Ramizi: Unë, asnjë konflikt me Nexhmijen Hoxhën

771
ARKIVA III / Nga takimet e Ramiz Alisë me intelektualët e vendit në prag të ndryshimeve të mëdha të vitit 1990
(vijon nga numri i kaluar)

TAKIMI ME INTELEKTUALËT
“Telegraf” vijon botimin e pjesës së tretë të bisedës së Ramiz Alisë me intelektualet, zhvilluar më 12 gusht 1990. Zhvillimi i ngjarjeve në Evropë pas përmbysjeve që ndodhën në Vendet e Lindjes padyshim që të çonte në mendimin se, ajo që ndodhi andej, do të ndodhte edhe në Shqipëri. Ky ishte rezultat i përfundimit të Luftës së Ftohtë. Pra, mundësia e përmbysjes së socializmit në Shqipëri ishte evidente. Pikërisht në një situatë të tillë Ramiz Alia ka thirrur, më 12 gusht 1990, disa nga intelektualët kryesorë të Shqipërisë për një bisedë mbi gjendjen e vendit, vetëm një muaj pas hyrjes në ambasadat e huaja të mijëra shqiptarëve dhe shumë ndryshimeve në Vendet e Lindjes. Në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, Alia ka biseduar për rreth katër orë në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektualë, mes të cilëve Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha dhe Fatos Nano. Në këtë edicion “speciale” botohet debati fjala e Ramiz Alisë, i cili mes të tjerash shprehet për problemet ekonomike në vend si dhe thotë se në gjirin e Partisë së Punës nuk ka liberalë dhe konservatorë, duke hedhur poshtë zërat se ai ka divergjenca me Nexhimije Hoxhën, bashkëshorten e ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha.
Ramiz Alia: “Ne po ndërtojmë një shoqëri të re, nuk dimë, a duhet, apo nuk duhet. Teorikisht prona e vogël po zhvillon kapitalizëm. Pra, ç’është te ne pronë e vogël? Është një pikëpyetje, të cilës duhet t’i japim një përgjigje. Por, sidoqoftë, realiteti është ky. Ne hodhëm një hap të nxituar po të marrësh aspektin e drejtimit ekonomik, tek ne ka dominuar më shumë mendimi administrativ, e më pak koncepti ekonomik. Për konsekuencë, burokratizmit dhe subjektivizmit i është lënë fushë të lirë veprimi, duke zbehur kështu ligjin, forcën e ligjit, jo vetëm të ligjeve ekonomike po e po, por edhe të ligjeve të shtetit. Pra, çështje të tilla objektive dhe subjektive, nuk ka dyshim që kanë ndikuar në krijimin e vështirësive që ekzistojnë. Sot në ekonominë tonë, ju nuk jeni të huaj, e dini, pse e them unë nuk bëj ndonjë të keqe, ka padyshim një mospërputhje në zhvillimin e teknikës dhe të teknologjisë. Madje mund të themi se, në fushën e teknikës dhe teknologjise kemi një dobësi shumë të madhe, ajo është në rënie. Për konsekuencë, pika më e dobët, është rendimenti shoqëror i punës, që është i ulët. Ekonomia jonë nuk ka forcën konkurruese, ne e përballojmë mungesën e teknologjisë, teknikës, mungesën shoqërore të punës, me sasi njerëzish, duke përdorur më shumë fuqi punëtore se sa duhet. Këto kushte na kanë detyruar të bëjmë edhe sakrifica, edhe privacione dhe, nuk ka dyshim që, këto kushte armiqtë i shfrytëzojnë në veprimtarinë e tyre kundër nesh. Këto vështirësi dhe këto pengesa që ekzistojnë, i shfrytëzojnë në veprimtari kundër nesh. Këto situata nuk është që partia i sheh sot. Kushdo që lexon dokumentet e partisë, ne, ka kohë që po flasim për këto dobësi, për këto të meta. Natyrisht përvoja e vendeve të Lindjes na ka bërë të shikojmë me sy me kritik disa zhvillime të socializmit në vendin tonë. Këto të gjitha së bashku diktuan nevojën e vendimeve të Plenumit të Tetë të Komitetit Qendror, të Plenumit të Nëntë, të Dhjetë, të Njëmbëdhjetë, me synim që të ndreqnim disa çështje të domosdoshme, që të bënim ndryshimet që dikton koha në fusha të ndryshme. Kështu bëmë ndryshime në lëmin ekonomik, futja e mekanizmit ekonomik, çështjet e oborrit kooperativist, domethënë, dhënia e bagëtisë dhe e tokës fshatarit, shërbimet, riorganizim i tyre dhe i artizanatit, liberalizimi i tregut, duke lejuar tregun fshatar, duke lejuar edhe punën private, çështja e investimeve të huaja, që u aprovuan në dekretet e fundit të Kuvendit Popullor, por që në praktikën tonë e kemi marrë dhe kemi vepruar edhe me parë, rritja e pagave e të tjera shërbime. Të gjitha këto në fushën ekonomike janë një grup masash, të cilat synojnë që të gjallërojnë ekonominë nëpërmjet nxitjes së iniciativës së njerëzve, nëpërmjet rritjes së interesit material të punonjësve, nëpërmjet forcimit të drejtimit, me anë të ligjeve të ekonomisë. Domethënë, që nga fitimi te ligji i vlerës, që është zhvlerësuar fare në praktikë, te ligji i kërkesës dhe ofertës që është nxitës, stimulues i prodhimit etj. Unë nuk futem në këto detaje, se ju të gjitha këto i dini, por unë i them vetëm sa për t’i përmendur. Së dyti, ne bëmë ndryshime në lëmin e marrëdhënieve shoqërore, duke synuar demokratizimin e jetës së vendit me rritjen e rolit të masave, me mbledhjet e hapura të partisë, me zgjedhjet e konkursit për kuadrot, duke rregulluar konkursin për legjislacionin tonë dhe në këtë fushë duke bërë korrigjime të disa çështjeve që u ka kaluar koha apo ishin të ekzagjeruar, siç ishin problemet e dënimit agjitacion-propagandë, çështja e të arratisurve, të internimeve administrative, të çështjes së fesë, ndërgjegjes, besimit. Po kështu përmirësime bëmë edhe me ligjin për marrëdhëniet e individit me shtetin, të drejtat e tij duke futur avokaturën, pasaportat etj., etj. Pra, një grup tjetër çështjesh është në ndryshimin e lëmit të marrëdhënieve shoqërore.

Tjetër, kemi marrë masa në këto plenume për sa i përket përsosjes së sistemit politik, duke rritur, duke ngulur këmbë që të rritet roli i organeve të zgjedhura, roli i organizatave të masave, të cilat duhet të kenë më shumë pavarësi, më shumë në individualitetin e tyre, duke përcaktuar më mirë marrëdhëniet midis partisë dhe organeve të pushtetit, që është një politike e dobët në veprimtarinë tonë të përditshme. Duke përsosur sistemin e zgjedhjeve, të këshillave popullore, të Kuvendit Popullor, për të pasur më shumë kandidatë, më shumë deputetë, që, pa dyshim, mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Popullor, që mendojmë ta bëjmë nga fundi i tetorit ose nga fillimi i nëntorit, do të duhet përpunuar më tej kjo çështje se akoma nuk është përpunuar si ç’duhet. 

Më në fund, edhe në fushën e politikës së jashtme, duke synuar integrimin në proceset ballkanike, në proceset evropiane dhe botërore. Këtu hynë edhe çështjet e Konferencës së Helsinkit, pjesëmarrjes në të, njohjen e Tregut të Përbashkët Evropian, vendosjen e normalizimit të marrëdhënieve me SHBA dhe Bashkimin Sovjetik etj. Tani, në të gjitha këto fusha padyshim ka, në disa drejtime janë arritur rezultate dhe në disa të tjera nuk janë arritur rezultate. Për shembull, meqë hasa diku një pyetje, që pse u vendosën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, edhe nuk u vendosën me SHBA, nuk jemi ne. Synimi jonë ishte që të vendosnim përpara marrëdhëniet me SHBA, aty ishin interesat, ky ishte edhe një nga qëllimet që unë takova senatorët amerikanë dhe gazetarë amerikanë, ua thashë konkretisht këtë çështje. Por, jo vetëm kaq, kur ne biseduam për herë të parë me amerikanët, me zëvendëssekretarin e SHBA-ve dhe lamë takimin e dytë, e njoftuam atë që në të njëjtën kohë po bëjmë bisedime me sovjetikët. Madje, njoftuam që sovjetikët kanë propozuar që vendosja e marrëdhënieve diplomatike të avancohen. Ne e shtymë për një muaj këtë çështje për t’i dhënë kohë amerikanëve. I njoftuam, madje propozuam që të shkojë zëvendësministri ynë në Uashington, të vemi ne atje, për bisedime për këtë çështje. Por, amerikanët e ndalën pas ngjarjeve të këtyre ambasadave, ashtu siç e ndalën italianët, gjermanët, francezët, të gjitha marrëdhëniet ekonomike në Shqipëri. Tani kanë filluar pak t’i rimarrin, si të thuash. Dëshiroj të ritheksoj se të gjitha hapat që hedhim si në ekonomi, si në politikë, synojnë të forcojnë pozitat e Shqipërisë socialiste, por… është ruajtja e lirisë dhe pavarësisë së saj. Për këtë çështje, ne kurrë dhe me askënd nuk diskutojmë, këtë duhet ta kemi të qartë. Mund të bëjmë manovrime sa të doni, nga çdo anë, me këdo të diskutojmë, nuk kemi frikë të bisedojmë me askënd, ballafaqohemi me kë të duam. Por, po është çështja për pushtetin, për lirinë, për pavarësinë e atdheut, ne këtë nuk e vëmë në diskutim asnjëherë. Realizimi i këtij programi për të cilin fola është në proces, por duhet pasur parasysh që nuk bëhet në një ditë. Kritizerët duan që kjo të bëhet sa hap dhe mbyll sytë, por nuk janë punë të thjeshta, as mekanizmi ekonomik, as investimet e huaja nuk bëhen për 24 orë. 

Po ju them një gjë konkrete, është tani, mbasi ka mbaruar sot. Një shoqëri gjermane e naftës me të cilën ka një vit ose me tepër që diskutojmë çështjen e shfrytëzimit të naftës në det, për shpime në bregdetin e Adriatikut. Diskutimet nuk janë të lehta, se shpesh shokët tanë nga halli, jo nga e mira, nxitojnë, por nuk janë të lehta, sepse fjala nuk është për pesë lekë, investimet e naftës në det bëhet fjalë për 500 milionë dollarë. Prandaj 1% me shumë apo 1% me pak i thonë 5 milionë me shumë ose 5 milionë me pak. Prandaj nuk është edhe e lehtë diskutimi mbi këtë çështje, por, pavarësisht nga kjo, sot duhet të kenë përfunduar me këtë shoqërinë gjermane për të bërë kontratën, për të sigluar kontratën për këtë çështje, e cila pas dy javësh duhet të vërtetohet nga drejtoria e shoqërisë së naftës atje dhe drejtoria e shoqërisë së naftës këtu. Pastaj duhet të fillojë përpilimi i kontratës një për një, e cila do të vazhdojë të paktën 2 muaj, pasi do të vijnë avokatë të tyre me avokatët tanë. Shoku Luan Omari e di se sa të aftë i kemi edhe ne avokatet për këto çështje veçanërisht, pra do të detyrohemi të marrim avokatë të huaj. Të supozojmë që mori edhe kjo fund siç thashë. Tani, vetëm për planin që ka dërguar kjo për shpime, do minimumi, kërkon dy vjet kërkime në det dhe dy vjet pasi të jenë vërtetuar ato rezultate, dy vjet të tjera për të filluar prodhimin. Pra, nuk është një çështje që zgjidhet për një ditë. Pasi njerëzit kërkojnë sot, nesër të bëhen, nuk bëhen aq kollaj. 

E dyta, në procesin e zhvillimit të këtij programi, do punë, do dije. Unë nuk e kam për zor t’ju them se mungojnë dijet, ka njerëz që mendojnë se dinë, ndërsa unë për veten time nuk e them dot kështu. Pse nuk e them kështu? Ja për shembull ta kapim prapë me Luan Omarin, e shikon, nuk dinë shokët tonë të vënë taksa, ligjin mbi taksat, nuk dimë ta bëjmë. Janë mësuar 30 vjet pa taksa, nuk dimë të bëjmë ligj mbi taksat. Tani, fakti është që shumë nga këto vendimet tona nuk po zbatohen shpejt. Pse? Sepse nuk dimë t’i përgjigjemi siç duhet me këto rregullat, me ligjet, me këto gjëra. Shiko, unë ‘marshalla’ nuk u them këtyre, kuptojeni, unë po paraqis që të jemi të qartë për vështirësitë që ka. 
KONSERVATORËT DHE LIBERALËT
E treta, këtu ka pengesë nga burokracia, nga konservator dhe liberal, kur them konservator e liberal një sqarim të vogël dua të bëj. Nuk ka opozitë politike në parti, këtë të jeni të qartë, nuk ka opozitë politike në udhëheqje të partisë, sepse shkruajnë nëpër këto gazeta që në një krah është Ramiz Alia dhe ‘x’ e ‘y’, ndërsa në krahun tjetër janë disa konservatorë dhe e kanë kapur Nexhmijen e shkretë edhe e kanë vënë si flamur. Nuk është e vërtetë. Nuk ka në udhëheqjen e partisë kundërshtime lidhur me vijën që ndjek. Pra, opozita politikë konservatore, liberale, nuk ka. Por, efektivisht, objektivisht, në veprimtarinë e përditshme ka njerëz që pengojnë. Pengojnë, sepse është e lidhur edhe një çikë me interesat e tyre. Për shembull, unë po bisedoja me shokun Xhelil, nuk e kuptoj, unë nuk e kuptoj në mënyrë absolute se pse në Tiranë hezitohet të shkatërrohen të tëra ndërmarrjet e artizanatit, të prishen të gjitha ndërmarrjet e tregtisë dhe të shndërrohen ato të tëra në njësi me vetëfinancim, ku ndërmarrja vetëm të kërkojë tatimin dhe ata të bëjnë ç’të duan, t’i shesin sa të duan, të shesin si të duan dhe rrogën ta nxjerrin nga shitja që bëjnë. Nuk shesin, të mos marrin rrogë. Të shesin të marrin rrogë, 10 mijë lekë, 15 mijë lekë, 20 mijë lekë, t’ju bëhet rroga. Këtë nuk e kuptoj, çfarë prisni?! Domethënë, po dale, po kështu e po ashtu. Unë jam i bindur që këtu bllokojmë tamam drejtoritë e artizanatit, drejtoritë e tregtisë, të cilat janë bërë shumë të rënda, kanë nga 40-50 vetë, prishja e këtyre, mbeten pa punë. Fatkeqësia e tyre është se këta nuk kanë as zanat edhe as shitës nuk bëhen, as këpucar nuk bëhen dhe as rrobaqepës nuk bëhen.

Ndërhyrje nga salla: “T’i çojmë figurantë”.
Ramiz Alia: “Po mirë, t’i marrim, t’i çojmë në teatër. Disa në teatër dhe disa në Kinostudio. Dua të them pra, ka elementë të tillë që padyshim e pengojnë këtë. Merr për shembull, kemi thënë të ndërtohen shtëpi me paratë e qytetarëve, në disa qytete është vënë re më mirë kjo. (I drejtohet një bashkëbiseduesi në sallë) Ishe në Pogradec ti?”

Bashkebiseduesi: “Jo!”
Ramiz Alia: “Se më thanë që në Pogradec e kanë bërë një çikë më mirë. Nuk e di. Në Tiranë nuk ecën. Si thua ti?”
Bashkebiseduesi: “I kërkojnë me shlyerje brenda 3 vjetësh, nuk bëhet”.
Ramiz Alia: “Nuk e di, Luarasi mbase e di”. 

Luarasi: “Ecën nga pak”. 
Ramiz Alia: “Ç’është për Tiranën një 300 mijëshe, 20-30 apartamente ose 40 apartamente. Pra, ka gjëra të tilla që pengohen. Pse i them këto? Nuk mendoj dhe as nuk dua të justifikoj apo të marr në mbrojtje njerëz të organeve qendrore. Burokratizmi fillon që nga ministritë. Madje, nëse e doni më ekzakt, që nga ministrat, që nga ata fillon. Se nëse ka paqartësi në këto çështje është pikërisht se nuk janë në ballë të luftës, pikërisht ministrat. Unë nuk e kuptoj, merret vendimi i Komitetit Qendror për t’ju dhënë fshatarëve tokën, ai nuk ia jep tokën, se nuk ia jep sekretari i kooperativës. Po mirë, ç’bën sekretari i partisë? Ç’bën komiteti ekzekutiv? Ç’bëjnë organizmat qendrorë? Tani për një ditë nuk bëhet dot se edhe ata kanë belatë e tyre, se ai tokën e ka mbjellë me misër, do të marrë misrin dhe pastaj t’i japë tokën fshatarit. Është edhe ky marifet”.
Një bashkëbisedues: “Ka edhe marifete të tjera, që mund t’i japësh një dynym…”

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI
Alia: Fatos Nano nuk është dakord të ngrihen rrogat
Debati për gjetjen e kufomave tek Mali me Gropa
Cili ishte dizinformacioni i shtypit për gjendjen?
Sigal