Sigal

Nesip Kaçi

Pesë vjet më parë, më 6 mars 2003, u fik një nga figurat e shquara të diplomacisë shqiptare Reis Malile. Ai lindi në Gjirokastër më 12 gusht 1924 në një familje intelektuale, patriotike. Familja e tij u vendos në Vlorë kur ai ishte ende i vogël. Arsimin fillor e kreu në Vlorë dhe më pas vazhdoi Liceun Francez të Korçës.

Pas pushtimit fashist të Shqipërise ai luftoi kundër pushtuesve, mori pjesë në demostratën e madhe antifashiste organizuar në qytetin e Korçës në nëntor 1942, ku u plagos dhe për disa muaj fashistët e burgosën në Korçë. Pas kësaj u kthye në Vlorë ku mori pjesë në Luftën Nacionalclirimtare në rreshtat partizane, në fillim në qytetin e Vlorës në njësitet guerile, më pas ai u inkuadrua në fomacionet e tjera luftarake në Brigatën e Pestë Sulmuese, që nga partizan i thjeshtë deri në Komisar i Divizionit të Pestë Sulmues i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë. Ja si shkruan Rahman Parllaku për të: “Reis Malile ishte i qetë, i matur dhe trim. Ai në luftë ishte i pari në sulm dhe i fundit në tërheqje. Pasi u çlirua Shqipëria, Reis Malile luftoi në Kosovë dhe në territoret e Jugosllavisë deri në Vishegrad”.

Fillimet në karrierë

Pas luftës ai kreu studimet e larta për histori. Në janar 1949 Reis Malile u caktua në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe po këtë vit emërohet sekretar i parë i ambasadës së Shqipërisë në Moskë. Nga 1950 deri 1956 punoi Kryetar i Degës për vendet e Europës Lindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nga 1956 deri 1961 ambasador i Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Mbas pranimit të Shqipërisë në OKB ai ishte përfaqësuesi i parë i vendit tonë pranë kësaj organizate botërore. Nga 1961 deri 1963 ai shërben si ambasador i Shqipërisë në Pekin. Nga 1963 deri 1982 punon si zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Nga 1982 deri 1991 është në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe së këtejmi doli në pension.

Karriera diplomatike Në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme

*Nga 1950 deri 1956 kryetar i Degës për vendet e Europës Lindore në MPJ

*Nga 1956 deri 1961 ambasador i Shqipërisë pranë OKB-së në Nju Jork

*Nga 1961 deri 1963 ambasador i Shqipërisë në Pekin.

*Nga 1963 deri 1982 zëvendësministër i Punëve të Jashtme.

*Nga 1982 deri 1991 ministër i Punëve të Jashtme dhe së këtejmi doli në pension.

Njohja me diplomatin

Ata që kanë punuar me të dhe e kanë njohur nga afër (unë që shkruaj këto rreshta kam punuar me të 16 vjet) kanë parë te ai vetitë dhe karakterin e një njeriu të veçantë, të pajisur me normat e mirësjelljes dhe të respektit për të tjerët, i rreptë në kërkesën e llogarisë dhe i drejtë në marrëdhëniet me vartësit. Reis Malile ishte një diplomat i mprehtë dhe i përmbajtur me një ekuilibër shembullor, me një formim të lartë politik dhe professional, burrë me një integritet dhe personalitet të veçantë, ai kishte një nuhatje politike si ai. Të gjitha këto që thamë më sipër na japin të drejtën të themi se ai ka qenë një diplomat i kompletuar. Të mos harrojmë se ai drejtoi dhe menaxhoi politikën e jashtme të një shteti doktrinar dhe çdo gjë duhet parë e gjykuar në kohën e vet dhe brenda atij sistemi. Sot kanë ndryshuar kohët.

Analiza e punës

Në një analizë që i bën ambasadori Petraq Pojani shkollës diplomatike të Maliles dhe që unë i gjej të drejta konkluzionet e tij, thotë: “Misioni i diplomatit të përmbajtur e të mprehtë Malile ishte një mision i vështirë, që kërkonte jo vetëm profesionalizëm, por dhe zotësi dhe integritet. Jo thjeshtë për të përballuar kërkesat dhe kufizimet e një politike të jashtme të ideologjizuar, por edhe për të shfrytëzuar çdo hapësirë të mundshme në dobi të interesave kombëtare të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve jashtë saj. Në kushtet e Luftës së Ftohtë kur dy kampe armiqësore ndaj njëri-tjetrit zhvillonin dhe impononin në marrëdhëniet ndërkombëtare më tepër ideologjinë e tyre se sa politike, hapesirat për diplomacinë shqiptare në dobi të interesave të shtetit e të kombit shqiptar ishin sa të vështira aq dhe të ngushta për t’u shfrytëzuar. Kontributi personal i Maliles në këtë drejtim është se ai diti ta prezantojë e ta bëjë më të njohur vendin e tij në vitet 1956 deri 1961 në OKB dhe në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare dhe të bashkojë votën e Shqipërisë me forcat progresiste për çrrënjosjen e kolonializmit dhe pranimin në OKB të vendeve të rinj ish-koloniale, të krijonte marrëdhënie miqësore me komunitetin shqiptar që jetonte në SHBA. Dhe me tutje ambasadori Pojani, nënvizon se në vitet 1961 dhe 1963 kur Maliles iu besua posti shumë i rëndësishëm për atë kohe, ai i ambasadorit të Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, kontributi i tij në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe aftësitë e tij diplomatike u dukën qartë. Por për shkak të rrethanave të paparashikuara dhe të trishtueshme që i ndodhi, ky post u ndërpre. Por Malile do të arrinte pikën e tij kulminante në sesionin e 26 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me 25 tetor 1971, ku përmes një lufte diplomatike unikale, u miratua Rezoluta e kryesuar nga Shqipëria, me pjesëmarrjen e 23 shteteve anëtare bashkëautore, mbi rivendosjen e të drejtave të ligjshme të RP-së të Kinës në OKB. Në këtë seancë, spikati në mënyrë të përkryer profesionalizmi, gjakftohtësia, aftësia negociuese dhe e marrjes së vendimit të duhur aty për aty, e kryetarit të delegacionit shqiptar Reis Malile. Ata që kanë marrë pjesë në këtë betejë të vërtetë diplomatike nuk mund të mos kenë emocione edhe sot për ato dhjetëra vendime të marra brenda disa sekondave, ku në labirinthin tepër të komplikuar të rregullave të procedurës, i gjithë aksioni mund të dështonte nga momenti në moment.(Duhet shënuar këtu se ambasabori Petraq Pojani ka marrë pjesë në këtë betejë diplomatike unikale dhe i ka përjetuar këto momente duke qenë anëtar i delegacionit shqiptar. N.K. )

Iniciativa e Shqipërisë së vogël në mbrojtjen e gjigandit aziatik

Reis Malile punoi një jetë të tërë në shërbimet e Ministrisë të Jashtme prej 42 vjetesh. Ai ka marrë pjesë në shumë mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, si anëtar dhe kryetar i delegacionit shqiptar. Në sesionin e vitit 1971 të OKB-së, ku mbas dy dekadash debatesh u rivendosen të drejtat e R.P. të Kinës në OKB, problem ky i vënë në rendin e ditës të Asamblesë së Përgjithshme me iniciativën e Shqipërisë, Reis Malile ka qenë kryetar i delegacionit tonë. Po kështu ai ka marrë pjesë si përfaqësues i Shqipërisë në një numër të madh mbledhjesh ndërkombëtare dhe ka punuar me këmbëngulje të pashoqe për zhvillimin e marrëdhënieve të shtetit tonë me shtete të tjera, për mbrojtjen e interesave kombëtare të Shqipërisë dhe forcimin e pozitave të saj në arenën ndërkombëtare.

Fqinjësia e mirë

Duke u marrë për një kohë të gjatë me OKB-në ai njihte mirë këtë organizëm botëror të institucionalizuar dhe Kartën e saj dhe e shfrytëzoi këtë në dobi të interesave të vendit. Në politikën e jashtme në çdo hap ai vigjëlonte me kujdes fatet e atdheut. Pas viteve ‘80, kur nuk patëm pothuaj asnjë aleat, duhej maturi në çdo hap që bëhej, sepse edhe situata e brendshme politike dhe ekonomike u rëndua, tronditjet e forta të brendshme me vdekjen e Mehmet Shehut dhe grupet e tjera pas tij si dhe stanjacioni ekonomik që pllakosi vendin vuri detyra të vështira para diplomacisë shqiptare. Pikërisht në këtë situatë Reis Maliles iu besua detyra e ministrit të Jashtëm. Në këto kushte, ai si burrë i mençur që ishte, e hodhi shikimin nga fqinjet, sepse si e mira dhe e keqja nga fqinjet të vjen. Mua më kujtohet që në këtë situate të gjitha radiogramet qarkore, që mbanin firmën e tij, na udhëzonin si të vepronim dhe të punonim në këto rrethana me diplomatet e vendeve fqinje për të rritur shkëmbimet politike dhe ekonomike. Në qendër të vëmendjes na kërkonte ekuilibër në marrëdhëniet ballkanike, veçanërisht në marrëdhëniet Turqi dhe Greqi. Në kuadrin e çarjes së izolimit dhe daljes nga kutia e mbyllur ai me kujdes e orjentoi politikën e jashtme drejt përmirësimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe sidomos me Italinë. Në këtë drejtim Reis Malile punoi bashkë me stafin e tij të MPJ-së për përmiresimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve ndërballkanike që çuan deri në Konferencën Ballkanike të Beogradit, ku ndihmesa e tij ishte e çmueshme. Është nevojshme të shkruaj se ai po të ishte gjallë nuk do t’i pranonte këto si vetëm arritje të tij, por siç ishte i thjeshtë do të më kërkonte të nënvizoja se ka patur edhe dy zëvendësministra të aftë siç ishin Sokrat Plaka dhe Muhamet Kapllani, apo diplomatët e përgatitur dhe me vizion si Petraq Pojani dhe shumë të tjerë.

Karta së Helsinkit, pse nuk e pranoi Byroja Politike

Reis Malile e kuptoi se situata në Europë kishte ndryshuar dhe vetëm Shqipëria kishte mbetur prapa dhe nuk e pranonte këtë të vërtetë. Ai në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 23 shtator 1990 ku shqyrtohej një Relacion i MPJ “Mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Europian” pati guximin të thotë hapur se neni për çështjet e fesë nuk ka pse të vihet në Kushtetutë dhe se Shqipëria duhet të bëjë një deklaratë se njeh parimet bazë të Kartës së Helsinkit. Ky ishte hapi i parë për t’u pranuar në KSBE. Ai theksoi që vendi ynë në situatën e re politike të mos qëndrojë mënjanë vendeve të Europës. Me që në Byronë Politike pati kundërshtime për t’u mos u pranuar propozimi i MPJ se njohja e Kartës së Helsinkit nuk ka pse të bëhet tragjike. Ky dokument ka disa parime që duhet t’i shfrytëzojmë për interesat tona, sidomos. Për të mbrojtur çështjen e Kosovës. Jugosllavët, tha ai, çfarë nuk shpifin kundër vendit tonë dhe Kosovës në mbledhjet e KSBE-së, kurse ne nuk jemi në gjendje. Të themi asnjë fjalë atje se nuk marrim pjesë. Ne duhet të zemë vendin tonë në këtë institucion po qëndruam jashtë tij nuk do ta kemi të lehtë për të përballuar situaten e re politike që po krijohet në Europë dhe në botë. Po nuk zumë vendin tonë në këtë institucion europian, tha Reis Malile në Byronë Politike, ne do të izolohemi me shumë. Në këtë dokument ka probleme që lidhen me sigurimin e atdheut, siç është mospërdorimi i forcës, respektimi i kufijve, faktikisht tha ai, serbet dhe greket po na bëjnë presione në kufijtë tanë. Por me gjithë këto Byroja Politike nuk e pranoi Kartën e Helsinkit. Ramiz Alia në këtë mbledhje, me gjithë kundërshtimet e Byrosë Politike ja se si u shpreh: “Nuk ka dyshim se dhe njëra dhe tjetra ka pluset dhe minuset e veta, por duhet ditur qe duke zgjatur akoma futjen në KSBE nuk fitojmë ndonjë gjë të madhe. Duhet të ecim një çike me tempet e kohës, me tempet që ecën tërë Europa, njëkohësisht të mendojmë se çfarë do të ndodhe më vonë, veçanërisht në Kosovë. Duke qenë jashtë KSBE-së, kuptohet që pozitën e kemi më të dobët. Tani duket qartë se Ramiz Alia, i dha mbështetje Reis Maliles dhe propozimeve të tij proevropiane. Duke shkruar këto rreshta me rastin e pesëvjetorit të vdekjes së Reis Maliles, duhet të jem objektiv dhe realist dhe të nënvizoj se ai në këtë drejtim ka patur edhe mbështetjen e zgjuar, qoftë edhe të “ndrojtur”, siç thuhet sot, të Ramiz Alisë, se pa këtë mbështetje, pa viston e tij, nuk bëhej dot kjo punë. Dhe me që jam në këtë çështje, dua të them se Ramiz Alia nga anëtarët e Byrosë Politike ka qenë më i ftilluari dhe merita e kalimit nga sistemi monist në sistemin pluralist pa gjakderdhje i takon atij burri. Dua të shtoj se unë nuk dua të bëhem avokati i askujt dhe nuk kam asnje ide fikse për Ramiz Alinë, por mendoj se ende nuk ka në Shqipëri një analizë për të gjykuar me realizëm për rolin e Ramiz Alisë gjatë tranzicionit. ( Dhënë për Telegraf. 06 mars 2003)