonte detyrat sipas kushteve të ushtrisë së vet. Këto plane e programe i dërgoheshin Komandës së Përgjithshme që Shtabi i Traktatit të koordinonte veprimet e kontrollit e të pjesëmarrjes në stërvitjet komando-shtabi e me trupa të çdo ushtrie, u rekomandonte shtabeve të ushtrive se në cilat stërvitje me interes të ushtrive aleate, ku do të merrnin pjesë përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm të dërgonin delegacionet e tyre. Gjithashtu, planizonte mbledhjet vjetore të Shtabit të Përgjithshëm me të gjithë përfaqësuesit e shtabeve të ushtrive të Traktatit, ku analizohej gjendja vjetore e përgatitjes luftarake të çdo ushtrie, promovoheshin armatime të reja në ekspertim, bëheshin kërkesa e propozime nga shtabet e ushtrive për pajisje teknike e armatim, bëheshin vërejtje, vlerësime e propozime të ndryshme. Këto ishin si mbledhje pune ku këmbeheshin mendime dhe bëheshin propozime e vlerësime. Parllaku, si drejtues për shumë vite i përgatitjes luftarake të ushtrisë, ka qenë pjesëmarrës dhe drejtues delegacionesh jo vetëm në mbledhjet e analizat që bënte Komanda e Traktatit mbi gjendjen e gatishmërisë luftarake të ushtrive pjesëmarrëse në Traktat, por edhe në disa raste, një ose dy herë në vit, ka marrë pjesë në stërvitjet që zhvillonte ushtria sovjetike dhe ushtritë e tjera të Traktatit, ka pritur e u ka demonstruar stërvitje komando-shtabi dhe me efektiva, përfaqësuesve të ekipeve të Komandës të Traktatit dhe të përfaqësuesve të ushtrive mike. Gjithashtu, ai ka patur kënaqësinë që bashkë me kolegët e tij të dëgjojë vlerësimet që i bëheshin ushtrisë sonë nga Komanda e Traktatit që në mjaft raste e vinin atë të parën, nisur nga stërvitjet e zhvilluara prej nesh në prezencë të tyre. Ushtria jonë në atë kohë radhitej me dinjitet mes ushtrive më të përparuara të Traktatit të Varshavës dhe Parllaku, duke shërbyer për 8 vjet rresht në drejtim të përgatitjes luftarake të ushtrisë, ishte njohur me specifikën e përgatitjes të të gjitha llojeve të armëve, përfshirë edhe aviacionin dhe flotën ushtarako-detare. Kjo eksperiencë e vyer e aftësoi në drejtimin e stërvitjeve me komandat e shtabeve e njësive, si edhe në drejtimin e stërvitjeve me trupa, ku merrnin pjesë me dhjetëra mijëra vetë e ku përdorej armatimi e teknika luftarake e të gjitha llojeve të armëve e të shërbimeve. Pas kësaj eksperience të gjatë dhe bashkëpunimi edhe me ushtritë mike dhe aleate, Parllaku emërohet Komandant i Forcave Ushtarako-Detare, njësia më e madhe e ushtrisë sonë, që kishte në vartësi 5 brigada këmbësorie, 2 brigada tankiste, flotën ushtarako-detare, artilerinë bregdetare, reparte të mbrojtjes kundërajrore, reparte shërbimi e të tjera.

  1. Dalja e ushtrisë sonë nga Traktati Ushtarak i Varshavës

 

Dihet se politika e shtetit përcakton strategjinë e ushtrisë, prandaj ishte politika e shtetit ajo që përcaktoi daljen tonë nga Traktati i Varshavës, pas mbledhjes të delegacioneve të partive komuniste e punëtore të botës në Bukuresht, me qëndrimin e mbajtur nga delegacioni shqiptar në mbështetje të Partisë Komuniste të Kinës, në konfliktin e hapur mes Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste të Kinës. Pas këtij qëndrimi të Partisë së Punës të Shqipërisë, marrëdhëniet mes partisë e shtetit tonë me partinë dhe shtetin sovjetik ishin ftohur e po shkonin drejt acarimit. Në këtë situatë acarimi, në tetorin e vitit 1960 do të zhvillohej, si çdo vit, mbledhja e Traktatit Ushtarak të Varshavës, ku merrnin pjesë të gjitha delegacionet e ushtrive pjesëmarrëse në traktat, me qëllim analizimin e gjendjes të përgatitjes luftarake të ushtrive, ku nxirreshin detyra për të ardhmen dhe trajtoheshin probleme të gatishmërisë luftarake. Me mbarimin e punimeve të mbledhjes, delegacionet priteshin rregullisht nga Komandanti i Traktatit, Gjenerali Greçko, i cili shtronte për delegacionet një drekë, në të cilën merrnin pjesë ministrat e mbrojtjes dhe udhëheqësit kryesorë të ministrive pjesëmarrëse. Delegacioni shqiptar mori pjesë në drekë, pa u pritur më parë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Sovjetike, por megjithëse e kuptonin fare mirë qëndrimin e tyre të ftohtë. 

Në drekë, si zakonisht e merrnin fjalën për të përshëndetur e falënderuar mikpritësit, kryetarët e të gjitha delegacioneve. Për të përshëndetur në emrin tonë e kërkoi fjalën Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Petrit Dume, por Komandanti i Traktatit ia dha fjalën gjeneralit gjerman që ndodhej në krah të Rrahman Parllakut, i cili bëri me dije se nuk kishte kërkuar të fliste. Ndërhyri Gjeneral Malinovski që sqaroi se iu dha fjala gjeneralit gjerman, pasi kishte ardhur lajmi që qeveria gjermane e kishte emëruar këtë gjeneral Shef të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Gjermane. Pra, lajmin e emërimit po ia komunikonin rusët. Pas tij filloi të flasë Marshall Malinovski, i cili, pa ia kaluar fjalën delegacionit shqiptar, filloi me retorikë duke folur mbi vizitat në të gjitha shtetet pjesëmarrëse në traktat, ku ishte pritur miqësisht. Ai tha se kishte vizituar edhe Shqipërinë bashkë me Nikita Sergejeviç Hrushovin, ku ishin pritur me brohoritjet “Shqipëri-Bashkimi Sovjetik” e me shumë tam-tame, por sipas tij këto kishin qenë të gjitha falso, pasi qeveria shqiptare nuk po mbante qëndrimin miqësor që mbanin shtetet e tjera aleate ndaj Rusisë. Petrit Dume u ngrit vrullshëm me fjalët: “Shoku Marshall, miqësia jonë me Bashkimin Sovjetik nuk është miqësi konjukturash falso. Ajo lindi e u forcua në luftën e përbashkët kundër nazi-fashizmit. Populli shqiptar iu bashkua Aleancës së Madhe Antifashiste të Popujve, që ka në bazë të saj gjakun e përbashkët që kemi derdhur, prandaj kërkoj t’i merrni mbrapsht fjalët që thatë këtu”. Marshalli shtangu me gotën në dorë, kurse ne ishim ngritur si delegacion në këmbë dhe thërrisnim: “Akuzat tuaja janë të pabaza, tërhiqini fjalët!”. Marshalli Greçko u përpoq të vinte qetësi, por e gjithë salla u ngrit në këmbë dhe dreka u prish. Pas dy orësh na erdhi në hotel këshilltari i ministrit të tyre, që ishte me ne në mbledhje, duke na thënë: “Ç’qe kjo që bëtë!? Ju fyet Marshall Malinovskin, ministrin e Mbrojtjes të Bashkimit Sovjetik”. Pa ngurrim ia kthyem se ai na kishte fyer ne dhe popullin tonë. Ne nuk mund ta pranonim arrogancën e të madhit. Ky ishte edhe fillimi i ndarjes nga Traktati i Varshavës.