Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Mendime rreth kryengritjes

Kryengritja e vitit 1924 kishte një përmbajtje demokratike dhe ishte vijim i revolucionit kombëtar të vitit 1920-ës, por me një ndryshim thelbësor: nëse më 1920 populli shqiptar luftoi kundër pushtuesve të huaj për rifitimin e pavarësisë kombëtare, më 1924 forcat demokratike u ngritën kundër feudalëve dhe borgjezisë për t’i larguar nga jeta politike, ekonomike dhe shoqërore e vendit e për demokratizimin e tij. Kryengritjen e qershorit e vitit 1924 u organizua dhe u drejtua nga forcat demokratike, që synonin në përdorimin e pushtetin politik për zgjidhjen e problemeve ekonomike e shoqërore të vendit. Çështja kryesore ishte zgjidhja e çështjes agrare, për të cilën ishte e interesuar fshatarësia, forca kryesore e kryengritjes. Fshatarësia shqiptare paraqitej e larmishme. Një pjesë e saj ëndërronte të bëhej pronare e një copë toke ose ta zgjeronte sasinë e pakët të tokës që zotëronte. Pjesa tjetër donte të çlirohej nga detyrimet e rënda e të shumta shtetërore, si nga e dhjeta, nga taksa e xhelepit, nga ajo e vergjisë dhe nga mbeturinat e tjera të sistemit feudal. Qëndresa e fshatarësisë kundër detyrimeve shtetërore ishte më e fuqishme se qëndresa përballë pronarëve të tokave. Marrja pjesë e ushtrisë në këtë kryengritje nuk i heq kësaj përmbajtjen antifeudale dhe nuk i vesh vellon e “puçit ushtarak”, sikurse e quanin qëllimisht disa forca antidemokratike. Jo, zotërinj të ndershëm, që një revolucion dhe si të gjitha revolucionet përmbysi të tëra idetë e regjimit të përparshëm dhe duhet të përmbyste të gjitha veglat e atij regjimi, shkruante gazeta “Bashkimi” pas fitores së kryengritjes. Historiografia e sotme herë pas here bën përpjekje për të mohuar karakterin demokratik të revolucionit, për ta paraqitur kryengritjen e qershorit si një “puç ushtarak”. Opinione të tilla janë subjektive dhe bien ndesh me zhvillimin e ngjarjeve politike të asaj periudhe, nuk marrin parasysh problemet politike, ekonomike e sociale që duhej të zgjidhte shoqëria shqiptare dhe aspiratat e popullit shqiptar në atë kohë. Në polemikë me ata që kritikonin organizimin e shpërthimin e kryengritjes së armatosur dhe që vinin në dyshim domosdoshmërinë objektive të saj, Fan Noli shkruante se që pas vrasjes së Avni Rustemit, nuk kish njeri që ta ndalonte kryengritjen, se ashtu sikundër është zor të fabrikohet një kryengritje pas qejfit, ashtu është edhe zor të ndalohet kryengritja e provokuar kur ndizen gjakrat.

 

Organizimi i forcave dhe plani i sulmit

Frontin e Jugut e përfaqësonin forcat ushtarake të garnizonit të Përmetit dhe vullnetarët e Skraparit të drejtuar nga Riza Cerova. Nga fundi i muajit maj të 1924-s patrioti Riza Cerova i bëri thirrje popullit të Skraparit të ngrihej në këmbë për të luftuar dhe për të shkuar në Tiranë që të rrëzonte klikën e Zogut. Thirrjes së tij ju përgjigjen mjaft fshatarë. Forcat vullnetare të Skraparit, nën drejtimin e Riza Cerovës u mblodhën në Ujë të Zi, të Skraparit. Aty u mblodhën mbi 100 luftëtarë. Me organizimin luftarak që bëri komandant Rizai, kaluan në Teman, Xhitem dhe u përqendruan në Drobonik, në juglindje të Beratit. Gjatë rrugës u bashkuan dhe shumë vullnetarë skrapallinj dhe të Nahisë së Beratit. Këtu pritën çetën e Dishnicës nga Përmeti të drejtuar nga trimat Ahmet e Abaz Kajcën, si dhe çetën e drejtuar nga Ali Koprenckës. Rizai kishte dërguar njoftim dhe ishin marrë vesh për të marshuar drejtë Tiranës. Këtu u formua dhe shtabi ushtarak për drejtimin e këtyre çetave të udhëhequr nga Riza Cerova. Në Drobonik u bë plani i sulmit kundër forcave zogiste që ndodheshin në Berat. Forcat kryengritëse të vendosura për të marshuar drejt Tiranës iu bënë thirrje Veiz Xhindit dhe Selaudin Blloshmit që të tërhiqeshin dhe të hapnin rrugën dhe të mos shkaktonin vëllavrasje. Por Veizi dhe Selaudini kundërshtuan.

 

Riza Cerova udhëhoqi sulmin për çlirimin e Beratit

Pasi hartuan planin e sulmit u nisëm. Çeta e Skraparit sulmoi nga ana lindore e qytetit të Beratit. Që në sulmin e parë luftëtarët marshuam deri te xhamia e Plumbit. Këtu u ndeshën me forcat qeveritare dhe u detyruam të tërhiqeshim deri afër Uznovës. Këtu zunë pozicione të reja luftimi dhe qëndruan deri në mbrëmje. Këtu erdhën dhe u bashkuan edhe disa luftëtarë të Beratit. Me rënien e mbrëmjes u organizua dhe u zhvillua sulmi i dytë me objektiva të qarta për në qytet. Në këtë sulm forcat u ndanë në dy grupe dhe një pjesë qëndroi në rezervë. Grupi i parë sulmoi përsëri në drejtim të xhamisë së Plumbit dhe objektiv të afërt kishin marrjen e Kalasë, kurse grupi i dytë lëvizi nga kisha e Kondasit dhe sulmoi Kalanë, ku ishin përqendruar forcat e qeverisë së Zogut, të cilat komandoheshin nga Veiz Sevrani. Çeta e drejtuar nga Abas Kajca, që ishte dhe drejtuesi i artilerisë, goditi kodrat me ullishte, ku ishin vendosur forcat e qeverisë të komanduara nga Selaudin Blloshmit. Kur ra mbrëmja plotësisht sulmuan forcat vullnetare që komandoheshin nga Riza Cerova. Këto kapërcyen lumin dhe iu drejtuan Bregut, te Kisha e Kondasit. Terreni ishte i sheshtë dhe i hapur, dhe sulmuesit ishin të ekspozuar. Rezistenca e Selaudinit ishte e fortë. Komandant Rizai dërgoi Xhemal Malindin me 20 luftëtarë që duke kaluar grykën e Duhuanasit, doli tek Lisi i Beçit, dhe u mori krahët forcave qeveritare. Luftimet vazhduan dhe nga mezi i natës, u dëgjuan krismat e luftëtarëve të sulmit të Xhemalit që i sulmoi nga mali i Goricës. Selaudin Blloshmi, kishin zënë kodrat me ullishte, në veri të qytetit, nga Kisha e Shëndëllisë, përkundrejt kalasë, gjer te kisha e Kondasit afër Drobonikut, duke parë se po i merreshin krahët, u tërhoq. Në kala ishin përqendruar forcat e xhandarmërisë që komandonte Veiz Xhindi, por u tërhoq nga fortesa e Kalasë. Të dy qeveritarët natën, u larguan nga pozicionet dhe dolën në anën e majtë të lumit Devollit, në Kozare, ku aty ishte përqendruar dhe Osman Gazepi, i ardhur nga Tirana me një batalion me ushtarë. Forcat e Dishnicës e nisën sulmin nga ana e Murat Çelepiasit. Të ndodhura nën një zjarr të fortë, të vazhdueshëm dhe të rrethuara nga të gjitha anët, forcat zogiste u thyen dhe u tërhoqën në drejtim të Kuçovës. Nga mesi i natës krismat e pushkëve pushuan. Në mëngjes në qytet mbërriti pararoja e forcave kryengritëse, dhe me pas vullnetarët u pritën me brohoritje në qytet, ku mjaft të rinj u bashkuan me forcat kryengritëse. Në bashkinë e qytetit të Beratit ishte ngritur një komision me njerëz demokrat që ishte gati për të ndihmuar forcat kryengritëse me bukë, ushqime etj. Ky komision dërgoi një delegacion në Drobonik për të njoftuar gatishmërinë e tij në ndihmë të kryengritësve. Në Berat forcave kryengritëse iu bashkuan dhe forca të reja vullnetare nga qyteti i Beratit dhe nga fshatrat përreth. Rrobaqepësit e Beratit, duke punuar natë e ditë, qepën gati 200-300 rroba doku, uniforma ushtarake, për të veshur vullnetarët civilë, të cilët u pajisën dhe me këpucë. U bë përsëri riorganizim i forcave dhe nisëm marshimin drejt Tiranës, duke ecur në rrugën e Perondisë dhe të Kozares.

 

Luftimet në Kozare dhe marshimi për në Tiranë

Me çlirimin e Beratit, forcat kryengritëse marshuan në drejtim të Kozares. Në Kozare ndeshëm në qëndresën e forcave qeveritare, të cilat ishin shtuar, sepse u kishin ardhur në ndihmë forca të reja, të komanduara nga Selaudin Blloshmi. Ndërsa nga Lushnja ishin nisur forca të tjera ushtarake, të komanduara nga Osman Gazepi. Me të ndeshur në rezistencën e tyre, ne zumë vend në kodrat e fshatit Kozare. Vau i lumit Devoll ishte zënë nga forcat e qeverisë. Rizai me ndihmën e vullnetarëve nga fshati Kozare, gjeti një va në Vlashuk. Lumi Devoll kishte shumë ujë, por forcat kryengritëse të lidhur dorë për dorë dhe të mbajtur pas një litari të gjatë kaluan Devollin. Riza Cerova nisi një çetë me luftëtarë në drejtim të Çiflikut, për t’u marrë krahët forcave qeveritare dhe për të penguar tërheqjen e tyre. Kryengritësit sulmuan të gjithë mercenarët që ishin grumbulluar në Kozare. Këtu u zhvilluan luftime të ashpra që përfunduan me shpartallimin e plotë të forcave qeveritare. Veizi dhe Selaudini u larguan së bashku me Osmanin. Midis mercenarëve të kapur ishte dhe babai i Selaudin Blloshmit. Krerët e mercenarëve u mbajtën, ndërsa ushtarët e thjeshtë, pasi u çarmatosën, u liruan. Shumica e ushtarëve të Osman Gazepit u bashkuan me forcat kryengritëse. Me fitoren në Kozare forcat kryengritëse vazhduan marshimin në drejtim të Lushnjës, ku u përqendruan në kodrat e fshatit Karbunarë, pranë Lushnjës. Këtu forcat kryengritëse të Riza Cerovës u sulmuan përsëri nga trupat qeveritare, të cilat kishin rrethuar vendin e përqendrimit. Në këtë kohë erdhën në ndihmë forcat kryengritëse të Vlorës. Me bashkimin e të gjitha forcave të Jugut, u hodhëm në sulm vendimtar dhe bënë shpartallimin e trupave zogiste. Forcat e Jugut marshuan për në Tiranë duke mos gjetur asnjë pengesë. Kryengritësit kishin fituar.