Ramizi: Unë s’jam për të dënuar njerëzit me vdekje

880
Alia ka biseduar për rreth katër orë në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektualë, mes të cilëve Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha dhe Fatos Nano. 
ARKIVA IX / Nga takimet e Ramiz Alisë me intelektualët e vendit në prag të ndryshimeve të mëdha të vitit 1990
TAKIMI ME INTELEKTUALËT
“Telegraf” vijon botimin e pjesës së nëntë të bisedës së Ramiz Alisë me intelektualët, zhvilluar më 12 gusht 1990. Zhvillimi i ngjarjeve në Evropë pas përmbysjeve që ndodhën në vendet e lindjes padyshim që të çonte në mendimin se ajo që ndodhi andej do të ndodhte edhe në Shqipëri. Në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, Alia ka biseduar për rreth katër orë në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektualë, mes të cilëve Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha dhe Fatos Nano. 
(vijon nga numri i kaluar)
Bashkëbiseduesi: “Nga ora 10 ose 10 e gjysmë nuk rrinë në punë fare, ai thotë nga ora dhjetë dhe unë po ju them orën e tij, mbase ai e ekzagjeron, ka edhe ekzagjerime. Unë i kuptoj mirë ekzagjerimet, se po e dërgojmë në 12, hiperbolat që bën njerëzia. Në këtë rast nuk është dezinformacion, është hiperbolë më tepër, edhe do të shikosh që nuk janë në punë. Shihni më njerëz të besimit që pjeshkat në degë që shiti kjo ndërmarrje vet, ta zemë në 1 mijë kuintal, sivjet shiti 200, po them vjet edhe sivjet, nuk them parvjet. Nga 1 mijë arrit në 200. Këto janë të konstatueshme. Ai drejtori atje që nuk rri as në zyrë. Më falni, se më gjeti edhe mua që marr shpesh në telefon dhe nuk gjej kurrkënd. Po, po, shokët e mi që janë në zyra, jo shokët e mi pensionistë, se ata janë nëpër shtëpia, i marr në telefon. Ja ku ështe Dritëroi këtu…”.

Dritëro Agolli: “Mua më ke gjetur”. 
Bashkëbiseduesi: “Pardje të kam marrë në telefon, epo i kam marrë në telefon të tërë telefonat e Lidhjes së Shkrimtareve, vetëm kryetari ishte në zyrë, më falni. Tani nuk them këtë për shembull, për Lidhjen e Shkrimtarëve, këtë e jap për ta përgjithësuar. Pra, atë drejtorin e asaj ndërmarrjes, atë mos e kërko as nga ora 12 se nuk është kurrkund. Madje, ai të rrëshqet porsi ngjalë, sepse ai do të thotë që kam qenë te vila… Të jap një shembull tjetër. Ishte këtu në Tiranë një ndërmarrje, e cila fabrikonte pasta, pije freskuese, kështu gjërash, ishte ndërmarrje e madhe. Nuk e di si i thonë, ka emër kjo punë, por nuk e di si thonë. Kjo kishte një makinë. Mirëpo, kjo ndërmarrje nuk mund të funksiononte me kaq e madhe dhe kishte shumë të drejtë, mbase nuk e gjykoj dot. U nda në tri ndërmarrje, mori tre makina. Unë kam një ballkon belveder për këtë çështje. Dal atje në orën 8 të mëngjesit dhe shikoj makinën që lëviz, sytë i kam të mirë, kur shikoj me gjyzlykë dhe lëviz çfarë makinash? Me gra, me fëmijë, me shofer. Tre shoferë bashkë, nuk lëvizin makinat me funksionarë. Si është e mundur? Te dera do të vihen në organizatën e partisë edhe jo te dera e Akademisë, por përpara se të prishej Parku e bëmë arrakat fare, atje ku të hipësh shyqyr tani, do të ngjitesh nja pesë centimetra nga trotuari lart, aty ishte një makinë nga Elbasani”. 

Ramiz Alia: “E ku paska qëlluar edhe nga Elbasani…”.
Bashkëbiseduesi: “Mbushur me gra, me fëmijë, edhe një burrë i madh, sa dy herë unë, që unë nuk e njoh. Unë duke nxituar se isha në orar, desh më shtypi, desh me shkeli…”.
Ramiz Alia: “Pu, pu, pu, edhe Elbasani ta bëj këtë gjë…”.

Bashkëbiseduesi: “Atëherë e pashë që ishte Elbasani. Atëherë kjo makinë, si ka mundësi që udhëton nga Elbasani për këtu në Tiranë? Kaq kollaj, kaq shumë kështu… Pra, ka raste ekzakte kur privilegjeve mund t’u pritet koka, ka raste ekzakte kur mund të marrim masa shembullore. Populli do t’i aprovojë 1001%. Unë me ndërgjegjen time, për njeriun që nuk dua t’i pritet koka askujt, i aprovoj 2001% ose 2002%, ka raste të tilla”.

Ramiz Alia: “Ti ke shumë të drejtë. E para njëherë, fenomene të tilla që thua ti, ka, s’e luan as topi. Edhe që duhet partia e shteti dhe të gjithë, që të luftojmë kundër tyre, korrupsionit, po e quaj shqip, medoemos. Për sa i përket çështjes që u liruan nga burgu apo jo vjedhësit, unë desha vetëm të sqaroj një gjë, në këto amnisti që kemi bërë, janë përjashtuar nga amnistia vjedhësit. Më fal. Njerëzit janë përshtatur. Do të vi tani aty. Tani t’i ngrite problemin e moshës, edhe të pushkatimit. Unë për veten time, si kryetar i Presidiumit, pothuajse në çdo mbledhje kur na vijnë propozime për falje, për këto që janë dënuar me vdekje, unë jam shumë pro këtyre faljeve. Unë nuk jam për dënimin me vdekje. Dënimi me vdekje është një gjë shumë e rëndë. Të dënosh tjetrin me pushkatim është shumë, shumë e rëndë. Te mos harrojmë, në origjinën tonë edhe si të thuash edhe zakonet tona, hakmarrja ekziston një çikë. Më shkruante një nënë një ditë, një letër: Shoku Ramiz, si është e mundur që unë e shoh atë vrasësin e djalit tim, që është gjallë, edhe pse u fal ky? U detyrova t’i shkruaj, t’i bëj një letër të shkurtër. T’i them, edhe mbylla kështu letrën: A do të ndjeje kënaqësi ti të shihje një nënë tjetër të qante si ti? Pati mirësinë të më thotë dhe të më përgjigjet: “Faleminderit shumë!. Unë mendoj që jo pak njerëz, që dënohen me vdekje, kupton, nuk e zgjidh ai problemin dhe unë besoj që je dakord edhe ti. Tani të vijmë edhe te 60-vjeçarët. Ne morëm vendim, në atë amnisti që t’i lirojmë. Tani 60 vjeç në burg janë të vërtetë. Unë jam dakord me ty qe ka koinciduar ndonjë nga këto hajdutët me çizme kur i thonë, kur thonë që paskan përfituar nga ajo?! Mundet, mundet. Por, domethënë, të mbash në burg këta 60-vjeçarë e këto… Unë nuk e diskutoj, s’e di, nuk e diskutoj kështu, por ne e morëm në këtë kuptim, më tepër nisur nga një koncept humanitar, ndoshta duhet parë kokërr për kokërr. Për sa i përket anës së vjedhjeve, kupton, në mos gaboj, nuk e di, mundet s’e kam të saktë. Por, më duket se çdo vit nja 2 mijë deri në 2 mijë e 500 vetë futen në burg për vjedhje. Domethënë edhe masa e dënimit për këta nuk është e vogël. Është madje si me kuota ai Kodi Penal, sipas rëndësisë së fajit. Po ke bërë vjedhje 5 mijë lekë, dënohesh 10 vjet, po ke bërë 15 mijë lekë dënohesh 20 vjet, e kështu me radhë. Por, si ide jam që luftë kundër korrupsionit duhet dhe duhet një luftë e madhe. Shiko, tani edhe një gjë do t’ju lutesha, do të caktojmë një kohë që ta mbyllim”.
NESËR DO TË LEXONI:
Debati midis Ramiz Alisë dhe Ismail Kadaresë
Ismail Kadare: Demokraci e pluralizmit të mendimit
Ramiz Alia: Unë nuk jam për të mbyllur debatin
Sigal