Ramohito: “Balluku hipokrit, tallej me Partinë”

2119
Albert Kotini

Nga procesverbali i mbledhjes së organizatës bazë të partisë të Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes, viti 1974

(Vijon nga numri i kaluar)
Në organizatën bazë të partisë të Drejtorisë Politike të Ushtrisë zbardhet për herë të parë komploti mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut më datën 13.08.1974 ku i deleguar ishte Ramiz Alia. Pastaj vijojnë mbledhjet e datës 12.09.1974 mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut dhe Hito Çakos dhe mbyllet në datën 12.11 -1974 “dënimi i grupit Beqir Balluku, Hito Çako, Perit Dume, Sadik Bekteshi”. Protokolli me nr. 5 i datës 13-8-1974 përmban mbledhjen e organizatës bazë të partisë të Drejtorisë Politike, ku marrin pjesë të gjithë komunistët. Në mbledhje merr pjesë Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH shoku Ramiz Alia. Rendi i ditës së mbledhjes ishte: “Punimi i letrës së Pleniumit të 5-të të KQ të PPSH mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut. Në presidium zgjidhen tre veta Ramiz Alia, Dilaver Poçi e Duro Shehu. Mbledhja vazhdon Ramiz Alia

– 2. H. Ramohito: Unë do të ndalem në mësimet që kam nxjerrë për sektorin e punës, materialet, qëllimet, format dhe metodat e punës të Beqir Ballukut që ishin një nyje e tërë armiqësore. Mjafton që të bëhej një ballafaqim: materialet me tezat, me fjalimet e shokut Enver në Pleniumin e 12-të dhe menjëherë del kundërvënia e hapur e kësaj vije si në çështjet ushtarake e politike, ashtu edhe në çështjet ideologjike. Kur udhëheqja e partisë konkludoi se këto koncepte ishin armiqësore, tha që shokët menjëherë duhet të nxjerrin konkluzione të drejta. Pleniumi i KQ-së na kritikoi shumë rreptë ne si drejtori politike, se përse nuk raportuam në KQ lidhur me punimin e këtyre materialeve. Fakti se përse nuk u shtrua dhe nuk u analizua kjo çështje si gjithë shokët, edhe mua më ka preokupuar vazhdimisht. Kur u diskutua çështja e materialit të rrëshqitjes, u dënuan dy shokë, njëri me burg.

– Shoku Ramiz: Për këtë çështje?
– Shoku Halim: Nuk e di mirë, e them me rezervë. Ne nuk e vlerësuam si duhet këtë çështje që në vitin 1966, por vetëm e hodhëm poshtë duke e quajtur më vonë “Teoria e sëpatës”. Unë nuk kam lexuar asnjë material më parë se t’i lexoj në Golem. Për mungesën e unitetit kam qenë i shqetësuar dhe kemi diskutuar me shokun Hito se si të raportojmë. Bëmë një raport në tetor, por ai u rrumbullakos. Shoku Hito u tërhoq. Pastaj bëmë përsëri një raport tjetër, ku nxorëm mungesat e stilit e të metodës. Por përsëri nuk e nxorëm. Shoku Hito tha se shembujt do t’i jepte ai me gojë. Ne kemi biseduar mbi gabimet e Beqir Ballukut. Por kemi menduar se fajin e ka stili, kompetencat dhe struktura organizative. Në MKA ka ardhur një kopje e materialit të tretë (në atë kohë unë nuk isha, as andej, as këtej). E mora vesh se erdhi ky material, por e morën ata të shtabit. Për këtë material më ka treguar shoku Hito se u hodh poshtë, por se kush e bënte këtë material, se kush e frymëzonte, unë nuk kam ditur gjë. Unë as për Beqir Ballukun, as për Rahmanin nuk kam ditur gjë. Unë kam menduar se Ernesti e Spiro janë njerëz teknokratë, por asgjë më tepër. Shoku Petrit më tha se ata dy shokët i kishte kritikuar. Cilat janë përgjegjësitë e mia? Unë nxjerr mungesën e vigjëlencës se nuk i kam vlerësuar me syrin politik, se kam rënë në teknoktarizëm, se kam pasur mungesë iniciative, kam menduar vetëm se në këto çështje duhet të merren ata që janë specialistë. Unë duhet të jem më vigjëlent. Duhet të reflektoj më shumë për të parë anën politike e ideologjike të problemeve dhe jo vetëm në anën ushtarake, se në organizatën bazë diskutojmë anën ushtarake e jo anën politike dhe ideologjike. Në përgatitjen ushtarake të mos bëjmë një punë shumë praktike, kurse diskutim praktik nuk bëjmë. Nuk pyesim si dhe sa oficerë studiojnë vijën ushtarake dhe vijën e përgjithshme të partisë. Në format e edukimit bëjmë një punë të përgjithshme. Presionin e revizionistëve se si ata kërkojnë të na molepsin, ne nuk e studiojmë ose kuptimin mbi sasinë, cilësinë e intensitetin në stërvitje etj, nuk i kemi zbërthyer.

– Shoku Ramiz Alia: A mund të themi ne që oficerët nuk e njohin vijën e partisë në ushtri?
– Halim Ramohito: Unë them që kemi një thellim në këtë çështje. Ne duhet të shkulim nga rrënjët pikëpamjet e Beqir Ballukut, në çdo aspekt të punës tonë në ushtri. Për vitin e ri të stërvitjes duhet të punojmë më shumë, të bëjmë një punë më sistematike e të përqendruar për edukimin e kuadrove. Në vitin 1966 u bënë reformat në ushtri, të cilat shoku Enver i shpjegoi e i sqaroi duke goditur çdo koncept të gabuar e çdo pikëpamje sempliste në ushtri. Unë në atë kohë kam bërë ndonjë gabim më shumë nga ana e majtë. Më kujtohet që shoku Enver më kritikoi për këtë gjë duke më thënë: “Shko në ushtri dhe do të shikosh se nuk është ashtu”. Kështu tha dhe për ata shokë që thanë se ne kopjojmë. Beqir Balluku ka qenë një liberal i regjur, prandaj dhe dëmtoi disiplinën në ushtri. Ne duhet të shpjegojmë mirë demokracinë, hierarkinë, vijën e masave, si dhe rregulloret si vijë të partisë. E keqja është se këto ne i shpjegojmë në mënyrë të njëanshme. Prandaj në këto çështje ne duhet të punojmë më shumë; sigurisht këto probleme duhet t’i lidhim me kushtet e reja. Në këto çështje organizatat e partisë duhet të ndalen si duhet, të bëjnë analiza e të nxjerrin konkluzione. Beqir Balluku, fliste si hipokrit për zbatimin e normave të partisë, por vetë i shkelte, unë them që duhet të thellohemi më shumë në këtë çështje. 

– Shoku Ramiz: Çështja është se partia duhet të lozi rolin e vet
– Shoku Halim Ramohito: Kur i duhet raportuar partisë nuk ka përse ta shikojë patjetër shefi. Shefi, në qoftë se ka ndonjë mendim atëherë duhet ta thotë në organizatën bazë.
– Shoku Ramiz: A e ka drejtuar Drejtoria Politike në ushtri?
– Halim Ramohito: Nuk mund të them se nuk e ka drejtuar jetën e partisë në ushtri, por jo si duhet. Unë kam marrë pjesë në Organizatën e Partisë, por nuk kam bërë një punë studimore. Neve na ka shqetësuar gjendja në Komitetin e Partisë të MMP-së. Ka disa që partinë e kuptojnë vetëm në aparatet. Kjo ndodh sepse shikohet hierarkia, shikohet personi që del mbi organizatën e partisë. Për shembull, Nanija bën raporton, por shkon te njëri drejtor e tek tjetri për ta parë, të cilët e rrumbullakosin. Ose drejtorët flasin vetëm për të vënë detyra e nuk japin llogari. Ka simptoma të punës vesh më vesh. Komiteti i Partisë përbëhet më shumë nga drejtorë dhe që kanë lidhje fisi midis tyre. Nga ana tjetër drejtorët nuk i ngrenë problemet në organizatë ose në komitet. Unë kam ngritur në konferencën e partisë një problem për shkollën e lirë, por sapo mbaroi mbledhja, m’u hodh Beqiri duke më bërë presion, saqë u bë një shamatë e madhe. U ngrit një herë dhe Bejto Isufi e tha që ”na vijnë urdhra kontradiktore” por ai maskarai, Beqiri, i kërkoi që të thoshte se kush konkretisht ia kishte dhënë këto urdhra. Kështu ndrydhet kritika. 

– Shoku Ramiz: Kjo ndrydhje e kritikës ishte vetëm nga Beqiri apo ndodh edhe në Organizatën e Partisë? 
– H. Ramohito: Ndodh edhe në organizatën e partisë. Rahmani në organizatën e partisë së Drejtorisë Operative nuk u thellua shumë. Ai duhet të bënte një autokritikë më të shëndoshtë lidhur me shfaqet që ka manifestuar, të cilat iu thanë në plenum, si karrierizmi, mendjemadhësia etj.. 
– Dilaver Poçi: Shoku Petrit ka bërë një autokritikë më të mirë. 
– Halim Ramohito: Shoku Pertrit nuk e kritikuan fare, por autokritikën e bëri të mirë. Në organizatë atij i bënë vetëm elozhe. Beqir Balluku ka qenë 10 vjet i deleguar në Konferencën e partisë së MMP-së dhe kur mungonte ai vinte Hito. Në akademi problemi nuk u shtrua mirë dhe ka kaluar përciptas. Nuk ka dalë çështja e Elami Hados. Unë them që çështja e tezave duhet të dali më mirë. As mbledhja e Komitetit atje nuk u bë si duhet. Kam disa mendime lidhur me çështjet e kuadrit: Ka nomenklaturë por duhen respektuar normat. Ka përgjegjësi për këtë Lutoja, shoku Hito që normat nuk janë zbatuar si duhet, politika e kuadrit nuk bëhet si duhet. Na janë futur në ushtri elementë me përbërje të keqe politike p.sh. piloti që u vra nuk kish përbërje të mirë politike. Si është e mundur që të kemi pilotë me biografi jo të mirë.?

– Shoku Ramiz: Tek ne biografia e shokëve shikohet me përgjegjësi shumë të madhe. Shefi i kuadrit duhet të jetë shumë rigoroz. Ose kur them që të bëhet kështu si them unë, e mbaj vet përgjegjësinë. 

– Halim Ramohito: Problem tjetër është verifikimi që duhet bërë edhe pasi kursantët mbarojnë shkollën, pasi mund të ketë edhe ndryshime. Kam një kritikë për shokun Hito e shokun Petrit, që të kenë kujdes pasi atyre u venë shumë njerëz dhe ata u bëjnë premtime atyre. Ata duhet t’i drejtojnë në Organizatën e partisë. Dhe pastaj çështja që po të shkosh tek ai problemi të zgjidhet, kurse po të shkosh tek ai tjetri “jo”. Bëj autokritikë se nuk kam durim t’i dëgjoj shokët me kujdes. Ose fjalën e fundit e them në fillim. Shumë probleme nuk i kam shtruar në organizatë, duke menduar se janë probleme të mëdha dhe zgjidhen lart. Edhe shokë të tjerë të sektorit duhet të jenë më ekzigjent, gjithsecili të marrë përgjegjësinë e tij, të bëhet një punë më e kualifikuar. Zotohet se do të thellohem më shumë në pesë mësimet e letrës së KQ-së.
– 3. Xhemal Shehu dhe Arshi Çela (me shkrim)
– Shoku Ramiz: Pse ndodh kjo që ka ndrydhje në organizatë?
– A. Çela: Unë jam nga oficerët e rinj. Para se të vij në MMP kam qenë në repart. Kur erdha në fillim në Komitetin e Partisë të MMP-së kisha mendimin se çdo gjë ata shokët e dinë më mirë, se duhet vepruar vetëm ashtu si mendonin ata dhe kështu dalëngadalë fillova të konformohem, fillova të mos i them gjërat ashtu siç i mendoja. Po kështu ndodh me mua dhe këtu në drejtorinë politike. Kam edhe diçka tjetër që ne nuk morëm pjesë në mbledhjen e Durrësit që u bë për këtë problem që po diskutojmë sot. Unë them që duhet të kishim marrë pjesë. 
– 5. Malo Hasanramaj (me shkrim)
– Shoku Ramiz: Si është çështja e edukimit në Korpuse?
– Malo Hasanramaj: Poshtë nuk bëhen lëshime.
– Shoku Ramiz: Për kuadrot që vijnë a procedohet në organizatë?
– Malo Hasanramaj: Po, por asgjë nuk thuhet nëse e kryen detyrën apo jo. Këtu për shembull, thuhet se nuk e kryen detyrën, por ngrihet në përgjegjësi. 
– Shoku Detar Avdia: Në organizatë bëhen diskutime, merren vendime. A i jepen drejtorisë politike vendime e organizatës? 
– Malo Hasanramaj: Po
– Shoku Ramiz: Vendimet e organizatës ai i imponohen komandës?
– Malo Hasanramaj: Shumë shefa mënjanohen. Puna më e madhe bie mbi shpatullat e komunistëve të thjeshtë.
– 6. Luto Haxhiu (me shkrim)
– Shoku Ramiz: A është e normuar. Kjo që uniforma për disa është ndryshe e për disa të tjerë është ndryshe?
– Ahmet Demçllari: Kjo nuk është e normuar, por është dhënë që për shokët kryesor të bëhet ndryshe. 
– Shoku Luto Haxhiu: Beqiri tha që të dorëzohet uniforma e vjetër. Shoku Hito ishte për atë që kjo të mos bëhet se mos cenohet gjendja moralo politike e kuadrit. Por Beqiri tha që kjo është porosi e shokut Enver. Shoku Hito i tha gjithashtu që ka gabuar dhe për dekoratat, atëherë ai u nxeh dhe shau.
– Shoku Ramiz: Cili është mendimi juaj lidhur me trajtimin e kuadrit? Disa herë ne nuk ua kemi aprovuar lëvizjet e kuadrit. Vetëm duke u nisur nga ajo që ka shumë lëvizje. Për të lëvizur një njeri do të lëvizin 7-8 vende. Si e shihni ju këtë? Sa ka influencuar Beqir Balluku? A ka pasur ai ndonjë synim?
– Luto Haxhiu: Kuadrin e ulur ai nuk e njihte fare dhe nuk merrej me të. Mendimet për lëvizje i ka pasur për kuadrin drejtor e komanda korpusi. Ne i kemi qëndruar dhe kemi bërë më pak lëvizje nga sa është kërkuar nga ai. Lëvizjen e kuadrove të mesëm e të ulët e ka bërë vetë sektori i kuadrit. 
– Shoku Ramiz: Më shumë kritikë për njëri tjetrin dhe për shefat
– Duro Shehu (më shkrim);
– Ilo Koti (me shkrim)
– Shoku Ramiz: Komiteti i partisë varet nga drejtoria politike, kurse drejtoria politike drejton gjithë punën e partisë në ushtri.
– Ilo Koti: U hoqën gradat por u shtuan titujt. 
– Shoku Ramiz: Me ç’kuptim e thua këtë?
Ilo Koti; E kam fjalën për uniformën, dhe bëhen dallime kur bëhen pushimet. 
– Shoku Ramiz: Diferenca duhet të ketë, por jo privilegje. 
– 9. Osman Alla, Hamza Malaj ( me shkrim)
– Shoku Ramiz: Kush ua përgatit shokëve kryesor fjalimet e artikujt. 
– Hamza Malaj: Fjalimet publike i përgatit sektori i edukimit, porse artikujt në shtyp i shkruajnë vet. Kohët e fundit nuk është shkruar fare. Ish ministrit ia kemi përgatitur gjithmonë ne. Shoku Hito punon vetë. 
Shoku Ramiz bën vërejtje lidhur me botimet në revistën “10 Korriku” për intervistën me heronj etj. Kur flasin për kuadrin duhet pasur më tepër modesti. Kështu zhvillohet kulti. Këto nuk janë stili e metoda e partisë tonë. Këto nuk edukojnë. Lëshimet në shtyp janë lëshime në vijë, prandaj nuk duhen lejuar. 
– Shoku Hamza: Pranoj se kam përgjegjësi shumë të madhe. 
(Fondi i Drejtorisë Politike MMP nr. 99 Lista nr. 24. Dosja ½ AQU) 

NESËR DO TË LEXONI
-Fjala e fundit e Ramiz Alisë për punën “armiqësore të puçistëve” në ushtri
-Si u nëpërkëmbën gjeneralët e ushtrisë dhe u etiketuan me nofka ordinere
-Cilët ishin ushtarakët e degjeneruar që drejtuan Ministrinë e Mbrojtjes 30 vjet
Sigal