Rrahman Parllaku: Lufta Nacionalçlirimtare e shenjtë, jo siç shkruajnë Butka dhe Milo

799
Përkujtimi i 5 dhe 9 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Shqipërisë dhe ditës së fitores së Luftës së Dytë Botërore, nga zyrtarët shqiptar do të jetë një fasadë, pasi në fakt, prej kohësh dëshmorët dhe luftëtarët që dhanë jetën për liri, janë lënë në harresë të plotë. Monumentet historike, varret e të vrarëve, lapidarët e përmendoret, simbolet e kësaj lufte të shenjtë, janë shkatërruar, ndërkohë, nuk po kujtohet kush që të financoj për të çuar në vend dinjitetin e nëpërkëmbur të të vrarëve. Për më tepër, kur ende persona apo grupime, për interesa vetjake që vazhdojnë të hedhin baltë mbi këtë luftë vazhdojnë revanshin e tyre përballë një paaftësi e heshtje të historianëve, faktorëve të tjerë të komunitetit, tregon se jo vetëm strukturat e shteti shqiptarë nuk janë në ‘binarët’ e duhur, por dhe ndërgjegjja kombëtare nuk po orientohet drejt. Lufta Nacionalçlirimtare nuk ka qenë ashtu siç shkruan Uran Butka, as plotësisht siç shkruan Paskal Milo, ndonëse ky i dyti është më afër të vërtetës. Lufta Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, pjesëtar i së cilës unë kam qenë, mbetet një luftë e drejtë heroike, ku Shqipëria ishte pjesë e koalicionit Antifashist, duke u renditur nga numri i popullsisë ndër vendet e para që dhanë për këtë luftë, ku së fundi, ishte e mbetet në kampin e fitimtarëve! Kështu pohoi mes të tjerave në intervistën e dhënë për ‘Telegraf’ Gjeneral Rrahman Parllaku, ‘Hero i Popullit’ e ‘Nderi i Kombit’, i cili ndonëse po mbush 100 vite jetë, është me fizik e memorie të rrallë, histori dhe pasuri shekullore. Por ndryshe nga herët e tjera, gjeneral Parllaku, në këtë intervistë, si intelektual, flet dhe për situatën aktuale në Shqipëri, politikën dhe politikanët që janë mëkatarët e këtij tranzicioni të gjatë, për eksodin e javëve të fundit, për zgjedhjet e afërta vendore, për dekriminalizimin, për situatën në Rajon e më gjerë, për faktorin shqiptar brenda e jashtë kufijve si dhe për probleme të tjera…
Përshëndetje zoti gjeneral! Së pari ju falënderojmë që pranuat të flisni për dy datat e rëndësishme që lidhen me përkujtimin e Luftës së Dytë Botërore, 5 dhe 9 Majin, por dhe për probleme të situatës në vend e Rajon, përfshi dhe për situatën politike?
-Ju lutem. Por dua të them që në fillim se për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, posaçërisht për këto dy data, unë e kam për detyrë po dhe kënaqësi që të flas, pasi kam qenë luftëtar me armë në dorë që në nisje të saj, kam drejtuar njësi partizane në luftë, brenda e jashtë vendit, kam qenë drejtues deri në zëvendësministër i ushtrisë për shumë kohë e se kjo luftë, pra Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, ka qenë e mbetet e shenjtë. Për më tepër, kur sot, klane apo dhe individë që nuk i lidh gjë me këtë luftë, po hedhin baltë mbi ‘të… Ndërsa për problemet e tjera, do të them mendimin tim si intelektual, shqetësimin tim për situatën, politikën, etj, ndonëse nuk jam i angazhuar dhe nuk jam marr me politikë pas daljes nga burgu e në vazhdim në tranzicionin e gjatë në të cilin po vazhdon të lëngoj fatkeqësisht vendi ynë…
Pra, e nisim me dy datat përkujtimore që janë këto dit, 5 Majin, ditën e vrasjes së Qemal Stafës, që është dhe Dita e Dëshmorëve dhe me 9 Majin, ku 70 vite më parë, përkatësisht më 9 maj 1945, u arrit fitorja mbi fashizmin… Si i përjetoni këto dy data dhe si do të përkujtohen ato në Shqipëri?
-Së pari, si ish-partizan, i pres me sadifaksion e krenari, jo vetëm personale por dhe kombëtare. Pasi Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, ishte një luftë e drejtë, e vendi ynë, nisur nga numri i popullsisë, është ndër vendet e para të Kampit Antifashist që luftoi kundër nazifashizmit. Kështu, pra, siç ndjehen e duhet të ndjehen të gjithë shqiptarët. Janë shumë gjëra që nuk duhen harruar nga kjo luftë, e veçanërisht sot nga brezat…
Mund të na përmendni shkurt pak nga këto?
-Posi. E para, të mos harrohet kurrë se Shqipëria, është vendi i vetëm evropian që u çlirua vetë nga nazifashizmi. Në tokën tonë, nuk erdhi asnjë ushtar aleat që të ndihmonte në çlirimin e vendit. Përkundrazi. Njësitë tona partizane, kanë luftuar dhe për çlirimin e Kosovës, Sanxhakut, Malit të Zi e Bosnjës. Është një rast i rrallë, i veçantë e vlerësues, që pati sigurisht edhe kosto… Por ishte kosto e lirisë… Ishte luftë e egër… I kam përjetuar vetë ato beteja dhe luftëra të ashpra, kam humbur shokë në ato përpjekje, jemi plagosur e gjymtuar…
Ju keni qenë drejtues i lartë i formacioneve që luftuan për çlirimin e trojeve jashtë Shqipërisë, ditka më konkretisht?
-Thash se forcat tona dhanë një kontribut të madh për çlirimin e Kosovës dhe të popujve të tjerë. Kanë qenë dy Divizione që kanë luftuar atje, i V-ti dhe i VI-ti. Unë isha Komandanti i Divizionit të V-të dhe drejtoja 5214 vetë… Më pas, ky numër u shtua dhe mbi 1000 të tjerë kosovarë… Një nga betejat e rëndësishme kundër pushtuesit ishte ajo që bëmë në Junik, ku na u vranë 32 partizanë dhe u plagosën 42 të tjerë. Mes të plagosurve isha dhe unë. Lufta jashtë kufijve, në Sanxhak, Bosnje e Mal të Zi, vazhdoi deri në mesin e muajit mars 1945. U pohoj se repartet tona luftonin kryesisht në pengimin e autokolonave gjermane që nxitonin tu shkonin në ndihmë në frontin e luftës në veri të Europës, duke ndikuar kështu dukshëm dhe forcat aleate të përparonin me sukses kundër pushtuesve. Ndaj aleatët e kanë vlerësuar dhe e kanë tymuar luftën tonë atëherë dhe sot, luftën e partizanëve, jo të kolaboracionistëve… Lufta jonë ishte e shenjtë dhe heroike, e nuk mund ta nëpërkëmbë askush, të hedhë baltë mbi ‘të…
Më konkretisht në këtë aspekt?
-Nuk bëhet historia e luftës, nuk është lufta Nacionalçlirimtare ashtu siç shkruan Uran Butka… As plotësisht ashtu siç shkruan Paskal Milo politikan, ndonëse ky është shumë më afër të vërtetës. Po unë, veteranët e luftës, jemi të pakënaqur nga pushteti, që nga vlerësimi praktik i kësaj lufte, dëshmorëve e heronjve të saj, deri tek veteranët e nderuar… Këtë tranzicion të tej zgjatur, kjo luftë o është goditur padrejtësisht dhe nga struktura shtetërore, ose është ‘harruar’, duke u kujtuar për ndonjë ceremoni, sa për fasadë… Kështu po ndodh dhe me 5 majin e 9 majin që erdhi…. Harresë, nënvleftësim…. Kemi këmbëngulur zyrtarisht por…
Çfarë keni bërë?
-I kam shkruar zyrtarisht Ministres Mimi Kodheli, për të se çfarë do të bëhet konkretisht në këto evenimente… Nuk ka një program… Më ka pritur një drejtor dhe përfundimi…: Do bëhet një ceremoni, do çohen dhe kurora! Po ku do çohen kurora? Në varreza? Po ata janë shkatërruar, pllaka të thyera e deri eshtra të dal jashtë. U kanë humbur emrat dëshmorëve në pllakate apo dhe vetë pllakatet e pllakat e varreve. Tek lapidarët, memorialet? Po dhe ata, shumica pra, janë shkatërruar, janë në gjendje të mjerueshme…. U jap një shembull: Kam parë lapidarin e Asim Zenelit në Grykë të Mezhgoranit! I shkatërruar… Ku ndodh kështu në vendet aleate në Luftën e Dytë Botërore? Askund! Iku, u vra ajka e rinisë për liri, e duhet minimalisht respekt e përkujdesje shtetëror. Por nuk ndodh… Kritikojmë shtetin për këtë neglizhencë të pafalshme… Do të veçoja vetëm një funksionar në këtë aspekt?
Cili është ky funksionar dhe pse e veçoni?
-Veçoj Ilir Metën. Unë, nuk kam folur e nuk flas si partiak. Por ai ka qenë shumë i vëmendshëm, bashkëpunues, prezent në aktivitete kushtuar luftës e dëshmorëve. E përmend se pakënaqësia ime dhe e veteranëve me shtetarët, nuk është vetëm këto dit, por e hershme, ku mendoj se piku ishte dhe programi i aktiviteteve të 70 vjetorit të çlirimit… U dhanë 100 milion lekë po ku shkuan!? Nuk u vu dorë tek simbolet e luftës, po u ‘tretën’ në aktivitete fasadë… U kujtuan 1000 ish partizanë, po rreth 3000 të tjerë që u harruan?! Ku do shkojmë sot në 9 maj? Nuk u bë një ceremoni përkujtimore nga Akademia e Shkencave… Por do duken politikanët me kurora lulesh….. Kjo situatë na dhemb, e nuk duhet të ndodhë kurrsesi kështu… Na vjen keq dhe për situatën në vend, atë politike, ekonomike, emigrimi masiv….
Të kthehemi tek këto probleme, tek shqetësimet që ka vendi pas 25 viteve të ndërrimit të sistemeve, duke filluar me eksodin, ikjen masive të shqiptarëve gjatë këtyre javëve?
-Ka vetëm një shkak, varfëria. Çdo politizim pa shkak, nuk ndihmon në përmirësimin e situatës. Përgjegjësit dihen, janë shtetarët, të besuarit nga ne qytetarët. Dhe jo vetëm të sotmit, por të dy dekadave e gjysmë tranzicion. Që pas 90-tës prishëm e shkatërruam gjithçka, si askush nga vendet e lindjes, sikur do na ‘binte e mira nga qielli’. Ne, brezi im, duhet dhe të reflektojmë duke dhënë shembull. Se u premtuam lirinë, ua sollëm; premtuam demokracinë, u sollëm diktaturën; premtuam mirëqenie, kemi varfëri… 
Flitet për dekriminalizimin e parlamentit, politikës… Mendimi juaj?
-Pak gjasa ka që të ndodhë, e shpresoj të mos shërbej për luftë karrigesh, mbajtje apo marrje pushteti… Deputetë me vota të vjedhura, parallinj me para të dyshimta që gdhihen deputetë… Deputetë a zyrtar me begraund të dyshuar kriminal… Nuk mendoj se palët e kanë seriozisht, se ndikimi i atyre që përmenda vazhdon të jetë i fuqishëm… Partitë, drejtuesit, sigurisht që i dinin këto më parë, por i vunë në këto funksione… Thash, nëse e kanë seriozisht, duhet ndërhyrje e thellë… Duhet përgjegjshmëri, pasi situatat gjeopolitike në Ballkan e më gjerë, nuk janë të mira…
Si e përcaktoni ju si ushtarak madhor këtë situatë, veçanërisht me problemet ‘e nxehta’ në Ballkan, ndërhyrjen në Ukrainë…?
-Është e qartë që Bashkimi Sovjetik, Putin, do që të ngjallë Perandorinë e dikurshme… E për këtë, tashmë hapur, me presione politike, kërcënime, premtime e ndërhyrje ushtarake, kërkon ta realizoj këtë synim. Situata në Gjeorgji flet qartë… Lidhjet e vjetra sllavo-ortodokse e ruajnë ndikimin e tyre në Europë, përfshi dhe Ballkanin, fqinjët tanë. Kjo situatë kërkon përgjegjshmëri shtetërore, diplomaci, e bashkëpunim efektiv e të sinqertë me partnerët euro-atlantikë… Futja në Europë do të jetë dhe bashkimi i shqiptarëve… Ne si shqiptarë, këtu, po në Kosovë e Maqedoni, jemi direkt objekt apo subjekt i kësaj situate. Këshilla ime në këtë aspekt do të ishte Për momentin, lufta për fitimin e të drejtave nacionale në kuadër të shteteve ku jemi…. Në këtë kuadër, politika shqiptare duhet të jetë tepër e vëmendshme…
Të kthehemi tek politika shqiptare?
-Politika shqiptare, vazhdon të jetë konfliktuale, acaruese, joproduktive që ka sjellë dhe pasoja në shumë aspekte… Është domosdoshmëri që PD dhe PS, forcat kryesore politike, të gjejnë mirëkuptimin. E kërkojnë patjetër situatat aktuale gjeopolitike. Duhet përgjegjshmëri, përgjegjësi, vullnet e mirëkuptim, pasi kështu nuk mund të ecet, kështu nuk mund të zgjidhen problemet e mprehta evidente dhe ato që priten…
Po për zgjedhjet vendore të 21 qershorit?
-Janë shumë të rëndësishme, por që të jem i sinqertë, nuk kam bindjen se do të ketë mirëkuptim mes palëve. Që tani, ka kontestime për Kodin Zgjedhor, për tentativë(përgatitje) për shitje apo blerje votash… Në zgjedhje, ne kemi eksperienca të hidhura… E rëndësishme mbetet që pushteti të mos ndërhyjë në zgjedhje, në votën e lirë të qytetarëve, partitë ta kërkojnë votën tek vetja nëpërmjet premtimeve bindëse, alternativave, e jo tek kulisat, tek trafiku i influencës, tek paratë, tek prapavija me suport kriminal e antiligjor. Edhe pse jam skeptik, shpresoj e dëshiroj që të ketë normalitet, zgjedhje të qeta e të lira, njohje rezultati dhe mirëkuptim për përgjegjësitë që mbajnë kandidatët e sotëm-nesër krye vendor si dhe partitë e liderët që përgatisin e miratojnë listat e konkurrentëve…
Ndonjë mesazh tjetër?
-Të kërkojmë, punojmë e të shohim paqe, miqësi, dashuri, harmoni e zbatim të ligjit, nga qytetari i thjeshtë e deri tek i pari i shtetit…
Sigal